40. Gafir · Ajeti 46 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 40:34–40:46
Populli kibt nuk u kishte besuar as pejgamberëve të mëparshëm, ata ishin të mashtruar gjithnjë prej sunduesve, faraonëve të tyre, e nuk besonin në pejgamber. Mirëpo, fjalët e atij besimtari kishin lënë përshtypje në masë, andaj faraoni urdhëroi t'i ndërtohet një ndërtesë e lartë, kinse do të arrijë në rrugët e qiejve e ta shohë se a ka zot tjetër pos atij dhe ashtu ta hutojë popullin. Besimtari i vazhdoi këshillat për t'i bindur se janë në rrugë të gabuar dhe se do t'i gjejë më e zeza, nëse nuk ndjekin rrugën e besimit, e më në fund, pas të gjitha këshillave, iu mbështet Allahut që ta ndihmojë dhe Ai e shpëtoi, e faraonin dhe ithtarët e tij i përfshiu dënimi më i rëndë.
Sipas ajetit 46 në të cilin përmendet se zjarri do t'i djegë në mëngjes e mbrëmje, kuptohet se fjala është për dënimin në varreza, pse në botën pas kësaj, nuk ka mëngjes a mbrëmje dhe pse në vazhdim të ajetit thuhet se në ditën e kijametit, në botën tjetër, urdhërohen engjëjt që faraonin dhe ithtarët e tij t'i fusin në një dënim edhe më të rëndë, e nga kjo kuptohet se ata ishin në një dënim, atëherë futen në një tjetër edhe më të rëndë. Pra ishin në varreza të ndëshkuar, e me këtë vërtetohet se jeta në varreza ka shpërblim ose ndëshkim.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 40:41–40:46
Ky besimtar i mirë, nga mesi i familjes së Faraonit, i drejtohet popullit të vet, duke i qortuar: - “O populli im! Ç’është kështu, unë ju thërras në shpëtim, ndërsa ju më thërri - sni për në Zjarr?!” - Pra, ç’është me ju, që unë ju ftoj në rrugën e shpëtimit, e cila është rruga e adhurimit të Allahut si një i vetëm dhe pa ortak dhe besimi në vërtetësinë e Profetit të dërguar prej Tij, ndërsa ju: - “Ju më thërrisni që të mohoj Allahun dhe të adhuroj veç Tij zota të tjerë, për të cilët nuk kam asnjë dijeni ...” - Pra, ju më ftoni që unë të bëj këtë padrejtësi të madhe, pa asnjë lloj argumenti, madje me injorancë dhe padituri të plotë. - “... ndërsa unë ju ftoj të adhurojmë të Gjithëfuqishmin, Falësin e madh.” - Allahu, me krenarinë, madhështinë dhe lartësinë e Tij, i fal të gjitha gjynahet e atyre që pendohen dhe kthehen tek Ai. - “Është e vërtetë se ata zota, tek të cilët ju më ftoni ...” - Domethënë, adhurimi i idhujve dhe kotësirave: - “... nuk meritojnë t’u lutesh as në këtë botë e as në botën tjetër.” - Këta idhuj, që ju i adhuroni, nuk mund t’iu përgjigjen lutjeve, as në këtë botë dhe as në ahiret. Kjo ngjan me ajetin: “Kush është më i humbur se ata të cilët, në vend të Allahut, u luten atyre që nuk mund t’u përgjigjen (edhe sikur t'u luten) deri në Kijamet?! Ata janë të paditur (e të pafuqishëm t'u përgjigjen) për lutjet e tyre. Dhe kur të mblidhen bashkë të gjithë njerëzit (në ditën e Llogarisë), ata (idhujt) do të jenë armiqtë e tyre dhe do t’ua mohojnë adhurimin që u përkushtuan.” [Ahkaf 5, 6]. Ose: “Nëse u luteni atyre, ata nuk e dëgjojnë lutjen tuaj; por, edhe sikur ta dëgjonin, ata nuk mund t'i përgjigjen (lutjes suaj). Në Ditën e Kijametit, ata do ta mo - hojnë adhurimin tuaj. Dhe askush nuk mund të ta thotë ty (o njeri), të vërtetën, siç ta thotë Ai, që është i Gjithëditur.” [Fatir 14]. - “Kthimi ynë është tek Allahu.” - Përfundimi ynë është në jetën e ahiretit, kur çdokush do të marrë shpërblimin e merituar për punët e veta. - “Nuk ka dyshim se ata, që i shkelin kufijtë do të jenë banorë të Zjarrit.” - Ku do të jenë përjetësisht, për shkak të tejkalimit të çdo kufiri prej tyre, dhe pikërisht për idhujtarinë. - “Shumë shpejt, ju do t’i kujtoni këto që po ju them.” - Do ta mësoni vërtetësinë e këtyre fjalëve që po ju them. - “Unë çështjen time ia besoj Allahut ...” - Unë i mbështetem Allahut, Atij i kërkoj ndihmë, duke u distancuar dhe duke ndërprerë marrëdhëniet e mia me ju. - “... sepse Allahu i sheh robërit e Vet!” - Allahu është Gjithëshikues i krijesave të tij. I Lartësuar, i Dëlirë është Allahu i Madhë - ruar. Ai udhëzon ata që e meritojnë udhë - zimin dhe lë në humbje dhe në errësirë ata që e meritojnë humbjen dhe errësirën. Atij i takon argumenti i pacenueshëm, urtësia e plotë dhe vendimi i pakundërshtueshëm. - “Dhe Allahu e mbrojti atë prej të këqijave e kurtheve që i kurdisën ...” - Allahu i Madhëruar e shpëtoi këtë besimtar të mirë në jetën e kësaj dynjaje, duke bërë të mundur që ai të shkonte së bashku me Musain dhe të mos ishte prej atyre që u mbytën. Ndërsa në ahiret Allahu i Madhë - ruar e ruajti atë prej zjarrit dhe e futi në Xhenet. - “... ndërsa ithtarët e Faraonit i përfshiu dënimi më i rëndë.” - Ky ndëshkim, i përshkruar si “dënimi më i rëndë”, ishte
mbytja dhe më pas kalimi i menjëhershëm në zjarrin e ndezur fort. - “Ata do të sillen para zjarrit mëngjes e mbrëmje, ndërsa kur të vijë Ora, do të thuhet: “Futini pasuesit e Faraonit në dënimin më të rëndë!” - Ata i afrohen Zjarrit mëngjes e mbrëmje, dhe kështu do të vazhdojë deri në Ditën e Kijametit, ditë në të cilën ata do të zhvendosen nga ndëshkimi i varrit, në dhimbjet dhe ndëshkimin e plotë të djegies në zjarrin e Xhehenemit. Dijetarët janë argumentuar me këtë ajet për vërte - tësinë e ndëshkimit në ‘ berzah’, pra, në jetën e varrit, dhe pikërisht me fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ata do të sillen para zjarrit mëngjes e mbrëmje”. Buhariu sjell hadithin nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), 2303. se: njëherë, një jehude hyri tek ajo dhe tha: “I kërkoj mbrojtje Allahut prej ndëshkimit në varr!” Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e pyeti të Dërguarin e Allahut rreth ndëshkimit të varrit dhe ai i tha: “Po, ndëshkimi i varrit është i vërtetë.” Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) vijoi dhe tha: “Kurrë më pas nuk e kam parë Profetin e Allahut që të falte ndonjë namaz dhe të mos lutej në të për t’u mbrojtur dhe shpëtuar nga ndëshkimi i varrit.” Hadithet që flasin rreth ndëshkimit të varrit janë të shumta. Ibn Ebu Hatimi transmeton nga Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se, ndër të tjera, ka thënë: “Shpirtrat e ushtarëve t ë ushtrisë së Faraonit janë në brendinë e disa zogjve të zinj, të cilët fluturojnë mbi Xhehenem, shkojnë dhe kthehen, dhe është pikërisht kjo përballja e tyre me zjarrin dy herë në ditë.” Nga Ebu Said el Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se, në lidhje me ndëshkimin në varr, në një hadith të gjatë, Profeti i Allahut ka thënë: 2304. “Pastaj (melekët shoqërues) vazhduan të ecin së bashku me mua, mes shumë e shumë krijesave të Allahut. Pamë burra, që secili prej tyre e kishte barkun si një shtëpi e madhe. Ata ishin të prangosur e qëndronin rrugës së familjes e Faraonit, ndërsa ushtria e Faraonit paraqitej në zjarr në mëngjes dhe në mbrëmje, siç thotë i Lartësuari: “...ndërsa kur të vijë Ora, do të thuhet: “Futini pasue -sit e Faraonit në dënimin më të rëndë!”. Atëherë, familja e Faraonit do të jenë si ato devetë e helmuara, që ecin të çoroditura e përplasen me gurët dhe pemët.”.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 40:41–40:46
- “O populli im! Ç’është kështu, unë ju thërras në shpëtim, ndërsa ju më thërrisni për në Zjarr? ” – Kuptimi: O populli im, çfarë bëni kështu? Unë ju ftoj në rrugën e drejtë, kurse ju më ftoni në Zjarr, duke më kërkuar të mos ndjek profetin e Allahut, Musain (a.s.). Më pas, ai tha: - “Ju më thërrisni që të mohoj Allahun dhe të adhuroj veç Tij zota të tjerë, për të cilët nuk kam asnjë dije, ndërsa unë ju ftoj të adhurojmë të Gjithëfuqishmin, Falësin e Madh.” - Kuptimi: Ju më ftoni të adhuroj dikë tjetër si Zot, ndërkohë që ju nuk keni asnjë fakt për këtë pretendim. Ju trilloni të pavërteta rreth Zotit. Ju flisni rreth Tij pa pasur dituri, dhe ky është një nga gjynahet më të mëdha. Ndërsa unë ju ftoj që të adhurojmë vetëm Allahun, Krenarin e Plotfuqishëm, Falësin e madh të gjynaheve. Ju ftoj t’i përkushtoheni Krenarit, të Cilit i takon e gjithë fuqia dhe pushteti, ndërsa të tjerët nuk kanë asgjë në dorë. Unë ju ftoj të ktheheni të penduar tek Ai, që është El Gaffar - Falësi i madh. Kthehuni tek Allahu, i Cili, me gjithë pushtetin e Tij për gjithçka, i mëshiron dhe afatizon robtë e Tij, të cilët e ngarkojnë veten e tyre me gjynahe dhe vepra që e zemërojnë Atë. Nëse ata pendohen dhe i kthehen të nënshtruar, Ai ua fal dhe mbulon gjynahet
dhe veprat e këqija. Me faljen e këtyre gjynaheve, Ai i shpëton ata nga ndëshkimet e dynjasë dhe të ahiretit. - “Është e vërtetë se ata zota, tek të cilët ju më ftoni, nuk meritojnë t’u lutesh as në këtë botë e as në Botën Tjetër.” - Nuk ka asnjë dyshim se ata të cilët ju më ftoni t’i adhuroj nuk meritojnë t’u lutesh dhe t’u përgjërohesh, as në dynja e as në ahiret, sepse ata janë të pafuqishëm, të papushtetshëm, të mangët e nevojtarë për vete. Ata nuk mund të bëjnë dobi e as dëm, nuk mund të falin jetë e as ta marrin atë. Ata nuk kanë pushtet të ringjallin krijesat dhe të marrin në llogari, ashtu si bën Zoti i Madhërueshëm. - “Kthimi ynë është tek Allahu.” - Të gjithë do të kthehen tek Allahu, i Cili, me drejtësinë dhe bamirësinë e Tij, do t’i shpërblejë për veprat që kanë bërë. - “Nuk ka dyshim se ata, që i shkelin kufijtë (me gjynahe), do të jenë banorë të Zjarrit.” - Banorë të Zjarrit do të jenë vetëm ata që i kalojnë kufijtë e vendosur nga Zoti, duke mos iu bindur dhe duke e refuzuar adhurimin e Tij. Pasi i këshilloi, qortoi dhe paralajmëroi dhe ata nuk iu bindën, ai iu tha: - “Shumë shpejt, ju do t’i kujtoni këto që po ju them.” - Këto këshilla do t’i kuptoni dhe kujtoni kur të shihni përfundimin e hidhur të refuzimit të saj, kur të befasoheni me ndëshkimin dhe të privoheni nga shpërblimi i madh dhe i mrekullueshëm. - “Unë çështjen time ia besoj Allahut,...” - Vetëm tek Ai kërkoj mbrojtje e strehim dhe vetëm Atij ia parashtroj të gjitha çështjet e mia. Vetëm Allahut i mbështetem për arritjen e çdo të mire dhe për shpëtimin nga çdo e keqe që i druhem. Tek Ai kërkoj mbrojtje që të më ruajë nga sherri juaj e i çdo gjëje tjetër. - “...sepse Allahu i sheh robtë e Vet!” - Kuptimi: Allahu i sheh ata dhe e di imtësisht gjendjen e tyre dhe atë që ata meritojnë. Ai e di mirë, gjithashtu, edhe gjendjen time dhe dobësinë dhe Ai do të më mbrojë prej jush. Është Ai që do të më ruajë nga ligësia juaj. Ju as që mund të veproni jashtë vullnetit të Tij. Nëse ju jep pushtet mbi mua, atëherë këtë e bën me urtësinë e Tij të madhe, dhe ashtu le të ndodhë, sepse kjo është dëshira dhe vullneti i Tij. - “Dhe Allahu e mbrojti atë prej të këqijave e kurtheve që i kurdisën,...” - Allahu i Gjithëfuqishëm dhe i Gjithëmëshirshëm e ruajti dhe shpëtoi atë besimtar të mirë e të udhëzuar. Allahu e shpëtoi nga kurthet që Faraoni dhe pala e tij kishin përgatitur për të. Ata donin ta ndëshkonin dhe ekzekutonin, për shkak se ai i ftonte në rrugën që ata e urrenin. Besimtari ua shfaqi haptazi mbështetjen e tij për Musain (a.s), dhe i ftoi pikërisht në rrugën ku thërriste edhe Musai (a.s.). Kjo, sigurisht, ishte diçka që ata nuk mund ta toleronin dot, sepse ata ishin të pushtetshmit. Zemërimi kundër tij ishte ndezur flakë. Ata u përpoqën që ta ndëshkonin, por Allahu i Madhëruar e ruajti nga kurthet e tyre, madje ua ktheu ato kundra vetes së tyre. I Madhëruari thotë: - “...ndërsa ithtarët e Faraonit i përfshiu dënimi më i rëndë.” - Allahu i Madhëruar i fundosi dhe i mbyti të gjithë në ujë, në një mëngjes të vetëm. Ky ishte ndëshkimi i tyre në jetën e dynjasë. Ndërsa për ndëshkimin e tyre në berzah, pra, në jetën e varrit, i Madhëruari thotë: - “Ata do të sillen para zjarrit mëngjes e mbrëmje, ndërsa kur të vijë Ora, do të thuhet: “Futini pasuesit e Faraonit në dënimin më të rëndë!” - Të tilla janë ndëshkimet poshtëruese që godasin mohuesit e profetëve të Zotit, kundërshtarët dhe armiqtë e rrugës së Tij.