40. Gafir · Ajeti 51 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 40:47–40:66

Zoti i madhëruar nga mëshira e vet parashtron skenën e mëkatarëve, kur në xhehenem do të grinden mes vete, kur do të përpiqen t'i hudhin fajin njëri-tjetrit, kur u drejtohen engjëjve kujdestarë që ata ta lusin Zotin që t'ua lehtësojë sadopak vuajtjet, e më në fund shihet qartë se lutja e tradhtarit nuk merret parasysh. Këtë pasqyrë të së vërtetës së ardhshme, e paraqet përmes Kur'anit, ashtu që njerëzve t'u ndihmohet më herët që ta gjejnë rrugën e drejtë, nëse duan, pse në ditën e gjykimit nuk pranohen arsyetimet.

Ndihma e Zotit gjithnjë ka qenë dhe mbetet në anën e pejgamberëve dhe të besimtarëve, edhe në dynja e edhe në Ahiret, andaj besimtarët duhet te jenë të durueshëm, të kërkojnë faljen e mëkateve, ta madhërojnë Zotin vazhdimisht, e të mos u vënë veshin atyre që nga mendjemadhësia nuk duan ta pranojnë Kur'anin që u thotë se do të ringjallen e do të japin llogari për vepra. Ai Zot që pati fuqi të krijojë qiej e tokë, pa kurrfarë gjedhe dhe pa ndihmën e askujt, a nuk ka mundësi t'i ringjallë njerëzit"

Kush i lutet Zotit, Ai ia pranon lutjen, e kush e ndien veten të panevojë t'i lutet, ata do të hyjnë në xhehenem të zvogëluar (si të ishin thnegla), e kjo si kundërmasë e mendjemadhësisë së tyre.

Edhe pse të gjitha të mirave që Zoti ua dhuroi njerëzve, disa sish nuk janë mirënjohës ndaj Tij, por janë të mashtruar, pse pos Allahut të përjetshëm, çdo send tjetër është i zhdukshëm, ndaj vetëm Atij duhet mbështetur, adhuruar e madhëruar, e jo sendeve të kota.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 40:51–40:56

- “Ne, patjetër do t’i ndihmojmë të dërguarit Tanë dhe ata që besuan edhe në jetën e kësaj bote, edhe në ditën kur të paraqiten dëshmitë.” - Gjatë shpjegimit të këtij ajeti, Ibn Xheriri (Allahu e mëshiroftë) ka sjellë një pyetje. Ai ka thënë: “Dihet mirë se disa profetë (paqja e Zotit qoftë mbi ta!) u vranë nga populli i tyre, si Jahja , Zekerija dhe Esh’ija. Ndërsa disa të tjerë u dëbuan nga vendi i tyre, si Ibrahimi ﷺ , ashtu siç pati edhe që Allahu i Lartësuar i ngriti lart në qiell. Atëherë, pyetja që shtrohet në lidhje me ajetin është: Ku është ndihma, që Allahu i Lartësuar u premtoi atyre në jetën e dynjasë?” Po ai përgjigjet: “Së pari, ka mundësi që ky ajet të jetë i përgjithshëm dhe ka për qëllim vetëm një pjesë e profetëve. Kjo mënyrë të shprehuri është e lejuar nga ana gjuhësore. Së dyti, ka mundësi që kuptimi të jetë se Allahu ka për t’i ndihmuar të dërguarit e Tij dhe do t’u japë fitore kundër atyre të cilët i luftuan dhe përndoqën, pavarësisht a do të jetë ky triumf në kohën e pranisë së tyre në dynja apo kur ata të jenë larguar nga kjo botë, ashtu sikurse veproi me ata që vranë Jahjën, Zekerijan dhe Eshi’ija-n. Allahu i Lartësuar bëri që ata t’i godisnin armiqtë e tyre, të cilët i poshtëruan, u derdhën gjakun dhe i internuan. Gjithashtu, është përmendur se Nemrudin e ndëshkoi Zoti, ashtu siç ndëshkon Krenari, i Gjithëpushtetëshmi. Ndërsa jehudët, të cilët deshën të vrisnin Isain, të birin e Merjemes, dhe pretenduan se e kryqëzuan atë, Allahu i Madhëruar bëri që mbi ta të sundonin romakët, të cilët i poshtëruan dhe i përçmuan në mënyrë të vazhdueshme. Më pas, pak përpara Ditës së Kijametit do të zbresë Isai, i biri i Merjemes (paqja e Zotit qoftë mbi të!) si imam dhe gjykatës i drejtë. Në atë kohë, Mesihu i të vërtetës do të vrasë Dexhalin, Mesihun mashtrues, dhe ushtrinë e tij të jehudëve. Gjithashtu, ai do të vrasë derrat, do të thyejë kryqet dhe do të zhvlerësojë ‘xhizjen’ dhe nuk ka për të pranuar prej askujt asnjë fe dhe besim tjetër, përveç Islamit. Pa dyshim që kjo është një fitore e madhe, që Zoti ka për t’ia dhuruar Isait. Ky është rregulli i Allahut me krijesat e Tij. Ai gjithmonë ka për të ndihmuar robërit e Tij besimtarë të sinqertë në dynja. Ai ka për t’i bërë të shijojnë triumfin dhe do t’ua qetësojë sytë dhe zemrat, në lidhje me të gjithë ata që i mundojnë. Kështu e ndihmoi Allahu i Lartësuar profetin Muhamed ﷺdhe shokët e tij, kundër të gjithë atyre që iu kundërvunë, e përndoqën, e refuzuan dhe e luftuan. Allahu i Lartësuar bëri që fjala e Tij të jetë më e larta dhe feja e Tij mbi të gjithë fetë dhe besimet në botë. Të Dërguarit ﷺ iu nënshtrua i gjithë Gadishulli Arab dhe nje - rëzit hynë në fenë e Allahut grupe -grupe e popuj-popuj. Pas tij, edhe Kalifët e Drejtë e transmetuan të qartë fenë e Allahut Krenar dhe të Lartësuar. Ata i ftuan njerëzit në adhurimin e Allahut të Lartësuar. Ata çliruan jo vetëm vendet ku ata banonin, por edhe zemrat e robërve nga idhujtaria, mosbesimi dhe kotja në errësirat e humbjes. Kështu vazhduan, derisa daveti i Muhame - dit ﷺ shkoi nga lindja deri në perëndim të Tokës, dhe kështu do të mbetet kjo fe e epërme, triumfuese e ndihmuar nga Zoti, deri në Ditën e Kijametit. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë: “Ne, patjetër do t’i ndihmojmë të dërguarit Tanë dhe ata që besuan edhe në jetën e kësaj bote, edhe në ditën kur të paraqiten dëshmitë.” Pra, në Ditën e Gjykimit, triumfi dhe ndihma për besimtarët do të jetë më e madhe dhe më e dukshme. - “Atë ditë, keqbërësve nuk do t’u bëjnë dobi shfajësimet. ” - Atyre nuk ka për t’u pranuar asnjë justifikim dhe asnjë kompensim, që të mund t’i shpëtojnë ndëshkimit të Allahut. - “Ata i pret mallkimi ...” - Pra, dëbimi, largimi i përjetshëm nga mëshira e Allahut. - “... dhe një vendbanim i keq. ” - Vendi më i keq i qëndrimit të përhershëm. - “Ne i dhamë Musait Udhërrëfyesin ...” - Është fjala për librin, me të cilin Allahu Krenar dhe i Lartësuar dërgoi Musain, pra, me udhëzim dhe dritë.

- “... ndërsa bijve të Israilit u lamë në trashëgim Librin ...” - Ne përcaktuam për ta përfundimin e mirë dhe që të trashëgonin pronat dhe pasuritë e Faraonit, për shkak të durimit që ata treguan në bindjen ndaj Allahut, në pasimin e Profetit të tyre dhe zbatimin e ligjit të tij. Libri, të cilin Allahu i Madhëruar u la në trashëgim ishte Teurati. Për të, i Lartësuari thotë: - “... udhëzues e përkujtues për njerëzit që kuptojnë.” - Për ata që kanë mendje të të shëndoshë dhe logjikë të pastër. - “Ti ngulmo me durim ...” - Pra, bëj durim, o Muhamed! - “... sepse premtimi i Allahut është i vërtetë.” - Premtimi Ynë për përfundimin e mirë për ty dhe për të gjithë ata që pasojnë rrugën tënde është i vërtetë, dhe dije se Allahu nuk e thyen kurrë premtimin e Tij. - “Kërko falje për gjynahet e tua ...” - Kjo është një nxitje dhe porosi për popullin e Muhamedit, që gjithmonë t’i kërkojnë falje Zotit. - “... dhe lartësoje me lavde Zotin tënd, mbrëmje e mëngjes! ” - Domethënë, në pjesën e fundit të ditës dhe fillimin e natës si dhe në pjesën e fundit të natës dhe fillimin e ditës. Kjo është porosi për të lavdëruar dhe përmendur me madhërim Zotin në këto kohë të zgjedhura. - “Ata që kundërshtojnë Shpalljen e Allahut pa pasur argument, kanë në zemrat e tyre veçse mendjemadhësi, me të cilën nuk do t’ia arrijnë kurrë qëllimit.” - Këta janë ata të cilët mundohen ta luftojnë të vërtetën nëpërmjet kotësirave, të pambështetur në asnjë argument dhe fakt të vërtetë prej Zotit. Allahu i Lartësuar thotë për ta: “... kanë në zemrat e tyre veçse mendjemadhësi, me të cilën nuk do t’ia arrijnë kurrë qëllimit.” Në zemrat e tyre ka veç kryeneçësi, mendjemadhësi dhe dëshirë për të dalë mbi të tjerët, gjë kjo që i bën ta refuzojnë ndjekjen e të vërtetës. Ajo që ata synojnë është veçse lartësimi i kotësirave, që ata kanë zgjedhur të mbrojnë dhe të trumbetojnë, por nuk kanë për t’ia arritur kurrë qëllimit. - “Kërko mbrojtje tek Allahu, sepse Ai dëgjon dhe shikon gjithçka. ” - Kërko mbrojtje dhe strehim tek Zoti, që të të ruajë nga e tillë gjendje, siç është gjendja e këtyre të mjerëve. Ky ishte tefsiri i Ibn Xheririt, shkurtimisht.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 40:51–40:52

- “Ne patjetër që do t’i ndihmojmë të dërguarit Tanë dhe ata që besuan, në jetën e kësaj bote dhe në ditën kur të paraqiten dëshmitë.” - Pasi përmendi gjendjen e trishtueshme të Faraonit e pasuesve të tij në dynja, në berzah dhe në Ditën e Kijametit, Allahu i Madhëruar përshkruan gjendjen e mjerueshme dhe të tmerrshme të banorëve të Zjarrit, të cilët refuzuan t’i pranojnë, besojnë dhe të pasojnë profetët e Zotit. Ata i luftuan profetët, pasuesit e tyre dhe mesazhin që ata përcollën prej Allahut. Allahu i Madhëruar thotë se do t’i ndihmojë profetët dhe besimtarët në përballjen me mohuesit, duke i pajisur me argumente e shenja të qarta, si edhe me fitore të sigurt. Ndërsa Ditën e Gjykimit, i Plotpushtetshmi dhe i Drejti do të gjykojë me drejtësi, duke u dhënë profetëve dhe besimtarëve shpërblime të mëdha dhe duke i ndëshkuar mohuesit dhe luftuesit e të vërtetës me formën dhe masën më të rëndë. - “Atë Ditë, keqbërësve nuk do t’u bëjnë dobi shfajësimet. Ata i pret Mallkimi dhe një vendbanim i keq.” - Kur zullumqarët të justifikohen dhe të kërkojnë shpëtim, atyre nuk do t’u pranohet asgjë. Ata do t’i përfshijë mallkimi, dëshpërimi dhe dhimbja e madhe, kur të hidhen në vendin e ndëshkimit. Ai vend trishton dhe dëshpëron përjetësisht ata që do banojnë në të.

← Gafir 40:51