40. Gafir · Ajeti 66 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 40:47–40:66
Zoti i madhëruar nga mëshira e vet parashtron skenën e mëkatarëve, kur në xhehenem do të grinden mes vete, kur do të përpiqen t'i hudhin fajin njëri-tjetrit, kur u drejtohen engjëjve kujdestarë që ata ta lusin Zotin që t'ua lehtësojë sadopak vuajtjet, e më në fund shihet qartë se lutja e tradhtarit nuk merret parasysh. Këtë pasqyrë të së vërtetës së ardhshme, e paraqet përmes Kur'anit, ashtu që njerëzve t'u ndihmohet më herët që ta gjejnë rrugën e drejtë, nëse duan, pse në ditën e gjykimit nuk pranohen arsyetimet.
Ndihma e Zotit gjithnjë ka qenë dhe mbetet në anën e pejgamberëve dhe të besimtarëve, edhe në dynja e edhe në Ahiret, andaj besimtarët duhet te jenë të durueshëm, të kërkojnë faljen e mëkateve, ta madhërojnë Zotin vazhdimisht, e të mos u vënë veshin atyre që nga mendjemadhësia nuk duan ta pranojnë Kur'anin që u thotë se do të ringjallen e do të japin llogari për vepra. Ai Zot që pati fuqi të krijojë qiej e tokë, pa kurrfarë gjedhe dhe pa ndihmën e askujt, a nuk ka mundësi t'i ringjallë njerëzit"
Kush i lutet Zotit, Ai ia pranon lutjen, e kush e ndien veten të panevojë t'i lutet, ata do të hyjnë në xhehenem të zvogëluar (si të ishin thnegla), e kjo si kundërmasë e mendjemadhësisë së tyre.
Edhe pse të gjitha të mirave që Zoti ua dhuroi njerëzve, disa sish nuk janë mirënjohës ndaj Tij, por janë të mashtruar, pse pos Allahut të përjetshëm, çdo send tjetër është i zhdukshëm, ndaj vetëm Atij duhet mbështetur, adhuruar e madhëruar, e jo sendeve të kota.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 40:66–40:68
Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të Tij të dashur, Muhamedit ﷺ ,dhe porosit: - “Thuaj: “Mua më është ndaluar të adhuroj ata që ju i adhuroni veç Allahut, sepse më kanë ardhur argumente të qarta nga Zoti im dhe jam urdhëruar t’i dorëzohem e nënshtrohem vetëm Zotit të botëve.”. - Thuaju idhujtarëve, o Muhamed: Të jini të sigurt se Allahu Krenar dhe i Lartësuar e ka ndaluar që të adhurohet diçka apo dikush tjetër veç Tij, sepse askush tjetër nuk meriton adhurimin e krijesave, pra,
dashurinë, madhërimin dhe nënshtrimin sipas urdhëresave të Tij. - “Është Allahu Ai që ju ka krijuar fillimisht prej dheu, pastaj prej një pikë fare, e pastaj prej gjaku të ngjizur. Pastaj, Ai ju bën të lindni si foshnjë, e më pas të arrini pjekurinë, e pastaj të plakeni, ndërsa disa prej jush vdesin më herët.” - Është Ai që ju bën të kaloni nëpër të gjitha këto faza dhe është Ai që kujdeset për ju. Ai është i vetëm dhe nuk ka ortak në përkujdesin që bën. Të gjithë përkujdesjet janë me urdhrin, përcaktimet e sakta e të detajuara të Tij. I Lartësuari thotë: “... ndërsa disa prej jush vdesin më herët.” Pra, ka që vdesin përpara se të dalin në këtë botë, siç ndodh rastet e dështimit të shtatzë - nisë, kur nuk plotësohen të gjitha fazat e krijimit në barkun e nënës, siç ka dhe të tjerë të cilët vdesin të vegjël ose të rinj. Po ashtu, ka edhe të tjerë që vdesin të moshuar ose shumë të vjetër. Siç thotë i madhëruari: “... Ka prej jush që vdesin herët, e disa të tjerë jetojnë deri në pleqëri të thellë, aq sa të mos dijnë asgjë nga dija që kanë pasur.” [Haxh 5]. - “Ai bën që të gjithë të plotësoni afatin e përcaktuar dhe që të arrini të kuptoni. ” - Allahu i sjell këto fakte, me qëllim që të meditoni dhe të përkujtoni ringjalljen e qëndrimin përpara Tij. - “Është Allahu Ai që jep jetë dhe sjell vdekje. - Ai është i vetmi që ka mundësi për të ringjallur krijesat, për të dhënë jetën dhe vdekjen. Askush nuk mund ta bëjë diçka të tillë, përveç Allahut: - “Kur dëshiron diçka, Ai vetëm thotë: “Bëhu”, e ajo menjëherë bëhet. ” - Ai nuk mund të pengohet nga askush dhe askush nuk mund të kundërshtojë dhe të pengojë urdhrin e Tij. Përkundrazi, ajo çfarë Ai dëshiron të jetë, ajo do të jetë, dhe kjo është diçka e pashmangshme.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 40:66–40:68
Pasi urdhëroi për ta adhuruar Atë si Një të vetëm, duke iu përkushtuar me sinqeritet dhe përunjësi vetëm Atij, dhe pasi tregoi argumentet dhe arsyet pse duhet ta adhurojmë si Një të vetëm, Allahu i Madhëruar ndalon më pas nga adhurimi i dikujt tjetër veç Tij. Kjo shërben për ta përforcuar e qartësuar edhe më shumë kuptimin e vërtetë të teuhidit. Ai thotë: - “Thuaj: “Mua më është ndaluar të adhuroj ata që ju i adhuroni veç Allahut,...” - Thuaju, o Profet, unë jam ndaluar që t’i adhuroj ata të cilët ju i adhuroni përveç Allahut, duke u shprehur dashurinë e madhërimin tim, duke shpresuar tek ata e duke iu lutur, duke iu bindur e nënshtruar atyre, qofshin ata idhuj, puta e çdo gjë tjetër që adhurohet padrejtësisht veç Allahut. Unë nuk jam në dyshim për çështjen që ju ftoj, por jam i qartë, i sigurt dhe i bazuar në argumente nga Zoti: - “...sepse më kanë ardhur argumente të qarta nga Zoti im dhe jam urdhëruar t’i dorëzohem e nënshtrohem vetëm Zotit të botëve”.”. - Kjo është ftesa ime, me argumente të qarta nga Zoti im. Unë jam urdhëruar t’i dorëzohem tërësisht Zotit të botëve, duke e adhuruar Atë si Një të vetëm, ashtu siç më ka urdhëruar Ai që ta adhuroj. Unë e adhuroj Zotin tim me zemrën, gjuhën dhe me trupin tim. E adhuroj Atë me të gjithë qenien time, duke u nënshtruar dhe dorëzuar ndaj ligjit të Tij. Pa dyshim ky urdhër është absolutisht urdhri më i madh, ashtu sikurse ndalesa nga adhurimi i çdo gjëje tjetër veç Allahut është absolutisht ndalesa më e madhe. Allahu i Madhëruar e argumenton këtë teuhid, duke na treguar se Ai është Krijuesi e Formësuesi i qenieve tona. Nëse e pranojmë Atë si të vetmin Krijues, atëherë duhet ta njohim e pranojmë edhe si të vetmin që meriton adhurimin. - “Është Allahu Ai që ju ka krijuar fillimisht prej dheu...” - Kështu e filloi i Madhëruari krijimin e njeriut të parë, Ademin (a.s.), prej brinjës së të cilit krijoi gruan e parë. - “...pastaj prej një pikë fare e pastaj, prej gjaku të ngjizur.” - Kështu ndodh më pas me krijimin e të gjithë llojit njerëzor. Është përmendur fillimi i krijimit të njeriut, për të nënkuptuar pastaj të gjitha fazat e tjera të zhvillimit të tij në barkun e nënës: si gjak i ngjizur, si kafshatë e përtypur, si skelet kockor, me skelet dhe mish, për të përfunduar me fryrjen e shpirtit. - “Pastaj, Ai ju bën të lindni si foshnjë, e më pas (ju bën të rriteni e) të arrini pjekurinë e pastaj të plakeni,...” – Kuptimi: Kështu, ju kaloni fazë pas faze nëpër krijimin hyjnor, deri sa të arrini moshën e pjekurisë dhe të përgjegjësisë ligjore, kur plotësoheni me trupin dhe mendjen tuaj, me fuqitë e jashtme dhe të brendshme. - “...ndërsa disa prej jush vdesin më herët. Ai bën që të gjithë të plotësoni afatin e përcaktuar ...” – Disa njerëz vdesin ende pa arritur moshën e pjekurisë, ndërsa të tjerë e arrijnë atë. Sidoqoftë, të gjithë do ta plotësojnë afatin e tyre të përcaktuar nga i Urti e i Gjithëpushtetshmi. Kur të plotësojnë moshën ose kohën e jetës të dhuruar nga Zoti, të gjithë do të ktheheni tek Ai. - “...dhe që të arrini të kuptoni.” - Kuptimi: Duke medituar rreth fazave nëpër të cilat kaloni, do ta kuptoni se Allahu që e bëri këtë me ju është i Plotfuqishëm të bëjë gjithçka dhe, si i tillë, vetëm Atij i takon adhurimi me bindje e nënshtrim, dashuri e madhërim. Madje, do të kuptoni gjithashtu se ju jeni të mangët në çdo aspekt. - “Është Allahu Ai që jep jetë dhe sjell vdekje.” - Allahu është i vetmi që ka në
dorë jetën dhe vdekjen. Çdonjë që vdes, me shkak apo pa shkak, vdes veçse me lejen dhe caktimin e Tij. I Madhëruari thotë në një ajet tjetër: “Allahu ju krijoi prej dheu, pastaj prej një pike uji (sperme) e pastaj ju bëri çift. Çdo femër mbetet shtatzanë dhe lind veçse me dijen e Tij. Askujt nuk i jepet të jetojë gjatë ose t'i shkurtohet jeta, pa qenë kjo e shënuar në Libër ( Leuhi Mahfudh ). Dhe kjo është e lehtë për Allahun.”.”. [Fatir 11]. - “Kur dëshiron diçka, Ai vetëm thotë: “Bëhu”, e ajo menjëherë bëhet.” - Nëse Ai dëshiron të kryhet a të ndodhë diçka, e madhe apo e vogël, e rëndësishme apo jo në dukje, Ai vetëm i thotë: “Bëhu!” dhe ajo bëhet; asgjë nuk mund ta ndalojë, ta kthejë apo ta ndryshojë atë.