40. Gafir · Ajeti 79 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 40:67–40:85
Allahu, i cili e krijoi njeriun e parë prej dheut, e pasardhësit e tij prej një pikëze uji, e përshkruan jetën e njeriut në tri etapa: "në fëmijëri, në pjekuri, e cila arrin në vitet e katërdhjeta dhe në pleqëri në të cilën nis dobësimi fizik e dikur edhe ai mendor.
Atyre që nuk besuan argumentet e Allahut, refuzuan mësimet e pejgamberëve, u mbështetën në diçka tjetër e jo në Zotin, i gëzoheshin punës së keqe dhe mëkatit, do t'u vihen pranga në qafa e me zinxhir tërhiqen për në zjarr, edhe pse në atë moment do të mohojnë çdo adhurim tjetër pos Zotit.
Pejgamberit i thuhet se ndonjë nga dënimet e Zotit, të caktuara kundër armiqve, mund t'i shohësh, por edhe ndodh të mos i shohësh, por të gjithë ata do të paraqiten pranë Zotit dhe Ai do të ndërmarrë masa ndëshkuese, që i meritojnë.
Për disa pejgamberë Zoti i tregoi Muhammedit se si ishte gjendja e tyre, e për disa nuk i tregoi. Nga kjo kuptohet se përpos pejgamberëve të përmendur në Kur'an, pati edhe të tjerë, numrin e të cilëve e di vetëm Zoti, anipse në një hadith thuhet se ishin njëqind e njëzet e katër mijë. Kuptohet edhe ajo, se pejgamberët nuk kishin mundësi të shfaqin ndonjë mrekulli nga vetvetja, por vetëm më urdhërin dhe me lejen e Zotit.
Besimi në zorin, kur njeriu i humb të gjitha shpresat për jetë, nuk vlen.
Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i sures Gafir. Lavdëruar qoftë Allahu i madhëruar!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 40:79–40:81
- “Është Allahu Ai që i krijoi kafshët për ju, që disa t’i përdorni për ngarkesë e
disa të tjera për ushqim. Ju keni edhe dobi të tjera nga ato dhe përmes tyre plotësoni ndonjë nevojë. Nëpërmjet tyre dhe anijeve ju udhëtoni. ” - Allahu i Lartësuar u përmend disa mirësi të mëdha robërve të Tij besimtarë, dhe pikërisht për faktin se Ai krijoi për ta bagëti dhe kafshë të ndryshme të dobishme. Disa përdoren si kafshë transporti, si për shembull kuajt dhe të ngjashmit, dhe disa për mish, siç janë devetë, lopët apo bagëtitë e imta. Kështu, njerëzit përfitojnë prej tyre mishin, qumështin dhe transportin. Prej tyre mund të përfitohet, gjithashtu, edhe leshi, lëkura dhe çdo gjë e tyre, siç është përmendur në suren En’am apo në suren Nahl. 22 - “Ai ju mundëson t’i shihni gjithmonë shenjat e Tij. ” - Është Ai që ju tregon faktet e Tij të pamohueshme rreth jush dhe në veten tuaj. - “Atëherë, cilën shenjë të Allahut mo - honi ju? ” - Ju nuk mund të hidhni poshtë asnjë fakt dhe argument, që shfaqet në këto krijime, ajete dhe shenja të Allahut të Lartësuar, përveç nëse tregoheni kokëfortë, kryeneçë dhe refuzoni të vërtetën.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 40:79–40:81
- “Është Allahu Ai që i krijoi kafshët për ju, që disa t’i përdorni për ngarkesë e disa të tjera për ushqim.” - Allahu i Madhëruar u përkujton robve mirësitë e Tij, mes të cilave edhe kafshët që u ka vënë në zotërim. Ato përdoren si kafshë shpine, për të mbajtur peshat e rënda e për transport, por edhe si ushqim, duke konsumuar mishin, qumështin apo vezët e tyre. Po ashtu, lëkura, leshi apo pendët përdoren për veshje apo për të mbajtur trupin ngrohtë. Njerëzit shfrytëzojnë në dobi të tyre çdo gjë të kafshëve. - “Ju keni edhe dobi të tjera nga ato dhe përmes tyre plotësoni ndonjë nevojë.” – Kafshët shërbejnë për transport, për të udhëtuar në vende të largëta. Kështu, ato plotësojnë nevojat dhe dëshirat e njerëzve. - “Nëpërmjet tyre dhe anijeve ju udhëtoni.” – Kuptimi: Ju lëvizni e bartni mirësitë e Zotit nëpërmjet mjeteve tokësore dhe atyre detare. Është Ai që i lehtësoi për ju kushtet për funksionimin e atyre mjeteve. - “Ai ju mundëson t’i shihni gjithmonë Shenjat e Tij.” – Ai na mundëson të shohim shenjat që tregojnë për njëshmërinë e Tij në meritën e adhurimit, ashtu si edhe për emrat e cilësitë e Tij të mrekullueshme. Pa dyshim, sjellja dhe ekzistenca e këtyre shenjave përreth nesh dhe në vetet tona është nga mirësitë më të mëdha që na i ka dhuruar Allahu i Madhëruar. Të gjitha mirësitë që na i ka lehtësuar dhe dhuruar Allahu janë të mjaftueshme që ne të jemi mirënjohës dhe lavdërues të Tij. Por kur Allahu i Madhëruar na udhëzon që ne t’i vështrojmë dhe të meditojmë në to, kur na i numëron dhe vë më në dukje, atëherë edhe kjo është një mirësi shumë e madhe, sepse na bën të mendojmë, të shtojmë njohuritë tona rreth Zotit, dhe si rrjedhim do ta kujtojmë më shumë e do ta duam e adhurojmë ashtu sikurse Ai na mëson. - “Atëherë cilën shenjë të Allahut mohoni ju?” - Cilën shenjë a mirësi të Allahut po mohoni?! Ju edhe në veten tuaj jeni të bindur se të gjitha mrekullitë dhe mirësitë vijnë prej Allahut. Atëherë, mospranimi i kësaj të vërtete është i pakuptimtë, dhe po ashtu është edhe mosmirënjohja juaj dhe mosnënshtrimi ndaj Atij që jua dhuroi. Njerëzit e mençur duhet të bëjnë maksimumin për ta adhuruar Allahun, Dhuruesin e çdo mirësie, duke iu bindur dhe duke iu përkushtuar vetëm Atij dhe shërbimit ndaj Tij.