41. Fusilet · Ajeti 19 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 41:19–41:38
Edhe në ajete të Kur'anit, sikurse edhe në këta, përmendet se në ditën e gjykimit gjymtyrët e trupit të njeriut, siç janë veshi, syri dhe lëkura do të dëshmojnë për veprat që i ka bërë njeriu. Ai Zot që pati fuqi ta krijojë njeriun për herë të parë, pa ekzistuar fare dhe pati fuqi ta ringjallë pasi të vdesë, ka fuqi t'u dhurojë të folur edhe gjymtyrëve. Ka mendime se puna e secilës gjymtyrë është e inçizuar dhe se ai inçizim do të paraqitet atë ditë.
Njerëzit kur bëjnë ndonjë punë të keqe, fshihen prej masës e nuk e dinë se për ato punë të bëra do të dëshmojnë gjymtyrët e tyre. Sipas kësaj, nënkuptohet se njeriu asnjëherë nuk është pa përcjellës, megjithse Zoti i di të gjitha.
Shoku i keq ia miraton punët e këqija shokut të vet edhe në këtë jetë dhe e mashtron duke i thënë se nuk ka botë tjetër, nuk ka përgjegjësi para Zotit dhe ashtu e çon drejt në humnerë. Asi njerëzish të këqij pati ndër popuj dhe në të kaluarën e largët, pati edhe në kohën e Pejgamberit, kur kundërshtarët, le që nuk e dëgjonin Kur'anin kur ai lexohej dhe bënte fjalë për jetën e ardhshme, por i nxitnin edhe të tjerët që të ngrisin zërin kundër tij në mënyrë që të mos dëgjohet leximi i Kur'anit dhe të mos bëjë ndonjë ndikim te dëgjuesit. Pra, e dinin se ai është mrekulli e Zotit dhe e dinin se ai ka ndikim te njerëzit e urtë, por kryeneçësia nuk i lejonte ta pranojnë të vërtetën. Andaj, kundërshpërblimi i tyre ishte meritë e tyre. Të gjithë të mashtruarit prej shokëve të këqij do të kërkojnë prej Zotit që t'u sjellë pranë tyre mashtruesit, qofshin prej xhinëve, qofshin prej njerëzve e ti vënë nën këmbët e tyre, sepse ua panë sherrin dhe u ndëshkuan me zjarr.
Besimtarët e sinqertë e të vendosur gjatë tërë jetës së tyre, do të kenë pranë vetes në momentin e vdekjes engjëj të mëshirës që do t'u thonë: Mos keni frikë për ardhmërinë tuaj, mos u pikëlloni që u ndatë prej fëmijëve, prej familjes e prej pasurisë, sepse do të shkoni në xhennet, në të cilin do të keni çka të dëshironi dhe do të jeni të pritur e të nderuar prej Zotit mëshirues.
Njeriu më i mirë, të cilin duhet marrë shembull, është ai që vetë është besimtar, që këshillon për rrugën e drejtë dhe që vetë bën vepra të mira. Të tillëve u kanë thënë: Ulemai amilin - dijetarë vepërmirë.
Nuk janë të njëjta e mira dhe e keqja, sepse e mira ka peshë të madhe, ndaj duhet përpjekur që edhe të keqen e dikujt ta kthejmë në të mirë. Por këtë nuk mund ta bëjë çdokush: këtë mund ta bëjnë vetëm njerëzit e mirë. Shejtanit nuk i vjen mirë të kthehet e keqja me të mirë, sepse ai dëshiron t'i ngacmojë njerëzit që të keqes t'i përgjigjen me të keqe e në mes tyre të shtohet armiqësia: prandaj në rastet e tilla duhet kërkuar ndihmë prej Zotit, e Ai ndihmon.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 41:19–41:24
- “Ditën kur armiqtë e Allahut do të tubohen për në Zjarr, ata do të shtyhen të gjithë në të. ” - Kujtoju idhujtarëve ditën kur ata do të tubohen dhe shtyhen për në Zjarr, të gjithë së bashku, të pandarë. Zebanitë e Xhehenemit do t’i grumbullojnë të gjithë, nga i pari deri tek i fundit, për t’i shtyrë të gjithë së bashku, njëherësh, në Zjarr, sikurse ka thënë Allahu i Lartësuar në ajetin tjetër: “ Dhe keqbërësit do t'i shtyjmë drejt Xhehenemit si tufë e etur për ujë, ... ” [Merjem 86]. Pra, ata do të jenë të etur. Më pas, Allahu Krenar dhe i Lartësuar thotë: - “Kur t’i afrohen Zjarrit, kundër tyre do dëshmojnë veshët, sytë dhe lëkurat e tyre për çfarë kanë bërë. ” - Kur të mbërrijnë atje, kundër tyre do të dëshmojnë veshët, sytë dhe lëkurat e tyre, në lidhje me fjalët e veprat e tyre në jetën e dynjasë. Ato do të dëshmojnë për gjithçka që kanë bërë dhe për çfarë kanë lënë pa bërë. Prej tyre nuk do të fshihet asnjë gërmë prej të vërtetës. - “Ata do t’u thonë lëkurave të veta: “Përse dëshmoni kundër nesh?” - Ata do të qortojnë pjesët e trupit dhe lëkurën e vet, kur ato të dëshmojnë kundër tyre. Atëherë, ato do të kthejnë këtë përgjigje, që na e thotë Allahu i Lartësuar: - “Ato do thonë: “Është Allahu Ai që na ka bërë të flasim, Ai që ia ka dhënë të folurit gjithçkaje. Është Ai që ju krijoi ju herën e parë dhe vetëm tek Ai do të ktheheni”. - Kështu, urdhri i Tij kurrë nuk mund të ndalet dhe të kundërshtohet dhe vetëm tek Ai e keni kthimin që të gjithë. Hafidh Ebu Bekër el Bezari përcjell nga Enes Ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) këtë rrëfim: 2312. “Njëherë, Profeti i Allahut qeshi dhe me buzëqeshjen në fytyrë tha: “A nuk më pyesni përse jam duke qeshur?” Të pranishmit i thanë: “O i Dërguari i Allahut, përse po qesh?” Ai tha: “Habitem me polemikën e gjatë që robi bën me Zotin e Tij Ditën e Kijametit. Robi do të thotë atë ditë: “ O Zoti im! A nuk më premtove se nuk do të më bësh padrejtësi?” Zoti i thotë: “Po.” Dhe robi thotë: “Atëherë, unë sot nuk do të pranoj asnjë dëshmitar, përveç atyre që vendos dhe pranoj unë.” Allahu i Lartësuar do t’i thotë: “A nuk është e mjaftueshme që dëshmitar i veprave të tua jam Unë dhe melekët e nderuar, të cilët i shkruan ato?!” Këtu Profeti tha: “Dhe robi vazhdon të përsërisë të njëjtën fjali, që tha në fillim. Atëherë, atij do t’i vuloset goja dhe do të fillojnë të flasin gjymtyrët e tij për çdo vepër që ai ka kryer në jetën dynja. Robi do t’u kthehet gjymtyrëve e do t’u thotë: “Mallkuar qofshi, u shkatërrofshi! Unë për t’ju shpëtuar ju isha duke polemi - zuar.” Këtë hadith e ka përnxjerrë Muslimi e Nesaiu, të gjithë nga Ebu Bekër Ibn Ebu Nadri. - “Ju fshiheshit jo nga frika se kundër jush do të dëshmonin veshët, sytë dhe lëkura juaj, por ju pandehët se Allahu
nuk dinte për shumë nga gjërat që ju vepronit.” - Kështu, gjymtyrët dhe lëkura e tyre do t’u drejtohen me këto fjalë robërve, në momentin kur ata i qortojnë për dëshmi - në kundër tyre. Pra, ata do t’u thonë gjynahqarëve dhe të padrejtëve: “Ju nuk fshiheshit prej nesh, nuk i fshihnit veprat tuaja prej nesh. Më keq akoma, ju i shprehnit hapur Zotit mohimin, mosbesimin, poshtërsitë dhe mosbindjen ndaj Tij, pa u shqetësuar për faktin se Ai ju mbikëqyrte, sepse ju pandehnit se Ai nuk i dinte të gjitha veprat që ju kryenit. - “Por pikërisht ky mendim që ju patët për Zotin tuaj, ju shkatërroi, dhe ju u bëtë prej të dëshpëruarve. ” - Pra, pikërisht besimi se Allahu i Lartësuar nuk di shumë prej veprave tuaja, pikërisht ky mendim i gabuar ju shkatërroi dhe ju poshtëroi përpara Zotit tuaj. Për këtë arsye, “ju u bëtë prej të dëshpëruarve.” Kështu, Ditën e Kijametit, kur të qëndroni përpara Zotit të botëve, keni për të humbur vetveten dhe familjet tuaja. Imam Ahmedi sjell rrëfimin nga Abdullahi: 2313. “Unë isha fshehur në mbulesën e Qabes, kur erdhën tre burra: një kurejsh dhe dy thekafias (ose një thekafias dhe dy kurejshë), me trupa shumë të dhjamosur dhe zemra pa dituri. Thanë fillimisht disa fjalë, të cilat nuk po i dëgjoja mirë. Më pas, njëri prej tyre tha: “A mendoni se Allahu i dëgjon fjalët tona këtu?” Tjetri u përgjigj dhe tha: “Nëse e ngremë zërin, Ai na dëgjon, por nëse ne nuk e ngremë zërin, Ai nuk na dëgjon.” Tjetri tha: “Nëse Ai dëgjon disa fjalë, atëhere Ai i dëgjon të gjitha.” Unë ia tregova këtë Profetit ﷺ dhe atëherë Allahu i Lartësuar dhe Krenar zbriti ajetin “Ju fshiheshit jo nga frika se kundër jush do të dëshmonin veshët, sytë dhe lëkura juaj, por ju pandehët se Allahu nuk dinte për shumë gjëra që ju vepronit. Por pikërisht ky mendim që ju patët për Zotin tuaj ju shkatërroi, dhe ju u bëtë prej të dëshpëruarve.” Kështu e ka sjellë Tirmidhiu. Buhariu dhe Muslimi e kanë sjellë prej Ibn Mesudit me tekst të ngjashëm. Gjithashtu, Imam Ahmedi sjell hadithin nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Profeti i Allahut ﷺ ka thënë: 2314. “Askush prej jush të mos vdesë ndryshe, por veçse duke patur mendim të mirë për Allahun, sepse ka pasur popuj që i shkatërroi pikërisht mendimi i keq për Allahun. Allahu i Lartësuar thotë: “Por pikërisht ky mendim që ju patët për Zotin tuaj, ju shkatërroi, dhe ju u bëtë prej të dëshpëruarve.” Në vijim Allahu i Lartësuar thotë: - “E durojnë apo jo, Zjarri do të jetë shtëpia e tyre; edhe nëse kërkojnë falje, nuk kanë për ta arritur.” - Është njëlloj për ta, bëjnë apo jo durim, ata do të jenë në Zjarr dhe kurrsesi nuk mund t’i shmangen ndëshkimit apo të shpëtojnë prej tij. Nëse duan të justifikohen, le ta dinë se justifiki - met e tyre nuk do t’u pranohen dhe nuk kanë për t’u sjellë asnjë lloj lehtësimi. Kurse Ibn Xheriri e shpjegon kështu: Nëse kërkojnë të kthehen edhe një herë në dynja, atyre nuk do t’u përgjigjet kush. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar, kur na tregon rreth tyre: “Ata do të thonë: “O Zoti ynë!
Ne na mundën të këqijat, prandaj u bëmë njerëz të humbur. O Zoti ynë! Na nxirr prej këtu! E, nëse gabojmë përsëri, atëherë, vërtet jemi të padrejtë.” Ai do t'u thotë: “Heshtni aty e mos më flisni!” [Mu’minun 106 - 108].
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 41:19–41:24
Në këto ajete, Allahu i Lartësuar na tregon për armiqtë e Tij dhe të Profetit, për gjendjen e tmerrshme dhe të frikshme në të cilën ata do të ringjallen: - “Ditën kur armiqtë e Allahut do të tubohen për në Zjarr, ata do të shtyhen të gjithë në të.” - Ata do të mblidhen nga i pari deri tek i fundit dhe me ashpërsi do të shtyhen për në Xhehenem. Ata nuk do mund ta pengojnë hedhjen e tyre në Xhehenem, nuk mund të ndihmohen dhe shpëtojnë nga ai fund i hidhur dhe vuajtje e përhershme. - “Kur t’i afrohen Zjarrit, kundër tyre do dëshmojnë veshët e tyre, sytë e tyre dhe lëkurat e tyre për (të gjitha) veprat e tyre.” - Kur t’i afrohen Zjarrit, ata do të mohojnë krimet që kanë bërë në dynja. Por kundër tyre do të dëshmojnë dëgjimi, shikimi dhe lëkura e tyre, për çdo vepër që kanë bërë. Në fakt, çdo pjesë e trupit të tyre do të dëshmojë dhe do të thotë. “Unë veprova kështu e ashtu, në këtë e atë ditë”, por Allahu i Lartësuar veçon organet e mësipërme, sepse shumica e gjynaheve bëhen nëpërmjet tyre ose për shkak të tyre. - “Ata do t’u thonë lëkurave të veta: “Përse dëshmoni kundër nesh?” - Ky fakt dëshmon që të gjitha organet do të dëshmojnë. Pra, kuptimi është: Përse dëshmoni kundër nesh, ndërkohë që ne jemi përpjekur gjithmonë t’ju mbrojmë dhe t’ju kënaqim?! - “Ato do thonë: “Është Allahu Ai që na ka bërë të flasim, Ai që ia ka dhënë të folurit gjithçkaje.” – Kuptimi: Është jashtë
mundësive tona që të mos dëshmojmë të vërtetën, kur është Allahu i Madhërishëm Ai që na bëri të flasim. Dëshira dhe urdhri i Tij nuk mund të kundërshtohen. - “Është Ai që ju krijoi ju herën e parë dhe vetëm tek Ai do të ktheheni”.” - Ashtu sikurse ju ka krijuar ju, me trup dhe shpirt, po ashtu Ai ka krijuar edhe aftësinë tuaj për të folur. Pastaj, ju do të ktheheni tek Allahu, i Cili do t’ju shpërblejë për ato që keni bërë. Ka shumë mundësi, gjithashtu, që këto fjalë t’i referohen vërtetësisë së ringjalljes. Domethënë, Allahu që ju krijoi herën e parë është i Plotfuqishëm që t’ju rikrijojë dhe t’ju ringjallë, për t’ju llogaritur dhe shpërblyer për punët tuaja. - “Ju fshiheshit (kur bënit gjynahe) jo nga frika se kundër jush do të dëshmonin veshët tuaj, sytë tuaj dhe lëkurat tuaja.” - Kuptimi: Ju nuk mendonit rreth kësaj dëshmie dhe nuk ruheshit që organet tuaja të mos ju shihnin dhe të dëshmonin veprat tuaja. Jo vetëm kaq, por... - “Por ju menduat se Allahu nuk i dinte për shumë nga gjërat që ju vepronit.” - Ky mendim i gabuar bëri që ata të zhyteshin gjynah pas gjynahu. Ky mendim u bë shkak për shkatërrimin dhe dëshpërimin e tyre. - “Por pikërisht ky mendim që ju patët për Zotin tuaj, ju shkatërroi, dhe ju u bëtë prej të dëshpëruarve.” - Ky mendim i gabuar nuk lidhet aspak me madhështinë e Allahut të Lartësuar. Ky mendim i shkatërron ata, të cilët do të përfundojnë të dëshpëruar. Ata humbin familjet dhe fenë e tyre nëpërmjet veprave që bëjnë. Ndëshkimi i Zotit bëhet i meritueshëm mbi ta, ndëshkim që do të jetë i përjetshëm e që asnjë çast nuk do t’u lehtësohet. - “E durojnë apo jo, Zjarri do të jetë Shtëpia e tyre,...” – Sigurisht, ata nuk do kenë mundësi që ta përballojnë dhe durojnë atë zjarr. Çdo gjë mund të përballohet dhe durohet, por jo zjarri i Xhehenemit. E si mund të durohet ai zjarr, që është shtatëdhjetë herë më i nxehtë se zjarri më i fortë i kësaj dynjaje. Xhehenemi vlon me një nxehtësi të tmerrshme. Era e çliruar prej tij është shumë e keqe dhe e papërballueshme. Edhe i ftohti i Xhehenemit është tejet i acartë. Prangat e tij janë shumë të rënda dhe të mëdha. Rojet e Zjarrit janë të ashpër, të vrazhdë dhe të pamëshirshmëm. Por më i rëndë se gjithçka është zemërimi i të Madhërishmit, Ngadhënjimtarit, dhe sidomos fjala që Ai u thotë të ndëshkuarve kur ata luten: “Heshtni, rrini aty të poshtëruar dhe mos flisni!” - “...e nëse kërkojnë falje, nuk kanë për ta arritur.” – Pra, edhe nëse luten e përgjërohen që të shpëtohen nga ndëshkimi dhe të kthehen në dynja, me qëllim që të veprojnë ndryshe nga ajo që kanë bërë më parë, kjo assesi nuk do t’u pranohet. Koha kur njeriu mund të reflektojë dhe të ndryshojë sjelljet dhe punët e tij përfundon me vdekjen e tij. Allahu i Madhërishëm i jep njeriut jetë të mjaftueshme për të reflektuar dhe nxjerrë mësim. Gjithashtu, Ai ka sjellë profetë dhe shpallje hyjnore, që çdokush të gjejë rrugën e drejtë. Gjithsesi, ky pretendim i tyre është thjesht një gënjeshtër, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Eh, sikur t’i shihje ata, kur të ndalen përpara Zjarrit! Ata do të thonë: “Ah, sikur të ktheheshim (në dynja)! Atëherë nuk do t'i mohonim Argumentat e Zotit tonë por do të bëheshim besimtarë.”Por, atyre u del në shesh ajo që më parë e mbanin fshehur. Por, edhe sikur të ktheheshin, ata do ta kryenin sërish atë që u ishte ndaluar. Me të vërtetë, ata janë gënjeshtarë.” [En’am 27, 28].