41. Fusilet · Ajeti 30 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 41:19–41:38
Edhe në ajete të Kur'anit, sikurse edhe në këta, përmendet se në ditën e gjykimit gjymtyrët e trupit të njeriut, siç janë veshi, syri dhe lëkura do të dëshmojnë për veprat që i ka bërë njeriu. Ai Zot që pati fuqi ta krijojë njeriun për herë të parë, pa ekzistuar fare dhe pati fuqi ta ringjallë pasi të vdesë, ka fuqi t'u dhurojë të folur edhe gjymtyrëve. Ka mendime se puna e secilës gjymtyrë është e inçizuar dhe se ai inçizim do të paraqitet atë ditë.
Njerëzit kur bëjnë ndonjë punë të keqe, fshihen prej masës e nuk e dinë se për ato punë të bëra do të dëshmojnë gjymtyrët e tyre. Sipas kësaj, nënkuptohet se njeriu asnjëherë nuk është pa përcjellës, megjithse Zoti i di të gjitha.
Shoku i keq ia miraton punët e këqija shokut të vet edhe në këtë jetë dhe e mashtron duke i thënë se nuk ka botë tjetër, nuk ka përgjegjësi para Zotit dhe ashtu e çon drejt në humnerë. Asi njerëzish të këqij pati ndër popuj dhe në të kaluarën e largët, pati edhe në kohën e Pejgamberit, kur kundërshtarët, le që nuk e dëgjonin Kur'anin kur ai lexohej dhe bënte fjalë për jetën e ardhshme, por i nxitnin edhe të tjerët që të ngrisin zërin kundër tij në mënyrë që të mos dëgjohet leximi i Kur'anit dhe të mos bëjë ndonjë ndikim te dëgjuesit. Pra, e dinin se ai është mrekulli e Zotit dhe e dinin se ai ka ndikim te njerëzit e urtë, por kryeneçësia nuk i lejonte ta pranojnë të vërtetën. Andaj, kundërshpërblimi i tyre ishte meritë e tyre. Të gjithë të mashtruarit prej shokëve të këqij do të kërkojnë prej Zotit që t'u sjellë pranë tyre mashtruesit, qofshin prej xhinëve, qofshin prej njerëzve e ti vënë nën këmbët e tyre, sepse ua panë sherrin dhe u ndëshkuan me zjarr.
Besimtarët e sinqertë e të vendosur gjatë tërë jetës së tyre, do të kenë pranë vetes në momentin e vdekjes engjëj të mëshirës që do t'u thonë: Mos keni frikë për ardhmërinë tuaj, mos u pikëlloni që u ndatë prej fëmijëve, prej familjes e prej pasurisë, sepse do të shkoni në xhennet, në të cilin do të keni çka të dëshironi dhe do të jeni të pritur e të nderuar prej Zotit mëshirues.
Njeriu më i mirë, të cilin duhet marrë shembull, është ai që vetë është besimtar, që këshillon për rrugën e drejtë dhe që vetë bën vepra të mira. Të tillëve u kanë thënë: Ulemai amilin - dijetarë vepërmirë.
Nuk janë të njëjta e mira dhe e keqja, sepse e mira ka peshë të madhe, ndaj duhet përpjekur që edhe të keqen e dikujt ta kthejmë në të mirë. Por këtë nuk mund ta bëjë çdokush: këtë mund ta bëjnë vetëm njerëzit e mirë. Shejtanit nuk i vjen mirë të kthehet e keqja me të mirë, sepse ai dëshiron t'i ngacmojë njerëzit që të keqes t'i përgjigjen me të keqe e në mes tyre të shtohet armiqësia: prandaj në rastet e tilla duhet kërkuar ndihmë prej Zotit, e Ai ndihmon.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 41:30–41:32
- “S’ka dyshim se atyre që thonë “Allahu është Zoti ynë”, dhe pastaj qëndrojnë të palëkundur në këtë, do t’u zbresin melekët (e do t’u thonë): “Mos u frikësoni e mos u pikëlloni, por gëzohuni me Xhenetin, që ju është premtuar!” - Janë të sinqertit, me besimin të pastër nga çdo idhujtari dhe padrejtësi dhe të sinqertë në punët e tyre të mira, nëpërmjet të cilave kërkojnë veçse kënaqësinë e Allahut të Lartësuar. Janë ata që, përveç kësaj, përkushtohen në punë, të cilat i kryejnë në
përputhje me ligjet e Allahut të Lartësuar dhe vazhdojnë të paluhatshëm në këtë rrugë, derisa takojnë Allahun. Hafidh Ebu Ja’la el Meusili përcjell nga Enes Ibn Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të!) këtë rrëfim: 2316. “Profeti i Allahut na lexoi këtë ajet dhe tha: “Ka patur njerëz që e kanë thënë këtë fjalë, por më pas shumica e tyre mohuan.” Domethënë, vetëm ata të cilët e thonë deri në vdekje këtë fjalë janë përqendruar dhe të paluhatshëm.” Kështu e ka sjellë Nesaiu në Tefsir-in e tij. Bezari dhe Ibn Xheriri sjellin nga Amr Ibn Ali Felasi, e ky nga Muslim Ibn Kutejbeh, një hadith të ngjashëm. Edhe Ibn Ebu Hatimi e ka sjellë nga Felasi me një formë të ngjashme. Ibn Xheriri përcjell se Seid Ibn Umrani ka thënë: “Lexova në prani të Ebu Bekër Sidikut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) këtë ajet dhe ai më shpjegoi: “Janë ata të cilët nuk i shoqërojnë asgjë dhe askënd Allahut si ortakë”. Ibn Ebu Hatimi sjell me sened deri tek Ikrima, që thotë se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) u pyet: “Cili është ajeti më lehtësues në Librin e Allahut të Lartësuar?” Ai u përgjigj: “Është fjala e Allahut të Lartësuar: “S’ka dyshim se atyre që thonë “Allahu është Zoti ynë”, dhe pastaj qëndrojnë të palëkundur në këtë ...”. Domethënë, ata të cilët u përqendruan në fjalën Lâ ilâhe Il’lallah .” 26 Gjithashtu, nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) është transmetuar se: duke shpjeguar fjalën e Allahut “S’ka dyshim se atyre që thonë “Allahu është Zoti ynë” dhe pastaj qëndrojnë të palëkundur në këtë ...”, ka thënë: “Pra, ata që u përqendruan në përmbushjen e detyrave të caktuara nga Zoti.” Imam Muslimi, - ashtu si edhe Nesaiu, - sjell në Sahih rrëfimin nga Sufjan Ibn Abdilah Eth -Thekafiu, që tregon: 2317. “Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut, më trego një fjalë të Islamit, që të mos pyes për të asnjë tjetër pas teje.” Ai tha: “Thuaj: ‘Besova Allahun’, dhe pastaj përqendrohu në këtë!” Pastaj e pyeta: “O i Dërguari i Allahut! Cila është ajo gjë, që më së shumti i frikësohesh në lidhje me mua?” Profeti i Allahut kapi majën e gjuhës së vet dhe tha: “Kjo.” Më pas, Allahu i Lartësuar thotë: “... do t’u zbresin melekët: “Mos u frikësoni e mos u pikëlloni, por gëzohuni me Xhenetin, që ju është premtuar!” Muxhahidi dhe të tjerë shpjegojnë: “Domethënë, në momentet e vdekjes, u zbresin melekët dhe u thonë: “Mos u frikësoni ...”. - Muxhahidi, Ikrima dhe Zejd Ibn Eslemi shpjegojnë: “Pra, mos kini frikë nga ajo që ju pret në ahiret!” “... e mos u pikëlloni.” – Domethënë, mos u brengosni në lidhje me atë që latë pas në dynja. - “... por gëzohuni me Xhenetin, që ju është premtuar!” - Ata i përgëzojnë besimtarët se tashmë janë të sigurt, pasi kanë shpëtuar nga çdo e keqe dhe do të arrijnë çdo të mirë. Kjo është e ngjashme me atë që ka ardhur në hadithin e Bera Ibn Azibit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në të cilin thuhet: 2318. “... Melekët i thonë shpirtit të besimtarit: “Dil, o ti shpirt i mirë, në këtë trup të mirë, në të cilin jetoje, e të cilit i dhe jetë! Dil drejt kënaqësisë dhe aromës së mirë dhe drejt një Zoti, që nuk është i zemëruar (me ty) ...” Zejd Ibn Eslemi shpjegon: “Melekët e përgëzojnë atë (besimtarin) në momentin e vdekjes së tij, kur ai është në varr dhe në ditën që do të ringjallet dhe do të dalë prej varrit.” Kështu e përcjell Ibn Ebu Hatimi prej tij, dhe kjo, në fakt, i bashkon të gjitha mendimet e tjera. Ky është vërtet një shpjegim shumë i mirë, madje shpjegimi real i ajetit. Përgëzimi i jepet besimtarit me të tilla cilësi, në të gjitha këto faza të përmendura. - “Ne jemi miqtë tuaj, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në botën tjetër.” – Melekët u thonë besimtarëve në momentin e agonisë së vdekjes: “Ne ishim miqtë dhe të dashurit tuaj, domethënë, shoqëruesit tuaj në jetën e dynjasë. Ne ju këshillonim, ju drejtonim, ju ruanim dhe udhëzonim me urdhrin e Allahut. Po kështu, ne do të jemi së bashku edhe në ahiret. Ne do t’ju shoqërojmë, që ju të gjeni prehje në vetminë e varrit. Edhe në çastin kur t’i fryhet Surit, në Ditën e Ringjalljes, ne do t’ju japim
qetësi. Ne do t’ju ndihmojmë që të kaloni Urën dhe kemi për t’ju udhëzuar dhe shoqëruar drejt Xhenetit të mirësive.” - “Atje ju do të keni atë që dëshirojnë shpirtrat tuaj ...” - Në Xhenet do të keni gjithçka që ju dëshiron shpirti dhe që ju kënaq syrin, duke përzgjedhur çfarë të doni. - “... dhe gjithçka që kërkoni. ” - Çfarëdo që të kërkoni do t’ju vendoset para jush ashtu sikurse e kërkoni dhe e dëshironi. - “Kjo është dhuratë nga Ai që është Fa - lës e Mëshirëplotë. ” - Kjo është mikpritje, dhuratë, mirësi e premtuar nga Ai që është Falësi i madh i gjynaheve tuaja. Ai është Mëshirëploti, që ju fali, jua mbuloi gjynahet tuaja, ju mëshiroi dhe, me butësinë e Tij, ju solli në këtë mirësi. Imam Ahmedi përcjell nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se Profeti i Allahut ka thënë: 2319. “Kur dikush dëshiron takimin me Allahun, edhe Allahu e dëshiron takimin me të. Kur dikush e urrren takimin me Allahun, edhe Allahu e urren takimin me të.” Ne i thamë: “O i Dërguari i Allahut! Të gjithë ne e urrejmë vdekjen.” Por Profeti i Allahut tha: “Nuk flitet për urrejtjen e vdekjes! Kur besimtarit i vjen çasti i vdekjes, pranë tij vijnë përgëzuesit prej Allahut të Lartësuar, për t’i dhënë lajmin e mirë se ku do të shkojë. Dhe nuk ka gjë më të dashur për besimtarin në ato çaste, sesa takimi me Allahun, prandaj Allahu e do takimin me të.” Pastaj tha: “Ndërsa keqbërësi ose mo - huesi, kur i vjen agonia e vdekjes, atij i vjen edhe lajmi për vendin ku do të përfundojë dhe ligësinë ose ndëshkimin, që e pret. Për këtë arsye, ai e urren takimin me Allahun, prandaj dhe Allahu e urren takimin me të.” Ky është një hadith i saktë. Ka edhe hadithe të tjera të sakta, me versione të ngjashme.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 41:30–41:32
Allahu i Lartësuar sjell një lajm të gëzuar për të dashurit e Tij të zgjedhur, për besimtarët e devotshëm dhe të sinqertë. Kështu, Ai kalit vullnetin e tyre dhe nxit tek ata ambicien për punë të mira dhe për bindje ndaj Tij. Kjo është, gjithashtu, një nxitje për të gjithë, që të bëhen si ata. Ai thotë: - “S’ka dyshim se atyre që thonë “Allahu është Zoti ynë” dhe pastaj qëndrojnë të palëkundur në këtë,...” – Të tillët e pranojnë me zemër, e dëshmojnë me fjalë dhe janë të kënaqur që Allahu është Zoti, Sunduesi, Pronari dhe Rregulluesi i çështjeve të krijesave. Gjithashtu, ata i nënshtrohen plotësisht urdhrit dhe vullnetit të Zotit të tyre. Përveç kësaj, ata janë sistematikë dhe të palëkundur në ndjekjen e rrugës së drejtë. Ecja në rrugën e drejtë varet nga dy kushte: nga pasja e dijes së saktë dhe të sigurt prej Zotit dhe, së dyti, nga puna e sinqertë, në përputhje me atë dituri. Domethënë, për të tillë njerëz është lajmi i mirë në dynja dhe në ahiret, se: - “...do t’u zbresin melekët (e do t’u thonë): “Mos u frikësoni e mos u
trishtoni, por gëzohuni me Xhenetin, që ju është premtuar! ” - Melekët zbresin tek këta të zgjedhur dhe i vizitojnë në çastet e vdekjes. Melekët iu drejtohen besimtarëve, që po presin vdekjen, me fjalët më të ëmbla e qetësuese. Ata iu thonë: “Mos kini frikë nga ajo që ju pret pas vdekjes! Mos u trishtoni nga ato që kanë kaluar!” Kështu, ata i sigurojnë besimtarët se janë të shpëtuar nga çdo e keqe që lidhet me të shkuarën apo me të ardhmen e tyre. Më pas: “...gëzohuni me Xhenetin, që ju është premtuar!” – pra, gëzohuni, sepse Xheneti është i sigurt për ju, duke u zbatuar kështu premtimi i Zotit për robtë e Tij besimtarë. Në vijim, duke i përgëzuar dhe qetësuar besimtarët, melekët u thonë: - “Ne jemi miqtë tuaj, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në Botën Tjetër.” - Në jetën e dynjasë, melekët i nxisin besimtarët për punë të mira dhe ua zbukurojnë ato në zemrat e tyre. Po ashtu, ata ua bëjnë të shëmtuar të keqen në zemër dhe i frikësojnë besimtarët që të mos e veprojnë atë. Melekët i luten Allahut për besimtarët, madje i mbështesin realisht ata në kohë sprovash dhe frike, e sidomos në momentet e vdekjes, në jetën e varrit, gjatë errësirës dhe vetmisë së tij, në Ditën e Kijametit, gjatë tmerreve të saj, në kalimin mbi Sirat etj. Madje, edhe në Xhenet ata nuk iu ndahen, por vazhdimisht i përgëzojnë dhe i urojnë për mirësitë dhe begatitë e Allahut të Lartësuar. Ata hyjnë nga çdo portë, sikurse thotë i Madhëruari: “Ata që e përmbushin besën e dhënë Allahut dhe nuk e shkelin fjalën e premtuar; Ata që i ruajnë lidhjet që Allahu ka urdhëruar të ruhen, i frikësohen Zotit të tyre dhe i druhen gjykimit të rëndë; Ata që ngulmojnë me durim për të arritur dashurinë e Zotit të tyre dhe falin me rregull namazin; ata që japin haptazi dhe fshehtazi nga ajo që u kemi dhënë Ne dhe të keqen e kthejnë me të mirë - këtyre u takon shpërblimi në Shtëpinë e përjetshme, (Për ta janë përgatitur) Xhenetet e Adnit, ku do të hyjnë ata dhe prindërit, gratë dhe fëmijët e tyre, të cilët kanë qenë vepërmirë. Melekët do t’i vizitojnë ata, duke u hyrë nga çdo portë: “Selamun alejkum ! Me durimin tuaj gjetët shpëtimin. Sa e mirë është Shtëpia e tyre e përjetshme!”” [Rad 20 - 24]. - “Atje ju do të keni atë që dëshirojnë shpirtrat tuaja dhe gjithçka që kërkoni.” - Në Xhenet, ata do të kenë gjithçka që ua dëshiron shpirti, gjëra të cilat do t’i gjejnë gati. Ata do të kërkojnë atje atë që syri nuk e ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar dhe që askush nuk ka mundësi ta përfytyrojë në këtë botë, dhe gjithçka që do kërkojnë do t’u jepet. - “Kjo është dhuratë nga Ai që është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” - I gjithë ky shpërblim kaq i madh, e gjithë kjo mirësi e përjetshme është begati dhe bujari e Allahut të Madhërishëm, i Cili përmend dy emra të mrekullueshëm të Tij. Ai është Falësi i Madh, i Cili fal gjynahet dhe mangësitë e robve të Tij. Allahu është gjithashtu Mëshirëploti, i Cili jep forcën dhe suksesin për të vepruar çdo të mirë, dhe pastaj i pranon ato, pavarësisht nga mangësitë e tyre. Me faljen e Tij, Allahu largon të keqen prej njerëzve, ndërsa me mëshirën e Tij, Ai u mundëson të arrijnë të mirat dhe gjërat që dëshirojnë.