42. Shura · Ajeti 18 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 42:1–42:18
Shkronjat në fillim të kaptinës thuhet se janë: simbole hyjnore, emra të Zotit, betime të Zotit, shenja të fillimit të fjalëve dhe të mbarimit të tyre dhe thuhet se janë emra të kaptinave në fjalë. Shih çka është thënë në Suretul Bekaretu.
Allahu që i shpalli Muhammedit Kur'anin, u shpalli edhe pejgamberëve para tij. Prej autoritetit të madhërisë së Tij, gati pëlcasin qiejt, ndërsa idhujtarët flasin çmos për Të, po melaiket më të larta gjithnjë i luten Atij dhe e falënderojnë, duke kërkuar që besimtarët e drejtë t'i mëshirojë.
As thëniet e as veprat e idhujtarëve nuk mund t'i fshihen Zotit. Muhammedi ka për detyrë të thërrasë në rrugë të drejtë banorët e Mekës dhe të vendeve përreth dhe t'u tregojë se do të tubohen para Zotit dhe se do të ndahen në dy grupe, disa për xhennet, kurse të tjerët për xhehenem. Atë ditë nuk ka ndihmës as mbrojtës tjetër, përveç Zotit, Krijuesit të çdo sendi e qenieje të të dy gjinive.
Të gjithë pejgamberëve, duke filluar prej Nuhut, Zoti u shpalli një fe të njëjtë, të gjithë u porositën t'i përmbahen saktësisht asaj feje e të mos përçahen. Përçarjet e mëvonshme janë pasojë e zilisë, inatit, mendjemadhësisë, por mëshira e Zotit është shumë e madhe. Ajo përfshiu të gjitha krijesat, ndër të cilat edhe njerëzit, qofshin besimtarë ose jobesimtarë, ngase edhe jobesimtarët i përfshiu ajo mëshirë, meqë nuk u ndëshkuan aty për aty, por u lejuan të jetojnë deri në një afat të caktuar.
Pejgamberi ynë urdhërohet t'u shmanget përçarjeve të ithtarëve të librit, jehudive dhe të krishterëve, e t'i përmbahet fesë së drejtë e të kulluar, të cilën e praktikuan të gjithë pejgamberët dhe besimtarët e tyre të drejtë, e çdokush do të përgjigjet për veprat e veta.
Çasti i katastrofës së përgjithshme është enigmë për të gjitha krijesat, atë e di vetëm Zoti, por njerëzit gjithnjë duhet të jenë të gatshëm e të mos i befasojë, ata që përqeshën, nuk e shohin veten se sa shumë kanë humbur.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 42:16–42:18
Allahu i Madhëruar i kërcënon ata që pengojnë besimtarët nga rruga e udhëzimi i drejtë, që ata kanë zgjedhur për të jetuar. Për këta, i Lartësuari thotë: - “Ata që kundërshtojnë fenë e Allahut, pasi është pranuar, sjellin argumente, që janë të pavlefshme te Zoti i tyre.” - Kështu, ata të mjerë polemizojnë me besimtarët, për t’i larguar e penguar nga besimi i pastër, që ata kanë zgjedhur. Por argumentet e tyre janë kotësira e trillime, pa asnjë bazë e dritë nga Zoti. - “Mbi ta do të bjerë zemërimi i Tij dhe do të kenë një dënim të rëndë.” - Mbi ta do të godasë ashpër zemërimi i Allahut dhe në Ditën e Gjykimit do të flaken në dënim më të rëndë e të dhimbshëm. Thuhet se këtu bëhet fjalë për idhujtarët që iu kundërvunë besimit të drejtë e besimtarëve. Thuhet, gjithashtu, se bëhet fjalë për jehudët dhe krishterët, të cilët refuzuan besimin e drejtë. Sidoqoftë, të gjitha këto grupacione devijuan nga udha e drejtë, e sjellë nga Zoti përmes Shpalljes e Profetit të Tij. - “Allahu është Ai që e zbriti Librin me të vërtetën e sigurt dhe me drejtësinë.” - Allahu i Lavdëruar është Ai që e zbriti këtë të vërtetë të sigurt dhe të pakundërshtue - shme përmes shpalljeve dhe librave që u zbriti profetëve të Tij. Ai zbriti edhe atë që quhet “ el hakk ”, pra, drejtësinë e barazinë në gjykimin e trajtimin e njerëzve, sikurse shpjegojnë Muxhahidi dhe Katade. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Madhëruar: “Ne i çuam të dërguarit Tanë me shenja të qarta dhe Ne u shpallëm atyre Librin dhe drejtësinë, që njerëzit t’i përmbahen së drejtës. ...” [Hadid 25]; ose: “Qiellin e ngriti lart dhe vendosi drejtësinë, që ju të mos e shkelni atë. Prandaj matni me drejtësi e mos hani në peshë!” [Rahman 7 - 9]. - “Ti nuk mund ta dish: ndoshta çasti i shkatërrimit është afër.” - Ky është një paralajmërim e kërcënim për ndëshkimin në atë ditë, sihariq e përgëzim për ata që besojnë shpërblimin e nderimin në atë ditë dhe udhëzim e nxitje për të qenë asketë në këtë dynja. - “Ata që nuk e besojnë atë (Kijametin), kërkojnë që ai të vijë sa më shpejt ...” - Njëlloj siç thotë Madhëruari në ajetin tjetër: “Ata thonë: “Kur do të vijë ky premtimi,
nëse thoni të vërtetën?”” [Sebe’ 29]. Ata i thonë këto fjalë thjesht për të treguar se e shohin diçka të tillë shumë të largët dhe të pabesueshme, shprehje kjo e këmbënguljes për të mos besuar e pranuar ftesën e Zotit. Ndërsa për besimtarët, i Lartësuari thotë: - “... ndërsa ata që i besojnë, i druhen atij çasti dhe janë të bindur se ai është i vërtetë.” - Ata i druhen dhe janë të frikësuar për këtë ditë, sepse janë të bindur se ajo është e vërtetë. Ajo do të vijë patjetër dhe përballja me të është e pashmangshme, prandaj dhe ata përgatiten dhe punojnë për të qenë prej të shpëtuarve e faqebardhëve atë ditë. Në një hadith të saktë, në njërin nga versionet e tij, thuhet: 2327. “Gjatë një udhëtimi, një burrë e pyeti Profetin ﷺ me një zë të kumbueshëm: “O Muhamed!” Edhe Profeti iu përgjigj me një zë të ngjashëm, duke i thënë: “Ja ku jam!” Ai tha: “Kur do të ndodhë Kijameti.” Profeti i tha: “I mjeri ti, ai do të ndodhë patjetër, por ti çfarë ke përgatitur për të?” - “Dashurinë për Allahun dhe Profetin e Tij.” Profeti tha: “Ti do të jesh (Ditën e Kijametit) me atë që e ke dashur (në dynja).” Kështu, Profeti i Allahut e mësoi se në Ditën e Kijametit, njeriu do të jetë me atë që e ka dashur në jetën e kësaj dynjaje, dhe se ajo do të ndodhë në mënyrë të pashmangshme. Ai nuk iu përgjigj në lidhje me kohën kur do të ndodhë Kijameti, por e porositi që të përgatitej për atë ditë. - “Ta dini se ata që bëjnë polemika, duke vënë në dyshim Ditën e Kijametit, janë në një humbje të thellë.” - Ata që e vënë në dyshim vërtetësinë e Ditës së Gjykimit dhe nuk besojnë se ajo do të ndodhë, ata janë në një humbje të thellë, në një padituri të qartë, sepse Ai që i krijoi qiejt dhe tokën është i plotpushtetshëm që të risjellë në jetë të vdekurit, dhe kjo është më parësore për t’u besuar, sesa krijimi i gjithçkaje nga hiçi, sikurse thotë i Madhëruari: “ Është Ai që e fillon krijimin, dhe pastaj e përsërit atë, dhe kjo (përsëritja) është edhe më e lehtë për Të. Atij i takon përshkrimi më i lartë në qiej e në Tokë dhe Ai është Ngadhënjimtari, i Urti.” [Rum 27].
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 42:17–42:18
Pasi bëri të ditur se argumentet e Tij janë të qarta, të padiskutueshme dhe të pranueshme nga çdokush që ka mirësi në shpirt, Allahu i Lartësuar tregon cilësitë themelore të Librit të Tij, madje të të gjitha shpalljeve që ai ka zbritur për njerëzit, që ata të mund të dallojnë lehtë të vërtetën nga e kota, të drejtën nga e padrejta: - “Allahu është Ai që e zbriti Librin me të vërtetën e sigurt dhe me drejtësinë.” - Libri që Zoti e shpalli për njerëzit është Kur'ani. Ai u shpall me të vërtetën e qartë dhe në mënyrë të sigurt, pra, nëpërmjet Xhibrilit - besnikut të melekëve - tek Muhamedi - besniku i njerëzve. Kur'ani përmban drejtësinë, të vërtetën dhe dijen e sigurt nga çdo shtrembërim dhe dyshim. Ai është i gjithi i përbërë nga ajete të sqaruara plotësisht. Ajetet e tij janë thellësisht të kuptueshme dhe shtjellojnë çdo gjë që lidhet me besimin e drejtë dhe qëllimet hyjnore. Ai është treguesi më i mirë dhe më i besueshëm i rrugës së drejtë. Kur'ani udhëzon te veprimet e drejta dhe na mëson që të gjykojmë me drejtësi, duke përdorur analogji të bazuar mbi rregulla të drejta dhe argumente logjike të drejta. Kjo do të thotë që, të gjitha gjykimet e drejta, të përftuara nga faktet e vëzhguara në vetet tona dhe në ambientin që na rrethon, në ligjet dhe rregullat e Sheriatit, në dispozitat dhe urtësitë e fesë apo në ligjësitë shkak -pasojë të kësaj bote, të gjitha këto, pra, hyjnë në drejtësinë që Zoti e zbriti për njerëzit, që ata të peshojnë dhe gjykojnë drejt çdo çështje të paqartë të tyre. Çdokush që, kur gjykon, nuk i përmbahet Librit të Zotit dhe logjikës së drejtë e të shëndoshë, ai nuk gjykon drejt, prandaj gjykimi i tij është i pavlefshëm. Kush gjykon duke mos u bazuar në Librin hyjnor dhe në logjikën e drejtë ( mizan) ka shembur themelet e gjykimit, dhe gjithçka e ndërtuar mbi themele të tilla është e rrënuar. Që të marrësh për bazë një tekst hyjnor, fillimisht duhet të vërtetosh saktësinë e burimit dhe besnikërinë e transmetimit të tij deri tek ne. Më pas, duhet të përzgjedhësh mënyrën e saktë të shpjegimit dhe interpretimit të tij. Kështu dallohet argumenti ligjor, mbi të cilin mund të ndërtosh gjykime, nga ai që nuk konsiderohet i tillë. Ndërsa ata që flasin me fjalë të bukura, por që nuk janë të bazuar në tekst hyjnor dhe në logjikë të drejtë, ata janë shumë larg të vërtetës dhe drejtësisë. Më pas, Allahu i Lartësuar kërcënon ata që, në shenjë mosbesimi, kërkojnë përshpejtimin e Kijametit: - “Ti nuk mund ta dish: Ndoshta çasti i Shkatërrimit është afër.” – Momenti se kur do të ndodhë Kijameti nuk mund të përcaktohet nga ju. Ai pritet të ndodhë në çdo kohë, madje mund të jetë shumë shpejt. - “Ata që nuk e besojnë atë (Kiametin), kërkojnë që ai të vijë sa më shpejt,...” – Për të treguar mosbesimin e tyre, mohuesit e kësaj dite kërkojnë përshpejtimin e saj. Ndërsa besimtarët, ata që janë të sigurt për vërtetësinë e saj, i druhen Kijametit dhe punojnë për atë ditë. - “...ndërsa ata që i besojnë, i druhen atij çasti dhe janë të bindur se ai është i vërtetë.” - Ata i druhen Kijametit, sepse e besojnë me siguri të plotë që ai do të
ndodhë. Besimtarët e dinë mirë që atë ditë çdokush do të llogaritet dhe shpërblehet për veprat e tij. Ata druhen, sepse e njohin mirë Zotin e tyre, që është i Drejtë dhe i Gjithëditur. Ai i di të gjitha veprat e tyre dhe di t’i llogarisë me drejtësi për çdo gjë që kanë bërë. E si mund të kenë dyshim për diçka që Zoti e ka thënë në Librin e Tij të vërtetë, në Kuranin madhështor?! Kijameti është i sigurt, prandaj lum ata që përgatiten për të dhe mjerë ata që e shpërfillin atë. - “Ta dini se ata që bëjnë polemika, duke vënë në dyshim Ditën e Kiametit, janë në një humbje të thellë.” - Edhe pse ata polemizojnë me profetët dhe pasuesit e tyre rreth vërtetësisë së këtij momenti, ata përsëri kanë dyshime. Ata janë shumë larg së vërtetës. E ku ka humbje më të madhe sesa humbja e atij që nuk beson jetën e pasosur të ahiretit, atë jetë që u krijua për të qenë e tillë? Ajo është jeta në të cilën do të jepen shpërblimet e veprave. Në atë jetë, Allahu i Lartësuar do të shfaqë dukshëm dhe me të gjithë dimensionin e tyre, drejtësinë dhe bamirësinë e Tij mes krijesave. Madje, kjo jetë në dynja, në krahasim me atë të ahiretit, është si ai udhëtari që qëndron nën hijen e një peme për të pushuar, dhe pastaj ngrihet dhe e lë atë, për të vazhduar më tej udhëtimin e gjatë. Kjo dynja është thjesht një vend kalimtar, dhe jo një vendprehje. Ndërsa mjeranët përkujdesen vetëm për këtë botë, e cila do të zhduket një ditë, dhe mohojnë ekzistencën e asaj tjetrës në ahiret, për të cilën janë shpallur të gjithë librat hyjnorë dhe janë dërguar të gjithë profetët e Zotit. Ata mohojnë jetën për të cilën janë sjellë lajme dhe fakte të sakta e të vërteta nga pasuesit e profetëve, deri në ditët e sotme. A nuk e mendojnë ata që profetët dhe pasuesit e tyre janë njerëzit më të ditur, më të mençur dhe më të urtë?! Atëherë, çfarë udhëzimi marrin parasysh?!