42. Shura · Ajeti 23 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 42:19–42:31

Allahu është shumë i mëshirshëm dhe i butë ndaj robërve të vet, të mirë qofshin ose të këqij: furnizon me ushqim, i lehtëson në momentin e llogarisë dhe të përgjegjësisë, nuk i ngarkon çka nuk munden, nuk ngutet kundër kundërshtarit dhe nuk ia humb shpresën atij që shpreson, nuk refuzon lutjen dhe nuk ia këput ymytin, pra është mëshirues në të gjitha çështjet.

Kush bën vepra më qëllim të shpërblimit në ahiret, Allahu ia shton të mirat, kurse kush punon vetëm për këtë jetë, Allahu i jep aq sa dëshiron Vetë, e jo sa kërkon ai. Sikur të mos ishte vendim i kahershëm i Zotit të shtyjë ndëshkimin deri në botën tjetër, idhujtarët që pos Allahut adhuruan zota të tjerë, do t'i shkatërronte përnjëherë, por mjafton që ata do të jenë të trishtuar për shkak të veprave të tyre të këqija, e besimtarët të kënaqur nëpër kopshte të xhennetit.

Pejgamberi ynë, Muhammedi, urdhërohet t'u thotë se nuk kërkon prej tyre ndonjë shpërblim, përveç dashurisë së akraballëkut, pra ata do të duhej ta donin atë pse e kishin të afërt, do të duhej t'a respektonin për hir të farefisnisë e të mos e torturonin. Ka mendime se me akraballëk nënkuptohet familja e ngushtë e pejgamberit: Fatimja, Aliu, Hasani dhe Huseini, por derisa ajeti është i shpallur në Mekë, fjala është për akraballëkun në përgjithësi.

Muhammedi edhe po të kishte dashur, nuk ka pasur mundësi të trillojë gënjeshtër ndaj Allahut, sepse Ai do t'ia mbyllte gojën.:

Sikur Allahu t'u jepte begati më të madhe njerëzve, ata do shfrenoheshin, prandaj Ai i furnizon me masë ashtu si di vetë. Në një hadithi kudsij thuhet: "Ka nga robërit e Mi që meritojnë vetëm begatinë, sepse sikur t'i varfëroja, ata do ta humbnin fenë e vet, kurse ka të tjerë që meritojnë vetëm varfërinë, sepse sikur t'i pasuroja do ta humbnin fenë e vet" (merfuë prej Enesit, shënon Ibni Kethir).

Sipas mendimit të disa dijetarëve, ajeti njëzet e nëntë lejon mundësinë e ekzistimit të gjallesave në yje të larta e të largëta, pos melaikeve, gjallesa që u përngjajnë atyre të qiejve e të tokës. Këtë mendim e mbështesin në ajetin në fjalë. Sipas mendimit të Sabuniut, përpos njeriut, mund të ketë në hapësirën e gjerë edhe krijesa të tjera. Përsa i përket njeriut, unë (Sabuniu) kam mendim të prerë se ai nuk gjendet tjetërku vetëm në sipërfaqën e tokës, pse Zoti ka thënë: "Në të do i të jetoni, në të do të vdisni dhe prej saj do të ringjalleni" (ajet i Kur'anit, A'rafë, 25).: Të këqijat që i godasin njerëzit, bëhen për t'ua shlyer mëkatet, e përsa u përket pejgamberëve, ato i ngrisin në shkallë edhe më të lartë, pse ata janë të mbrojtur prej mëkateve.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 42:23–42:24

Pas përmendjes së kopshteve të Xhenetit, të përgatitur për adhuruesit që bëjnë vepra të mira sipas imanit të pastër dhe Shpalljes së Tij, Allahu i Madhëruar thotë: - “Kjo është ajo, me të cilën Allahu i përgëzon adhuruesit e Tij, të cilët besojnë dhe bëjnë vepra të mira. ” - Ky është një përgëzim prej Allahut të Lartësuar, i cili do të përmbushet patjetër, pa asnjë dyshim. - “Thuaju: “Unë nuk kërkoj prej jush ndonjë shpërblim për thirrjen time, përveç dashurisë për hir të farefisnisë.”. - Thuaju, o Muhamed, këtyre idhujtarëve dhe mohuesve kurejshë, se për kumtimin e qartë të së vërtetës, këshillën e mirë dhe dëshirën për të përmirësuar gjendjen tuaj, unë nuk kërkoj prej jush asnjë lloj pasurie e shpërblimi. Ajo që kërkoj është që thjesht të ndalni ligësitë tuaja ndaj meje dhe të më lejoni të përcjell Shpalljen dhe udhëzimin e Zotit tim për njerëzinë. Nëse nuk më bëheni krah, atëherë mjafton të mos më mundoni e të më pengoni. Bëjeni këtë për hir të lidhjes farefisnore mes meje dhe jush. Buhariu sjell rrëfimin nga Tausi, se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) u pyet rreth ajetit: “... përveç dashurisë për hir të farefisnisë.”. Seid Ibn Xhubejri (në prani të Ibn Abasit) tha: “Pra, kuptimi është: për hir të familjes së Muhamedit ?”.” Ibn Abasi i tha: “U nxitove. Nuk ka bark nga kurejshët që Muhamedi të mos ketë lidhje farefisnie. Prandaj kuptimi i ajetit është: “përveç që të ruani e të respektoni lidhjet tuaja farefi - snore me mua. ” Këtë version e ka sjellë vetëm Buhariu. Një version të ngjashëm dhe me rrugë tjetër transmetimi ka sjellë Imam Ahmedi. I njëjti shpjegim ka ardhur edhe nga Muxhahidi, Ikrime, Katade etj. Buhariu sjell edhe shpjegimin tjetër nga Seid Ibn Xhubejri: “Domethënë, tregoni dashuri ndaj meje (Profetit) e farefisit tim, duke i respektuar e qenë bamirës me ta.” Shpjegimi më i saktë është ai i sjellë nga Ibn Abasi, shpjeguesi i madh i Kuranit, që përmendet në transmetimin e mësipërm. Pa dyshim që edhe respekti e dashuria për familjen e Profetit ﷺ nuk mohohen, madje janë të këshillueshme, sepse ata janë familja më e bekuar dhe më e përzgjedhur në faqen

e dheut, për sa i përket prejardhjes, pasardhësve dhe lavdisë së tyre, në mënyrë të veçantë ata që pasojnë Sunetin e saktë e të pastër të Profetit të Zotit. Të tillë ishin Abasi e bijtë e tij, Aliu dhe pasardhësit e tij, - Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata! Në dy Sahih-ët vjen hadithi se, ditën e Gadirit, Profeti ﷺ mbajti një fjalim, ku ndër të tjera tha: 2330. “Kam lënë për ju dy gjëra të rëndësishme: Librin e Allahut dhe pasardhësit e mi (të gjakut). Ata nuk kanë për t’u ndarë nga njëri -tjetri, derisa të vijnë pranë meje në Haud.” Imam Ahmedi sjell rrëfimin se, njëherë, Abasi, xhaxhai i Profetit të Allahut, tha: 2331. “O i Dërguari i Allahut, kurejshët, kur takohen me njëri -tjetrin, kanë fytyra të buzëqeshura, ndërsa kur na takojnë ne, kanë fytyra (të vrenjtura) që nuk i njo - him fare!” Profeti u zemërua shumë dhe tha: “Betohem në Atë që ka në dorë shpirtin tim! Askujt nuk ka për t’i hyrë në zemër imani i vërtetë, derisa t’ju dojë ju për hir të Allahut dhe në bindje ndaj Profetit të Tij.” Buhariu sjell nga Ibn Umeri, i cili tregon se Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Kujdesuni për respektimin e famil - jes së Profetit ﷺ”. Në hadith të saktë shënohet se Ebu Bekër Siddiku i tha Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): “Betohem në Zot, se mbajtja e lidhjeve me farefisin e të Dër - guarit të Allahut është më e dashur për mua sesa të mbaj lidhjet me farefisin tim.” Gji - thashtu, përcillet se Umer Ibn Hatabi i ka thënë njëherë Abasit (Allahu qoftë i këna - qur me ta!): “Betohem në Zot, se pranimi i Islamit nga ana jote ishte më i dashur për mua se pranimi i Islamit nga babai im, sepse islami yt ishte më i dashur për Profetin e Allahut.” Ky ishte qëndrimi i dy halifëve të mëdhenj pas Profetit të Allahut. I tillë duhet të jetë qëndrimi i të gjithëve kundrejt të afërmve dhe familjes së Profetit, prandaj ata të dy ishin besimtarët më të mirë pas profetëve të Zotit. Ata janë shembulli i besimtarëve të mire. Ne kemi sjellë edhe hadithe të tjera në lidhje me këtë çështje, në shpjegimin e fjalës së Allahut: “Dhe rrini qetësisht në shtëpitë tuaja dhe mos e shfaqni bukurinë tuaj ashtu siç shfaqej në injorancën e hershme! Faleni namazin, jepeni zekatin dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij! Allahu dëshiron që të largojë nga ju, o familja e Shtëpisë (së Profetit) papastërtinë e gjynaheve dhe t’ju bëjë një pastrim të thellë.” [Ahzab 33]. - “Kush bën ndonjë të mirë, Ne ia shtojmë shpërblimin për të.” - Çdokujt që bën punë të mira, Allahu ka për t’ia shumë - fishuar mirësitë e shpërblimet, sikurse ka thënë në ajetin tjetër: “S’ka dyshim se Allahu nuk bën padrejtësi as sa një grimcë. Nëse është vepër e mirë, Ai e shumëfishon atë dhe dhuron shpërblim të madh nga ana e Tij.” [Nisa 40]. Disa selefë kanë thënë: “Prej shpërblimit të punëve të mira në bindje ndaj Zotit, janë punët e mira të tjera që vijnë pas tyre. Po ahtu, prej ndëshkimit të punëve të këqija janë punët e tjera të këqija, që vijnë pas tyre. - “Vërtet, Allahu është Falës e Mirënjo - hës i Madh.” - Ai i fal shumë gjynahet dhe e shumëfishon shpërblimin për veprat e mira, sado pak qofshin ato. Ai i mbulon të metat e gabimet e robit dhe është shumë mirënjohës për adhurimet e tij. - “A mos thonë ata se ai (Muhamedi a.s.) trillon gënjeshtra ndaj Allahut?! Po të donte, Allahu do ta vuloste zemrën tënde (O Muhamed).” - Nëse do të trilloje gënje - shtra për Zotin, siç pretendojnë injorantët, atëherë Allahu do ta vuloste zemrën tënde, pra, do ta mbyllte atë dhe do ta hiqte prej saj atë Kuran që të dhuroi. Kjo i ngjan ajetit tjetër, ku i Lartësuari thotë: “Sikur ai të trillonte për Ne ndonjë fjalë, Ne do ta kapnim atë me fuqinë Tonë, e pastaj do t’ia këputnim arterien e zemrës e askush prej jush nuk do të mund të nd ërhynte për mbrojtjen e tij. ” [Hakka 44 - 47]. Kuptimi: Ne do t’i jepnim me të të dhimbshmin ndëshkim dhe askush nuk do të mundej t’i vinte në ndihmë. - “Allahu e zhduk të pavërtetën dhe e forcon të vërtetën me Fjalët e Tij. ” - Kjo është një fjali e re, që nuk është e lidhur me fjalinë para saj. Domethënë, Allahu i

Madhëruar e përforcon dhe e përmbush të vërtetën, duke e qartësuar plotësisht përmes Shpalljes së Tij, përmes argumenteve e fakteve që Ai sjell. - “Ai e di shumë mirë çfarë përmbajnë zemrat.” - Ai di gjithçka që fshihet në shpirtrat e njerëzve dhe asgjë nuk i fshihet diturisë së Tij.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 42:21–42:23

Allahu i Lartësuar na tregon se idhujtarët kanë miq të ngushtë shejtanët njerëz dhe xhindë, të cilëve iu binden atyre në vepra kufri dhe poshtërsie. Ata lidhin aleancë me ftuesit në mohimin e Zotit dhe në braktisjen e fesë së Tij. - “Ata pasojnë idhuj, të cilët u përcaktojnë atyre një fe që nuk e ka lejuar Allahu..” - Ata i urdhërojnë për idhujtari e për kufër. Ata ua bëjnë të lejuara ato gjëra që Zoti i ka ndaluar dhe ua ndalojnë ato gjëra që Zoti i ka lejuar. Ata i urdhërojnë për fjalë dhe vepra që përputhen me epshet dhe prirjet e tyre të shëmtuara dhe të shfrenuara. Feja është programi i jetës që Allahu i Lartësuar e solli për njerëzit, që ata të nënshtrohen dhe ta zbatojnë në jetën e tyre dhe, nëpërmjet saj, të afrohen te Krijuesi i tyre, me adhurime dhe vepra të mira. Feja është e vetmja mënyrë që krijesat të jetojnë në paqe me Krijuesin. Prandaj, çdokush që sjell një fe apo sistem që kundërshton fenë e Zotit, duhet të braktiset menjëherë. Kështu duhet të sillemi edhe me ata që përçojnë udhëzime të devijuara, për të cilat nuk kanë mbështetje tek Allahu dhe Profeti. Të mjerët, jo vetëm që pasojnë rrugët e humbjes, por bëhen edhe bashkëpunëtorë në këtë krim. Sigurisht, ata do të llogariten me drejtësi dhe do të marrin atë që meritojnë, por kur të vijë momenti i caktuar: - “Sikur të mos ishte Përcaktimi i hershëm (i Zotit), mbi ta do të urdhërohej dënimi (menjëherë)." - Allahu i Lartësuar ka përcaktuar një afat, në të cilin Ai do të llogarisë me drejtësi veprat e robve dhe do të vendosë drejtësinë në çdo çështje për të cilën krijesat kanë patur mospajtime. Për këtë arsye, Ai nuk i ndëshkon menjëherë ata që pengojnë njerëzit nga rruga dhe udhëzimi i Tij. Po të mos ishte ky vendim i hershëm i të Gjithëditurit, çështja e tyre do të merrte fund. Nëse nuk do të ishte afati që ka vendosur i Lartësuari, e drejta do të dilte në shesh menjëherë: të padrejtët do të ndëshkoheshin dhe të drejtët do të merrnin shpërblimin e tyre. - “Dhe, pa dyshim, mohuesit do të kenë dënim të dhembshëm.” - Pra, të mos mashtrohen nga ky afatizim, se përpara i pret një ndëshkim i rreptë. Ajo ditë është shumë e vështirë dhe e frikshme. Pamjet e asaj dite janë vërtet të tmerrshme: - “Ke për t’i parë jobesimtarët të tmerruar nga veprat e veta...” - Ata që i bëjnë padrejtësi vetes së tyre me kufër, idhujtari apo me gjynahe të tjera, do t’i shikosh të llahtarisur prej veprave të veta, sepse do shohin ndëshkimin duke iu afruar. Për të shuar çdo shpresë se ata mund të shpëtojnë nga ky tmerr, Allahu i Lartësuar na tregon se ndëshkimi do të godasë patjetër mbi ta, dhe ata assesi nuk mund të shpëtojnë: - “...ndërkohë që ndëshkimi Ynë do të bjerë mbi ta.” – Pra, ndëshkimi të cilit ata i frikësohen, do t’i godasë, sepse vetë me duart e tyre e bënë ndëshkimin të pakthyeshëm për ta, pa kryer asgjë që mund ta ndalonte këtë ndëshkim, siç mund të ishte pendimi ose kërkimi i faljes. Ata i ka kapur vdekja pa u penduar për poshtërsitë e tyre, dhe dihet se, pas vdekjes, nuk bëjnë më dobi vërejtjet. - “Kurse ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira,...” – Domethënë, ata që besojnë me zemër gjithçka që Zoti, përmes të dërguarve të Tij, ka urdhëruar të besohet. Ata besojnë Zotin, librat e Tij, profetët dhe udhëzimet e tyre. Por përveç bartjes së besimit në zemër, ata edhe e demonstrojnë

këtë besim në jetën e tyre. Kështu, ata e shfaqin besimin te ndjenjat e tyre (siç është droja ndaj Zotit, shpresa tek Ai, dashuria për Të, dashuria dhe respekti për Profetin dhe besimtarët, mbështetja e plotë te Zoti etj.) dhe te veprat e tyre (si namazi, xhihadi, haxhi etj.), qofshin ato detyrime apo vepra vullnetare. Pra, ata që kanë besimin e drejtë, të bazuar në Shpalljen e Zotit, dhe që punojnë me sinqeritet për të kënaqur Zotin, kanë një premtim të ndryshëm nga ai i zullumqarëve: - “...do të jenë në kopshtet e Xheneteve..” - Ata do të jenë jo në kopshte dosido, por në kopshtet e Xhenetit. Mos pyet për bukurinë e këtyre kopshteve të lulëzuara, për lumenjtë që gurgullojnë me zhurmë të këndshme dhe qetësuese, për bimësinë e dendur dhe panoramat e mrekullueshme, për zogjtë cicërues dhe zërat e bukur që këndojnë, për takimet me të dashurit dhe për intimitetet e papërshkrueshme! Prej çdo lloj kënaqësie, atje do të provojnë më të lartën dhe më të plotën që mund të ekzistojë apo të përfytyrohet. Çdo ditë që kalon ia shton bukurinë dhe kënaqësinë asaj jete. Çdo ditë që kalon ua shton dashurinë dhe shijimin banorëve të saj për çdo kënaqësi të re që provojnë në të. Megjithatë, çfarëdo që të flasim, nuk mund të bëjmë një përshkrim të plotë. Mjafton të themi atë që thotë Allahu i madhëruar: - “Ata do të kenë gjithçka që dëshirojnë tek Zoti i tyre...” - Në Xhenet, ata do të kenë gjithçka që ua dëshiron shpirti i tyre dhe që kënaq vështrimet e tyre. Ata do të kenë atje çfarë syri nuk e ka parë, çfarë veshi nuk e ka dëgjuar dhe çfarë mendja nuk e ka menduar. - “...Kjo është mirësia e madhe.” - E ku ka mirësi më të madhe sesa të kesh arritur të kënaqësh të Gjithëmëshirshmin dhe të kesh fituar të drejtën për të jetuar pranë Tij, në përjetësi?! - “Kjo është ajo, me të cilën Allahu i përgëzon adhuruesit e Tij, të cilët besojnë dhe bëjnë vepra të mira.” – Ky është përgëzimi më i madh i të Gjithëmëshirshmit e Mëshirëplotit, të cilin Ai ua përcolli njerëzve përmes më të mirit Profet dhe më të mirës Shpallje. Ky është përgëzimi i Kur'anit për besimtarët, që kanë përqafuar fenë e drejtë, të bazuar në Shpalljen e paprekshme hyjnore, dhe të cilët punojnë me sinqeritet sipas porosive të Profetit të Zotit. Ky është premtimi më i mrekullueshëm për ta dhe kjo është rruga që të çon tek ai. - “Thuaju: “Unë nuk kërkoj prej jush ndonjë shpërblim për thirrjen time, përveç dashurisë për hir të farefisnisë.”” – Kuptimi: Unë, për kumtimin e këtij Kur'ani dhe për ftesën që ju t’u bindeni udhëzimeve të tij, nuk po ju kërkoj ndonjë shpërblim. Unë nuk po synoj që të marr pasurinë tuaj dhe as që të kem pushtet mbi ju. Unë nuk kam asnjë interes të tillë tek ju. Por çfarë kuptimi ka: “...përveç dashurisë për hir të farefisnisë.”? Kjo frazë mund të kuptohet në dy mënyra: 1. “Unë nuk pres për veten time asgjë nga ju, veç dashurisë dhe respektit për hir të farefisnisë.” Dihet se për çdo njeri është

detyrë që ta dojë Profetin (a.s.) më shumë se çdo gjë tjetër, pas dashurisë për Zotin. Madje, dashuria për Zotin nuk është e vërtetë, nëse nuk do Muhamedin (a.s.). Por përveç kësaj dashurie, Profeti (a.s.) kërkoi prej fisit të tij, prej Kurejshve, që ta donin edhe për hir të farefisnisë. Thuhet se nuk ka degëzim të fisit të Kurejshëve që Profeti (a.s.) të mos ketë lidhje me të. Ky është njëri nga kuptimet e kësaj fraze. Ndërsa kuptimi tjetër mund të jetë: 2. “Me përpjekjet e mia për përhapjen e Kur'anit dhe udhëzimeve të tij ndër ju, nuk synoj gjë tjetër, veç dashurisë së Allahu të Lartësuar për mua, dashuri që të afron tek i Madhëruari.” Gjithsesi, sido që të jetë kuptimi i saj, Profeti (a.s.) nuk kërkoi prej njerëzve asnjë lloj shpërblimi për veten e vet. Çdo gjë që ai kërkoi prej tyre ishte thjesht në dobi të tyre dhe konsiderohet si bamirësi e tij për këtë umet. - “Kush bën ndonjë të mirë, Ne ia shtojmë shpërblimin për të.” - Çdokujt që bën ndonjë vepër të mirë si namaz, agjërim, haxh apo bamirësi ndaj krijesave, Allahu i Lartësuar i premton se do t’ia shtojë mirësinë mbi mirësitë që i ka dhënë. Shtimi i mirësive vjen në forma të ndryshme. Për shembull, Allahu i Lartësuar i dhuron kënaqësi dhe qetësi shpirtërore, ia lehtëson çështjet, i jep rrugëzgjidhje për çdo nevojë, i hap dyert e suksesit për të tjera punë të mira, i jep vullnet dhe forcë të mjaftueshme për t’i shtuar veprat e mira dhe për t’u ngritur në grada, i jep një pozitë të veçantë dhe të lartë si në mbretërinë e qiellit, ashtu edhe ndër njerëzit në tokë. Allahu i dhuron shpërblim në këtë jetë dhe në jetën tjetër. - “Vërtet, Allahu është Falës e Mirënjohës i Madh.” - Allahu i fal edhe gjynahet më të mëdha, nëse pendohesh sinqerisht dhe shpreh dëshirën për t’u kthyer tek Ai i bindur dhe i nënshtruar. Allahu tregohet Mirënjohës dhe Bujar i madh edhe për veprat me të vogla që kryen robi në emër të dashurisë për Të. Për punë të vogla, Ai jep shpërblim shumë të madh. Allahu është Falës, që, me faljen e Tij, e ndihmon robin për pendim të sinqertë, ia mbulon të metat dhe ia fshin të këqijat. Allahu është, gjithashtu, Shekûr – Mirënjohës, që, me mëshirën dhe bujarinë e Tij, i pranon veprat e mangëta të adhuruesve të penduar dhe e shumëfishon shpërblimin e Tij për ta.

← Shura 42:23