42. Shura · Ajeti 49 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 42:49–42:53

Edhe në ajetet e tjera të Kur'anit është thënë se vetëm Allahu është Ai që e di se çka fshihet në barkun- mitrën e nënës, e këtu në këtë ajet theksohet se çdo gjë në botë ndodh dhe zhvillohet sipas vullnetit të Zotit, pra edhe çështja e lindjes së fëmijëve. Në këtë ajet përmenden katër gjendje të prindërve përkitazi me fëmijët: dikujt i fal vetëm vajza, dikujt vetëm djem, dikujt edhe vajza edhe djem, e dikujt as djem as vajza dhe kështu gjendjet e tilla nuk janë çështje rasti, por çështje të diktuara nga dija, plani dhe urtësia e Zotit fuqiplotë.

Sikurse edhe pejgamberëve të tjerë që Zoti u dha shpallje Muhammedit i thotë se edhe ty të dhamë shpalljen që është si shpirt, sepse shpallja jote, Kur'ani, ngjall zemrat si shpirti që ngjall trupin kur i bashkohet. Madje, i thuhet Muhammedit se më parë nuk ke ditur as çka është shpallja, as çka është besimi i drejtë, e Kur'ani është dritë që udhëzon: ti me anën e Kur'anit udhëzon për në rrugën e drejtë.

Në këto ajete të fundit, jepet një sqarim se si Zoti i madhëruar u ofroi dituri, njohje, shpallje, frymëzim njerëzve në këto tri mënyra:

- Në mënyrë frymëzimi: njeriu frymëzohet në shpirtin e vet për ndonjë punë a ide dhe e di se ai ngacmim shpirtëror është prej Zotit, pse është frymëzim për mirë e mbarë. Nëse ngacmimi është për ndonjë punë të keqe, ai është cytje nga djalli.

Për punë ose ide të mbara e të mira, janë frymëzuar pejgamberët e edhe njerëz të tjerë të mirë, si nëna e Musait, nëna e Isait, ai besimtari i familjes së faraonit e shumë të tjerë. Të gjithë të frymëzuarit e kuptojnë se është udhëzim prej Zotit, andaj në zbatimin e detyrës me të cilën udhëzohen, nuk shprehin kurrfarë luhatshmërie, por të vendosur zbatojnë, f.v. Ibrahimi deshi ta therë djalin, nëna e Musait e hodhi atë në lumë, Musai i ra me shkop detit dhe u fut në të etj.

Kur është fjala për frymëzimin e gjallesave të tjera si të bletës, të thneglës, të pupëzës etj., aty ka të bëhet me një lloj instinkti të tyre, e kur është fjala për sendet e ngurta, si toka, qielli etj.,atëherë frymëzimi ka të bëjë me gjendjen e tyre.

Muhammedi është frymëzuar në këtë mënyrë shumë herë rreth shpjegimit të domethënies së ndonjë ajeti,të ndonjë hadithi kudsij ose të ndonjë pune tjetër,që për neve është hadith prej tij,por kjo mënyrë e frymëzimit, nuk ka të bëjë me Kur'anin.

- Në mënyrën pas perdës: Pejgamberi e dëgjon fjalën e Zotit, por jo në aso kushtesh sikundër i flasim ne njëri-tjetrit dhe sikundër e dëgjojmë ne njëri-tjetrin. Kjo bëhet në një gjendje të jashtëzakonshme, në një gjendje jashtë suazave të mundësisë dhe të aftësisë së njeriut, andaj edhe thuhet "pas perdes". Fjalën e Zotit e dëgjoi Musai në kodrën Tur, kurse Muhammedi e dëgjoi natën e Miraxhit, por as kjo mënyrë nuk është e Kur'anit, sepse Pejgamberi dëgjon fjalët e Zotit, i kupton dhe duhet të veprojë ashtu si porositet, e nuk është i obliguar t'i thotë ato fjalë që i dëgjon, por vetëm t'i kuptojë e të veprojë sipas tyre.

- Në mënyrë të frymëzimit përmes engjëllit të dërguar prej Zotit: Kjo është mënyra e shpalljes së Kur'anit, është mënyra më e vështirë për Pejgamberin, sepse Pejgamberit i duhet domosdo të bëjë shndërrime kimike në vetë gjendjen e tij trupore, në të vërtetë, fuqinë dhe kompetencën e merr shpirti, pse meleku është krijesë e lartë, atij mund t'i afrohet vetëm ndcnjë qenie që është e lartë. Të njeriu qenie e tillë është shpirti dhe ashtu vetëm në atë gjendje Pejgamberi është i aftë të pranojë atë që ia komunikon meleku. Është gjendje e rëndë dhe e vështirë, por është më e sigurta. Në këtë mënyrë iu shpall Pejgamberit i tërë Kur'ani. Xhibrili ia tha fjalët që i dëgjoi prej Zotit dhe Muhammedi ishte i obliguar t'i thotë ato fjalë ashtu si ia tha Xhibrili, e ai pra është Kur'ani.

Xhibrili iu ka paraqitur Muhammedit në formë të njeriut, i cili e ka udhëzuar dhe e ka mësuar, por ajo nuk është Kur'ani, sepse në atë rast Muhammedi nuk ka pasur nevojë të bëjë ndonjë shndërrim në qenien e vet, ka qëndruar ashtu normal si ka qenë gjithnjë, kështu që ajo nuk është gjendje e përshtatshme për t'iu shapllur Kur'ani. Pra i tërë Kur'ani është i shpallur vetëm sipas mënyrës së tretë.

Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i sures Shura. Lavdëruar qoftë Allahu i madhëruar!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 42:49–42:50

- “Vetëm Allahut i takon pushteti i qiejve e i Tokës. Ai krijon çfarë të dojë. ” - Allahu i Lartësuar na bën me dije se është pikërisht Ai që administron, rregullon dhe kujdeset për të gjitha çështjet n ë gjithësi në qiej dhe në Tokë. Mes krijesave të Tij zbatohet vullneti dhe vendimi i Tij, qoftë kur jep, qoftë kur privon: - “Ai i fal vajza atij që Ai do e i fal djem atij që Ai do. ” - Disave, Allahu i Madhë - ruar u dhuron vajza, sikurse i dhuroi Lutit (a.s), ndërsa disa të tjerëve u dhuron vetëm meshkuj, sikurse i dhuroi Ibrahmit (a.s). - “Ose fal edhe djem, edhe vajza. ” - Disa të tjerëve, Ai u jep si fëmijë edhe meshkuj, edhe femra, sikurse i dhuroi Muhamedit ﷺ .

- “Ndërsa atë që Ai dëshiron, e lë pa fëmijë.” - Pra, e bën që të mos lindë, sikurse ishte Jahja dhe Isai - paqja e Zotit qoftë me ta! Kështu e ka shpjeguar Begauiu. - “Ai është i Gjithëditur, i Plotpushtet - shëm.” - Ai është i gjithëditur për atë çka është më e udhës t’i jepet secilit lloj prej këtyre njerëzve dhe Ai është i plotpushtet - shëm që t’i bëjë njerëzit të ndryshëm në këto cilësi të tyre, si dhe në mirësitë, që Ai u dhuron. I dëlirë dhe i madhëruar qoftë Ai, që është i gjithëditur dhe i plotpushtetshëm për gjithçka që bën me krijesat e Tij.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 42:49–42:50

- “Vetëm Allahut i takon pushteti i qiejve e i Tokës. .” - Pushteti i qiejve e i tokës është në dorë të Allahut. Ai krijon çfarë të dojë dhe vepron në krijimin e Tij si të dëshirojë. Nuk ndodh asgjë në këtë gjithësi pa lejen dhe fuqinë e Tij. Është Allahu që rregullon çështjet e krijesave, me urtësinë dhe mëshirën e Tij, qoftë për gjërat më të vogla në dukje. Madje, Ai ka nën kontroll edhe ato çështje, sebepet e të cilave i ka lënë në dorë të krijesave. Është e vërtetë që njerëzit martohen me njëri-tjetrin për të bërë fëmijë, por është i Gjithëdituri e i Urti Ai që përcakton se çfarë do t’u japë ose nuk do t’u japë atyre. Kështu, i Madhërishmi thotë: - “Ai krijon çfarë të dojë. Ai i fal vajza atij që Ai do, e i fal djem, atij që Ai do. Ose fal edhe djem, edhe vajza. Ndërsa atë, që Ai dëshiron, e lë pa fëmijë.” - Me urtësinë e Tij, Allahu i Lartësuar i fal vetëm vajza dikujt që Ai dëshiron, ndërsa dikujt tjetër i fal vetëm meshkuj; ose i fal edhe djem, edhe vajza. Po ashtu, dikë tjetër, – siç Allahu dëshiron, – e lë pa fëmijë. Çdo përcaktim i Allahut fsheh urtësi që ne nuk i dimë. Ai është i Urtë e i Gjithëditur, prandaj ne duhet të kënaqemi gjithmonë me përcaktimin e Tij dhe t’i shprehim mirënjohjen tonë për çdo gjë. Mirënjohësit janë të lumtur në çdo gjendje, ndërsa përçmuesit kurrë nuk kënaqen. - “Ai është i Gjithëditur, i Plotpushtetshëm.” - Allahu është i Gjithëditur për krijesat e tij dhe i Plotpushtetshëm për gjithçka që dëshiron. Ai ka përcaktuar çdo gjë me përpikmëri dhe saktësi.

← Shura 42:49