43. Zuhruf · Ajeti 25 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 43:1–43:25
Zoti xh. sh. betohet në Kur'anin, i cili në rrethin më të lartë të engjëjve gëzon një famë të madhe dhe që në Levhi Mahfudh ka autoritet të lartë, ashtu që do të duhej ta madhërojnë e çmojnë edhe banuesit e tokës, e nëse disa prej tyre e refuzojnë dhe e konsiderojnë gënjeshtër, ai qëndrim i tyre nuk ndikon në mëshirën e Zotit, i cili nuk ndërpreu këshillat dhe udhëzimet, por gjithnjë i thirri në rrugën e hajrit.
Edhe idhujtarët e dinin se Zoti i krijoi qiejt e tokën, se Ai u bëri të mundshme jetën në tokë, u fali shi dhe ngjalli bimët, krijoi të gjitha llojet e krijesave të të dy gjinive, por nga mendjelehtësia e tyre lutnin dhe sende të tjera pos Tij. Besimtarët porositen që në shenjë mirënjohjeje ndaj Zotit, kur të hipin në ndonjë mjet udhëtimi, duhet ta thonë këtë shprehje "Subhanel ledhi..." deri te "munkalibunë".
Në kohën e injorancës, ndër idhujtarët arabë, vajzat ishin të urrejtura, e megjithatë, ata thoshin për engjëjt se janë të gjinisë femërore dhe se janë fëmijë të Zotit. Madje, ndiqnin adetet e shëmtuara të të parëve të tyre, e nuk orientoheshin me mësimet e Kur'anit. Si fajtorë kryesorë për refuzimin e mësimeve, që u sillnin pejgamberët nga ana e Zotit, ishin pasanikët, që ishin të mësuar të jetonin të shfrenuar nga çdo rregull e normë morale, por gjithnjë e vuajtën ndëshkimin që e merituan.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 43:21–43:25
Duke dënuar idhujtarinë e tyre, Allahu i Lartësuar thotë: - “A mos u kemi dhënë ndonjë libër para këtij, të cilit ata i përmbahen? ” - Mos vallë, u kemi dhënë ndonjë argument, ku ata bazohen për idhujtarinë e tyre? Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar kur thotë: “ A mos vallë u kemi shpallur atyre ndonjë Argument, që u flet për atë (idhujt) që ata më përshkruajnë Mua?” [Rum 35]. - “Jo.” - Pra, çështja nuk qëndron aspak kështu. Përkundrazi, Allahu i Lartësuar na tre - gon shkakun e vërtetë të idhujtarisë së tyre: - “Por ata thonë: “Ne i kemi gjetur të parët tanë në këtë fe, prandaj do t’i ndje - kim gjurmët e tyre me këmbëngulje.”. - Kështu, ata nuk kanë asnjë bazë për idhujtarinë e tyre, përveçse pasimin e verbër të të parëve të tyre dhe pretendime pa asnjë lloj argumenti prej Zotit. - “Ne nuk kemi dërguar para teje profet në ndonjë vendbanim, që paria e shfre - nuar e tij të mos i ketë thënë: “Ne i kemi gjetur të parët tanë në këtë fe, prandaj do t’i ndjekim gjurmët e tyre me këmbë - ngulje”. - Allahu Krenar dhe i Lartësuar na bën me dije se të tilla fjalë i kanë thënë edhe të ngjashmit me ta në popujt e shkuar, të cilët i bashkon një cilësi: refuzimi i profetëve dhe mospranimi i mesazheve që ata sillnin nga Zoti. - “Ai (Profeti) u thoshte: “Vallë, edhe pse ju kam sjellë një udhëzim më të mirë nga ai që ju keni gjetur tek të parët tuaj?” Ata thoshin: “Ne e mohojmë atë gjë, për të cilën ju jeni dërguar.”. - Kuptimi i ajetit: Edhe nëse ata do ta mësonin qartë vërtetësinë e asaj që unë solla prej Zotit, ata sërish nuk do të nënshtroheshin për t’a zba - tuar dhe jetuar sipas saj, për shkak të qëlli - meve të tyre të këqija dhe për shkak të me - ndjemadhësisë, kryeneçësisë, urrejtjes për të vërtetën dhe prirjes për ta refuzuar atë. - “Atëherë, Ne i goditëm me ndëshkime. ” - Allahu i ndëshkoi popujt, të cilët kundër - shtuan profetët e tyre dhe refuzuan shpalljet që ata sollën nga Zoti me dënime të shumta dhe të shumllojshme, sikurse ka treguar me hollësi në historitë që ka sjellë në këtë Kuran. - “Shih tani se si qe përfundimi i mohue - sve!” - Shih se si ishte shkatërrimi dhe shfarosja e mohuesve të të vërtetës dhe shih, gjithashtu, se si i shpëtoi Allahu i Lartësuar besimtarët e Tij, ata që pranuan profetët dhe shpalljet e Tij.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 43:15–43:25
- “Ata (jobesimtarët) i konsiderojnë disa krijesa (melaiket) si pjesë (vajza) të Tij. Me të vërtetë, njeriu është mohues i hapur. Mos vallë, nga ato që krijoi, Ai zgjodhi për vete vajza, kurse juve ju fali djem?!” - Allahu i Lartësuar na tregon për fjalët e shëmtuara të idhujtarëve, të cilët shpifin se Allahu i Lartësuar ka fëmijë, ndërkohë që Ai është i Vetmi, Absoluti në zotërimin dhe pushtetin e Tij. Allahu është Ai të Cilit i drejtohen të gjitha krijesat me lutje dhe përgjërim për nevojat e tyre, është Ai i Cili nuk ka nevojë për grua dhe as për fëmijë. Askush nuk mund të jetë i përafërt apo i ngjashëm me Allahun, as në Qenien e Tij, as në cilësitë dhe madhështinë e Tij. Kjo shpifje e idhujtarëve hidhet poshtë për shumë arsye të tjera, ndër të cilat: - Çdo gjë, veç Allahut, është krijesë, dhe të gjitha krijesat janë rob të Tij. Por robëria bie ndesh me birësinë. - Fëmija është një pjesë prej prindit të tij, por dihet që Allahu i Lartësuar është jashtë krijesave dhe asgjë prej krijesave nuk mund të jetë pjesë e Tij. Askush nuk mund të jetë pjesë e Zotit dhe as e kundërta. Ai është shumë më i Lartësuar dhe i Madhëruar që të jetë pjesë e krijesave. Ai ndryshon nga ato në emrat dhe cilësitë e Tij të madhështisë dhe të pushtetit. Askush nuk mund t’i afrohet Allahut në ato emra dhe cilësi, e aq më pak të jetë i barabartë me Të. Atëherë, si mund të ekzistojë dikush që ka cilësitë e Zotit?! - Ata pretendonë se melekët janë fëmijët e Zotit dhe janë femra. Ndër njerëz, vajzat janë fëmijë më pak të preferuar se djemtë. Atëherë, si mund të pretendojnë se Allahu ka mbajtur për vete pjesën më pak të preferuar dhe atyre u ka dhënë djem, që janë më tepër të preferuar?! A mos vallë, ata janë më të rëndësishëm se vetë Zoti?! I Lartësuar qoftë Allahu nga të tilla shpifje! Ata ndihen të fyer dhe të pakënaqur kur njoftohen se u ka lindur vajzë, sikurse i përshkruan i Madhërishmi: - “Kur ndonjëri prej tyre lajmërohet për lindjen e asaj (vajzës) që ia përshkruanin të Gjithëmëshirshmit (si pjesën e Tij) , fytyra i nxihet dhe fryma i zihet. ” – Atëherë, si e pretendojnë një gjë të tillë për të Madhërishmin?! Femrat, që ata pretendojnë se janë melekët e Zotit dhe fëmijët e Tij, janë në një nivel më të ulët se meshkujt në aspekte të ndryshme, sikurse i përshkruan i Gjithëdituri: - “E si mund të jetë vallë (pjesa e Zotit) ajo që rritet me stoli e që kur polemizon ka argumentim të dobët?” – Për femrat, – të cilat janë të mangëta në bukurinë e tyre, prandaj vënë lloj -lloj stolish për t’u zbukuruar, – ata pretendojnë se janë fëmijë të Zotit! Ato janë më të mangëta se meshkujt edhe në aftësinë për të argumentuar dhe për të shprehur atë që kanë në zemrën e tyre. Atëherë, si pretendojnë idhujtarët se ato janë fëmijët e Zotit?! - “Edhe melekët, të cilët janë adhuruesit e të Gjithëmëshirshmit, ata (jobesimtarët) pretenduan se janë femra.” - Pretendimi i tyre që melekët, adhuruesit e palodhur dhe të vazhdueshëm të Allahut, janë femra, është gjithashtu një shpifje për ta. Së pari, sepse në aspektin e nënshtrimit ndaj të Madhërishmit, ata i konsiderojnë melekët si pjesë e Zotit, pra, i ngrejnë më lart se ç’janë. Ndërsa nga ana tjetër, ata i ulin melekët, duke pretenduar se janë femra e jo meshkuj. Kjo është një kontradiktë në të menduarit e tyre. Melekët nuk kanë gjini dhe janë thjesht adhurues të përkushtuar të Allahut të Lartësuar. Kështu që kjo është një shpifje, për të cilën ata nuk kanë asnjë argument. Ata nuk ishin dëshmitarë kur Allahu krijoi melekët, siç thotë i Lartësuari: - “A ishin të pranishëm ata në krijimin e tyre?! Dëshmia e tyre do të regjistrohet dhe ata do të merren në pyetje. ” - Si flasin për diçka që nuk kanë dije, fakt ky i pranuar nga të gjithë? Të mos mendojnë ata se kjo shpifje e tyre do të kalojë dhe ata nuk
do të merren në përgjegjësi. Ata do të pyeten për këtë dëshmi të gënjeshtërt, e cila do t’u shënohet në regjistër, dhe pastaj do të ndëshkohen për të. - “Ata thonë: “Sikur të kishte dashur Allahu, ne nuk do t’i adhuronim ata!”” - Ata justifikohen për adhurimin e melekëve, duke pretenduar se kjo ishte dëshira e Zotit. Ky është një justifikim që idhujtarët e përdorin gjithmonë për krimin e idhujtarisë dhe për gjynahet që kryejnë. Por ky argumentim është i kotë, i pavlefshëm dhe i padrejtë. Ai është i papranueshëm si në aspektin logjik, ashtu edhe në atë fetar. Asnjë njeri me mend nuk e pranon justifikimin me vullnetin e Zotit. Nëse do të vepronin në të njëjtën mënyrë në marrëdhëniet ndërnjerëzore, kjo do të ishte e papranueshme. Për shembull, nëse dikush që ka shkelur të drejtën tënde do të justifikohej se ndodhi ashtu, pasi i tillë ishte vullneti i Zotit, për ty sigurisht që do të ishte justifikim i papranueshëm. Edhe në aspektin fetar, ky justifikim është i papranueshëm dhe jo i drejtë. Madje, Allahu i Madhëruar nuk ka përmendur ndonjë grupacion tjetër që ta ketë përdorur si justifikim, përveç idhujtarëve dhe mohuesve të profetëve. Allahu i Madhëruar e ka zhvleftësuar justifikimin e tyre me faktet dhe argumentet e qarta që ka sjellë nëpërmjet profetëve dhe shpalljeve. Pas profetëve dhe shpalljeve hyjnore, asnjë njeri nuk ka më justifikim. Pastaj i Madhëruari thotë: - “Por ata nuk kanë ndonjë provë për këtë. Ata, në të vërtetë, vetëm gënjejnë.” - Ata thjesht hamendësojnë, pa ditur se çfarë flasin e çfarë synojnë. - “A mos u kemi dhënë ndonjë libër para këtij, të cilit ata i përmbahen?” – Kuptimi: Mos, vallë, u kemi dhënë ndonjë libër, që t’u tregojë për saktësinë e veprave të tyre dhe për vërtetësinë e fjalëve të tyre?! Sigurisht, kjo nuk është e vërtetë, sepse Allahu i Madhëruar ka dërguar vetëm Muhamedin (a.s.) si paralajmërues e udhëzues për këta njerëz. Pra, si në aspektin logjik, edhe në atë fetar, ata nuk kanë mbështetje për trillimet dhe justifikimet e tyre. Si rrjedhim, ato janë të pasakta e të pavlefshme; dhe jo vetëm kaq, por ata do të merren në llogari për to. I vetmi arsyetim që ata përdorin është se ndjekin të parët e tyre, të cilët, në fakt, ishin të humbur dhe të devijuar. Në përgjithësi, pasimi i brezave të mëparshëm në mënyrë të verbër është sjellë gjithmonë si justifikim për refuzimin e ftesës së profetëve të Zotit, i Cili na tregon edhe këtë justifikim që ata paraqesin për mosbesimin dhe refuzimin e ftesës së Zotit. - “Jo. Por ata thonë: “Ne i kemi gjetur të parët tanë në këtë fe, prandaj do t’i ndjekim gjurmët e tyre me këmbëngulje.”.” - Kuptimi: Ne i gjetëm të parët tanë në një fe të caktuar. Për këtë arsye, ne do të vazhdojmë të ndjekim gjurmët e tyre e nuk do të pasojmë Muhamedin dhe mesazhin që ka sjellë ai. - “Ne nuk kemi dërguar para teje profet në ndonjë vendbanim, që paria e shfrenuar e tij të mos i ketë thënë: “Ne i kemi gjetur të parët tanë në këtë fé,
prandaj do t’i ndjekim gjurmët e tyre me këmbëngulje”.” - Kështu ka ndodhur gjithmonë kur Zoti dërgonte paralajmërues. Pasanikët dhe ata që ishin në mes të mirave, të cilët mashtroheshin dhe verboheshin nga pasuria e madhe, tregoheshin kryeneçë dhe refuzonin të vërtetën. Ata mjaftoheshin thjesht duke thënë: “Ne i gjetëm të parët tanë në një fé, kështu që do të vazhdojmë me këmbëngulje t’i ndjekim ata”. Pra, këta të sotmit nuk janë të parët dhe as të vetmit që thonë të tilla fjalë. Edhe justifikimi i idhujtarëve me vullnetin e Zotit është i njëjtë me justifikimin e të parëve të tyre. Ata janë thjesht pasues të verbër të rrugës së të parëve të tyre. Ata i pasojnë të parët jo se kanë për qëllim të ndjekin të vërtetën dhe rrugën e drejtë. Nuk është aspak ky qëllimi i tyre. Ai është thjesht fanatizëm ndaj rrugës së tyre të gabuar, është një përpjekje e kotë për të hedhur poshtë të vërtetën dhe rrugën e drejtë me justifikime të pavlera. Ato janë të pavlera, sepse ftesa e sjellë nga profetët është dukshëm shumë më e qartë dhe më e drejtë sesa kotësirat e të parëve të tyre. Prandaj edhe profetët u drejtoheshin atyre gjithmonë me fjalët: - “Ai (Profeti) u thoshte: “Vallë, edhe pse ju kam sjellë një udhëzim më të mirë nga ai që ju keni gjetur tek të parët tuaj?”” – Kuptimi: Nëse unë ju sjell një udhëzim më të drejtë se ai i të parëve tuaj, a do të më pasoni, vallë? Nëse vërtet synoni udhëzimin në rrugën e drejtë dhe gjetjen e të vërtetës, atëherë a do të më pasoni? Por ju nuk e dëshironi këtë. - “Ata thoshin: “Ne e mohojmë atë gjë, për të cilën ju jeni dërguar.”” – Pra, ata nuk synonin gjetjen e udhëzimit të drejtë dhe të vërtetë, por thjesht dëshironin të vazhdonin në kotësitë dhe devijimin e trashëguar nga të parët e tyre, ku kishin gjetur rehati dhe kënaqësi për epshin dhe dëshirat e tyre. - “Atëherë, Ne i goditëm me ndëshkime.” - Allahu i Madhëruar i ndëshkoi ata, për shkak se ata refuzuan të vërtetën, duke e konsideruar ata si gënjeshtër, dhe për justifikimet e tyre të pavlera. - “Shih tani se si qe përfundimi i mohuesve!” – Kuptimi: Le të jenë të kujdesshëm ata që mohojnë dhe nuk besojnë në profetët dhe mesazhin e tyre! Le të kujtojnë se edhe ata do t’i godasë ndëshkimi që goditi brezat para tyre, nëse vazhdojnë në rrugën e mohimit dhe të refuzimit të së vërtetës.