43. Zuhruf · Ajeti 26 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 43:26–43:45
Ibrahimi ishte ai që u largua prej adhurimit të idhujve, e besoi dhe e adhuroi një Zot të vetëm, Allahun, dhe besimi i tij mbeti i përjetshëm për pasardhësit e tij: mirëpo, mekasit edhe pse ishin pasardhës të Ibrahimit, u mashtruan, u dhanë pas kënaqësive të kësaj bote dhe iu shmangën besimit të drejtë. Madje, edhe kur u erdhi e vërteta, Kur'ani dhe pejgamberi, ata e quajtën magji. Ata vajtën dhe më larg dhe supozuan se Kur'ani do të duhej t'i zbritej ndonjë njeriu të madh, të autoritetshëm, Velid ibni Mugires nga Meka, ose Urve bin Mes'ud Thekafiut nga Taifi, e jo Muhammedit jetim e varfanjak!
Gjithnjë ka qenë (dhe është) mendimi i të padijshëmve se i madh është ai që ka pasuri e famë, ndërsa te njerëzit e dijshëm i madh është ai shpirtpastri, shpirtlarti, e kush ishte më shpirtlartë se Muhammedi"
Prandaj, Zoti refuzon atë bindje të gabuar të tyre e u thotë: A ju do të caktoni se kush do të duhej të jetë pejgamber, a nuk e dini se Ne e bëjmë edhe përcaktimin e çështjeve që nuk kanë aq shumë rëndësi, siç është çështja e pasurisë në këtë jetë dhe e varfërisë, a menduat se çështjen më të rëndësishme, pejgamberllëkun do ta lëmë në duar të tjetërkujt) Ne kemi përcaktuar që dikush të jetë i pasur, dikush i mesëm e dikush i varfër për hir të ekuilibrit të jetës së bashkësisë njerëzore, përndryshe do të paralizohej jeta sikur të gjithë të ishin të pasur apo të gjithë të varfër.
Këtë ligj të Zotit mund ta vërejmë te i dobëti, te jo i shkathëti, te jo oratori, por edhe te ai i pasuri e i forti, te i shkathëti, te oratori etj.
Zoti ka mundësi t'i bëjë të pasur pa masë ata që nuk besojnë, por në atë mosbesim do të lakmonin edhe të tjerët për hir të pasurisë, ka mundësi t'i bëjë të pasur pa masë ata që besojnë dhe njerëzit të lakmojnë në besim për hir të pasurisë e të bëhen të gjithë besimtarë, por besimi i tillë do të ishte formalitet, hipokrizi. Prandaj, mbetet e drejtë ajo siç e ka caktuar Zoti, e jo si mendojnë njerëzit.
Njeriun, që ua kthen shpinën mësimeve të Zotit, e shoqëron dreqi, e mashtron e mëson mbrapsht e në ditën e kijametit do ta shohë gabimin e vet, gabimin e shoqërisë së keqe, e cila nuk do t'i ndihmojë fare në lehtësimin e vuajtjeve.
Besimi në një Zot ka qenë mësim i të gjithë pejgamberëve, andaj, Muhammedit i thuhet t'i përmbahet Kur'anit, i cili ia rrit famën atij dhe atyre që e përqafojnë.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 43:26–43:35
Allahu i Madhëruar na tregon rreth adhu - ruesit të Tij, profetit dhe të zgjedhurit të Tij të dashur , Ibrahimit, imamit të të gjithë besimdrejtëve. Ai na tregon se Ibrahimi u distancua prej të atit dhe popullit të tij, duke mos pranuar që të adhuronte idhujt: - “Ibrahimi i tha të atit dhe popullit të vet: “Unë i urrej dhe u qëndroj larg atyre që ju adhuroni, përveç Atij që më krijoi dhe më tregon udhën e drejtë.” Ai e bëri këtë fjalë të kujtohet ndër pasardhësit e tij, me qëllim që ata gjithmonë të kthehen.” - Kjo fjalë, që Ibrahimi (a.s.) la si trashëgimi ishte: La ilahe Il-l’Allah / Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Allahut. Ibrahimi e bëri që kjo fjalë të jetë e përhershme në pasardhësit e tij dhe udhëhe - qësja e tyre. Ajo do të ishte fjala e të gjithë pasardhësve të Ibrahimit (a.s.), që do të udhëzonte Allahu i Lartësuar. Ai u la këtë fjalë e besim të pastër, që ata të ktheheshin gjithmonë tek ajo. Kjo do të ishte feja e përhershme, besimi i drejtë, pra, përku - shtimi për të përmbushur fjalën La ilahe Ill’Allah, që do të thotë përkushtimi i të gjitha adhurimeve vetëm për Allahun e Lartësuar dhe distancimi çdo gjë tjetër që adhurohet veç Tij. - “Unë i lashë këta dhe etërit e tyre të kënaqen ...” - Është fjala për idhujtarët. Allahu i Lartësuar u pati dhënë idhujtarëve dhe paraardhësve të tyre mirësi nga kjo dynja dhe ata jetuan gjatë, të zhytur në humbjen e tyre. - “... derisa u erdhi e Vërteta dhe i Dërguari me fakte. ” - Derisa u erdhi Kurani dhe Profeti, të cilit iu shpall ky Kuran, pra, Muhamedit ﷺ . - “Por, kur u erdhi e Vërteta, ata thanë: “Kjo është magji, prandaj nuk i besojmë asaj!” - Ata u treguan mendjemëdhenj dhe me inat e mohuan të vërtetën, që ai u solli prej Zotit dhe këtë libër të mrekullueshëm dhe të pashembullt. Shkaku ishte smira dhe armiqësia, që mbushn in zemrat e tyre dhe shfrenimi në gjynahe. - “Pastaj thanë: “Përse të mos i zbriste ky Kuran një njeriu të shquar në këto dy qytete?!” - Allahu i Lartësuar na tregon kundërshtimin dhe gjykimin e tyre të mbrapshtë. Ata thoshin: Pra, përse Kurani nuk i zbriti ndonjërit prej burrave më të mëdhenj e të njohur në dy vendbanimet e mëdha, domethënë, në Mekë ose Taif? Personi për të cilin aludonin ishte Uelid Ibn Mugirah ose Urue tu Ibnu Mesud Thekafiu. Atëherë, Allahu i Lartësuar dhe i Madhëruar u kthen këtë përgjigje: - “Mos, vallë, janë ata që përcaktojnë mëshirën e Zotit tënd?! ” - Çështja nuk është lënë në dorë të tyre. Është Allahu Krenar dhe i Lartësuar e i Vetëm, që e ka të drejtën që ta shpërndajë mëshirën e Tij dhe, pa dyshim, Allahu është më i ditur se kujt ia jep profetësinë. Ai shkon veçse tek krijesat më të pastra në zemrën e tyre, më bujaret,
më të fismet dhe më të zgjedhurat në shtëpinë dhe prejardhjen e tyre. Më pas, i Lartësuari na mëson se Ai ka bërë dallime mes krijesave në aspektin e pasurisë, logji - kës, aftësive dhe në shumë aspekte të tjera, qofshin ato të jashtme apo të brendshme: - “Ne kemi përcaktuar për ta se si do të jetojnë në këtë botë. ” Më pas, i Lartësuari thotë: - “Ne i kemi ngritur disa më lart se të tjerët, që të përfitojnë me shërbimet ndaj njëri-tjetrit.” - Me qëllim që t’i shërbejnë njëri-tjetrit, nëpërmjet pasurive dhe aftësive, që Ai u ka dhuruar. Kështu, disa i bën që të kenë nevojë për disa të tjerë dhe anasjelltas. Më pas, Allahu Krenar dhe i Madhëruar thotë: - “Mëshira e Zotit tënd është shumë më e vlefshme sesa çfarë grumbullojnë ata.” - Pra, mëshira që Allahu i Lartësuar tregon me krijesat e Tij është shumë më e mirë për ta, sesa pasuria dhe të mirat e kësaj bote, që ata zotërojnë. - “Sikur të mos ishte për njerëzit, që priren drejt një besimi, atyre që nuk e besojnë Mëshiruesin, Ne do t’ua bënim prej argjendi tavanet e shtëpive edhe shkallët, ku ata ngjiten ...” - Nëse shumë njerëz të paditur nuk do të gjykonin gabim se pasuritë e shumta që i jepen dikujt janë argument se Zoti e do atë, Allahu i Madhëruar do t’u jepte mohuesve edhe më shumë pasuri të kësaj dynjaje. Në këtë mënyrë, kjo do të bëhej sprovë për njerëzit, të cilët do të bëheshin mohues të besimit të drejtë, që të mund të merrnin sa më shumë pasuri, siç thotë Allahu i Lartësuar. - “Madje, edhe dyert e shtëpive apo kolltukët, mbi të cilët mbështeten ...” - Edhe shkallët, edhe pragjet e dyerve të shtëpive do t’ua bënim prej argjendi. Përveç kësaj: - “E shumë stoli të tjera. ” - Domethënë, edhe shumë florinj. Kështu e ka shpjeguar Ibn Abasi dhe të tjerë. - “Por të jeni të sigurt se të gjitha këto nuk janë gjë tjetër, veçse kënaqësi e jetës së kësaj bote ...” - Të gjitha janë vetëm kënaqësi të jetës së kësaj dynjaje, e cila shumë shpejt do të mbarojë. Për këtë arsye, Zoti i shpërblen për ato pak të mira që ata veprojnë, duke ua dhënë të mirat e kësaj dynjaje, si ushqime, pije, vendbanime etj., dhe duke mos u lënë gjë për në ahiret, në mënyrë që, kur të paraqiten para Allahut të Madhëruar, ata të mos kenë asnjë të mirë, që të meritojë shpërblimin e Tij, sikurse thuhet edhe në një hadith të saktë. Në një hadith tjetër thuhet: 2345. “Sikur dynjaja të vlente sa një flatër mushkonje, Allahu i Madhëruar nuk do t’i jepte mohuesit as edhe një gllënjkë ujë.” Begauiu e ka sjellë me sened nga Sehl Ibn Sadi, - Allahu qoftë i kënaqur me të! - “... kurse bota e ardhshme te Zoti yt është për të devotshmit.” - Ahireti është në mënyrë të veçantë për ta dhe askush nuk përzihet me ta atje. Njëherë Umer ibnu l Hattabi kur shkoi tek Profeti verejti në trupin e Profetit ﷺ gjurmët e rrogozit ku ishte shtrirë. Umeri u p ërlot dhe i tha: “O i dërguari i Allahut, Kisra e Kajseri jetojn ë si jetojnë (në luks) kurse ti , më i zgjedhuri i
Zotit, të jetosh në këtë gjendje? Profeti ﷺ që ishte i shtrir ë, pasi u ngrit e q ëndroi mbështetur tha: “Mos vallë je në dyshim o Umer i biri i Hattabit?” Pastaj vijoi e tha: “Ata janë një popull që Allahu ua ka përshpejtuar stolitë e kënaqësitë, për ti shijuar në jetën e kësaj dynjaje.” Ndërsa në një tjetër transmetim thotë: “A nuk je i kënaqur që ata të kenë dynjanë kurse ne ahiretin?” 40 Në dy Sahihët vjen se Profeti i Allahut ka thënë: 2346. “Mos pini dhe mos hani në enë floriri dhe argjendi, sepse ato janë për ata në dynja dhe për ne në ahiret.” Domethënë, Allahu i Madhëruar ua ka dhënë atyre këto stoli, që t’i përdorin në jetën e kësaj bote, pikërisht për vlerën e tyre të parëndësishme.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 43:26–43:32
Në këto ajete, Allahu i Madhëruar na tregon rreth Ibrahimit (a.s.) dhe cilët janë pasuesit e Ibrahimit. Shumë pretendojnë se janë pasues të Ibrahimit (a.s.), madje edhe ithtarët e Librit apo idhujtarët. Të gjithë pretendojnë se ecin në rrugën e tij. Por Allahu i Madhëruar na tregon rreth besimit dhe fesë së të dashurit të Tij, Ibrahimit (a.s),
fe dhe besim të cilin ai ua la trashëgim dhe amanet brezave pasardhës. - “(Përkujto) Kur Ibrahimi i tha të atit dhe popullit të vet:...” - Ibrahimi (a.s) iu drejtua babait të tij dhe popullit të tij, – të cilët adhuronin zota të tjerë veç Allahut, duke u bërë flijime e përkushtime, me qëllimin për t’u afruar tek ata, – dhe u tha: - ““Unë i urrej dhe u qëndroj larg atyre që ju adhuroni...” – Kuptimi: Unë distancohem dhe shpreh urrejtjen time kundër këtyre idhujve dhe kundër atyre që e ndjekin këtë rrugë të humbjes. - “...Përveç Atij që më krijoi dhe më tregon udhën e drejtë.”!” - Allahu është i Dashuri dhe i Adhuruari im, të Cilit unë ia besoj çështjet e mia dhe i dorëzohem tërësisht. Unë shpresoj dhe i lutem Atij që të më udhëzojë tek e vërteta dhe të më japë forcë e sukses që të punoj e të jetoj sipas fesë së vërtetë. Ashtu sikurse Allahu më krijoi, ashtu si përkujdeset dhe administron çështjet e mia të kësaj dynjaje, ashtu jam i kënaqur dhe e lus Atë që të më udhëzojë në gjithçka që është e mirë për besimin, fenë dhe ahiretin tim. - Ai e bëri këtë fjalë të kujtohet ndër pasardhësit e tij, me qëllim që ata gjithmonë të kthehen (në besimin e vërtetë) .” - Cilësia më e lavdërueshme dhe më e rëndësishme e robit është sinqeriteti i tij në adhurimin e Allahut si Një i vetëm dhe distancimi nga çdo gjë tjetër që adhurohet veç Allahut. Edhe Ibrahimi (a.s) e bëri këtë cilësi të lartë si bazë të përhershme për të gjithë brezat pas tij. Të gjithë ata do t’i kthehen kësaj baze, për të ndërtuar mbi të besimin dhe fenë e tyre. Ky besim i Ibrahimit është shumë i njohur. Ajo qe një porosi shumë e rëndësishme, madje më e rëndësishmja, që ai u la pasardhësve të tij. Kjo porosi u transmetua ndër breza. Kështu vepruan edhe Is'haku me Jakubin, kur porositën fëmijët dhe pasardhësit e tyre, sikurse thotë i Madhëruari: “Ibrahimi ua dha këtë porosi bijve të tij; po ashtu edhe Jakubi: “Kjo ishte porosia që Ibrahimi ua la bijve të tij. Kështu bëri edhe Jakubi: “O bijtë e mi, Allahu ua ka zgjedhur fenë, prandaj mos vdisni ndryshe, por vetëm duke qenë muslimanë të nënshtruar ndaj Tij!” A ishit ju të pranishëm, kur Jakubi, para se të vdiste, u tha bijve të vet: “Çfarë do të adhuroni pas meje?” Ata thanë: “Do të adhurojmë Zotin tënd dhe Zotin e etërve të tu – të Ibrahimit, të Ismailit dhe të Is’hakut - , që është Një Zot i Vetëm. Vetëm Atij i nënshtrohemi.” [Bekare 132, 133.] Kjo porosi vazhdoi të transmetohej te pasardhësit e tij, derisa u futën në mes shpifjet dhe padrejtësitë. - “Unë (thotë Zoti) i lashë këta dhe etërit e tyre të kënaqen,...” - Allahu i Madhëruar i begatoi ata me shumë mirësi, kurse ata u harruan në plotësimin e dëshirave të tyre të shfrenuara, derisa ato u bënë pikësynimi i vetëm i tyre. Dashuria për dynjanë vazhdoi të rritej dita-ditës, derisa u shndërrua në një lloj feje e tyre. - “...derisa u erdhi e Vërteta dhe i Dërguari me fakte...” - Kështu vazhduan ata, derisa u erdhi e vërteta dhe Profeti i qartë në mesazhin që përcillte, i mbështetur me mrekulli të shumta nga Zoti dhe i pajisur me moralin më të lartë. Ligji që solli ky profet ishte i plotë dhe tregues i të mirës në çdo kohë. Ai ishte në të njëjtën linjë me shpalljet hyjnore që sollën të gjithë profetët e tjerë. Vetë ftesa e tij për njësimin e Zotit tregon për vërtetësinë dhe besnikërinë e tij. Por, vallë, a ndryshuan ithtarët e Librit pas ardhjes së Profetit besnik? Vallë, a u hapën sytë dhe zemrat e tyre, për t’u çliruar nga dëshirat e shfrenuara dhe përkushtimi pas kësaj dynjaje? Thotë i Madhëruari: - “Po, kur u erdhi e Vërteta, ata thanë: “Kjo është magji, prandaj nuk i besojmë asaj!”” - Kur erdhi e vërteta, – të cilën çdokush, me sadopak arsye e logjikë të drejtë, do ta pranonte dhe do t’i nënshtrohej, – ata thanë: “Kjo është magji, prandaj nuk e pranojmë atë.” Kjo, sigurisht, është shfaqja më madhe e urrejtjes dhe e armiqësisë ndaj Profetit dhe Shpalljes së Zotit. Atyre nuk u mjaftoi refuzimi i të vërtetës, madje as lufta ndaj saj, por vazhduan me shpifjet më të
shëmtuara dhe më të padrejta që mund t’i bëhen asaj. Ata e quajtën të vërtetën ‘magji’, me të cilën merren krijesat më të këqija, më të pështira dhe më mashtruese. Në këtë shpifje të ulët ndaj të vërtetës i shtyu pikërisht shfrenimi i tyre në gjynahe dhe humbja në mirësitë e shumta të kësaj dynjaje, me të cilat i begatoi Allahu i Madhëruar. - “Pastaj (mohuesit kurejshë) thanë: “Përse të mos i zbriste ky Kur'an një njeriu të madh (me famë) në këto dy qytete (Meke dhe Taif) ?!”” - Kjo ishte kërkesa që parashtruan ata, me mendjet e tyre të prishura. Përse, pra, të mos i zbriste Kur'ani një njeriu me reputacion, që – sipas përcaktimit të tyre – duhej të ishte i pasur, i respektuar dhe zulmëmadh për banorët e qyteteve Mekë dhe Taif, si për shembull, Uelid Ibn Mugira apo ndonjë tjetër, që i përkiste parisë së tyre të respektuar. Por Allahu i Madhëruar, duke kundërshtuar këtë propozim të tyre të padrejtë, thotë: - “Mos vallë janë ata që përcaktojnë mëshirën e Zotit tënd?! Ne kemi përcaktuar për ta se si do të jetojnë në këtë botë.” – Vallë, a mos është mëshira e Allahut në dorën e tyre dhe ata e shpërndajnë atë si të duan?! A mos janë ata që ia dhurojnë profetësinë atij që ata dëshirojnë? Jo, kurrsesi! Është Allahu i Madhëruar Ai që e shpërndan mëshirën e Vet si të dojë mes robve, në këtë dynja. Gjithashtu, siç na tregon Allahu i Madhëruar më pas, mëshira e Tij është më e mirë se pasuria që njerëzit grumbullojnë në këtë botë. Në këtë mënyrë, duhet të kuptojmë se gjithçka që ka lidhje me jetën e njerëzve në këtë dynja jepet nga Allahu i Madhëruar. Është Ai që i shpërndan mirësitë mes robve të Tij, Ai që ia shton rizkun dikujt e ia pakëson dikujt tjetër, sipas urtësisë së Tij. Mëshira e Allahut në dynja, – grada më e lartë e së cilës është dhurimi i profetësisë, – është veç në dorë të Tij. Allahu i Madhëruar është më i Dituri dhe më i Urti për çështjen se kujt ia dhuron profetësinë dhe cilin bën lajmëtar të Tij. Kësisoj, propozimi i tyre është i papranueshëm dhe i pabazë, sepse rregullimi dhe përcaktimi i çështjeve të kësaj dynjaje apo dhe i çështjeve të fesë, janë tërësisht dhe vetëm në dorën e Zotit të Plotpushtetshëm. Allahu i Madhëruar u thotë këtyre njerëzve që të jenë të bindur për gabimin që bëjnë me kërkesa të tilla të pakuptimta. Ata duhet ta kuptojnë mirë që nuk u takon asgjë nga çështjet e dynjasë dhe të ahiretit dhe se propozimi i tyre është veçse shprehje arrogance dhe përpjekje për të refuzuar të vërtetën. Ata thanë: “Përse të mos i zbriste ky Kur'an një njeriu që gëzon reputacion në dy qytete?!” Por nëse ata do ta njihnin mirë realitetin, nëse do të njihnin virtytet nga të cilat vlerësohen burrat tek Allahu dhe te njerëzit, do të arrinin në përfundimin se Muhamed Ibn Abdullah Ibn Abdul Mutalib (a.s.) ishte burri më i madh dhe më i lartë në karakter. Ai ishte njeriu më i plotë dhe më i pastër në intelektin, urtësinë, vullnetin e në moralin e tij. Ai ishte më i mëshirshmi, më i buti, më bujari dhe më bamirësi me njerëzit, ashtu siç ishte dhe më i devotshmi ndaj Zotit të tij. Ai mbetet boshti rreth të cilit sillet çdo virtyt i lartë dhe kufiri ku mund të arrijë përsosmëria e burrave. Ai është burri më i madh i kohërave në të gjithë botën, fakt ky i pranuar dhe i ditur nga miqtë dhe armiqtë e tij. Atëherë, si mundet që këta idhujtarë injorantë të preferonin dikë tjetër, që as nuk i afrohej virtyteve të Muhamedit (a.s). Sigurisht, njerëz të tillë nuk duhen marrë aspak në konsideratë. Nga mendjelehtësia dhe injoranca e thellë, ata quanin si perëndi të tyre një putë apo një skulpturë, një pemë apo një gur, domethënë gjëra që nuk sjellin as dëm e as dobi, që nuk japin e as nuk marrin, madje që janë barrë për të tjerët, sepse kanë nevojë për përkujdesje e shërbim. Prandaj themi se propozimet e një niveli të tillë njerëzish nuk meritojnë që të përfillen. Ato janë kërkesa prej mendjeprishurve. Ata mund të kënaqen vetëm me një të llojit të tyre. Por një njeri me nivelin e tyre nuk mund të krahasohet
kurrë me Muhamedin (a.s.), e aq më tepër të parapëlqehet mbi të. E si mund të përzgjidhen të tillë njerëz kundrejt Profetit të Fundmë dhe pasardhësit më të mirë të Ademit (a.s.)? Por qafirët nuk logjikojnë e nuk dinë të arsyetojnë. - “Ne i kemi ngritur disa më lart se të tjerët,....” - Ky ajet tregon për urtësinë e madhe të Allahut të Lartësuar në dallimet që Ai ka bërë mes robve në jetën e kësaj dynjaje. Kjo është bërë që: - “...që të përfitojnë me shërbimet ndaj njëri-tjetrit.” – Domethënë, që njerëzit t’i shërbejnë njëri -tjetrit, me zanatet dhe aftësitë e tyre. Nëse ata do të ishin të njëjtë në pasuri dhe aftësi, atëherë nuk do të kishin nevojë për njëri-tjetrin, por kështu do të kishin shumë probleme në marrëdhëniet me njëri-tjetrin. - “Mëshira e Zotit tënd është shumë më e vlefshme sesa çfarë grumbullojnë ata.” – Kjo dëshmon se mirësitë që kanë lidhje me ahiretin janë më të mira sesa mirësitë që kanë lidhje me dynjanë, ashtu sikurse thotë i Madhëruari në një ajet tjetër: “O njerëz! Ja ku ju erdhi Këshilla nga Zoti juaj dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorin tuaj. Ai është Udhëzim dhe Mëshirë për besimtarët. Thuaj: “Vetëm për Mirësinë e Allahut (imanin) dhe Mëshirën e Tij (Kur'anin) gëzohuni!” Kjo është shumë herë më e dobishme se ajo që ata grumbullojnë”. [Junus 57, 58].