45. Xhathije · Ajeti 12 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 45:1–45:20
Kur'anin Muhammedit ia shpalli Allahu, Krijues i qiejve e i tokës, Krijues i njerëzve dhe i të gjitha gjallesave, Ai që bën ndërrimin e natës e të ditës, Ai që lëshon shiun prej së larti dhe ngjall tokën, Ai që u jep drejtimin erërave. Pas këtyre argumenteve që ua shpjegon Allahu njerëzve, a mbetet të besohet ndonjë thënie tjetër? Jo, por të mjerët ata që i refuzojnë duke u zhytur në mëkate.
Jobesimtarët i dëgjonin këto fakte të Kur'anit por nga euforia, e kthenin shpinën sikur nuk i dëgjojnë. Njëfarë Nadr ibni Harith blinte përralla e legjenda prej popujve të tjerë dhe me to i mashtronte njerëzit për të mos e dëgjuar Kur'anin. Një asi qëndrimi ka ekzistuar atëherë e ka vazhduar edhe në kohët e mëvonshme deri më ditët e sotme. Po, të tillët e kanë në prag xhehenemin, e përpjekjet e tyre nuk do t'u bëjnë kurrfarë dobie.
Për njerëzit që me vëmendje vështrojnë të mirat e Zotit, të cilat Ai i krijoi për njerëz, ka mjaft fakte bindëse, kurse për ata që nuk duan të vështrojnë faktet dhe refuzojnë të vërtetën, Zoti i thotë Muhammedit që t'u thotë besimtarëve të heqin dorë prej tyre, se ata do t'i dënojë vetë Ai, kuptohet sipas veprave.
Edhe beni israilëve Zoti u pat dhënë të gjitha të mirat, por ata nuk u falënderuan, përkundrazi, mohuan dhe u përçanë. U përçanë pasi ishin të dijshëm edhe pse dija do të duhej ta pezullojë përçarjen. Ata nuk kishin për qëllim dijen si dije, por krenarinë. Dija nxiti përçarjen mes njerëzve, ngase niveli i të arriturave në dijeni është i ndryshëm. Në çështjet e fesë nuk mund të lajmërohet ndonjë përçarje, pse ato janë të thjeshta e të qarta për mendjen e shëndoshë, andaj nuk duhet ngatërruar çështjet e saj me teoritë e ndryshme, të cilat janë plot dyshime e supozime.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 45:12–45:15
- “Allahu është Ai që nënshtroi detin për ju ...” - Allahu i Lartësuar tregon mirësitë mbi robërit e Tij dhe gjithë ato begati, të cilët i ka bërë për ta. Fillimisht i Lartësuari përmend detin dhe nënshtrimin që i ka bërë atij: - “... në mënyrë që mbi të, me lejen e Tij, të lundrojnë anijet.” - Bëhet fjalë për anijet e shumta, të cilat lundrojnë me urdhrin dhe mirësinë e Allahut të Lartësuar. - “Kështu ju mund të kërkoni prej mirë - sive të Tij ...” - Duke bërë udhëtime tregtare etj. - “... dhe të jeni mirënjohës.” - Të jeni mirënjohës për këto begati, që ju vijnë përmes udhëtimeve dhe tregëtisë, që zhvilloni. - “Për ju, Ai nënshtroi gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë; të gjitha janë prej Tij.” - Allahu i Madhëruar ka nënshtruar yjet, malet, detet, lumenjtë dhe gjithçka, nëpërmjet së cilës ju përfitoni. Të gjitha janë nga bujaria e Tij. Ai është i vetëm, pa ortak dhe askush nuk ka pjesë në këto mirësi të ofruara. Ato janë dhuratë e të Vetmit, të Madhërishmit, Allahut të Lartësuar. - “Në to ka fakte madhështore për njerëzit që mendojnë thellë.” - Këto janë shenja të qarta për ata njerëz që meditojnë mbi këto mirësi të dhuruara. - “Thuaju besimtarëve që t’i tolerojnë ata që nuk besojnë në shpërblimin e Allahut, që Ai vetë t’i gjykojë njerëzit sipas veprave që bëjnë.” - Bëhet fjalë për ithtarët e Librit dhe idhujtarët. Allahu i Madhëruar na urdhëron që të jemi tolerantë me ta, të durojmë dhe të jemi të përmbajtur, në lidhje me mundimet që na vijnë prej tyre. Kjo ishte në fillim të Islamit, në fillim të shpalljes, në mënyrë që Zoti t’ua afronte zemrat e ithtarëve të librit dhe idhujtarëve,
që të pranonin Islamin. Por kur ata këmbë - ngulën në arrogancën, inatin, rebelimin ndaj ligjit të Zotit dhe adhurimin e Tij, atëherë Allahu i Madhëruar ligjëroi forcën dhe xhi - hadin në rrugën e Tij, siç thotë: “... që Ai vetë t’i gjykojë njerëzit sipas veprave që bëjnë.” Besimtarët i toleronin në jetën e dynjasë dhe bënin durim kundrejt mundi - meve, prandaj Allahu i Madhëruar ka për t’i ndëshkuar, si shpagim për punët e tyre të këqija. - “Kush bën vepra të mira, bën për vete e kush bën vepra të këqia, bën kundër vetes. Në fund, te Zoti juaj do të ktheheni.” - Tek Ai do të ktheheni, ku do t’ju paraqiten punët tuaja. Ai ka për t’ju dhënë shpërblimin e merituar, nëse keni vepruar mirë dhe, nëse keni vepruar keq, do të merni ndëshkimin e merituar. Allahu është më i Dituri.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 45:12–45:13
- “Allahu është Ai që nënshtroi detin për ju, në mënyrë që mbi të, me lejen e Tij, të lundrojnë anijet.” - Allahu i Lartësuar na tregon për disa mirësi, që Ai u ka dhuruar robve të Tij. Është Ai që, me ligjet fizike që ka vendosur, u ka bërë të mundur atyre të lëvizin në det me anije. Më pas, Allahu i Madhëruar thotë: - “Kështu ju mund të kërkoni prej mirësive të Tij dhe të jeni mirënjohës.” – Kështu mund të arrini të realizoni shumë të mira, siç është edhe tregtia, prandaj të jeni mirënjohës ndaj Allahut të Lartësuar. Nëse tregoni mirënjohje ndaj Tij, Ai ka për t’jua shtuar mirësitë që ju ka dhuruar dhe, veç kësaj, do t’ju shpërblejë për mirënjohjen tuaj. - “Për ju, Ai nënshtroi gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë; të gjitha janë prej Tij.” - Të gjitha janë thjesht mirësi prej bujarisë së Allahut. Qiejt e lartë dhe gjithçka që gjendet në to: Dielli, Hëna, yjet, planetet etj., që lëvizin sipas një ligji të mrekullueshëm apo që qëndrojnë pa lëvizur; Toka, me gjithë botën bimore e shtazore të saj, me larminë e kafshëve, pemëve, frutave, mineraleve etj., të gjitha janë prej Allahut dhe janë krijuar për të mirën e njerëzve. Për këtë arsye, këto mirësi duhet të jenë nxitje për njerëzit, që ata të japin maksimumin për të shprehur mirënjohjen ndaj Zotit të tyre. Ata duhet të meditojnë gjatë rreth shenjave dhe gjykimeve të Tij, siç thotë i Madhëruari: - “Në to ka fakte madhështore për njerëzit që mendojnë thellë.” - Krijimi madhështor i gjithësisë, nënshtrimi i saj ndaj vullnetit të të Madhërishmit, përkujdesja dhe administrimi i saj nga Zoti dhe Krijuesi i saj, dëshmojnë për pushtetin absolut dhe për vullnetin e padiskutueshëm të Tij. Rregullsia, bukuria, hijeshia dhe përsosmëria e gjithsësisë dëshmojnë për diturinë dhe urtësinë absolute të Allahut. Madhështia e kësaj gjithësie, si dhe krijesat e shumta të shpërndara në të, tregojnë për madhështinë e mbretërimit, sundimit dhe pushtetit të Krijuesit të saj. Ndërsa funksionimi i të kundërtave në këtë gjithësi tregojnë se Ai vepron çfarë dëshiron. Dobitë e shumta fetare, apo që kanë lidhje me këtë dynja, të cilat Zoti i ka vendosur në këtë gjithësi, tregojnë për mëshirën e Tij të gjerë, për bamirësinë dhe bujarinë e Tij gjithëpërfshirëse, për butësinë dhe përkujdesjen e Tij të pashembullt. Të gjitha këto tregojnë se Allahu është i vetmi i Adhuruar me të drejtë. Vetëm Atij i duhet përkushtuar çdo adhurim, duke i shprehur dashurinë, madhërimin, nënshtrimin e përkushtimin e plotë. Ato tregojnë gjithashtu se profetët e Zotit kanë thënë të vërtetën dhe e kanë përcjellë mesazhin e Tij me besnikëri. Ky arsyetim logjik është i padiskutueshëm në saktësinë dhe vërtetësinë e tij. Mbështetja në faktet e krijimit të mrekullueshëm të Allahut të Lartësuar u jep besimtarëve siguri të plotë në besim dhe largon prej tyre çdo dyshim rreth faktit se Ai është i vetmi i Adhuruar me meritë.