45. Xhathije · Ajeti 21 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 45:21–45:37

Ata që besuan, jetojnë me besim, veprojnë sipas besimit, vdesin me besim dhe ringjallen me besim: jobesimtar jeton pa besim, vdes i tillë dhe ringjallet i tillë, Prandaj, nuk janë të njëjtë, pse besimtarët e dinë që Allahu krijoi çdo gjë dhe Ai do të shpërblejë me drejtësi. Jobesimtari i është dhënë dëshirave të epshit, nuk respekton Zotin, por emocionet i respekton si zot, edhe pse e di të vërtetën. E derisa veshët i ka të mbyllur nga e vërteta, zemrën të kushtuar pas epshit, sytë e mbuluar me perde, a ka kush që ta vërë në rrugë të drejtë, pas të gjitha fakteve që ia tregoi Zoti"

Nuk qëndron arsyeja se koha na shkatërron, por Zoti është Ai që jep jetë, jep vdekje dhe bën ringjalljen dhe tubimin para Tij. Ai është sundues i gjithësisë, e këtë fuqi të Zotit do ta kuptojnë të gjithë në ditën e kijametit, ditën kur paraqitet xhehenemi me atë hukamën e vet, e nga frika të gjithë njerëzit do të bijnë në gjunj. Atëherë prezentohen shënimet e veprave, shënime të cilat i kanë regjistruar melaiket, të cilat janë të sakta. Besimtarët shkojnë në xhennet, jobesimtarët në zjarr, sepse ata nuk besonin dhe bënin krime, kurse me ajetet e Allahut talleshin.

Me ndihmën e Zotit, mori fund përkthimi dhe komentimi i "Suretul Xhathije". Lavdëruar qoftë Allahu i madhëruar!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 45:21–45:23

Besimtarët nuk mund të jenë e të trajtohen njëlloj me mohuesit e besimit, sikurse thotë i Lartësuari: “Nuk janë njëlloj banorët e Xhenetit me banorët e Xhehenemit! Banorët e Xhenetit janë të fituarit.” [Hashr 20]. Ndërsa këtu, Allahu i Lartësuar thotë: - “A mos mendojnë ata që e teprojnë me të këqija se do t’i trajtojmë si të bara - bartë me ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, si në jetë, edhe në vdekje?!” - Mos mendojnë ata të cilët bëjnë të këqija se do të kenë të njëjtin gjykim si ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira? Vallë, a do t’i gjykojmë e shpërblejmë njëlloj në dynja dhe në ahiret? - “Sa i ulët është gjykimi i tyre!” - Shumë i keq është ky mendim që ata kanë për Zotin dhe drejtësinë e Tij absolute. E si mundet që Zoti, që është absolutisht i drejtë, të japë gjykim të njëjtë si për punëmirët, edhe për keqbërësit. Ai kurrsesi nuk do t’i trajtojë, gjykojë e shpërblejë ata njëlloj; gjykimi e shpërblimi i tyre nuk do të jetë i njëjtë as në jetën e dynjasë dhe as në ahiret. Muhamed Ibn Is’haku përmend në librin e “Siras” se njëherë, në themelet e Qabes në Mekë u gjet një gur, në të cilin ishte shkruar: “Ju bëni punë të këqija dhe krime dhe shpresoni të merrni sevape dhe mirësi? Kurrsesi, kjo është e pamundur, ashtu siç është e pamundur që të marrësh rrush prej ferrës dhe gjembit.” - “Allahu i ka krijuar qiejt dhe Tokën me urtësi të madhe ...” - Me drejtësi, me një të vërtetë të madhe dhe qëllim madhështor. Ai i krijoi ato: - “... me qëllim që çdo njeri të shpërble - het për veprat e veta. Askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.” - Më pas, Krenari dhe i Lartësuari thotë: - “A e ke parë atë që, me vetëdije, dëshirat e veta i konsideron si zot?!” – Ai iu bindet veçse dëshirave të vetes. Kështu, çdo gjë që vetja e tij e sheh si të mirë, ai e ndjek dhe i bindet, ndërsa atë që ajo e sheh të shëmtuar, ai e braktis dhe i largohet.

- “Allahu, me urtësinë e Tij, e ka humbur atë nga rruga e drejtë ...” - Edhe pse keqbërësi e di se kjo punë sjell ndëshkim prej Allahut të Madhëruar, ai e bën, prandaj dënimi jepet sipas llojit të punës. Kështu, Allahu i Madhëruar e devijon dhe zhyt në errësirë, si shpagim i merituar për mosbindjen e robit me vetëdije ndaj të vërtetës, edhe pse e njeh mirë dhe e ka parë dritën e saj. - “... ia ka bllokuar të dëgjuarit dhe zemrën dhe mbi sytë e tij ka vënë perde.” - Ky i mjerë nuk mund të dëgjojë diçka që i sjell dobi, të kuptojë diçka, nëpërmjet së cilës të gjejë udhën dhe as nuk mund të shohë ndonjë argument, që t’i ndriçojë zemrën, që të pasojë të vërtetën. - “Përveç Allahut, kush tjetër mund ta udhëzojë atë?! A nuk e kuptoni?!” - Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar: “Për ata që Allahu i lë në humbje, nuk ka udhëzues. Ai do t’i lërë ata të enden në mosbesimin e tyre.” [Earaf 186].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 45:21

- “A mos mendojnë ata që e teprojnë me të këqija se do t’i trajtojmë si të barabartë me ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, si në jetë, edhe në vdekje?!" – Kuptimi: Vallë, a mos mendojnë keqbërësit, që e teprojnë me gjynahe, se Allahu do t’i trajtojë ata njëlloj si besimtarët e sinqertë, që bëjnë vepra të mira?! E si mund të trajtohen njëlloj mosmirënjohësit me njerëzit e zgjedhur, të cilët punojnë sinqerisht që të plotësojnë të drejtat e Zotit të tyre dhe, me shumë kujdes, largohen nga çdo gjë që zemëron Zotin e tyre?! Si mund të trajtohen njëlloj të shfrenuarit në epshet dhe dëshirat e tyre me ata fatlumë që i japin gjithmonë përparësi kënaqësisë së Zotit, kundrejt dëshirave të tyre të padrejta?! Le të jenë të sigurt se kriminelët nuk do të gjykohen dhe trajtohen njëlloj me besimtarët, në dynja apo në ahiret qoftë. Nëse mendojnë ndryshe, atëherë e kanë tërësisht gabim, siç thotë i Madhëruari: - “Sa i ulët është gjykimi i tyre!” - Shumë e gabuar dhe e keqe është ajo që mendojnë. Ajo është tërësisht në kundërshtim me gjykimin e më të Urtit, më të Diturit dhe më të Drejtit, që është Allahu i Lartësuar. Madje, gjykimi i tyre është në kundërshtim edhe me logjikën e shëndoshë dhe me natyrën e pastër të njeriut. Ai është në kundërshtim me të gjitha shpalljet e Zotit dhe mesazhin e tyre, ashtu siç bie ndesh me mësimet e urta të të gjithë profetëve të dërguar nga Zoti. Le ta dinë ata, se gjykimi i padiskutueshëm i Zotit ka vendosur që besimtarët, të cilët besojnë drejt, sipas dijes së saktë e të sigurt nga Zoti, por edhe që punojnë me sinqeritet sipas atij besimi dhe asaj diturieje, ata kanë premtimin nga Zoti se do të arrijnë suksesin e sigurt. Premtimi i pakthyeshëm për ta është lumturia dhe

shpërblimet e shumta në dynja dhe në ahiret. Secili do të shpërblehet sipas bamirësisë së vet. Ndërsa punëkëqijtë do t’i godasë zemërimi i Zotit, prandaj do të vuajnë poshtërimin, ndëshkimin, dhimbjen dhe dëshpërimin në dynja dhe në ahiret.

← Xhathije 45:21