47. Muhammed · Ajeti 24 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 47:20–47:38
Besimtarët e sinqertë dëshironin që Allahu përmes Kur'anit t'u lejojë të luftojnë kundër armikut, mirëpo, kur u shpall Kur'ani që e urdhëroi luftën, hipokritët u frikësuan sikur të thirreshin për vdekje, e do të ishte më mirë për ta të ishin të sinqertë ndaj Allahut, sepse sikur të mbetnin në atë mosbesim në të cilin kishin qenë, toka do të mbushej me të këqija, e pos asaj, njerëzit e tillë ishin të mallkuar prej Zotit.
Hipokritët nuk thelloheshin në studimin e mësimeve të Kur'anit, meqë dreqi ua kishte hijeshuar punët e këqija, duke i mashtruar se do të jetojnë gjatë. Ata edhe bashkëpunonin me jehuditë, të cilët ia kishin mëni Kur'anit, dhe u thoshin se do të shkaktojnë përçarje në radhët e luftëtarëve të Pejgamberit, po Zoti i dinte fshehtësitë e tyre dhe i zbuloi e i turpëroi. Mëkatarëve hipokritë melekët ua marrin shpirtin, duke i rrahur me hekur.
Zoti i zbuloi ata që ishin tradhtarë, ndonëse ata njiheshin edhe prej fjalëve, e lufta e urdhëruar kishte për qëllim t'i nxjerrë në shesh ata që ishin të sinqertë dhe ata që ishin hipokritë. As mosbesimi, as hipokrizia e hipokritëve Allahut nuk i sillnin kurrfarë dëmi, por vetes ia humbnin të gjitha veprat e mira.
Myslimanët, duke qenë se ishin dominues mbi kundërshtarin dhe se ndihma e Zotit ishte në anën e tyre, nuk kishin të drejtë as të tregohen të dobët, e as të kërkojnë armëpushim. Ata duhej ta dinin se jeta e kësaj bote është pak send, andaj të mos u dhimbsej ajo pjesë e pasurisë, të cilën e japin për forcimin e ushtrisë së vet, me të cilën mbroheshin prej armikut, meqë nëse do të dominonte armiku do t'u shkonte e tërë pasuria. Fundi i fundit Allahu nuk ka nevojë për asgjë, njerëzit janë nevojtarë për Te, e nëse njerëzit nuk i dalin zot vetes, ata zhduken e Zoti sjell popull tjetër që është i zoti vetvetes.
Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i sures Muhammed. Qoftë lavdëruar Allahu i madhëruar!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 47:24–47:28
Allahu i Lartësuar urdhëron që ne të medi - tojmë në Kuranin dhe ta kuptojmë qartësisht mesazhin e tij. Gjithashtu, na ndalon rreptë - sisht nga refuzimi dhe shpërfillja e kësaj Shpalljeje. - “A nuk meditojnë ata për Kuranin, apo i kanë zemrat të kyçura?” - Zemrat i kanë të mbyllura me kyç, që nuk lejon të futet e vërteta dhe i pengon të kuptojnë kumtet e Kuranit. - “Me të vërtetë, ata që kthehen në mosbesim, pasi u është bërë e qartë rruga e drejtë, Shejtani i ka joshur dhe i mban me shpresa të kota. ” - Bëhet fjalë ata të cilët e braktisin imanin dhe i rikthehen përsëri mosbesimit, - Zoti na ruajtë nga devijimi, shndërrimi dhe tjetërsimi i zemra - ve! Vërej me kujdes fjalën e Allahut të Lartësuar kur thotë: “Shejtani i ka joshur ...” Pra, është Shejtani i mallkuar ai që ua zbukuron këtë vendim, ua bën të dashur për zemrat e tyre dhe i nxit për të. Më pas: “... i mban me shpresa të kota.” Pra, është ai që i mashtron, i bën që të braktisin të vërtetën përmes kurtheve, intrigave dhe mashtrimeve të tij, me premtime boshe e ëndrra të kota.
- “Kjo, për shkak se ata u thoshin atyre, të cilët e urrenin Shpalljen e Allahut: “Ne do t’ju bindemi për disa çështje!” - Ata anuan nga kjo kategori mohuesish, të cilët i këshilluan për të pranuar të kotën dhe për të qenë të qëndrueshëm në të. Kjo është gjithmonë gjendja e munafikëve. Ata shfaqen ndryshe nga ajo që e fshehin brenda zemrave të tyre. - “Por Allahu i di sekretet e tyre. ” - Allahu i di mirë çfarë fshehin ata. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar në ajetin tjetër: “Ata thonë: “Të jemi bindur (o Profet)”. Por kur largohen prej teje, një grup prej tyre planifikojnë diçka tjetër nga ajo që të thonë. Por Allahu e shënon atë që ata planifikojnë. Prandaj largohu prej atyre e mbështetju Allahut! Allahu të mjafton si Mbrojtës.” [Nisa 81]. - “Si do të jetë gjendja e tyre, kur melekët t’ua marrin shpirtin, duke i goditur në fytyrat dhe në shpinat e tyre?” - Si do të jetë gjendja e tyre kur tek ata të vijnë melaiket për të rrëmbyer shpirtrat e tyre ndërkohë që shpirtrat e tyre do të duan të fshihen brenda trupave për të mos dalë. E pra, melaiket, do t’ua shkulin ato me forcë duke i goditur dhe torturuar. Sikurse thotë Allahu i Lartësuar në ajetin tjetër: “Eh, sikur të shihje kur melekët ua marrin shpirtin mohuesve, si i godasin në fytyrë dhe në shpinë (duke u thënë) : “Shijoni dënimin e Zjarrit përvëlues!” Kjo vjen për shkak të veprave që keni bërë me duart tuaja. Allahu nuk është asnjëherë i padrejtë me robërit e Vet.” [Enfal 50]. Ose: “... Eh, sikur t’i shihje keqbërësit kur janë në agoni të vdekjes, ndërsa melekët kanë shtrirë duart e veta e u thonë: “Jepeni shpirtin! Tani do të vuani dënimin poshtërues sepse ju thoshit të pavërteta për Allahun dhe ndaj shenjave të Tij tregoheshit kryeneçë.” [En’am 93]. - “Kjo, për shkak se ata shkojnë pas asaj që sjell zemërimin e Allahut dhe urrejnë atë që sjell kënaqësinë e Tij. Prandaj, Ai i zhvlerësoi veprat e tyre. ” - E lusim Allahun të na ruajë nga zemërimi dhe ndëshkimi i Tij.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 47:24
- “A nuk meditojnë ata për Kur'anin,...” - A nuk është më mirë për ata që i kthejnë shpinën Librit të Allahut, që të meditojnë më thellë në mesazhin e tij?! Nëse do të mendonin kështu, ai do t’i udhëzonte tek çdo e mirë dhe do t’i paralajmëronte nga çdo e ligë. Ai do t’i mbushte zemrat e tyre me iman dhe me siguri tek e vërteta. Kur'ani do t’ua bënte më të afërta qëllimet më të larta dhe do t’u mundësonte dhuratat më të mrekullueshme nga Zoti. Ky libër do t’u tregonte qartë rrugën që të çon te Zoti dhe në Xhenetin e Tij, me të gjitha hollësitë e nevojshme, duke mësuar edhe pengesat e mënyrën e kapërcimit të tyre. Me këtë libër do të kuptonin kurthet e Shejtanit dhe rrugët që të çojnë në ndëshkimin e të Drejtit, por do të mësonin edhe mënyrën e shpëtimit nga kjo rrugë dhe nga kurthet e armikut të tyre. Kur'ani madhështor do t’i njihte me Zotin e tyre: me emrat, cilësitë dhe veprat e Tij. Kështu, ai do t’i bënte të prisnin me mall takimin me Zotin, duke shpresuar për shpërblimin e Tij bujar. - “...apo i kanë zemrat të kyçura?” – Zemrat e tyre janë vulosur, duke mbajtur brenda ligësinë. Në këtë mënyrë, as e mira nuk mund të hyjë kurrë në to. Kjo është e vërteta. Ata janë gjithmonë në humbje, sepse i kanë zemrat të kyçura.