47. Muhammed · Ajeti 36 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 47:20–47:38
Besimtarët e sinqertë dëshironin që Allahu përmes Kur'anit t'u lejojë të luftojnë kundër armikut, mirëpo, kur u shpall Kur'ani që e urdhëroi luftën, hipokritët u frikësuan sikur të thirreshin për vdekje, e do të ishte më mirë për ta të ishin të sinqertë ndaj Allahut, sepse sikur të mbetnin në atë mosbesim në të cilin kishin qenë, toka do të mbushej me të këqija, e pos asaj, njerëzit e tillë ishin të mallkuar prej Zotit.
Hipokritët nuk thelloheshin në studimin e mësimeve të Kur'anit, meqë dreqi ua kishte hijeshuar punët e këqija, duke i mashtruar se do të jetojnë gjatë. Ata edhe bashkëpunonin me jehuditë, të cilët ia kishin mëni Kur'anit, dhe u thoshin se do të shkaktojnë përçarje në radhët e luftëtarëve të Pejgamberit, po Zoti i dinte fshehtësitë e tyre dhe i zbuloi e i turpëroi. Mëkatarëve hipokritë melekët ua marrin shpirtin, duke i rrahur me hekur.
Zoti i zbuloi ata që ishin tradhtarë, ndonëse ata njiheshin edhe prej fjalëve, e lufta e urdhëruar kishte për qëllim t'i nxjerrë në shesh ata që ishin të sinqertë dhe ata që ishin hipokritë. As mosbesimi, as hipokrizia e hipokritëve Allahut nuk i sillnin kurrfarë dëmi, por vetes ia humbnin të gjitha veprat e mira.
Myslimanët, duke qenë se ishin dominues mbi kundërshtarin dhe se ndihma e Zotit ishte në anën e tyre, nuk kishin të drejtë as të tregohen të dobët, e as të kërkojnë armëpushim. Ata duhej ta dinin se jeta e kësaj bote është pak send, andaj të mos u dhimbsej ajo pjesë e pasurisë, të cilën e japin për forcimin e ushtrisë së vet, me të cilën mbroheshin prej armikut, meqë nëse do të dominonte armiku do t'u shkonte e tërë pasuria. Fundi i fundit Allahu nuk ka nevojë për asgjë, njerëzit janë nevojtarë për Te, e nëse njerëzit nuk i dalin zot vetes, ata zhduken e Zoti sjell popull tjetër që është i zoti vetvetes.
Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i sures Muhammed. Qoftë lavdëruar Allahu i madhëruar!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 47:36–47:38
Allahu i Lartësuar, duke përçmuar vlerën e jetës së kësaj dynjaje, thotë: - “Vërtet, jeta e kësaj bote është vetëm lojë e dëfrim. Nëse besoni dhe ruheni prej të këqijave, Ai do t’jua japë shpërblimin tuaj.” - E tillë është jeta e dynjasë, përveç veprave dhe kohës që përkushtohet Allahut Krenar dhe të Lartësuar. - “Ai nuk ka nevojë për pasurinë tuaj.” - Madje, Ai nuk ka nevojë as për ju. Ai vendosi që ju të jepni sadaka nga pasuria, me qëllim që të solidarizoheni me vëllezërit tuaj të varfër dhe, më pas, shpërblimi i kësaj vepre kthehet përsëri tek ju. Më pas, Krenari i Lartësuar thotë: - “Sikur t’ua kërkonte të gjithën dhe t’ju shtrëngonte, ju do të tregoheshin koprra - cë dhe do të shfaqnit urrejtje.” - Kështu do t’ju vinte në pozitë dhe ju do të tregoheshit koprracë, madje do të shfaqnit urrejtje, do të nxirrnit në pah anën tuaj të keqe. Të vërtetën ka thënë Allahu i Lartësuar. Pa dyshim që nxjerrja e pasurisë nxjerr nga zemra edhe çdo gjë të keqe, sepse pasuria është shumë e dashur për zemrën e njeriut dhe ajo shpenzohet veçse për diçka që është më e dashur në zemrën e robit, sesa pasuria. - “Ju ftoheni për të shpenzuar në rrugën e Allahut, por disa prej jush tregohen koprracë.” - Disa nuk i përgjigjen kësaj ftese për të shpenzuar. - “Kush bëhet koprrac, e bën kundra vetes.” - Pra, ai thjesht privon veten nga shpërblimi dhe nga ana tjetër, rëndesa dhe gjynahu i mospërmbushjes së kësaj urdhërese do të bjerë po mbi të. - “Allahu është i Pasuri ...” - Allahu është i pasur, që nuk ka nevojë për asgjë dhe çdo gjë tjetër veç Tij është e varur, e varfër e nevojtare për Të: - “... ndërsa ju jeni të varfrit.” - Ju jeni të varfër në qenien tuaj, jeni të varfër e nevojtarë për Zotin. Kështu, cilësia e Allahut El-Ganij (i Pasuri), Ai që nuk ka nevojë për asgjë, është një përshkrim i Qenies së Tij dhe cilësi e pandashme e Tij. Po kështu, edhe cilësimi “i varfër” i krijesave është një përshkrim i pandashëm nga qenia e tyre.
- “Nëse ju i ktheni shpinën, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, që nuk do të jetë si ju.” - Nëse i ktheni shpinën bindjes ndaj Tij dhe rrugës që Ai ka ligjëruar përmes Shpalljes dhe Profetit të tij, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, që nuk do të jetë si ju, por do të jenë të dëgjuar, të bindur ndaj Zotit dhe të nënshtruar për të zbatuar urdhëresat e Tij. Ky është fundi i shkurtesës së tefsirit të sures Muhamed ﷺ .Vetëm Allahut i takon lavdërimi dhe mirënjohja. Vetëm Ai të ruan nga çdo e keqe dhe vetëm tek Ai e gjen mbështetjen dhe forcën!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 47:36–47:38
- “Vërtet, jeta e kësaj bote është vetëm lojë e dëfrim.” - Duke u zbuluar realitetin e kësaj dynjaje, Allahu i Madhëruar i nxit adhuruesit e Tij që të mos jepen shumë pas saj. Ai u tregon se kjo dynja është lojë e argëtim. Njerëzit, në përgjithësi, jepen tërësisht pas pasurisë, fëmijëve, femrave, ushqimeve, pijeve, banesave, argëtimeve dhe pushtetit. Ata shpesh hutohen pas lojrave të padobishme, në pasivitet, shpërqendrim e gjynahe. Kështu vazhdojnë të mjerët, derisa u mbaron afati në dynja dhe i gllabëron vdekja. Të gjitha qejfet shkatërrohen dhe tashmë ata e kuptojnë që nuk kanë fituar asgjë me to. Madje, afati i tyre jo vetëm që ka përfunduar pa asnjë dobi, por u sjell një pasojë të hidhur. Në ahiret, ata do të privohen nga çdo e mirë dhe do të hidhen në ndëshkim të rëndë. Kësisoj, nëse robi e sheh këtë të vërtetë në sy, atëherë, nëse ka pak logjikë, do t’i shpërfillë qejfet e tepruara të kësaj jete dhe do të tregohet më i përkorë. Ai do t’i kushtojë vëmendje asaj që Allahu thotë më pas: - “Nëse besoni dhe ruheni prej të këqijave, Ai do t’jua japë (të plotë)
shpërblimin tuaj.” - Robit i sjell dobi besimi në Allahun, melekët e Tij, shpalljet, profetët, Ditën e Gjykimit, si edhe përpjekja për të qenë i devotshëm ndaj Tij, duke kryer urdhëresat dhe duke lënë ndalesat, në emër të dashurisë për Zotin dhe për nënshtrim ndaj Tij. Puna e vazhdueshme për të kënaqur Allahun, duke iu larguar gjynaheve dhe mosbindjes ndaj Tij, i sjell robit vetëm mirësi. Për të arritur këtë qëllim, ai duhet të garojë dhe të shpenzojë të gjithë mundin dhe kohën e mjaftueshme. Këto vepra, që përmblidhen me fjalën ‘adhurim’, janë qëllimi kryesor pse Allahu i Madhëruar i krijoi njerëzit. Ato janë, në fakt, mëshirë dhe butësi për ta. Nëse i kryejnë ato, Allahu i Madhëruar do t’i shpërblejë pa masë. - “Ai nuk kërkon prej jush (ta shpenzoni tërësisht) pasurinë tuaj.” – Kuptimi: Allahu i Madhëruar nuk dëshiron t’ju ngarkojë me diçka që ju rëndon së shumti. Ai nuk dëshiron t’ju pakësojë pasurinë apo t’ju lërë pa të. Nëse Ai do t’ju kërkonte të gjithë pasurinë tuaj, ju do të tregoheshit koprracë dhe do të dilte në shesh urrejtja që keni në zemër, kur ju kërkohet diçka që ju nuk e dëshironi. I Madhëruari thotë më pas: - “Sikur t’ua kërkonte të gjithën dhe t’ju shtrëngonte, ju do të tregoheshin koprracë dhe do të shfaqnit urrejtje.” – Arsyeja që njerëzit do të vepronin kështu shpjegohet më pas: edhe kur u kërkohet të shpenzojnë për një çështje që sjell mirësi në dynja dhe në ahiret, përsëri ka disa që tregohen dorështrënguar, siç thotë i Madhëruari: - “Ju ftoheni për të shpenzuar në rrugën e Allahut, por ka prej jush që tregohen koprracë.” – Atëherë, çfarë do të bënin ata nëse do t’u kërkohej të shpenzonin për një çështje që nuk e shohin si të dobishme për të tashmen e prekshme? Sigurisht që do të tregoheshin më koprracë. Por le ta dinë, se: - “Kush bëhet koprrac, e bën kundra vetes.” – Ky veprim thjesht dëmton ata vetë, duke u privuar nga shpërblimi i madh i Allahut, i Cili është i Pasur dhe Jonevojtar, prandaj nuk dëmtohet aspak nga koprracia e tyre. - “ Allahu është i Pasuri, ndërsa ju jeni të varfrit.” - Njerëzit kanë nevojë për mëshirën dhe përkujdesin e Allahut në të gjitha çështjet e në çdo çast. - “Nëse ju i ktheni shpinën, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, që nuk do të jetë si ju.” – Zëvendësuesit nuk do të jenë kundërshtues, por do jenë të bindur ndaj Allahut dhe Profetit të Tij. Ata do ta duan Allahun dhe Profetin e Tij, sikurse thotë i Madhëruari në një ajet tjetër: “ O ju që keni besuar! Kush prej jush largohet nga feja e vet, (le ta dijë se) Allahu do të sjellë një popull tjetër të cilin Ai i do ta dojë dhe ata do ta duan Atë; modest e i butë ndaj besimtarëve, por i ashpër dhe i fortë ndaj mohuesve; që lufton në rrugën e Allahut dhe që nuk i frikësohet kërcënimit të asnjë kërcënuesi. Kjo është dhurata e Allahut, që ia jep atij që Ai do. Allahu është Dhurues i madh e i Gjithëditur.” [Maide 54]. Përfundoi tefsiri i sures Muhamed a.s. Të gjitha lavdërimet qofshin për Allahun e lartësuar dhe salavatet dhe selami qoftë për Profetin e Tij të dashur, familjen e Tij, shokët e tij dhe të gjithë pasuesit e tyre me sinqeritet deri në ditën e gjykimit!