48. Fet'h · Ajeti 27 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 48:18–48:29
Pejgamberi me njëmijë e katërqind shokë mësyni për vizitë Qaben në vitin e gjashtë hixhrije. Në vendin e quajtur Hudejbi, jo shumë larg Mekës, Pejgamberi ndalet dhe dërgon Othmanin t'i lajmërojë mekasit se dëshirojnë ta bëjnë Umren - vizitë Qabes, jo në kohën e haxhit.
Mekasit e ndalin Othmanin, e Pejgamberit i vjen lajmi se e kanë mbytur. Pejgamberi i thërret shokët të japin besën se me luftë do të hyjnë në Mekë. Ata zotohen me jetë dhe ai zotim bëhej nën hijen e një druri. Kur dëgjuan mekasit për vendimin e myslimanëve, frikësohen, e lëshojnë Othmanin dhe kërkojnë marrëveshje. Me disa pika që përmbante ky traktat, myslimanët nuk ishin të kënaqur, po ishin shumë të revoltuar. Për t'u larguar revoltën e moskënaqësisë, menjëherë pas kësaj marrëveshje Allahu e shpall këtë sure,i përgëzon me fitoret që do të pasojnë dhe zotimin e quan: Bej'atur Ridvanë - besëlidhje e kënaqshme. Historia përshkruan më në detaje këtë ngjarje.
Pas atij viti, myslimanët, me ndihmën e Zotit korrën shumë fitore.
Idhujtarët e mllefosur treguan atë euforinë e vet pagane dhe në marrëveshje paraqitën disa pika pa vend. Sikur të mos u dhuronte Zoti mëshirën e Vet dhe t'ua qetësonte zemrat, dhe myslimanët do të zemëroheshin, sepse nuk i lejuan atë vit ta bëjnë vizitën, pse u dasht të theren kurbanet në Hudejbi e jo në vendin e vet, etj. Mirëpo, sikur te ndodhte lufta, myslimanët edhe si ngadhënjyes, do të bënin gabime, pse në Mekë, kishte të atillë që kishin përqafuar fenë islame, por nga frika prej idhujtarëve atë e mbanin të fshehtë. Myslimanët nuk i njihnin këta besimtarë të fshehtë, ndaj mund të ndodhte që ta mbytnin ndonjë prej tyre dhe ashtu do të turpëroheshin. E kjo është që thuhet: Zoti largoi dorën e njërit nga tjetri.
(RË Muhammedi në ëndërr kishte parë se kishte hyrë në Mekë, kishte bëre tavaf dhe shokët e tij e rruanin dhe u shkurtonin flokët njëri-tjetrit. Këtë ëndërr ua tregon shokëve e ata gëzohen. Mirëpo, kur arrijnë deri në Hudejbi e nuk lejohen të hyjnë te Qabeja, ndodh çka ndodh, dhe shkruhet marrëveshja, munafikët - hipokritët thonë: as nuk hymë në Mekë, as nuk therëm aty kurbanet e as nuk u rruam, e ku është ëndrra" Atëherë Allahu e shpalli ajetin 27... dhe në vitin tjetër myslimanët hynë dhe i kryen të gjitha ceremonitë duke plotësuar dëshirën.
Besimtarët ishin të mëshirshëm ndërmjet vete, të rreptë kundër armikut, natën luteshin aq shumë sa dukej se kishin hequr dorë prej kësaj jete, ditën ishin heronj të luftës. Shembulli i tyre ishte i përshkruar në Tevrat e Inxhil. Ishin si fara që hidhet në tokë, e ajo qet bimën, e rrit, e forcon, e shumon dhe e mahnit atë që e ka hedhur. Ashtu ishte feja islame, e cila në fillim kishte pak përkrahës, por dalëngadalë ata shumohen, ngadhënjejnë dhe ashtu ua shtojnë brengat jobesimtarëve, e ky ishte premtim i Allahut.
Me ndihmën e Zotit, mori fund përkthimi dhe komentimi i sures "Fet'h''. Lavdëruar qoftë Allahu i madhëruar!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 48:27–48:28
- “Allahu e vërtetoi ëndrrën e të Dërgua - rit të Tij dhe e bëri realitet: “Do të hyni në Shtëpinë e Shenjtë të sigurt, me vullnetin e Allahut.” - Profeti i Allahut pati parë në ëndërr sikur ai hyri në Mekë dhe bëri tavaf rreth Qabes. Ai ishte në Medinë, kur u tregoi sahabëve për këtë ëndërr. Në kohën kur u bë udhëtimi dhe marrëveshja e Hudejbijes, askush prej tyre nuk dyshonte se kjo ëndërr do të përmbushej atë vit. Për këtë arsye, kur ndodhi ajo që ndodhi dhe u bë marrëveshja e Hudejbijes për t’u kthyer mbrapsht atë vit dhe për të shkuar në vitin pasardhës, në zemrat e disa sahabëve mbeti një shije jo e mirë, aq sa Umer Ibn Hatabi diskutoi me Profetin e Allahut, ku, ndër të tjera, i tha: 2423. “A nuk na pate njoftuar se ne do të shkojmë në Qabe dhe do të bëjmë tavaf rreth saj?” Profeti iu përgjigj: “Po, ashtu ju kam thënë, por a ju kam thënë gjë se kjo do të ndodhë këtë vit?” Umeri tha: “Jo.” - E, pra, - vazhdoi Profeti i Allahut - ti
do të shkosh në Qabe dhe do ta bësh tavafin.” Prandaj Allahu i Lavdëruar thotë: “Allahu e vërtetoi ëndrrën e të Dërguarit të Tij dhe e bëri realitet: “Do të hyni në Shtëpinë e Shenjtë të sigurt, me vullnetin e Allahut.” Domethënë, ky është një premtim, që do të përmbushet. Madje, siç thotë i Lartësuari, kur të hyjnë në Shtëpinë e Shenjtë, do të jenë të sigurt. - “Kokat tuaja do të jenë të rruara ose të qethura ... ” - Disa e rruajtën kokën dhe disa të tjerë veç i shkurtuan flokët gjatë umres. Në dy Sahih-ët vjen hadithi se Pro - feti a.s. tha njëherë: 2424. “Allahu i mëshiroftë ata që e rruajnë kokën (për umre ose haxh)!” - “Po ata që i shkurtojnë, o i Dërguari i Allahut?” e pyetën. Ai tha sërish: “Allahu i mëshiroftë ata që e rruajnë kokën!” - “Po ata që i shkurtojnë, o i Dër - guari i Allahut?” - “Allahu i mëshiroftë ata që e rruajnë kokën!” - tha i Dërguari (për herë të tretë). - “Po ata që i shkurtojnë, o i Dërguari i Allahut?” - e pyetën përsëri. - “Edhe ata që i shkurtojnë!” - tha për herën e tretë ose të katërt. - “... dhe nuk do të keni frikë.” - Fillimisht, Allahu i Madhëruar premtoi se muslimanët do të ishin të sigurt kur të hynin në Mekë, se nuk do të kishin asnjë frikë gjatë qëndrimit në të. Kjo u realizua në atë që u quajt Umratul Kada ose Umreja Kaza, e cila u krye në muajin dhul ki’de, në vitin e shtatë të hixhretit. Profeti i Allahut, pasi u kthye nga Hudejbija në muajin dhul ki’de të vitit të gjashtë në Medinë, qëndroi në të muajt dhul hixhe e muharrem, dhe pastaj në muajin sefer u nis drejt Hajberit dhe e çliroi atë. Një pjesë të tij e çliroi me luftë, ndërsa një pjesë me marrëveshje. Hajberi kishte toka të gjera, plantacione me palma dhe shumë të mbjella. Profeti ﷺ pranoi që jehudët të kujdeseshin për tokat, me kushtin që prodhimet t’i ndanin përgjysëm me muslimanët.57 Plaçkën e luftës së fituar në Hajber Profeti ua ndau veçse pjesmarrësve në Hudejbije, përveç një pjese të vogël, që Profeti ua dha atyre që sapo kishin mbërritur nga Abisinia, pra, Xhafer Ibn Ebu Talibit dhe Ebu Musa el Eshariut, me grupet e tyre përkatëse (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata!). Në muajin dhul kide të vitit të shtatë, Profeti i Allahut së bashku me pjesëmarrësit në umren e ndaluar të Hudejbijes një vit më parë, u nisën për të kryer umren. Ai e veshi ihramin në dhul hulejfe dhe mori me vete bagëtitë e kurbanit. Thuhet se ishin 60 deve. Ai bëri telbije më zë të lartë: ‘Leb-bejkell-llâhumme leb-bejk. Leb-bejke lâ sherike leke leb -bejk. In-nel ĥamde uen -ni'mete leke uel mulk. Lâ sherike lek. (Të përgjigjem, o Zot, të përgjigjem! Të përgjigjem, Ti je i pashoq, të përgjigjem! Të gjitha lavdërimet të takojnë vetëm Ty, edhe mirësitë janë të gjitha prej teje! Edhe pushteti e sundimi është i gjithi në dorën Tënde! Ti je i Pashoq!). Po kështu vepruan edhe sahabët e tij. Kur iu afruan Dhahranit, Profeti ﷺ dërgoi Muhamed Ibn Mesleme në krye të një çete kalorësish të armatosur, që t’u paraprinin. Kur idhujtarët panë këtë çetë kalorësish të armatosur, u frikësuan, duke menduar se Muhamedi kishte thyer paktin e armëpushimit dhe ishte
nisur t’i sulmonte ushtarakisht. Kështu, ata lajmëruan popullin e Mekës dhe dërguan te Profeti ﷺ Mikrez Ibn Hafsin, i cili i tha: “O Muhamed, nuk të kemi njohur si njeri që thyen paktet.” Profeti i tha: “Çfarë është kjo që po thua?!” - “Morëm vesh se po vjen drejt nesh me kalorësi të armatosur me shpata, heshta e shigjeta.” Profeti i tha: “Jo, nuk kemi thyer paktin. Ne i dërguam ata drejt Jexhexhit.” Atëherë Mekrezi tha i qetësuar: “Ja, kështu të kemi njohur: bami - rës, mbajtës të premtimit dhe respektues të marrëveshjeve.” Pas kësaj, krerët e mohue - sve dolën nga Meka, që të mos shihnin Profetin e Allahut dhe besimtarët duke kryer umren. Ndërkohë, pjesa tjetër e bano - rëve, burra, gra e fëmijë qëndruan, madje kishin dalë në rrugët e Mekës, që të shihnin Profetin e Allahut dhe shokët e tij. Kështu, Profeti i Allahut hyri në Mekë, me shokët, që ecnin para tij duke bërë telbije. Bagëtitë e kurbanit i kishte nisur drejt Dhit-tuasë, për t’u bërë kurban. Profeti ishte hipur mbi devenë e tij, Kasuanë, e njëjta deve, që kishte në umren e Hudejbijes. Abdullah Ibn Rauaha mbante frerët e devesë së Profetit, duke e drejtuar atë, ndërkohë që recitonte këto vargje: “Me emrin e Atij, që nuk ka fe tjetër veç fesë së Tij! / Me emrin e Atij, që Muhamedi është Profeti i Tij! / Largohuni, o bij mohuesish nga rruga e tij! / Sot kemi për t’ju luftuar për Librin zbritur atij, / do t’ju godasim me një luftë, që largon mikun nga miku! / O Zot, dëshmo se unë jam besimtar i fjalëve të tij.” Imam Ahmedi sjell nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta) këtë hadith: 2425. “Profeti i Allahut dhe sahabët e tij mbërritën në Mekë, duke qenë disi të dobësuar nga klima e Medinës. Idhujtarët filluan të thoshin: “Po vijnë këta njerëz, që i ka telendisur klima e Medinës dhe janë të sëmurë.” Ata zunë vend e po qëndronin nga ana e hixhrit të Ismailit, për të parë muslimanët që bënin tavafin rreth Qabes. Allahu i Madhëruar ia tregoi Profetit të Tij fjalët e idhujtarëve, prandaj ai i urdhëroi sahabët që t’i bënin me vrap të lehtë tri xhirot e para, që idhujtarët të shihnin se ata ishin në formë të plotë fizike. Kështu, tri xhirot e para u bënë duke vra - puar lehtë. Gjatë këtyre tri xhirove, në pje - sën mes këndit të Jemenit dhe këndit të Gurit të Zi, ata nuk vraponin, sepse nuk i kapte syri i idhujtarëve, që gjendeshin nga ana tjetër. Profeti nuk ndaloi asnjë që t’i bënte duke vrapuar të gjitha xhirot e tavafit. Atëherë, disa idhujtarë thanë: “Për këta thatë ju, se i ka dobësuar dhe sëmurur klima e Medinës?! Këta duken më të fortë e vitalë, se kështu e ashtu.” Kështu e kanë sjellë në Sahih-ët e tyre Buhariu dhe Muslimi. Ndërsa Imam Ahmedi sjell kështu hadithin nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!): 2426. “Profeti e bëri tavafin dhe sajin mes Safasë dhe Merues, që idhujtarët të shihnin forcën e tij.” Këtë variant e sjellin gjithashtu Muslimi dhe Nesaiu. - “Ai dinte atë që ju nuk e dinit.” - Allahu i Lartësuar dhe krenar dinte rreth dobisë së kthimit tuaj pas në vitin e Hudejbijes, atë që ju nuk e dinit dhe as që e mendonit. - “Para kësaj, Ai ju dha një fitore të shpejtë.” - Që përpara se të hynit në Mekë, Ai i premtoi Profetit këtë mirësi në ëndrrën që i tregoi. Këtë mirësi, që ishte Marrëve - shja e Hudejbijes, i Lartësuari e quajti “një fitore të shpejtë.” Ajo marrëveshje, që Profeti i Allahut bëri me idhujtarët mekas, ishte vërtet një fitore e madhe. - “Është Ai që e dërgoi Profetin e Tij me udhëzim të plotë dhe me fenë e vërtetë ...” - E dërgoi me dituri të dobishme dhe punë të mira sipas saj. - “... që të triumfojë mbi çdo fe.” - Ta bëjë fe të epërme, mbi të gjithë pasuesit e feve të banorëve të tokës, arabëve dhe joarabëve. - “Mjafton Allahu si dëshmitar. ” - Për faktin se Muhamedi është i dëguari i Tij besnik dhe se Ai do ta ndihmojë e bëjë fitues mbi të gjithë. Allahu është më i ditur.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 48:27–48:28
- “Allahu e vërtetoi ëndrrën e të Dërguarit të Tij...” - Profeti (a.s.) pa një ëndërr në Medinë, të cilën ua tregoi edhe shokëve të tij. Ai pa sikur po hynin në Mekë dhe po bënin tavaf rreth Qabes. Por pas ngjarjes në Hudejbije, kur muslimanët u kthyen pa hyrë dot në Mekë dhe pa bërë tavaf, mes muslimanëve po qarkullonin fjalë. Madje, disa ju drejtuan Profetit (a.s.) duke i thënë: “A nuk na kishe thënë se do të hynim në Mekë e do të bënim tavaf?!” Profeti (a.s.) u tha: “Vallë, a mos ju thashë se do të ndodhte këtë vit? – “Jo” – u përgjigjën ata. Atëherë, Profeti (a.s.) u tha: “Ju patjetër që do të hyni atje dhe do të bëni tavaf.” Allahu i Madhëruar thotë më pas: - “...dhe e bëri realitet:...” - Kjo është një ëndërr që do të ekzekutohet patjetër. Nuk ka asnjë mundësi që ajo të mos realizohet, edhe pse kjo gjë mund të vonojë. - “Do të hyni në Shtëpinë e Shenjtë të sigurt, me vullnetin e Allahut. Kokat tuaja do të jenë të rruara ose të qethura dhe nuk do të keni frikë!” - Do të hyni në Mekë me përunjësi të thellë, duke e nderuar dhe respektuar Shtëpinë e Zotit dhe duke kryer adhurimet e umres. Ju do të plotësoni adhurimin e umres, duke rruajtur kokat apo duke i qethur flokët, dhe nuk do t’i frikësoheni asgjëje veç Zotit.
- “Ai dinte atë që ju nuk e dinit! Para kësaj, Ai ju dha një fitore të shpejtë.” – Kuptimi: Allahu dinte atë që ju nuk e dinit, për sa i përket dobisë që do të sillte Marrëveshja e Hudejbijes. Ai ju bëri të arrinit një fitore shumë të shpejtë. Në fakt, shumë sahabë u ngushtuan nga kjo ngjarje dhe patën vesvese në zemër, për shkak se nuk arrinin të kuptonin urtësinë që fshihej në atë gjykim. Por Allahu i Madhëruar, ashtu si me të gjitha dispozitat e Tij, e qartësoi urtësinë e Tij dhe qëllimet që synoheshin me atë ngjarje. Ajo ngjarje, nëpërmjet së cilës u arritën të plotësoheshin shumë urtësi dhe qëllime të larta të Zotit, ishte e gjitha mëshirë dhe udhëzim i qartë për besimtarët. Në vijim, Allahu i Madhëruar na tregon për një vendim të përgjithshëm të Tij: - “Është Ai që e dërgoi Profetin e Tij me udhëzim të plotë dhe me fenë e vërtetë, që të triumfojë mbi çdo fé. Mjafton Allahu si dëshmitar.” - Allahu i Madhëruar e dërgoi Profetin e Tij me dy dhurata të mrekullueshme: - El Huda , e cila është dituria e saktë, e vërtetë dhe e dobishme, e cila të ndriçon rrugën dhe të nxjerr nga errësira në dritë. Ajo të bën të dallosh rrugën e mirësisë nga rrugët e ligësisë. - Dinul Hak, që është feja e vërtetë dhe e drejtë. Kjo fe udhëzon në drejtësi, bamirësi dhe mëshirë. Kjo fe ndërtohet nga veprat e mira, pastron zemrat, përsos shpirtrat dhe edukon virtytet e larta. Allahu i Madhëruar e bëri me gjithë këto mirësi, që të triumfojë mbi çdo fé tjetër. Ajo do t’i nënshtrojë të gjitha besimet e tjera, me të vërtetën e saj, me forcën e argumentit dhe me forcën e shpatës.