5. Maide · Ajeti 1 · Tefsir

Hyrja e sures El-Maide Sherif Ahmeti

E zbritur në Medine pas sures El Fet-h, ajete: 120

Është një nga kaptinat e gjata të zbritura në Medine. Edhe kjo, ashtu sikurse edhe kaptinat e tjera që zbritën në Medine, parashtron dispozita të sheriatit përbri tematikës së besimit dhe rrëfimeve për ithtarët e librit.

Thuhet se kjo sure zbriti pasi që u kthye Pejgamberi prej Hudejbisë, e ka përmbledhur shumë dispozita të sheriatit, ngase shteti Islam ishte në fillim të themelimit të tij, andaj i nevojitej një program Hyjnor, i cili do ta mbronte prej gabimeve dhe do t'i trasonte rrugë të ndritshme e të përqëndrueshme, në ndërtimin e shtetit të ri.

Dispozitat, të cilat i parashtron kjo pjesë e Kur'anit në këtë kaptinë, përafërsisht janë: zbatimi i premtimeve, mënyra e therjes së kafshëve, gjuetia, pelegrinazhi (rregullat rreth haxhit), martesa me gra nga ithtarët e librit, tradhtia (er ride), rregullat për pastrim, masa e dënimit për vjedhje, masa e dënimit për dezertorët dhe fesatxhinjtë, dispozitat rreth alkoolit dhe bixhozit, kompensimi për betim, për gjueti derisa është në ihram, testamenti në prag të vdekjes etj.

Përveç këtyre, përmes kësaj kaptineje njihemi edhe me disa tregime për të marrë mësim e përvojë prej tyre, siç është: rrëfimi për beni israilë dhe për Musain a.s., madje duke aluduar për ballafaqimin e fuqisë se hajrit e të sherrit, na parashtron edhe ngjarjen rreth bijve të Ademit dhe më në fund edhe mbi tryezën (sofrën) e zbritur besimtarëve të Isait, e cila ishte mrekulli që vërtetonte misionin e tij si pejgamber, por ajo ishte vepër e Zotit, e jo e Isait. Kaptina përfundon me një rrëfim të tmerrshëm kur në ditën e tubimit pas ringjalljes, do të thirret Isai pranë të gjithë të tubuarve dhe Zoti i madhëruar do ta marrë në pyetje për shkak se disa i besuan si zot, pos Allahut. Sigurisht me këtë ka për qëllim demaskimin për rrugën e gabuar të atyre që shpifën pa ditur për Isain, si zot ose birë i tij.

Quhet kaptina e tryezës (suretul Maideti) ngase është ngjarja më e çuditshme që përmendet në këtë kaptinë Fjala është për një sofër të begatshme, e cila u zbret besimtarëve të Isait në shenjë vërtetimi për Isain se është i dërguar i Zotit xh. sh.

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 5:1–5:5

Besimtarët janë të obliguar të jenë besnikë, dhe çdo premtim a obligim duhet zbatuar me përpikëri, qoftë obligim që ka të bëjë mes Allahut dhe njeriut, qoftë që ka të bëjë mes njerëzve.

Gjatë kohës së riteve të haxhit është e ndaluar edhe gjuetia, me çka kuptohet se Qabja me rrethinë është vend i shenjtë dhe vend sigurie edhe kur është fjala për shtazë të egra. Prandaj nuk lejohet të bëhen ndryshime në përcaktimet që ka bërë Zoti, nuk lejohet lufta në muajtë e shenjtë, nuk lejohet pengimi i kurbanëve të caktuar që të therren te Qabja. Arabët kanë pasur zakon t'i vëjnë në qafë devës një gjerdan për të treguar se ajo është përcaktuar për kurban dhe ashtu të sigurohet.

Përveç kafshës së ngordhur, gjakut, derrit, janë të ndaluara edhe ato kafshë që therren në emër të idhujve, e jo në emër të Zotit.

E rrëzuarja prej ndonjë vendi të lartë, e shpërthyerja nga briri i ndonjë tjetre dhe e kafshuarja (një pjesë) nga egërsirat, nëse zihet e gjallë dhe therret, është e lejuar të hahet.

"Nusub" janë gurë të vendosur rreth Qabes, mbi të cilët bëheshin therorizime të kafshëve në shenjë respekti ndaj tyre. Ato janë haram.

Dita për të cilën thuhet se u plotësua dhe u përsos feja islame, ishte nata e bajramit, në Arafatë, në vitin e dhjetë të hixhretit.

Janë të lejuara edhe gjahu i shtazëve të dresuara dhe kafshët e therrura prej ithtarëve të librit, të krishterë dhe jehudi. Është e lejuar edhe martesa me gra të ndershme jomyslimane nga krishterët dhe jehuditë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 5:1–5:2

- O ju që keni besuar! - Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Meani dhe Aufi, - ose nga njëri prej atyre të të dyve, - se një burrë shkoi tek Ibn Mesudi dhe i tha: “Më mëso!” Atëherë, ai i tha: “Nëse e dëgjon fjalën e Allahut kur thotë: “O ju që keni besuar!” , atëherë dëgjo me shumë kujdes, sepse më pas do të vijojë një mirësi, për të cilën Ai do të të urdhërojë, ose ndonjë haram, të cilën Ai do ta ndalojë.” - Plotësojini detyrimet! - Ibn Abasi, Muxhahidi e të tjerë, e kanë shpjeguar: “...zbatoni ligjet dhe dispozitat e Zotit.” Ligjet që urdhërohemi për t’i zbatuar janë urdhrat dhe ndalesat e Allahut, dispozita këto të shtjelluara në Kur 'an. Kurrë mos i shpërfillni dhe shkelni këto rregulla! Allahu i Madhëruar e përforcon edhe më shumë këtë urdhër, duke dhënë një paralajmërim të frikshëm në një ajet tjetër : “Ndërsa ata që e shkelin besën e dhënë Allahut, pasi e kanë dhënë, i shkëpusin ato lidhje për të cilat Allahu ka urdhëruar të mbahen fort dhe bëjnë shkatërrime në tokë, ata janë të mallkuar dhe për ta është Shtëpia e tmershme.” [Rad 25]. Këtu hyjnë të gjitha llojet e premtimeve dhe ligjeve, që është detyrë t’u përmbahesh: premtimet dhënë Allahut dhe urdhëresat e Tij, detyrimet që njeriu ia ngarkon vetes përmes përbetimeve, aktmarrëveshjet me aksionerë, marrëveshjet e tregtisë, akti i martesës etj. - Bagëtitë janë të lejuara (si ushqim) për ju... - Bëhet fjalë për devetë, lopët dhe bagëtitë e imëta. Ibn Abasi e të tjerë mbështeten te ky ajet për të thënë se edhe fetusi që gjendet i ngordhur brenda barkut të bagëtisë konsiderohet hallall, nëpërmjet therjes sipas rregullit të vetë nënës së vet. Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe sjellin hadi thin nga Ebu Seidi, që rrëfen: 904. “Ne i thamë: “O i Dërguari i Allahut! Shpesh, kur therim devetë, lopët ose delet, në barkun e tyre gjejmë të vegjëlit e tyre. A t’i hedhim ato, apo lejohet ngrënia e tyre?” - “Mund t’i hani nëse dëshironi, sepse therja e rregullt e nënës konsiderohet edhe si therje e rregullt e tyre.” Tirmidhiu ka thënë që ky është një hadith hasen. - me përjashtim të atyre që do t’ju lexohen. - Me përjashtim të rasteve të veçanta të ndalimit, që do tju lexohen. Këtu bëhet fjalë për ajetin kuranor: “Haram janë për ju: të ngordhurat, gjaku, mishi i derrit, ajo kafshë që theret jo në emrin e Allahut, ajo që është mbytur me lak në fyt, ajo që është vrarë me goditje, ajo që është rrëzuar nga lartësitë, ajo që është shpuar, ajo që është ngrënë nga egërsirat...” Gjithashtu: “E pasi të hiqni ihramin, atëherë (mund të) gjahtoni (jashtë vendeve të shenjta)! ” Nga kafshët e buta që janë të lejuara të hahen përmendim devetë, lopët dhe bagëtitë e imëta. Ndërsa nga kafshët e egra mund të përmendim drerët, lopët e egra, zebrat (gomerët e egër). Ndër kafshët e buta janë të lejuara ato që u përmendën. Ndërsa kafshët e egra bëhen haram veçse në gjendjen e përmendur në ajet, pra, gjatë kohës kur je në ihram dhe brenda Vendit të Shenjtë. Allahu i Lartësuar thotë: - Edhe gjuetia është e ndaluar përderisa gjendeni në ihram (dhe në vendet e shenjta).- Me fjalë të tjera, ashtu siç i bëmë të lejuara të gjitha llojet e bagëtive në çdo gjendje dhe vend (përfshirë gjendjen e ihramit dhe Tokën e Shenjtë), ashtu bëmë haram të gjitha llojet e kafshëve të egra e gjuetinë e tyre gjatë kohës së ihramit dhe brenda Vendit të Shenjtë. Është Allahu i Madhëruar Ai që vendosi këtë rregull, Ai i Cili është i urtë në gjithçka që urdhëron dhe në gjithçka që ndalon: - Vërtet, Allahu vendos çfarë të dëshirojë. - Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - O ju që keni besuar! Mos e cenoni shenjtërinë e simboleve të Allahut, - Ibn Abasi ka thënë: “Këtu janë për qëllim ritet dhe adhurimet gjatë haxhit.”

- as shenjtërinë e muajve të shenjtë... - Respektojeni shenjtërinë e këtyre muajve, duke u ruajtur nga çdo gjë e ndaluar gjatë tyre, siç është zhvillimi i luftës. Urdhri për largimin nga haramet është më i përforcuar përgjatë këtyre muajve. Allahu i Lartësuar thotë: - as të kurbanit të Qabesë (el hedij), as të kurbanëve (el ķalâid) të shënuar me qafore ... - Mos i lini pas dore kurbanet e Qabesë, të ashtuquajturit el hedj, sepse një veprim i tillë konsiderohet si respektim i simboleve që vetë Zoti i ka ligjëruar. Gjithashtu, mos e harroni traditën e shenjimit të kurbaneve (el kalâid) në qafat e tyre, në mënyrë që ato të dallohen nga bagëtitë e tjera dhe të ketë kujdes çdokush që synon t’i dëmtojë. Kjo do të shërbejë që edhe të tjerët të veprojnë njëlloj. Dihet mirë se çdokush që fton dhe bëhet shkak për përhapjen e një adhurimi, atij do t’i shkruhet edhe shpërblimi i gjithë atyre që e pasojnë në këtë vepër, pa iu pakësuar aspak shpërblimi i veprës së tyre. Kur Profeti i Allahut do të vishte ihramin për të kryer haxhin, e kaloi natën në Dhil Hulejfe, në luginën El Akik. Kur agoi, ai shkoi tek të gjitha gratë e tij, të cilat ishin nëntë. Pastaj mori gusul, u parfumos dhe fali dy rekatë namaz.225 Pastaj shenjoi kurbanet e tij dhe e ngriti zërin (me telbije) për fillimin e haxhit dhe të umres. Kafshët e shenjuara për kurban ishin mbi 60 deve, me format dhe ngjyrat më tërheqëse. Kjo është një nga mënyrat se si madhërohen simbolet dhe ritet e përcaktuara nga Allahu, siç ka thënë i Lartësuari: “Kush madhëron simbolet e (fesë së) Allahut, kjo është shenjë e devotshmërisë së zemrave.” [Haxh 32] . Ali Ibn Ebu Talibi ka thënë: 905. “Profeti i Allahut na urdhëroi që të shikonim me kujdes (e të evitonim defektet në) sytë dhe veshët e saj (e kafshës së kurbanit)”. Kështu e sjellin autorët e Sunen-eve. Më pas, Allahu i Madhëruar thotë: - as ata të cilët, duke kërkuar begati nga Zoti i tyre dhe kënaqësinë e Tij, synojnë për vizitë Shtëpinë e Shenjtë! - Kurrë të mos e lejoni vrasjen dhe luftën kundër atyre që duan të vizitojnë Shtëpinë e Shenjtë, shtëpi në të cilën, kush hyn brenda, është (e duhet të jetë) i sigurt. Po kështu veproni edhe me ata të cilët vijnë në këtë vend duke synuar mirësitë e Allahut dhe kënaqësinë e Tij. Mos i pengoni nga objektivi i tyre. Muxhahidi, një grup tabiinësh e të tjerë, duke shpjeguar fjalën e Allahut: “ata të cilët, (vijnë) duke kërkuar begati nga Zoti i tyre”, kanë thënë: “Janë ata që synojnë tregtinë e të mirat që ajo ofron”. Kjo i ngjan ajetit që u shtjellua në suren Bekare: “Nuk është gjynah të kërkoni mirësi nga Zoti juaj (në haxh).” [Bekare 198]. Ndërsa në lidhje me fjalën e Allahut: “...dhe kënaqësinë e Tij...”, Ibn Abasi ka thënë: “Ata synojnë që, me haxhin e tyre, të kënaqin Allahun.” Ky gjykim zbriti për një grup idhujtarësh, që ishin drejtuar për (vizitë) në Qabe, por më vonë ai u abrogua me ajetet e sures Teube, që ndalojnë çdo idhujtar që t’i afrohet Qabes. Ky gjykim ishte për ata që synonin Qaben për vizitë dhe adhurime. Ndërsa ata që synojnë idhujtarinë, mohimin e Zotit dhe përhapjen e shkatërrimit, duhet që të pengohen dhe të luftohen, që të mos i afrohen atij vendi të pastër, sikurse thotë Allahu i Madhëruar: “O ju që keni besuar! Idhujtarët janë vërtet të papastër, prandaj mos i lini t'i afrohen Xhamisë së Shenjtë pas këtij viti!” [Teube 28]. Prandaj, Profeti i Allahut, në vitin e nëntë, kur emëroi Ebu Bekrin në krye të haxhinjve të atij viti, urdhëroi Aliun që të deklaronte, në emër të tij, këtë vendim të Allahut në suren Teube dhe për vendimin që, pas atij viti nuk do të lejohej më asnjë idhujtar të kryente haxhin, si edhe nuk do të lejohej askush që bënte tavaf rreth Qabes i zhveshur lakuriq, siç ndodhte në kohën e injorancës. - E pasi të hiqni ihramin, atëherë (mund të) gjahtoni (jashtë vendeve të shenjta)! – Pasi të çliroheni prej ihramit dhe të keni përfunduar ritet e ihramit, atëherë është e lejueshme për ju gjuetia. Allahu i Lartësuar thotë: “E pasi të hiqni ihramin, atëherë (mund të) gjahtoni...”. Folja “gjahtoni”

është një folje urdhërore dhe, si e tillë, mund të kuptohet se, pas çlirimit, nga ihrami është detyrë që të gjahtojmë. Ky është një urdhër për të bërë diçka, që vjen pas urdhrit për ndalimin e saj. Kjo kategori urdhrash, - sipas mendimit më të saktë të dijetarëve të usulit, - tregon se gjykimi për atë çështje kthehet njëlloj siç ishte përpara ndalimit të saj. Nëse përpara ndalimit ishte e detyrueshme, atëherë ky urdhër tregon se ajo është tashmë e detyrueshme. Nëse përpara ndalimit ishte e pëlqyeshme, atëherë urdhri për të tregon se ajo tashmë është e pëlqyeshme. Nëse përpara ndalimit ishte e lejueshme, atëherë urdhri për të tregon se ajo tashmë është e lejueshme. Pra, në rastin tonë, gjuetia jashtë ihramit ishte e lejuar dhe u ndalua për shkak të ihramit. Atëherë, urdhri për të gjahtuar pas çlirimit nga ihrami, sipas rregullit të sipërpërmendur, tregon se tashmë gjuetia është përsëri diçka e lejuar, njëlloj si para ndalimit. - Dhe, të mos ju shtyjë urrejtja ndaj atyre njerëzve që iu penguan nga Xhamia e Shenjtë, të silleni në mënyrë të padrejtë kundër tyre! - Kurrsesi të mos ju shtyjë urrejtja ndaj atyre që ju penguan të shkoni te Xhamia e Shenjtë për të kryer umren, - ngjarje që ndodhi në vitin e Hudejbijes, - që edhe ju të shkelni urdhëresat dhe drejtësinë që Allahu ju urdhëron të zbatoni në lidhje me ta. Mos kërkoni që thjesht të hakmerreni me padrejtësi, të shtyrë nga urrejtja për ta, por përkundrazi gjykoni me drejtësinë, për të cilën ju urdhëron dhe udhëzon Zoti juaj. Gjykimi me drejtësi është detyrë që duhet zbatuar me çdo njeri. Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Zej d Ibn Eslemi, i cili ka thënë: 906. “Vitin e Hudejbijes, idhujtarët e penguan Profetin dhe shokët e tij që të kryenin umren, dhe kjo i zemëroi ata pa masë. Ndërkohë, pranë tyre kaluan një grup idhujtarësh nga banorët e lindjes, që po shkonin për vizitë (umre) në Qabe. Disa nga shokët e Profetit thanë: “Ejani t’i pengojmë këta idhujtarë nga Qabja, ashtu siç na penguan ne miqtë e tyre!” Atëherë Allahu i Lartësuar zbriti këtë ajet...” - Ndihmojeni njëri tjetrin në të mira dhe në devotshmëri, dhe mos e ndihmoni njëri tjetrin në gjynahe e armiqësi! - Allahu i Lartësuar i urdhëron robërit e Tij besimtarë që të ndihmojnë njëri -tjetrin në kryerjen e punëve të mira e të mbara, që në ajet përmblidhen në fjalën “ el bir”; si edhe në lënien e ligësive dhe poshtërsive, pra, për të realizuar atë që në ajet quhet takuâ. Nga ana tjetër, Ai i ndalon ata që të bashkëpunojnë në kotësi, padrejtësi, gjynahe dhe poshtërsi. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Enes Ibn Maliku, se Profeti i Allahut ka thënë: 907. “Ndihmoje vëllain kur është i padrejtë dhe kur i bëhet padrejtësi!” Të pranishmit i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Mirë kur i bëhet padrejtësi, po kur është i padrejtë, si ta ndihmojmë?!” Ai tha: “Duke e penguar dhe ndaluar atë nga padrejtësia! Kjo është ndihma dhe mbështetja e tij.” Këtë hadith e kanë përnxjerrë Buhariu dhe Muslimi përmes transmetimit të Thabitit nga Enesi. Gjithashtu, në një hadith të saktë thuhet: 908. “Ai që fton në një udhëzim të mirë, ai do të marrë njëlloj si shpërblimi i atyre që e pasojnë, deri në Ditën e Gjykimit, pa pakësuar kjo prej shpërblimeve të tyre aspak. Ai që fton në humbje, ai do të marrë njëlloj si gjynahu i atyre që e pasojnë, deri në Ditën e Gjykimit, pa pakësuar kjo prej gjynaheve të tyre aspak.” Ebu Kasim Taberaniu sjell hadithin nga Ebu Hasan Nemran Ibn Sahri, se Profeti i Allahut ka thënë: 909. “Ai që ecën së bashku me zullumqarin për ta ndihmuar atë, duke e ditur mirë që ai është zullumqar, ka dalë nga Islami!” - Kijeni frikë Allahun, sepse Allahu është ndëshkues i rreptë!

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 5:1

- “O ju që keni besuar! Plotësojini detyrimet!” - Ky është një urdhër nga Allahu i Lartësuar drejtuar adhuruesve të Tij besimtarë për të plotësuar detyrimet dhe marrëveshjet. Ai është urdhër për të zbatuar atë çka u dikton dhe nënkupton imani i tyre. Kështu, i Madhëruari urdhëron për plotësimin e aktmarrëveshjeve dhe detyrimeve, pa i cenuar ato. Këtu bëhet fjalë për të gjitha llojet e detyrimeve, si më poshtë vijon: 1. Detyrimet e robit kundrejt Allahut të Lartësuar. Ndër detyrimet e robit kundrejt Allahut të Lartësuar është përkushtimi me sinqeritet në adhurimin vetëm ndaj Tij. Këto detyrime duhet të kryhen në formën më të plotë, pa lënë asgjë mangët. 2. Detyrimet e robit kundrejt Profetit. Ndër detyrimet e robit kundrejt Profetit është bindja e plotë ndaj porosive të tij dhe pasimi rigoroz i Traditës së tij. 3. Detyrimet e robit kundrejt prindërve dhe të afërmve, siç është bamirësia ndaj tyre, ruajtja e lidhjeve me ta etj. 4. Detyrimet e robit kundrejt miqve dhe shokëve. Këto duhen plotësuar si në kohë pasurie dhe begatie, ashtu dhe në kohë varfërie dhe skamjeje, si në kohë lehtësie, ashtu dhe në kohë vështirësie. 5. Detyrimet e robit kundrejt krijesave në përgjithësi. Njeriu duhet t’i plotësojë të gjitha aktmarrëveshjet, tregtare apo të çfarëdo lloji qofshin, të lidhura mes tij dhe të tjerëve. Ai nuk duhet t’i cenojë aspak këto detyrime, por duhet t’i plotësojë ato me besnikëri dhe korrektësi. 6. Detyrimet e robit kundrejt të gjithë muslimanëve në përgjithësi, të cilat Zoti i Lartësuar i ka përmbledhur në fjalën e Tij: “Me të vërtetë besimtarët janë vëllezër.”. Kështu, është detyrë për muslimanin që ta ndihmojë dhe të bashkëpunojë me vëllain e tij musliman për pasimin dhe përhapjen e të vërtetës. Është detyrë që të gjithë muslimanët të bashkohen dhe të forcojnë radhët e tyre rreth të vërtetës të sjellë nga Zoti dhe Profeti i Tij. Nga ana e kundërt, është e ndaluar përçarja në grupacione, duke u larguar nga e vërteta. Ky është një urdhër që përfshin themelet e fesë dhe degëzimet e saj. Me fjalë të tjera, feja nuk është gjë tjetër, por veçse plotësim i detyrimeve dhe i marrëveshjeve që Allahu i Lartësuar ka urdhëruar të plotësohen dhe të çohen në vend. Në vijim, Allahu i Lartësuar duke treguar mirësinë dhe bujarinë ndaj adhuruesve të Tij, thotë: - “Bagëtitë janë të lejuara (si ushqim) për ju,...” - Domethënë, për hir tuaj dhe në shenjë mëshire ndaj jush, ju janë bërë të lejuara bagëtitë, pra, devetë, lopët dhe bagëtitë e imta. Nën këtë gjykim hyjnë edhe kafshët e gjuetisë, si sorkadhet, zebrat etj. Disa sahabë janë mbështetur në këtë ajet edhe për lejimin e konsumimit të mishit të këlyshëve që ngordhin në barkun e bagëtive pas therjes së tyre. - “...me përjashtim të atyre që do t’ju lexohen...” - Pra, përveç atyre llojeve që do t’ju lexohen juve në ajetet vijuese, ku Allahu i Lartësuar thotë: “Janë haram për ju kafshët e ngordhura, gjaku, mishi i derrit,

çfarë theret jo në emrin e Allahut, të mbyturat me lak në fyt, ...” e deri në fund. Këto kategori, edhe pse janë prej bagëtive apo kafshëve që p ërdoren për therje, janë haram. Lejueshmëria e bagëtive që përmenden më sipër kufizohet me dispozitën e mëposhtme, ku Allahu i Lartësuar e ndalon përfitimin prej tyre me disa kohë dhe vende të caktuara: - “Edhe gjuetia është e ndaluar përderisa gjendeni në ihram (dhe në vendet e shenjta).”. - Për ju janë të lejuara bagëtitë dhe kafshët e gjuetisë në të gjitha gjendjet, përveç kur jeni në ihram. Në një rast të tillë, ju nuk duhet të guxoni që të gjuani, sepse kështu cenoni shenjtërinë e vendit në të cilin nuk lejohet gjuetia, si dhe gjendjen tuaj në ihram, gjatë së cilës g jithashtu nuk lejohet gjuetia. “Gjah” konsiderohet çdo kafshë e egër që vritet e së cilës i hahet mishi. - “Vërtet, Allahu vendos çfarë të dëshirojë.”. - Çdo urdhër dhe dispozitë që Allahu i Lartësuar ka ligjëruar për ju është, pa dyshim, prej urtësisë së Tij të madhe. Kështu, Ai ju urdhëron të plotësoni detyrimet dhe kontratat, sepse vetëm kështu arrihet begatia dhe mirësia dhe i pritet rruga çdo dëmtimi dhe armiqësie. Me urtësinë e Tij, Ai bëri të lejuara shumë e shumë lloje kafshësh dhe bagëtish, si mëshirë për ju. Po me urtësinë e Tij, Ai ju bëri të ndaluara veç një numër të vogël të llojeve të kafshëve, të cilat janë shumë pak në krahasim me të lejuarat, për t’ju ruajtur ju nga dëmi i tyre dhe për t’ju lartësuar juve në moral. Edhe ndalimi i gjuetisë gjatë ihramit është bërë me urtësinë e të Lartësuarit, për të na mësuar si të respektojmë ihramin dhe vendet e shenjta.

← Maide 5:1