5. Maide · Ajeti 100 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 5:97–5:105

Për të mirën e njërezve, Allahu e bëri të shenjtë Qaben me rrethinë, i përcaktoi të shenjtë katër muaj në vit, ashtu që në atë vend dhe në atë kohë ndaloi luftën, bile edhe gjuetinë e egërsirave. I bëri të shenjta edhe kafshët e shënuara me qafore, që ishte shenjë se ajo është e zgjedhur për kurban. Të gjitha këto bëhen për të qenë njerëzit të lirë në çështjet e fesë dhe në çështjet e jetës, por megjithëkëtë, idhujtarët mekas kundërshtonin udhëzimet e Zotit.

Nuk është kompetencë e Pejgamberit që njerëzit t'i verë në rrugë të drejtë, detyra e tij është ta kumtojë shpalljen e Zotit.

Të pyetet Pejgamberi ose dijetarët e fesë për çështje të fesë e të jetës, është porosi e Zotit, por pyetjet e panevojshme, pyetjet përgjigjet e të cilave do të shkaktonin brengosje e keqësim, nuk duhet bërë. Këso pyetjesh i patën bërë Salihut për deve, Musait për ta parë Zotin, Isait për tryezën dhe pasi që morën përgjigjen, nuk zbatuan urdhërin, andaj edhe u bënë qufarë.

Në kohën e xhahilijetit arabët kishin ndaluar disa kafshë shtëpiake që të mos u hahet mishi i tyre, të mos i pihet qumështi ose të mos ngarkohen me barrë, siç ishin Behire - devja që kishte lindur pesë herë e të mbramin mashkull, i shkyhej veshi dhe shpallej e lirë, nuk ngarkohej, nuk i hypej. Saibe-deve, që bëhej e lirë kur njeriu thoshte: nëse shërohem nga sëmundja, devja ime qoftë Saibe. Vesile - ishte qengji mashkull i lindur binak me një femër. Qengjin femër e konsideronin të tyre, mashkullin të zotave, e kur lindte mashkulli binak me femrën, nuk therrej për zotat. Hami - ishte mashkulli i deves, dhe pasi që bijtë e tij ishin rritur, shpina e tij ndalohej për hipje. Këto ishin adete te injorantëve, kështu që feja islame i anuloi.

Jemi të obliguar të këshillojmë për mirë e të ndalojmë nga e keqja derisa të mos dominojë: lakmia e tepërt, dhënia pas epsheve, dhe t'i japë përparësi secili arsyes së vet. Nëse arrin kjo gjendje ndër njerëz, atëherë ruaje veten tënde, pse këshilla nuk ka më efekt.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 5:100–5:102

Allahu i Lartësuar i thotë Profetit të Tij të dashur: - Thuaj - Thuaj, o Muhamed! - “Nuk është e njëjtë e keqja dhe e mira, edhe nëse shtimi i së keqes të mahnit. - Kjo do të thotë se ajo që është hallall dhe e pastër, edhe nëse është pak, është më e mirë se harami, që është i dëmshëm, edhe nëse është shumë e të tërheq. Një hadith thotë: 1074. “E pakta që të mjafton, është më e mirë se e shumta që të shpërqendron (e të devijon nga udha e drejtë)”. - Kijni frikë Allahun, o ju që kuptoni, që të shpëtoni! - O ju që keni mend dhe logjikë të pastër, të saktë dhe të drejtë, lëreni haramin dhe largohuni prej tij! Mjaftohuni me hallallin dhe kënaquni me të! Nëse e bëni këtë, atëherë shpresohet “që të shpëtoni”. - O ju që keni besuar! Mos pyesni (pa nevojë) për gjëra që, sikur t'ju kthehej përgjigjja e drejtpërdrejtë, nuk do t'ju pëlqente... - Allahu i Madhëruar i porosit robërit e Tij besimtarë të stolisen me këtë edukatë të domosdoshme. Ai i ndalon ata që të pyesin për gjëra, të cilat nuk u sjellin asnjë dobi dhe të cilat, nëse do të shfaqeshin, kjo do t’i rëndonte dhe nuk do t’u pëlqente aspak përgjigjj a. Profeti i Allahut ka thënë: 1075. “Askush nga ju të mos më sjellë fjalë për asnjë! Unë dua që, kur të jem mes jush, ta kem gjoksin të pastër (nga çdo e keqe) për çdonjë.” Buhariu sjell kë të hadith nga Enes Ibn Maliku: 1076. “Profeti i Allahut na mbajti një hytbe, që nuk kam dëgjuar kurrë si ajo, ku ndër të tjera, tha: “Nëse do të dinit atë që di unë, do të qeshnit pak dhe do të qanit shumë!” Shokët e Profetit mbuluan fytyrat, por prej tyre dëgjoheshin të qara me ngashërim. Dikush tha: “Kush është babai im?” Profeti tha: “Filani.” Atëherë zbriti ky

ajet: “O ju që keni besuar! Mos pyesni (pa nevojë) për gjëra që, sikur t'ju kthehej përgjigjja e drejtpërdrejtë, nuk do t'ju pëlqente...” Hadithin e kanë sjellë Muslimi, Tirmidhiu dhe Nesaiu. Ibn Xheriri sjell hadithin sërish nga Enes Ibn Malik: 1077. “Njëherë, Profetin e Allahut e pyetën aq shumë, sa e tepruan dhe e rënduan me pyetje. Atëherë, ai doli dhe hipi në minber dhe (në formë qortimi) tha: “Për çdo gjë që të më pyesni sot, kam për t’ju dhënë përgjigje!” Sahabët u prekën nga kjo fjalë dhe u frikësuan se diçka e madhe do të ndodhte. Atëherë, unë - thotë Enesi, - si djathtas edhe majtas, po shihja se të gjithë kishin mbështjellë kokat me rrobë e po qanin. Në këtë kohë, dikush të cilin e përflisnin në lidhje me atësinë e tij, tha: “O Profeti i Allahut! Kush është babai im?” Profeti i tha: “Babai yt është Hudhafe.” Kurse Umeri tha: “Jemi të kënaqur me Allahun si Zotin tonë, me Islamin si fenë tonë dhe me Muhamedin si Profetin tonë! Allahu na ruajtë! (Ose tha: “Allahut i kërkojmë mbrojtje nga sherri i fitneve!”) Atëherë - vazhdon Enesi - Profeti i Allahut tha: “Kurrë nuk kam parë që të më shfaqet e mira dhe e keqja si sot! M’u shfaq Xheneti dhe Zjarri, aq sa i pashë pranë këtij muri.” Këtë hadith e kanë përnxjerrë Buhariu dhe Muslimi. Meameri sjellin nga Zuhriu, e ky nga Enesi, një version të ngjashëm me atë më lart, ku Zuhriu thotë: “...Nëna e Abdullah Ibn Hudhafes i tha të birit: “Nuk kam parë djalë më të padrejtë (me nënën e vet) sesa ty! Po sikur jot ëmë të kishte bërë ndonjë nga ato të kohës së injorancës (para Islamit), dhe kështu ti ta turpëroje e t’i nxije faqen para njerëzve?!” Abdullahi tha: “Vallahi, sikur të më thoshte se jam i biri i një skllavi zezak, do ta pranoja e do t’i shkoja pas....” Ajeti mëton qartë e drejtpërdrejt se janë të ndaluara pyetjet, përgjigjja e të cilave sjell pakënaqësi e ligësi. Prandaj, më e mira është shmangia e këtyre pyetjeve. - e nëse do të pyesnit për to kur shpallej Kur'ani, ato do t’ju bëheshin të qarta (e do të rëndoheshit) . - Nëse do të pyesnit për to gjatë kohës së Profetit, kur ende zbriste Shpallja nga Zoti, ato do t’ju bëheshin të qarta e do të shfaqeshin. - Allahu jua ka falur kërshërinë (e tepruar). - Allahu ju ka falur çfarë keni bërë më parë. - Allahu është Falës i Madh dhe i Butë. - Në hadith është thënë: 1078 . “Muslimani me gjynahun më të madh është ai që (duke e tepruar e pavend) pyet për diçka dhe ajo bëhet haram për shkak të pyetjes së tij.” Por nëse Kur 'ani sjell një dispozitë të përgjithshme të pashtjelluar, që ka nevojë për shpjegim më të hollësishëm e pyet për të, kjo nuk është e qortueshme dhe nuk bën pjesë në ndalesën që mëton hadithi. Në një hadith të saktë, Profeti i Allahut ka thënë: 1079. “Më lini në atë që ju kam sjellë, sepse ata që ishin para jush u shkatërruan nga pyetjet e shumta dhe kundërshtimi i profetëve të tyre...”. Në një hadith tjetër të saktë, Profeti i Allahut ka thënë: 1080. “Allahu i Lartësuar ka vendosur ligje, prandaj mos i humbisni (e shpërfillni) ato! Ai ka vendosur kufij, prandaj mos i kaloni e shkelni ato! Ai ka bërë haram disa gjëra, prandaj mos guxoni t’i shkelni ato! Ai heshti për shumë gjëra, si mëshirë për ju dhe jo se i ka harruar, prandaj mos pyesni për to!” - Të tilla pyetje i kanë bërë edhe njerëz para jush, por pastaj u bënë jobesimtarë. - Të tilla pyetje bënin edhe ata që ishin para jush, por kur u erdhi përgjigjja për to, ata nuk i besuan, dhe kështu u bënë mohues. Ata nuk përfitonin duke zbatuar atë që u thuhej, sepse ata nuk pyesnin me qëllimin për të gjetur udhëzimin, por thjesht për t’u kotur e tallur. Aufiu për cjell shpjegimin e Ibn Abasit: 1081. “Njëherë, Profeti i Allahut foli ndër njerëz dhe tha: “O ju njerëz, ju është bërë detyrë haxhi!” Një burrë nga fisi Benu Esed tha: “O i Dërguari i Allahut! A është detyrë për çdo vit?” Profeti i Allahut u zemërua shumë dhe tha: “Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, se, nëse do të thoja “çdo vit”, do

të bëhej detyrë, dhe nëse do të bëhej detyrë, nuk do të mund ta përmbushnit, dhe kështu do të mohonit. Më lini në atë që ju kam sjellë! Nëse ju urdhëroj për diçka, bëjeni, dhe nëse ju ndaloj nga diçka, largojuni prej saj!” Atëherë, Allahu i Madhëruar zbriti këtë ajet, ku ndalon nga pyetje të tilla, si pyetja apo kërkesa e krishterëve për zbritjen e një tryeze ( maide) nga qielli, të cilët pas kësaj, mohuan. Allahu i Lartësuar i ndaloi besimtarët nga të tilla pyetje e kërkesa dhe tha: “O ju që keni besuar! Mos pyesni (pa nevojë) për gjëra që, sikur t'ju kthehej përgjigjja e drejtpërdrejtë, nuk do t'ju pëlqente...”. Pra, nëse pas pyetjes tuaj do t’ju zbriste gjykimi nga Kur 'ani, ju do të rëndoheshit. Prandaj prisni e duroni dhe, kur të zbresë Kur'ani, për çdo gjë që pyesni, keni për ta gjetur qartësimin e shpjegimin.” Këtë hadith e sjell Ibn Xheriri.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 5:100

Duke i nxitur njerëzit për punë të mira dhe duke i këshilluar që të largohen nga të këqijat, Allahu i Lartësuar thotë: - “Thuaj: “Nuk është e njëjtë e keqja dhe e mira, edhe nëse shtimi i së keqes të mahnit.” - Pra, nuk janë të njëjtë besimi dhe mohimi, bindja ndaj Zotit dhe mosbindja ndaj Tij, banorët e Xhenetit dhe banorët e Zjarrit, veprat e mira dhe veprat e këqija, pasuria hallall dhe pasuria haram. Gjithashtu, e keqja nuk iu vlen aspak atyre që e kanë. Përkundrazi, ajo i dëmton ata në çështjet e dynjasë dhe të fesë. - “Kijni frikë Allahun, o ju që kuptoni, që të shpëtoni! ” - Allahu i Madhëruar iu drejtohet të mençurve, me mendje të shëndoshë dhe arsyetim të saktë, sepse nga ata shpresohet që mund të përfitojnë nga porositë e Tij të mrekullueshme, që mirësia të punojë tek ata dhe nëpërmjet tyre. Ai tregon se çelësi i shpëtimit dhe suksesit është devotshmëria, pra, zbatimi i urdhrave dhe largimi nga ndalesat e Tij, në shenjë dashurie, madhërimi e nënshtrimi për Të. Shpërfillja e devotshmërisë është rrugë drejt humbjes së çdo mirësie dhe drejt zhytjes në ligësi dhe dëshpërim.

← Maide 5:100