5. Maide · Ajeti 105 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 5:97–5:105

Për të mirën e njërezve, Allahu e bëri të shenjtë Qaben me rrethinë, i përcaktoi të shenjtë katër muaj në vit, ashtu që në atë vend dhe në atë kohë ndaloi luftën, bile edhe gjuetinë e egërsirave. I bëri të shenjta edhe kafshët e shënuara me qafore, që ishte shenjë se ajo është e zgjedhur për kurban. Të gjitha këto bëhen për të qenë njerëzit të lirë në çështjet e fesë dhe në çështjet e jetës, por megjithëkëtë, idhujtarët mekas kundërshtonin udhëzimet e Zotit.

Nuk është kompetencë e Pejgamberit që njerëzit t'i verë në rrugë të drejtë, detyra e tij është ta kumtojë shpalljen e Zotit.

Të pyetet Pejgamberi ose dijetarët e fesë për çështje të fesë e të jetës, është porosi e Zotit, por pyetjet e panevojshme, pyetjet përgjigjet e të cilave do të shkaktonin brengosje e keqësim, nuk duhet bërë. Këso pyetjesh i patën bërë Salihut për deve, Musait për ta parë Zotin, Isait për tryezën dhe pasi që morën përgjigjen, nuk zbatuan urdhërin, andaj edhe u bënë qufarë.

Në kohën e xhahilijetit arabët kishin ndaluar disa kafshë shtëpiake që të mos u hahet mishi i tyre, të mos i pihet qumështi ose të mos ngarkohen me barrë, siç ishin Behire - devja që kishte lindur pesë herë e të mbramin mashkull, i shkyhej veshi dhe shpallej e lirë, nuk ngarkohej, nuk i hypej. Saibe-deve, që bëhej e lirë kur njeriu thoshte: nëse shërohem nga sëmundja, devja ime qoftë Saibe. Vesile - ishte qengji mashkull i lindur binak me një femër. Qengjin femër e konsideronin të tyre, mashkullin të zotave, e kur lindte mashkulli binak me femrën, nuk therrej për zotat. Hami - ishte mashkulli i deves, dhe pasi që bijtë e tij ishin rritur, shpina e tij ndalohej për hipje. Këto ishin adete te injorantëve, kështu që feja islame i anuloi.

Jemi të obliguar të këshillojmë për mirë e të ndalojmë nga e keqja derisa të mos dominojë: lakmia e tepërt, dhënia pas epsheve, dhe t'i japë përparësi secili arsyes së vet. Nëse arrin kjo gjendje ndër njerëz, atëherë ruaje veten tënde, pse këshilla nuk ka më efekt.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 5:105

- O ju që keni besuar! Ruajeni veten tuaj! Ai që është i humbur nuk mund t’ju dëmtojë, nëse ju jeni në rrugë të drejtë. - Allahu i Lartësuar i urdhëron robërit e Tij besimtarë që të rregullojnë dhe përmirësojnë veten e tyre dhe të bëjnë punë të mira, duke bërë maksimumin e tyre. Çdokush që përmirëson vetveten dhe çështjet e tij, atë nuk e dëmton shkatërrimi dhe prishja e njerëzve të tjerë. Aufiu sjell komentin e Ibn Abasit për këtë ajet: “Allahu i Lartësuar thotë: Nëse robi më bindet Mua në lidhje me hallallin dhe ruhet nga haramet, atë nuk kanë për ta dëmtuar aspak ata të cilët kanë devijuar dhe kanë humbur nga rruga e drejtë. - Tek Allahu do të ktheheni të gjithë dhe Ai do t’ju tregojë se çfarë keni punuar. - Allahu ka për ta shpërblyer cilindo për veprat e veta. Nëse ka bërë punë të mira, Ai do ta shpërblejë me mirësi dhe nëse ka bërë punë të këqija, do të marrë dënimin që meriton. Sigurisht, ky ajet nuk është argument se lejohet mosurdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, nëse kjo është e mundur nga ai. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Kajsi, i cili ka thënë: 1084. “Ebu Bekër Sidiku (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) u ngrit njëherë, lavdëroi Allahun,

pastaj tha: “O ju njerëz! Ju e lexoni këtë ajet: “O ju që keni besuar! Ruajeni veten tuaj! Ai që është i humbur nuk mund t’ju dëmtojë, nëse ju jeni në rrugë të drejtë.” Por ju nuk i jepni hakun që i takon. Unë e kam dëgjuar Profetin e Allahut që të thotë: “Kur njerëzit shohin një të keqe dhe nuk e ndryshojnë atë, pritet që Allahu i Krenar dhe i Lartësuar t’i përfshijë të gjithë ata me ndëshkim.” Gjithashtu, - thotë Kajsi - e kam dëgjuar Ebu Bekrin që të thotë: “O njerëz, kujdes dhe ruajuni nga gënjeshtra, sepse gënjeshtra e largon imanin.” Hadithin e sjellin katër autorët e Sunen-eve, Ibn Hibani në Sahih-un e tij dhe të tjerë. Ata e kanë sjellë me shumë rrugë nga një grup i madh transmetuesish. Ky version vjen përmes Ismail Ibn Ebu Halidit, i cili e sjell me një sened muttesil merfu' (pra, sened të pashkëputur) deri tek Profeti ﷺ . Ebu Isa Tirmidhiu sjell hadithin nga Ebu Um eje el Shabani, i cili rrëfen: 1085. “Shkova njëherë tek Ebu Thealebe el Hashemi dhe e pyeta: “Si e kupton këtë ajet?” - “Çfarë ajeti?” - “Fjalën e Allahut të Lartësuar: “O ju që keni besuar! Ruani veten tuaj! Ai që është i humbur nuk mund t’ju dëmtojë, nëse ju jeni në rrugë të drejtë.”? Ai më tha: “Vallahi, ke pyetur një njeri që ka njohuri për këtë. Unë pyeta Profetin ﷺ për të, dhe ai më tha: “Urdhëroni për punë të mira dhe ndaloni nga të këqijat, derisa të shihni që koprracia shfaqet haptas ndër njerëz, aq sa të gjithë kanë re pre e saj, kur njerëzit të ndjekin masivisht epshin dhe shfrenimin, kur të ketë stoli dhe mirësi të kësaj bote, të cilave njerëzit u japin përparësi më shumë se çdo gjëje tjetër dhe të shihni që çdokush është i vetëkënaqur me mendimin dhe opinionin e vet. Atëherë, kur të shikoni këto gjëra, merruni vetëm me veten tuaj dhe lëreni angazhimin për të tjerët. Dhe dijeni se, përpara ju presin ditë të vështira, kur njeriu (që bën durim duke zbatuar fenë e Allahut me rigorozitet) do të jetë njëlloj si ai që shtrëngon një thëngjill të ndezur në grushtin e tij. Ata që bëjnë punë të mira në atë kohë do të kenë shpërblimin e 50 burrave që bëjnë njëlloj si punët tuaja.” Abdullah Ibn Mubareku ka thënë: “Të tjerë, - veç Utbes, - kanë shtuar në këtë hadith edhe këtë detaj: “...Dikush pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Shpërblimi i 50 burrave prej nesh apo prej tyre?” Profeti ﷺ tha: “Shpërblimi i 50 burrave prej jush!” Tirmidhiu ka thënë që ky është hadith hasen garib sahih. Sejid Ibn Musejibi, duke shpjeguar ajetin: “... Ai që është i humbur nuk mund t’ju dëmtojë, nëse ju jeni në rrugë të drejtë”, ka thënë: “Nëse urdhëroni për punë të mira dhe ndaloni nga të këqijat, nuk ju dëmton aspak ai që ka devijuar dhe ka humbur, nëse ju jeni të udhëzuar në rrugë të drejtë.” Ky është kuptimi i ajetit, siç e ka sjellë Ibn Xheriri.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 5:105

- “O ju që keni besuar! Ruajeni veten tuaj! Ai që është i humbur nuk mund t’ju dëmtojë, nëse ju jeni në rrugë të drejtë...” - Pra, përpiquni që ta pastroni veten tuaj! Punoni që ta disiplinoni veten tuaj, që ajo t’i nënshtrohet rrugës së drejtë. Nëse ju rregulloni veten tuaj, atëherë ju nuk mund të dëmtoheni nga ata që kanë devijuar prej rrugës së drejtë. Ata dëmtojnë veçse veten e vet. Ky ajet nuk duhet kuptuar gabim. Dikush mund të mendojë se ai të thotë që urdhërimi për të mira dhe ndalimi nga të këqijat nuk është ndonjë gjë e domosdoshme. Por ky është një mendim i gabuar, sepse që feja e robit të jetë e plotë, duhet që ai të kryejë edhe detyrën e urdhërimit për të mirë dhe të ndalimit nga e keqja. Nëse nuk ka mundësi që të ndalojë të keqen dhe të urdhërojë për të mira me vepra dhe me fjalë, kjo nuk është e pamundur që të kryhet me zemër. Nëse e bën me zemrën e tij, atë nuk ka për ta dëmtuar humbja e të devijuarve. - “Tek Allahu do të ktheheni të gjithë dhe Ai do t’ju tregojë se çfarë keni punuar.” - Përfundimi juaj është tek Ai, para të Cilit do të grumbulloheni Ditën e Gjykimit. Ai do t’ju llogarisë dhe shpërblejë për veprat që keni bërë, të mira apo të këqija.

← Maide 5:105