← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

5. Maide · Ajeti 109 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 5:106–5:109

Njeriu ka të drejtë ta lërë testament një pjesë të pasurisë së tij, por nuk duhet dëmtuar trashëgimtarët. Për testamentin e lënë duhet të jenë dëshmitarë dy njerëz të drejtë nga të afërmit e atij që lë testament. Nëse është në ndonjë udhëtim e nuk ka të afërm, atëherë mund të caktohen dy dëshmitarë, të tjerë. Nëse trashëgimtarët dyshojnë në drejtësinë e dëshmitarëve, prej tyre kërkohet të betohen në emër të Allahut. Betimi bëhet pas namazit të iqindisë e në prezencën e njerëzve. Nëse zbulohet se dëshmitarët e testamentit nuk e kanë treguar të vërtetën, atëherë betimi i tyre asgjësohet dhe në vend të tyre betohen dy nga të afërmit e testamentuesit.

Në ditën e kijametit Zoti i pyet pejgamberët për popullin, të cilit i ishin dërguar se a iu përgjigjën thirrjes ose jo. Pejgamberët, edhe pse e dinë gjendjen, para Zotit paraqiten sikur nuk dinë, e këtë ngase momenti është i vështirë dhe se Zoti e di gjendjen më mirë se ata, andaj tregojnë paaftësi, përulësi, respekt para madhërisë së Zotit xh. sh.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 5:109

- Një ditë Allahu do t’i mbledhë profetët dhe do t’i pyesë: “Cila qe përgjigjja që morët (nga njerëzit)?” - Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na tregon për fjalët që do t’u thotë të dërguarve të Tij në Ditën e Kijametit. Ai do t’i pyesë ata se si iu përgjigjën atyre popujt, në të cilët ata u dërguan si profetë, siç thotë në një ajet tjetër: “Ne patjetër që do t’i marrim në pyetje ata tek të cilët u dërguan Profetët, e patjetër që do t’i marrim në pyetje edhe Profetët. Ne do t’ua tregojmë atyre me dituri të plotë atë që kanë bërë, sepse Ne nuk kemi munguar kurrë. Peshorja atë ditë do të jetë shumë e saktë. Ata që kanë peshore të rëndë (nga veprat e mira) - ata janë të shpëtuarit. Ata që kanë peshore të lehtë, e kanë humbur vetveten, për shkak të refuzimit të argumenteve Tona.” [Araf 6 - 9]. Profetët do të përgjigjen: - Ata do të thonë: “Ne nuk kemi dijeni; vetëm Ti i di të gjitha të fshehtat.” - Ali Ibn Ebu Talha sjell tefsirin Ibn Abasit për këtë ajet: “Profetët do t’i thonë Allahut Krenar dhe të Lartësuar: ‘Ne nuk kemi dituri tjetër, veçse atë dituri që Ti e di shumë më mirë se ne’.” Kështu e ka sjellë

Ibn Xheriri, i cili e ka përzgjedhur mes gjithë fjalëve të tjera që janë thënë rreth ajetit. Nuk ka dyshim se kjo është një përzgjedhje e mirë dhe një shpjegim i duhur, që tregon për edukatën e madhe të profetëve me Zotin Krenar dhe të Lartësuar. Kështu, kuptimi i këtyre fjalëve është: Ne, o Zoti ynë, nuk kemi dituri aspak, në krahasim me diturinë Tënde, që përfshin gjithçka! Ne, edhe nëse të përgjigjemi dhe dëshmojmë se cilët iu përgjigjën ftesës tonë nga populli ku u dërguam, në fakt, ne njoftojmë veçse për atë që ata kanë shfaqur haptazi. Por ne jemi të paditur në lidhje me brendinë dhe atë që fshihej në gjoksin e tyre. Kurse Ti, o Zot, je i ditur për gjithçka dhe shikon me imtësi çdo gjë, të hapur apo të fshehur! Kështu, dituria jonë, në krahasim me diturinë Tënde, është njëlloj sikur të mos kemi fare. Ti je i dituri për të gjitha të fshehtat!

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 5:109–5:110

- “Një Ditë Allahu do t’i mbledhë profetët dhe do t’i pyesë: “Cila qe përgjigja që morët (nga njerëzit) ?” - Allahu i Lartësuar na flet për Ditën e Gjykimit, duke na përshkruar ngjarjet e frikshme e të mëdha që do të ndodhin atë ditë. Ai na njofton se do t’i mbledhë të gjithë profetët e do t’i pyesë ata se si iu përgjigjën popujt ftesës së tyre. - “Ata do të thonë: “Ne nuk kemi dijeni; vetëm Ti i di të gjitha të fshehtat.” - Profetët do të përgjigjen: Dija e plotë të takon vetëm Ty, o Zoti ynë. Ti je më i dituri për gjithçka, Ti je i Gjithëditur për çdo gjë të dukshme apo të fshehtë . Asgjë nuk mund t’i fshihet diturisë Tënde. - “Allahu do të thotë: “O Isa, biri i Merjemes! Kujtoje mirësinë Time ndaj teje dhe ndaj nënës sate, ...” - Kujtoje mirësinë e Zotit me zemrën dhe me fjalët e tua dhe zbato gjithçka që Zoti të porosit, në shenjë mirënjohjeje ndaj Tij. Adhuroje dhe bindju Atij për mirësitë me të cilat të dalloi mbi shumë të tjerë. I Lartësuari vijon të përmendë mirësitë e Tij: - “…se si të fuqizova me Shpirtin e Shenjtë,...” - Kuptimi: Të fuqizova me Shpirtin e Shpalljes, i cili të pastroi dhe të lartësoi. Ai të forcoi dhe të bëri të aftë që të mbash përgjegjësinë e ngarkuar nga Allahu për t’i ftuar njerëzit në rrugën e Tij. Disa thonë që emërtimi “ Ruh el Kudus ” ose “Shpirti i Shenjtë” nënkupton Xhibrilin, Melekun e Shpalljes, të cilin Allahu i Lartësuar e vendosi që ta shoqëronte Isain në çdo kohë dhe ta ndihmonte në momente vështirësie. - “...se si ti u predikoje njerëzve kur ishe foshnjë (në djep) dhe i rritur,...” - Ajo nuk ishte një e folur çfarëdo, por ishte me fjalë të dobishme dhe urtësi, nga të cilat përfitojnë folësi dhe dëgjuesi, dhe këto janë fjalët që thuhen në ftesën e njerëzve në rrugën e Zotit. Allahu i Lartësuar e pajisi Isain me cilësi të mrekullueshme, ashtu sikurse vëllezërit e tij profetë dhe sidomos ata më të zgjedhurit. Ai filloi t’u fliste njerëzve që në moshë të vogël, duke i ftuar në mirësi dhe duke i ndaluar nga të këqijat. Allahu i Madhëruar e dalloi Isain nga profetët e tjerë me disa veçori. Ai u foli njerëzve që kur ishte në djep: “ Por, ajo u bëri shenjë për nga foshnja . Ata thanë: “Si mund t’i flasim atij që është foshnjë në djep?!” Ai (Isai) tha: “Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë mua Librin dhe më ka bërë profet. Më ka bërë të bekuar kudo që të jem dhe më ka urdhëruar për namaz dhe për zekat sa të jem gjallë. Më ka bërë të dashur ndaj nënës sime e nuk më ka bërë mendjemadh e as të padëgjueshëm. Paqja (e Allahut) është me mua ditën kur u linda, ditën kur të vdes dhe ditën kur të dal (prej varrit) i gjallë.” [Merjem 29 - 33]. - “...se si ta mësova ty Librin dhe Urtësinë, Teuratin dhe Ungjillin; ...” - Fjala “Librin” nënkupton të gjithë librat e mëparshëm që iu shpallën profetëve të bijve të Israilit, e në mënyrë të veçantë Teuratin. Isai ishte më i dituri rreth Teuratit, pas Musait. Kjo fjalë përfshin, gjithashtu, edhe Ungjillin. Ndërsa “Urtësia” është njohja e qëllimeve të ligjit të Zotit, dobive e mësimeve të tij, si dhe gjykimeve të fshehura në të. Urtësia është edhe mënyra më e mençur e ftesës së njerëzve te besimi në Zot dhe tek e mira. Urtësia është, gjithashtu, përkujdesja e Allahut për çdo gjë, në mënyrën më të mirë. - “...se si, me vullnetin Tim, krijoje një figurë shpendi prej balte, e pasi fryje në të, ajo bëhej zog, me urdhrin Tim; se si, me vullnetin Tim, i shëroje të verbrit e lindur të tillë dhe të sëmurët nga lebra; se si i ngjallje të vdekurit, me vullnetin Tim;” - Isai (a.s.) krijonte me baltë figurën e një zogu dhe, pasi i frynte, ai kthehej në një zog të vërtetë, me lejen e Allahut të Madhëruar. Ai shëronte të verbërit e plotë, lebrën dhe, me lejen e Zotit, ringjallte të vdekurin. Këto ishin shenja dhe mrekulli të qarta, të pamundura të arrihen nga shkenca e mjekësisë apo nga çdokush tjetër. Allahu i Madhëruar e mbështeti profetin Isa

nëpërmjet këtyre mrekullive dhe e ndihmoi që të kryente misionin e tij. - “...se si i pengova sulmet e judejve kundër teje, atëherë kur u shkove me argumente të qarta e kur mohuesit nga radhët e tyre thanë: “Kjo është veçse magji e qartë.” - Edhe kur u erdhi e vërteta e qartë, e mbështetur me ato mrekulli madhështore, që e bënin të detyrueshme besimin, ata shpifën duke thënë: “Kjo është magji e hapur.” Jo vetëm kaq, por ata tentuan edhe që ta vrisnin Isain. Por Allahu i Madhëruar e ruajti Profetin e Tij dhe e shpëtoi nga duart e tyre. Këto e shumë të tjera ishin mirësi, me të cilat Zoti e begatoi profetin e Tij, duke e porositur që të tregohej mirënjohës dhe ta kryente me përgjegjësi detyrën e thirrjes së njerëzve në rrugën e Zotit. Dhe, në të vërtetë, ai e kreu të plotë detyrën me të cilën u ngarkua nga Zoti i tij. Ai duroi në rrugën e Zotit, ashtu si edhe vëllezërit e tij profetë të zgjedhur dhe të dalluar.

← Maide 5:109