5. Maide · Ajeti 11 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 5:6–5:11
Kur doni të faleni, qyshdo qoftë, në këmbë, ulur ose shtrirë, është obligim t'i lani fytyrat, duart deri në bërryla, këmbët deri në zogj të tyre, e kokës duhet dhënë mes-h (duhet fërkuar me dorë të lagur). Këto janë katër farzet e të ashtuquajturit "abdesit". Tejemmumi është zëvendësim i abdestit e ndonjëherë edhe i tërë larjes.
Zotimi i përmendur është ai që pat marrë Pejgamberi prej besimtarëve se do ta ndihmojnë e do t'i binden në çdo moment. Ithtarët e besimit islam janë të obliguar që gjithnjë t'i përmbahen, drejtësisë, qoftë fjala për mikun ose për armikun. Populli që u përpoq ta mbyste Pejgamberin ishte ai i jehudive Beni Nadir, të cilët deshën t'ia hedhin një gur mbi krye, por Zoti i tregoi dhe Pejgamberi u largua.
Sipas "Sahihajnëve" Pejgamberi ndahet prej shokëve për të pushuar nën një hije, ku e kot gjumi. Një arab, njëfarë Gavreth bin Harith vjen fshehurazi, e merr shpatën që e kishte varur Pejgamberi dhe i drejtohet me të atij (Pejgamberit) duke i thënë: Kush më pengon tash që të të mbysë" Këtë e përsërit tri herë, ndërsa Pejgamberi i përgjigjet duke i thënë: Allahut Atëherë atij i shpëton shpata prej dore, të cilën e kap Pejgamberi, i thërret shokët dhe u tregon ngjarjen. Kur i thotë Pejgamberi: Kush do të shpëtojë tash ty? Ai i thotë: Ai që e ka tash shpatën është më i miri. Pejgamberi ia falë gabimin dhe ai e pranon fenë islame.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 5:7–5:11
Allahu i Lartësuar u kujton robërve të Tij besimtarë mirësinë e Tij të madhe që u dhuroi, kur u shpalli këtë fe madhështore dhe u dërgoi Profetin më të zgjedhur. Ai u kujton edhe premtimin e madh që u mori, për t’i dhënë besën këtij Profeti për bindje e pasim të rrugës së tij, për mbështetje e qëndrim të palëkundur përkrah tij, dhe për përhapjen e fesë së tij ndër njerëz. - Kujtoni mirësitë e Allahut ndaj jush dhe zotimin ndaj Tij, të cilin Ai e mori prej jush, kur thatë: “Dëgjuam e bindemi!”. - Kjo ishte besëlidhja që ata bënë me Profetin, në momentin kur pranonin Islamin. Sahabët rrëfejnë: “I dhamë besën Profetit të Allahut se do të jemi të dëgjuar dhe të bindur kurdoherë: në momente zelli dhe dembelizmi dhe në raste pakënaqësie. I dhamë besën që të mos i sulmojmë njerëzit për t'u marrë postin që ata e meritojnë.” - Dhe kijeni frikë Allahun! Allahu i di mirë të fshehtat e zemrave tuaja. - Ky është urdhër për të qenë i vazhdueshëm e sistematik në devotshmëri. Pastaj Ai i bën të ditur se është i gjithëditur për çdo mendim që fshihet në zemër. - O ju që keni besuar! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të Allahut... - Jini të vendosur në rrugën e të vërtetës dhe këtë bëjeni veç për hir të Allahut e jo për hir të njerëzve dhe për famë. Jini të vendosur:
- duke dëshmuar të drejtën - Pra, të vërtetën dhe drejtësinë. Në dy Sahih-ët është hadithi nga Numân Ibn Beshiri, që rrëfen: 982. “Babai më dha një dhuratë. Por nëna ime, Amratu bint Rauâha, tha: “Nuk jam e qetë për këtë, derisa ta konfirmojë Profeti”. Atëherë, ai (im atë) shkoi tek Profeti për t’i treguar për dhuratën që më bëri mua.” Profeti i tha: “A u ke dhënë njëlloj të gjithë fëmijëve të tu?” - “Jo”, - u përgjigj ai. Profeti i tha: “Kijeni frikë Allahun dhe mbani drejtësi mes fëmijëve tuaj!” Pastaj shtoi: “Unë nuk dëshmoj për (të miratuar) padrejtësinë.” Atëherë babai u kthye dhe ma mori dhuratën.” - dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj të tjerëve e t’i shmangeni drejtësisë! - Të mos ju shtyjë urrejtja për dikë, që të mos zbatoni drejtësinë! Mbani gjithmonë drejtësi si për mikun, ashtu edhe për armikun! - Jini të drejtë, sepse kjo është më afër devotshmërisë dhe kijeni frikë Allahun! - Mbajtja e drejtësisë është vepër devotshmërie. - Pa dyshim, Allahu e di me hollësi gjithçka që bëni ju. - Ai ka për t’ju shpërblyer për veprat tuaja, të cilat i di shumë mirë, si të mirat, ashtu edhe të këqijat. - Atyre që kanë besuar dhe bëjnë vepra të mira, Allahu u premton falje gjynahesh dhe shpërblim të madh. - Ky është premtimi i Allahut për punëmirët. Për gjynahet që bëjnë, Ai premton falje dhe mbulim të tyre. Allahu ofron shpërblim të madh, pra, Xhenetin, i cili është dhuratë prej mëshirës së Tij për robërit, pasi ata nuk kanë mundësi që ta fitojnë Xhenetin me veprat e tyre. Duhet të theksojmë se Allahu i ka bërë veprat e mira si shkaqe për arritjen e mëshirës, mirësive, faljes dhe kënaqësisë së Tij. Kush bën vepra të mira, e përfshin mëshira e Zotit dhe, prej saj, hyn në Xhenet. Të gjitha vijnë prej Allahut dhe i dedikohen Atij. Vetëm Allahut i takojnë lavdërimet dhe mirënjohja për të gjitha mirësitë që dhuron. - Ata që mohojnë argumentet Tona, do të jenë banorë të Zjarrit. - Kjo është pjesë e drejtësisë dhe urtësisë së Allahut, nëpërmjet së cilës Ai vendos çdo gjë në vendin e vet. Ky është gjykimi i Zotit, me të cilin Ai nuk bën asnjë padrejtësi. Allahu është Gjykuesi më i Drejtë, i Urti dhe i Plotpushtetshmi. - O ju që keni besuar! Kujtojeni mirësinë e Allahut ndaj jush, kur një popull tentoi të zgjaste duart kundër jush, por (Allahu) i sprapsi duart e tyre prej jush! – Abdurrezaku sjell hadithin nga Xhabiri: 983. “Njëherë, Profeti (gjatë një udhëtimi) qëndroi në një vend dhe njerëzit u shpërndanë nëpër pemë, për të qëndruar nën hijet e tyre. Profeti e vari shpatën e vet në një nga degët e pemës. Ndërkohë, një nomad shkoi tek shpata e Profetit dhe, pasi e zhveshi nga milli, iu drejtua Profetit dhe i tha: “Kush të shpëton ty tani nga unë?” - “Allahu Krenar dhe i Lartësuar!” - tha Profeti ﷺ . Nomadi e përsëriti dy ose tri herë: “Kush të shpëton ty tani nga unë?” Profeti ﷺ iu përgjigj njëlloj: “Allahu!”. Atëherë, nomadi e ktheu shpatën në mill.
Më pas, Profeti u tregoi shokëve për atë që ndodhi me nomadin, ndërsa ai qëndronte ulur. Megjithatë, Profeti nuk e ndëshkoi atë.” Meameri thotë: “Katadja tregonte një histori të ngjashme me këtë, duke shtuar: Disa arabë donin ta vrisnin Profetin e Allahut, prandaj dërguan këtë nomad, duke shpjeguar me këtë fjalën e Allahut: “O ju që keni besuar! Kujtojeni mirësinë e Allahut ndaj jush, kur një popull tentoi të zgjaste duart kundër jush, por (Allahu) i sprapsi duart e tyre prej jush!” Ngjarja e këtij nomadi, i cili quhej Gaureth Ibn Harithi, është sjellë në hadith të saktë. Thuhet, gjithashtu, se ky ajet është zbritur dhe flet për Keab Ibn Eshrefin dhe njerëzit e tij, të cilët donin ta vrisnin pabesisht Profetin e Allahut dhe shokët e tij, kur ishin në shtëpinë e Keab Ibn Eshrefit. Në këtë version e ka sjellë Ibn Ebu Hatimi. Në një variant tjetër thuhet se ajeti ka zbritur e flet për fisin Benu Nadir, të cilët planifikuan të vrisnin Profetin duke i hedhur një rrasë të madhe guri nga sipër, kur ai shkoi tek ata për të negociuar në lidhje me kompensimin për një vrasje që ishte kryer gabimisht. Por Allahu i Madhëruar ia zbuloi Profetit të Tij planin e vrasjes. - Frikësojuni Allahut dhe vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët! - Ai që i mbështetet Allahut, Allahu do t’i mjaftojë dhe ka për ta ndihmuar për çdo nevojë, duke e ruajtur nga sherri i njerëzve. Pas përpjekjes së fisit Beni Nadir për vrasjen e tij, Profeti urdhëroi muslimanët që t’i rrethonin dhe në fund i dëboi ata nga Medina.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 5:11
- “O ju që keni besuar! Kujtojeni mirësinë e Allahut ndaj jush, kur një popull tentoi të zgjaste duart kundër jush, por (Allahu) i sprapsi duart e tyre prej jush!” - Allahu i Madhëruar u kujton adhuruesve të Tij besimtarë mirësitë e mëdha me të cilat i ka begatuar dhe i nxit ata që t’i kujtojnë shpesh ato, me zemër dhe me gojë. Ashtu sikurse fitorja mbi armiqtë është një mirësi e dhuruar prej Zotit, ashtu edhe mbrojtja n ga qafirët dhe kthimi i kurtheve kundër tyre duhet parë si mirësi
prej Tij. Armiqtë e Zotit planifikojnë vazhdimisht sulme dhe kurthe kundër besimtarëve dhe përpiqen shumë që t’ia arrijnë qëllimit, prandaj nëse ata nuk ia arrijnë dot qëllimit, kjo është një mirësi nga Allahu i Madhërueshëm, mirësi që na kërkon të jemi mirënjohës. Ai e meriton që të adhurohet, të falënderohet dhe ta lavdërosh vazhdimisht për këto mirësi. Këtu bëhet fjalë për çdo rrezik që u kanoset besimtarëve, nga qafirët, munafikët apo agresorët e çdo lloji. Pra, sa herë ke shpëtuar nga një e keqe, kjo është një mirësi prej Allahu, për të cilën Ai duhet falënderuar e kujtuar. Më pas, Allahu i Lartësuar i urdhëron besimtarët për diçka, nëpërmjet së cilës do të mbrohen kundër jobesimtarëve dhe çdo lloj armiku tjetër. Ai i mëson ata si të arrijnë fitoren dhe suksesin në çdo punë dhe çështje: - “Frikësojuni Allahut dhe vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët! ” - Këto janë dy këshilla: 1. Devotshmëri ndaj Allahut, duke plotësuar urdhëresat dhe duke iu larguar harameve, në shenjë madhërimi dhe dashurie për Të. 2. Mbështetje e plotë tek Allahu i Madhëruar. Vetëm tek Allahu i Lartësuar duhet të mbështeten dhe kërkojnë ndihmë besimtarët, për arritjen e çdo të mire të fesë, të besimit apo të dynjasë. Ata duhet të mbështeten totalisht tek Ai, duke u distancuar nga fuqitë e tyre. Njëkohësisht, ata duhet të kenë besim të plotë dhe të patundur tek Allahu i Lartësuar për arritjen e gjithçkaje që e duan dhe e synojnë. Mbështetja e robit te Zoti është në varësi të imanit të tij. Ajo është një nga punët e domosdoshme të zemrës, është detyrë e besimtarit dhe tregues i besimit të tij.