5. Maide · Ajeti 15 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 5:12–5:19

Allahu mori, nëpërmjet Musait, besë të fortë prej beni israilve që ta zbatojnë me sinqeritet atë që e kishin në Tevratë dhe ta respektojnë e ndihmojnë Musain.

Dymbëdhjetë prijësit e përmendur ishin përgjegjës të popullit të vet. Pasi që u shkatërrua Faraoni në Egjipt, Zoti i urdhëron beni israilët të shkojnë në Erijha, ku sundonin Ken'anijët. Aty do të jetë vendi i tyre, andaj duhej të luftojnë kundër atyre shtypësve dhe ndihma e Zotit do të jetë me ta. Musai i dërgon ata dymbëdhjetë prijës për të vëzhguar fuqinë e armikut dhe i porosit që lajmin t'ia kumtojnë vetëm atij, e jo popullit. Ata vërejnë fuqi të madhe të kundërshtarit dhe dhjetë prej tyre nuk e mbajnë besën e dhënë, por i tregojnë popullit, kështu që morali për luftë dobësohet. Edhe ky rast është një nga ligështitë e beni israilve.

Edhe të krishterët, që nuk ishin "Nesara'" (ndihmës të rrugës së Zotit), por të tillë e mbanin veten, nuk e ruajtën zotimin, andaj, si masë ndëshkuese, Zoti mbërtheu në mes tyre urrejtje e armiqësi, e cila do të vazhdojë deri në kijamet.

Muhammedi a.s. erdhi Pejgamber dhe ju sqaroi shumë çështje të librit të tyre që i kishin fshehur, e disa nuk i zbuloi fare. Qëllimi ishte t'i sjellë në rrugë të drejtë e të ndritshme, mirëpo ata nuk iu shmangën gabimit të tyre dhe, si jehuditë, ashtu edhe të krishterët, duke u mbështetur në atë se ishin pasues të Isait dhe të Uzejrit, për të cilët thoshin se ishin në vend të djemve të Zotit, edhe për vete thoshin se ishin të mbështetur te të bijtë e Zotit dhe si të tillë ishin më afër Tij. Prej Isait e deri te Muhammedi pati një ndërprerje të pejgamberëve. Ajo periudhë quhet "Zemanul fitreti". Zoti xh.sh. e dërgoi Muhammedin që të sqarojë të gjitha çështjet e fesë së drejtë, ashtu që të mos u mbetet vend thënieve: "gabuam pse nuk patëm pejgamberë".

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 5:15–5:16

Allahu i Lartësuar na tregon për Veten e Tij të Dëlirë dhe të Lavdëruar dhe për faktin se Ai e dërgoi të dërguarin e Tij besnik, Muhamedin, me udhëzim të qartë dhe fe të vërtetë, për të qenë udhërrëfyes për të gjithë njerëzimin, për arabët e jo arabët, për të diturit dhe të paditurit, për ata që patën njohur libra qiellorë e për ata që nuk patën njohur të tillë. I Lartësuari thotë: - O ithtarë të Librit! Juve ju ka ardhur i Dërguari Ynë (Muhamedi), që ju sqaron shumë nga ajo që ju i keni fshehur prej Librit e që për shumë të tjera, ai fal. - Ai ju qartëson atë që ata kanë tjetërsuar dhe keqinterpretuar, duke shpifur e trilluar në librat e Zotit. Megjithatë, për shumë nga këto ndryshime e shtrembërime, ai ka heshtur, për shkak se nuk ka ndonjë dobi të madhe që të qartësohet. Hakimi sjell në Mustedrak-un e tij thënien nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta, atë e bir!): “Ai që mohon vrasjen me gurë të imoralit, ka mohuar Kur 'anin, pa e kuptuar fare, sepse Allahu i Lartësuar ka thënë: ‘O ithtarë të Librit! Juve ju ka ardhur i Dërguari Ynë (Muhamedi), që ju sqaron shumë nga ajo që ju i keni fshehur prej Librit...”, dhe dispozita për dënimin me gurë ishte një ndër ato që ata kishin fshehur.” Më pas Hakimi thotë: “Ky është një hadith me isnad të saktë, që Buhariu dhe Muslimi nuk e kanë sjellë në Sahih-ët e tyre”. Më pas, i Madhëruari na tregon për Kur'anin, që Ai ia shpalli Profetit të tij të zgjedhur, Muhamedit: - Juve ju erdhi nga Allahu dritë dhe libër i qartë. Allahu udhëzon nëpërmjet tij në rrugët e shpëtimit ata që kërkojnë kënaqësinë e Tij... - I udhëzon ata në rrugën e paqtë të arritjes e përmbushjes së çdo të mire në të dyja botët. - dhe i nxjerr ata prej errësirave në dritë, me lejen e Tij. Ai i udhëzon ata në një Rrugë të Drejtë. - I shpëton ata nga çdo

rrugë shkatërrimi e humbjeje, duke u treguar rrugën më të qartë e të sigurt.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 5:15–5:16

- “O ithtarë të Librit! Juve ju ka ardhur i Dërguari Ynë (Muhammedi) , që ju sqaron shumë nga ajo që ju i keni fshehur prej Librit ...” - Pasi tregoi për premtimet dhe besën e pambajtur nga çifutët dhe të krishterët në përgjithësi, veç një pakice të tyre, Allahu i Lartësuar i urdhëron ata për të besuar Muhamedin. Allahu i Lartësuar u tregon një shenjë shumë të qartë, që tregon për vërtetësinë e profetësisë së Muhamedit: ai bën të qarta shumë nga ato çështje që ata ua mbanin fshehur njerëzve, madje edhe njerëzve të thjeshtë të fesë së tyre. Në atë kohë, i vetmi burim për të njohur librat e shenjtë dhe porositë e profetëve ishin dijetarët çifutë e të krishterë, aq sa ata lejonin. Edhe vetë të përkushtuarit në dije nga njerëzit e thjeshtë mund të arrinin veçse aq sa u jepte kleri i tyre. Atëherë, në një situatë të tillë, u shfaq profeti i Zotit, Muhamedi, dhe Kur’âni madhështor. Ai nuk dinte të shkruajë e të lexojë dhe nuk dinte ç’ishte libri dhe as imani, e, megjithatë, në Kur’ân përmenden shumë çështje që ata, me aq kujdes, i fshihnin nga njerëzit. Atëherë, si e mori këtë njohuri të fshehtë? Pa dyshim kjo qe një provë shumë e fortë, që vërtetonte se Muhamedi ishte profeti i Zotit. Ndër faktet e fshehura prej dijetarëve çifutë e të krishterë ishin edhe shenjat dalluese të Profetit të Fundit në librat e tyre dhe njoftimi i profetëve për ardhjen e tij, ligji i gurëzimit në Teurat etj. - “...e që për shumë të tjera, ai fal.” - Disa çështje të tjera ai nuk i sqaroi, sepse kështu e kërkonte urtësia. - “Juve ju erdhi nga Allahu dritë dhe libër i qartë. ” - Kuptimi: Juve ju erdhi Kur’âni prej Allahut, nëpërmjet të cilit ju ndriçoheni, për të gjetur rrugën në errësirat e paditurisë dhe humbjes. Ai është, sikurse ka thënë Allahu i Lartësuar: “ Kitabun mubin” - “libër i qartë”. Ai është qartësuesi i të gjitha çështjeve për të cilat keni nevojë, që kanë lidhje me fenë dhe dynjanë tuaj. Ai ju sqaron gjithçka në lidhje me njohuritë për Allahun, emrat, cilësitë dhe veprat e Tij; sqaron ligjet e vendosura prej Allahut, ashtu si edhe shpërblimin apo ndëshkimin e Tij. Pastaj Allahu i Lartësuar na tregon se cilët janë ata që përfitojnë udhëzimin prej këtij libri dhe çfarë kushti duhet të përmbushet për t’u arritur ky udhëzim: - Allahu udhëzon nëpërmjet tij në rrugët e shpëtimit ata që kërkojnë kënaqësinë e Tij - Nëpërmjet Kur’ânit, Allahu i Lartësuar udhëzon ata që përpiqen sinqerisht për të kënaqur Atë. Qëllimi i tyre është i mirë, prandaj Allahu i Lartësuar i udhëzon drejt së mirës dhe në rrugën e paqes. Kjo rrugë i siguron udhëtarët e saj nga ndëshkimi dhe i çon në vendin e lumturisë. Kjo është rruga e drejtë, e ndërtuar mbi dijen e saktë dhe punën e sinqertë në bazë të kësaj diturie, për të kënaqur Zotin. Sa më e gjerë dhe e hollësishme të jetë dituria dhe puna me të, aq më e lartë do të jetë grada e robit. - “…dhe i nxjerr ata prej errësirave në dritë, me Lejen e Tij. Ai i udhëzon ata në një Rrugë të Drejtë.” - Nëpërmjet Kur’ânit

dhe mësimeve të Profetit të Tij, Allahu i nxjerr njerëzit nga errësira e kufrit, bidatit, poshtërsive, injorancës dhe pakujdesisë, në dritën e imanit të pastër, traditës profetike, bindjes ndaj Tij dhe Profetit, diturisë së gjerë dhe për mendjes së Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “... me ndihmën e Tij ...”. Pra, i gjithë ky udhëzim është dhuratë e Allahut. Ajo që Allahu ka dashur të jetë është, dhe ajo që Allahu nuk lejoi të jetë , nuk është.

← Maide 5:15