5. Maide · Ajeti 19 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 5:12–5:19

Allahu mori, nëpërmjet Musait, besë të fortë prej beni israilve që ta zbatojnë me sinqeritet atë që e kishin në Tevratë dhe ta respektojnë e ndihmojnë Musain.

Dymbëdhjetë prijësit e përmendur ishin përgjegjës të popullit të vet. Pasi që u shkatërrua Faraoni në Egjipt, Zoti i urdhëron beni israilët të shkojnë në Erijha, ku sundonin Ken'anijët. Aty do të jetë vendi i tyre, andaj duhej të luftojnë kundër atyre shtypësve dhe ndihma e Zotit do të jetë me ta. Musai i dërgon ata dymbëdhjetë prijës për të vëzhguar fuqinë e armikut dhe i porosit që lajmin t'ia kumtojnë vetëm atij, e jo popullit. Ata vërejnë fuqi të madhe të kundërshtarit dhe dhjetë prej tyre nuk e mbajnë besën e dhënë, por i tregojnë popullit, kështu që morali për luftë dobësohet. Edhe ky rast është një nga ligështitë e beni israilve.

Edhe të krishterët, që nuk ishin "Nesara'" (ndihmës të rrugës së Zotit), por të tillë e mbanin veten, nuk e ruajtën zotimin, andaj, si masë ndëshkuese, Zoti mbërtheu në mes tyre urrejtje e armiqësi, e cila do të vazhdojë deri në kijamet.

Muhammedi a.s. erdhi Pejgamber dhe ju sqaroi shumë çështje të librit të tyre që i kishin fshehur, e disa nuk i zbuloi fare. Qëllimi ishte t'i sjellë në rrugë të drejtë e të ndritshme, mirëpo ata nuk iu shmangën gabimit të tyre dhe, si jehuditë, ashtu edhe të krishterët, duke u mbështetur në atë se ishin pasues të Isait dhe të Uzejrit, për të cilët thoshin se ishin në vend të djemve të Zotit, edhe për vete thoshin se ishin të mbështetur te të bijtë e Zotit dhe si të tillë ishin më afër Tij. Prej Isait e deri te Muhammedi pati një ndërprerje të pejgamberëve. Ajo periudhë quhet "Zemanul fitreti". Zoti xh.sh. e dërgoi Muhammedin që të sqarojë të gjitha çështjet e fesë së drejtë, ashtu që të mos u mbetet vend thënieve: "gabuam pse nuk patëm pejgamberë".

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 5:19

O ithtarë të Librit! Ja ku ju erdhi i Dërguari Ynë, që ju qartëson (të vërtetën), pas ndërprerjes së të dërguarve, që të mos thoni: “Neve nuk na erdhi i dërguar që të na përgëzonte e të na tërhiqte vërejtjen”. - Allahu i Madhëruar u drejtohet ithtarëve të Lbrit, të krishterëve e judejve, duke u kujtuar se Ai dërgoi ndër ta profetin e tij Muhamedin, vulën e të gjithë të dërguarve, shumë kohë pas Isait, periudhë e ndërmjetme, e cila nuk pati të dërguar. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar thotë: “... pas ndërprerjes së të dërguarve”. Ka mendime të ndryshme se sa e gjatë ka qenë kjo kohë ndërprerje. Buhariu citon Selman el Farisiun se ajo ka qenë 600 vjet. Në Sahih-un e Buhariut vjen hadithi i saktë nga Ebu Hurejra se Profeti i Allahut ka thënë: 985. “Unë jam më i afërti me Isain, birin e Merjemes, sepse mes meje dhe tij nuk pati asnjë profet.” Kjo është dëshmi e qartë kundër atyre që thonë se, pas Isait, u dërgua një lajmëtar, që quhej Halid Ibn Sinan. Përkundrazi, Allahu i Madhëruar e dërgoi Muhamedin pas ndërprerjeje të profetëve, duke plotësuar kështu mirësinë e Tij ndër njerëz. Ai dërgoi pikërisht në kohën kur nevoja për të ishte e madhe e gjithëpërfshirëse. Shkatërrimi e injoranca ishin përhapur në gjithë botën, përveç një pakice njerëzish, që ende u përmbaheshin disa rregullave të fesë së profetëve të shkuar, siç qenë ithtarët e Librit. Në një nga hadithet që imam Ahmedi sjell prej Ijadit, e ky prej Hamad el Mexhashit, - Allahu qoftë i kënaqur me të! – është përmendur se në një nga hytbet e tij, ndër të tjera, Profeti ﷺ tha: 986. “...Allahu i vështroi banorët e Tokës dhe i urreu ata, si arabët dhe jo arabët, përveç një pakice prej bijve të Izraelit. Kurse sipas një versioni tjetër thuhet: “...prej ithtarëve të Librit.” Tashmë feja e vërtetë kishte humbur për gjithë banorët e Tokës, derisa Allahu dërgoi Muhamedin dhe udhëzoi nëpërmjet tij krijesat, duke i nxjerrë ata prej errësirave në dritë. Muhamedi ﷺ u largua nga kjo botë veçse pasi u qartësoi njerëzve tërë të vërtetën e Zotit, duke i lënë ata në një tokë të bardhë dhe me një Sheriat të përkryer prej Zotit. I Madhëruari thotë: “... që të mos thoni: “Neve nuk na erdhi i dërguar, që të na përgëzonte e të na tërhiqte vërejtjen!”. Kështu, të gjithë ju që e ndryshuat të vërtetën, të mos thoni e të arsyetoheni para Zotit se nuk ju erdhi i dërguar, që t’ju përgëzonte e t’ju tërhiqte vërejtjen për të pasuar fenë e vërtetë dhe udhëzimin e qartë. Ja, ku erdhi Muhamedi, Profeti i fundit i dërguar nga Zoti. - Ja, pra, ku ju erdhi Përgëzuesi dhe Paralajmëruesi. Allahu ka pushtet për gjithçka. - Ibn Xheriri shpjegon: Unë jam i Plotpushtetshëm, që të ndëshkoj këdo që nuk më bindet dhe të shpërblej këdo që më bindet në zbatimin e fesë që Unë urdhëroj.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 5:19

- “O ithtarë të Librit! Ja ku ju erdhi i Dërguari Ynë, që ju qartëson (të vërtetën), pas ndërprerjes së të dërguarve, që të mos thoni: “Neve nuk na erdhi i dërguar që të na përgëzonte e të na tërhiqte vërejtjen”. ” - Allahu i Madhëruar i fton ithtarët e Librit, të cilëve u

dhuroi mirësinë të kenë libër qiellor, që të besojnë Muhamedin ﷺ , të dërguarin e Tij të zgjedhur, dhe t’i shprehin mirënjohje të thellë Atij, që e dërgoi këtë profet të vyer, pas një ndërprerje të gjatë të vargut profetik, në një moment kur nevoja për të ishte urgjente. Dërgimi i një profeti të tillë, që të zbulojë të vërtetën e fshehur dhe të harruar ndër shekuj, pikërisht në kohën kur nevoja për të ishte e domosdoshme, duhet të jetë arsye e mjaftueshme për të treguar mirënjohje dhe falënderim për Zotin. Aq më tepër që ky profet mësoi gjithçka që njerëzit duhet të dinë për fenë dhe për ligjet që Zoti ka caktuar për ta. Ky do të jetë profeti i fundit për njerëzimin, prandaj dhe Zoti e pajisi me mrekullinë e përjetshme, Kur’ânin, që njerëzit të mos kenë më justifikim për mosbesimin e tyre, sikurse thotë i Lartësuari: - “Ja, pra, ku ju erdhi Përgëzuesi dhe Paralajmëruesi.” - Ai ju përgëzon për një shpërblim të madh në jetën e kësaj dynjaje dhe në ahiret. Ai ju mëson e shpjegon veprat që bëjnë të mundur arritjen e këtij shpërblimi, si dhe cilësitë e atyre që e meritojnë atë. Ai ju paralajmëron edhe për ndëshkimin në jetën e kësaj dynjaje dhe në ahiret, ashtu siç ju sqaron dhe ju ndalon nga veprat që e sjellin atë ndëshkim, si dhe cilësitë e njerëzve që e meritojnë atë. - “Allahu ka pushtet për gjithçka. ” - Çdo gjë i është nënshtruar pushtetit dhe sundimit të Tij. Nuk ka asgjë të vështirë për Të. Tregues të pushtetit dhe të sundimit të Tij absolut janë edhe dërgimi i profetëve, shpallja e librave, caktimi i ligjeve dhe marrja në përgjegjësi për zbatimin ose jo të tyre. Ai është i Plotpushtetshmi, që do t’i shpërblejë të gjithë, me drejtësinë dhe bamirësinë e Tij, secilin sipas meritave. Ata që iu bindën Allahut dhe profetëve dhe zbatuan porositë e Tij, Ai do t’i shpërblejë me bujarinë dhe mëshirën e Tij. Ndërsa ata që shpërfillën profetët dhe shpalljet e Tij, Ai do t’i ndëshkojë me drejtësinë dhe urtësinë e Tij.

← Maide 5:19