5. Maide · Ajeti 40 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 5:32–5:40

Muhammedi urdhërohet t'iu tregojë beni israilve për ngjarjen e mbytjes së bijve të Ademit, ngase beni israilët ishin njerëzit më gjakderdhës, prandaj edhe u rrëfehet se sa mëkat i madh është mbytja e njeriut pa faj dhe sa vlerë të madhe ka shpëtimi i jetës së një njeriu.

Ata që e luftuan Pejgamberin, i luftuan ose i luftojnë myslimanët, i luftojnë praktikisht dispozitat e Allahut, ata konsiderohen se janë kundër mësimeve të Allahut, pse Allahu nuk mund të luftohet nga askush. Masat e përmendura si mbytja, gozhdimi, prerja e dorës a e këmbës dhe dëbimi, janë masë e pasojave të veprës së kryer prej kriminelit dhe sipas veprës caktohet edhe masa e dënimit. Këto masa ndëshkuese nuk i nevojiten asgjë Zotit, por qëllimi është sigurimi i jetës, i qetësisë, i pasurisë dhe i nderit të njeriut.

Zoti është mëshirues i pakufishëm, andaj ka lënë dyert e hapura për pendim e përmirësim sa jemi në këtë jetë, pse në ditën e kijametit është vonë dhe nuk pranohet më kurrfarë pendimi, as shpagim e as arsyetim.

Dënimi për vjedhje është prerja e dorës. Shumë njerëz menduan se kjo masë është shumë e ashpër për kohën tonë të qytetëruar. Një mendim i tillë i gabuar dhe një filozofi e tillë e verbër ka bërë që kriminaliteti në ekonomi të jetë gjithnjë më i madh, e në anën tjetër, dënimi me burg ka bërë që të mbushen burgjet me vjedhës, plaçkitës, rrëmbyes, dhunues etj. Një prerje e dorës, shëron një qytet.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 5:38–5:40

Allahu i Lartësuar jep një vendim të qartë për të prerë dorën e vjedhësit dhe vjedhëses. Disa dijetarë të fikhut nga shkolla e dhahirive, janë të mendimit se ky gjykim është i përgjithshëm, që nuk bën dallim mes vjedhjes së një mase të vogël apo të madhe. Ata nuk marrin parasysh asnjë kriter në lidhje me masën e sendit të vjedhur dhe as me faktin a është vjedhur sheshit apo ka qenë i fshehur. Ndërsa dijetarë të tjerë vendosin kritere për rastet kur ekzekutohet dënimi i prerjes së dorës e kur jo. Allahu i Lartësuar thotë: - Vjedhësit dhe vjedhëses ua prisni duart... - Kështu, sipas dhahirive, ajeti është i përgjithshëm dhe nuk merret parasysh asnjë kufizim i tij me kushte e kritere të tjera. Gjithashtu, ata argumentohen edhe me hadithin në dy Sahih-ët, që vjen nga Ebu Hurejra, se Profeti i Allahut ka thënë: 1003. “Allahu e mallkoftë vjedhësin! Ai vjedh një vezë dhe i pritet dora; vjedh një litar e i pritet dora!” Megjithatë, shumica e dijetarëve marrin parasysh disa kritere në lidhje me vjedhjen, përpara dhënies së gjykimit për prerjen e dorës. Kështu, sipas tyre, ky gjykim jepet veçse në rastin kur vjedhja arrin një masë të përcaktuar, edhe pse ata kanë dhënë opinione të ndryshme në lidhje me masën që e bën të meritueshme prerjen e dorës. Imam Maliku, për shembull, e ka përcaktuar këtë masë në tre dirhemë, duke u mbështetur në hadithin që gjendet në dy Sahih-ët, i përcjellë nga Ibn Omeri, se: 1004. “'Profeti i Allahu e ekzekutoi dënimin me prerje dore për vjedhjen e një mburoje, që kushtonte tre dirhemë.” Ndërsa imam Shafiu e ka përcaktuar këtë masë në një çerek dinari, ose mall me vlerën e tij, duke u mbështetur në hadithin te Buhariu dhe Muslimi, se Aishja tregon që Profeti i Allahut ka thënë: 1005. “Dora e vjedhësi pritet nëse ai vjedh (diçka me vlerë) një çerek dinari e sipër.” Muslimi transmeton se Aishja tregon që Profeti i Allahut ka thënë: 1006. “Dora e vjedhësi nuk pritet përveç nëse ai vjedh (diçka me vlerë) një çerek dinari e sipër.” Në lidhje me hadithin ku përmendet vjedhja e mburojës me vlerë tre dirhemë, këta thonë se ai nuk bie ndesh me hadithin në fjalë, sepse në atë kohë një dinar konvertohej me 12 dirhemë, që do të thotë se vlera e përmendur këtu, një çerek dinari, është pikërisht sa tre dirhemë, e përmendur në hadithin e mburojës. Ky është mendimi i Umerit, Uthmanit dhe Aliut. Po me këtë mendim ka qenë edhe Umer Ibn Abdilazizi, Lejth Ibn Sadi, Euzâi, Shafiiu, Is'ĥâk Ibn Rahauejhi sipas një versioni të përcjellë prej tij, Ebu Teuriti dhe Daud Ibn Alij el Dhahiri. Edhe imam Ahmed Ibn Hambeli ka qenë i mendimit se qoftë një çerek dinari, qoftë tre dirhemë, Sheriati e konsideron si një vlerë, që kush e vjedh, meriton prerjen e dorës. Kështu, çdokush që vjedh diçka të këtyre vlerave meriton dënimin e prerjes së dorës. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Aishja se Profeti i Allahut ka thënë: 1007 . “Priteni dorën e vjedhësit për një çerek dinari e dhe mos e prisni për një vlerë më të pakët se ajo !” dhe një çerek dinari në atë kohë kishte vlerën e tre dirhemëve, pra, një dinar kushtonte 12 dirhemë. Ndërsa në versionin e sjellë nga Nesaiut thuhet: 1008. “Nuk pritet dora e vjedhësit poshtë vlerës së mburojës.” E pyetën Aishen: Sa ishte çmimi i mburojës?” - “Një çerek dinari.” - tha ajo. Ndërsa imam Ebu Hanife dhe shokët e tij, Ebu Jusufi, Muhamedi, Zuferi dhe Sufjan el Theuri, (Allahu i mëshiroftë!) kanë qenë të mendimit se masa që e bën të meritueshme prerjen e dorës është dhjetë dirhemë të pastër. Ata argumentohen duke thënë se çmimi i mburojës, për vjedhjen e së cilës Profeti ﷺ zbatoi dënimin me prerjen dore, ishte dhjetë dirhemë, sipas Ibn Abasit, i cili ka thënë: “Çmimi i mburojës, për vjedhjen e së cilës Profeti zbatoi dënimin me prerjen e dorës ishte dhjetë dirhemë.” Hadithin e sjell Ibn Merde uejhi. Gjithashtu, është

transmetuar nga Omer Ibn Shuajbi, që rrëfen nga i ati, ky nga, gjyshi se Profeti i Allahut ka thënë: 1009. “Nuk pritet dora e vjedhësit poshtë vlerës së mburojës.” Dhe vlera e mburojës ishte dhjetë dirhemë. Prandaj, - sipas hanefive - mendimi më i pranueshëm është që të merret për bazë vlera më e madhe, sepse dihet mirë parimi për dënimet e veprave penale, që thotë: “Ndëshkimet rrëzohen qoftë edhe me dyshimet më të vogla!” Kështu, tre dirhemë është në dyshim, prandaj merret për bazë vlera më e madhe, për të cilën janë të gjithë dakord, që vjedhësi i saj dënohet me prerje dore. Sikurse e përmendëm më lart, dijetarët e shkollës Dhahirije janë të mendimit se gjykimi për vjedhjen është kategorik, që nuk bën dallim mes vjedhjes së një mase të vogël apo të madhe. Ata nuk marrin parasysh asnjë kriter në lidhje me masën e sendit të vjedhur. Ata argumentohen edhe me hadithin që gjendet në dy Sahih-ët, se Ebu Hurejra përcjell që Profeti i Allahut ka thënë: 1010. “Allahu e mallkoftë vjedhësin! Ai vjedh një vezë dhe i pritet dora; vjedh një litar e i pritet dora!” Në lidhje me këtë hadith dhe argumentimit me të, dijetarët e tjerë kanë dhënë përgjigje të ndryshme. Disa kanë thënë se ky hadith është abroguar me hadithin e Aishes, që e përcakton masën e vjedhjes me tre dirhemë. Por ky arsyetim nuk mund të merret për bazë nëse nuk vërtetohet koha e thënies së secilit hadithit dhe që hadithi i Aishes të jetë i mëvonshëm. Të tjerë kanë thënë se me vezën e përmendur në hadith ka mundësi të jetë pasur për qëllim veza prej hekuri, që kushton, dhe me litarin e vjedhur të jetë pasur për qëllim ndonjë litar anijeje, që gjithashtu është i kushtueshëm. Mundësi tjetër është që të jetë pasur për qëllim thjesht ajo që ndodhte në kohën e injorancës paraislamike, kur njerëzit ua prisnin dorën vjedhësit si për pak gjë, edhe për shumë, dhe kështu kemi të bëjmë me një mallkim për vjedhësin, i cili e çon dëm dorën e tij, e cila është shumë e shtrenjtë, edhe për sende të tilla pa asnjë vlerë. 254 Thuhet se, kur Ebu Ala el Miriu erdhi në Bagdad, u përhap lajmi se ai filloi të kundërshtonte dijetarët e fikhut në lidhje me vlerën e sendit të vjedhur për të cilën vjedhësi meriton dënimin e prerjes së dorës dhe përcaktimin e saj me një çerek dinari. Duke aluduar se kjo është një vlerë e vogël në krahasim me vlerën e dorës si gjymtyrë, ai thoshte: Dorë aq e vyer, që as me xhevahire s’e peshon dot, Të pritet për një çerek dinari, vallë, kush e thotë?! Ky është një paradoks, që s’duhet ta zëmë me gojë, E ta lusim Allahun, që nga zjarri të na shpëtojë! 255 Sigurisht, ky ishte një kundërshtim pa vend, aq më tepër që për këtë përcaktim ka tekste nga Profeti i Allahut. Për këtë arsye, kadiu Abdul Uehab Maliki, kur dëgjoi këto fjalë, ia kthehu: Kur dora është e papërlyer, Të gjithë e çmojnë si shumë të vyer, Po kur ajo përfshihet në krim, Atëherë meriton të bukurin ndëshkim! I Madhëruari thotë më pas: - si ndëshkim për veprën e kryer dhe si dënim nga Allahu. Allahu është Ngadhënjimtar e i Urtë. - Ky është një shpagim i drejtë për veprën e ulët dhe të padrejtë të vjedhjes së pasurisë së njerëzve, si dënim nga Allahu dhe si mësim për këdo që merr guximin të bëjë një krim të tillë. Allahu është Krenar e Ngadhënjimtar, në lidhje me ndëshkimet që jep. Ai është edhe i Urtë, në lidhje me urdhëresat dhe ndalesat e Tij, me Sheriatin që ka urdhëruar të zbatohet ndër njerëz dhe në ligjin e krijimit dhe funksionimit të kësaj bote, që ka krijuar. - E kush pendohet pas padrejtësisë së tij dhe përmirësohet, nuk ka dyshim se Allahu ia pranon pendimin. Me të vërtetë, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. - Ai që pendohet për vjedhjen, Allahu e pranon pendimin e Tij; kjo ndodh në marrëdhënien e robit me Zotin, por pasuria e vjedhur - ose vlera e saj

- është detyrë që t’i kthehet të zotit, sipas shumicës së dijetarëve. Imam Ahmedi sjell rrëfimin nga Abdullah Ibn Amri: 1011. “Njëherë, në kohën e Profetit, një grua vodhi diçka. Profeti ﷺ shkoi tek njerëzit që ajo i kishte vjedhur. Ata i thanë: “O i Dërguari i Allahut, ajo na ka vjedhur!” Njerëzit e gruas thanë: “Ne mund t’jua paguajmë çdo gjë si kompesim për këtë vjedhje, vetëm të mos i pritet dora!” Por Profeti tha: “Pritjani dorën!” Ata thanë: “Po ne mund të japim si kompensim 500 dinarë (floriri)...” Profeti urdhëroi sërish: “Pritjani dorën!”. Dhe kështu ia prenë dorën e saj të djathë. Pastaj kjo grua i tha Profetit: “A ka vend për pendim për mua, o i Dërguari i Allahut?” - “Po. Ti sot je e pastër nga gabimi yt, si ditën që të lindi nëna jote!” Atëherë, Allahu zbriti ajetin: “E kush pendohet pas padrejtësisë së tij dhe përmirësohet, nuk ka dyshim se Allahu ia pranon pendimin. Me të vërtetë, Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” Kjo është ajo gruaja mahzumije, ndodhia e së cilës është sjellë me saktësi edhe në dy Sahih-ët. - A nuk e di ti se vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve dhe i Tokës? - Allahu është Mbreti, Sunduesi, Gjykuesi më i drejtë, gjykimin e të Cilit askush nuk ka të drejtë ta kontestojë. Ai vepron gjithçka që dëshiron. - Ai ndëshkon atë që do dhe e fal atë që do. Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 5:38–5:40

- “Vjedhësit dhe vjedhëses ua prisni duart,” - ‘Vjedhës’, që meriton këtë ndëshkim të përcaktuar në Sheriat, quhet ai që merr pasurinë e vlefshme të tjetrit fshehtazi dhe pa pëlqimin e pronarit të saj. Vjedhja është një gjynah i madh, që ka ndëshkim të ashpër dhe poshtërues, prerjen e dorës së djathtë, ashtu siç vjen në variantin e leximit të këtij ajeti nga disa sahabë. Me fjalën “dorë”, kur nuk përcaktohet, kuptohet gjymtyra e dorës deri te kyçi. Kështu, nëse dikush vjedh, atij i pritet dora deri te kyçi, si ndëshkim, dhe i zhytet në vaj të nxehtë, që të mbyllen damarët dhe të mos humbasë gjak. Ky ajet përfshin në kuptimin e tij çdo rast vjedhjeje, por Suneti i Profetit e kufizon atë në disa aspekte, si dhe përcakton disa kushte shtesë, për ta bërë të meritueshëm prerjen e dorës së vjedhësit: 1. Ruajtja. Pra, pasuria e vjedhur duhet të ketë qenë e ruajtur dhe e fshehur mjaftueshëm nga pronari i saj. Nëse është vjedhur diçka që nuk ka qenë e fshehur, por e thjeshtë për t’u gjetur, në një rast të tillë nuk ekzekutohet dënimi i prerjes së dorës. 2. Masa e pasurisë së vjedhur. Pra, jo për çdo masë pasurie të vjedhur meritohet prerja. Masa e përcaktuar nga Sheriati është një çerek dinari (floriri), ose 3 dirhemë (argjendi), ose masa e përafërt me to. Nëse dikush vjedh një masë pasurie më të vogël se kaq, atëherë nuk meriton prerjen e dorës. Në fakt, edhe fjala ‘vjedhje’ në vetvete të jep të kuptosh se bëhet fjalë për marrje të një pasurie të fshehur ose, në të kundërt, ajo nuk quhet ‘vjedhje’ me kuptimin e përcaktuar nga Sheriati. Po kështu, urtësia tregon se dora nuk mund të pritet për diçka të parëndësishme dhe të pavlerë. Pra, edhe nëse nuk do të kishim argument nga Suneti i Profetit, atëherë thjesht dhe vetëm urtësia dhe qëllimet e Sheriatit do të mjaftonin si kufizime të këtij ajeti të përgjithshëm. Urtësia e ligjërimit të prerjes së dorës për krimin e vjedhjes është ruajtja e pasurisë së njeriut dhe sigurimi i saj. Kështu, gjymtyra me të cilin kryhet krimi duhet të pritet. Nëse ky kriminel vjedh përsëri, i pritet këmba e majtë. Nëse përsëri vjedh, atëherë për këtë ka dy mendime: ose i pritet dora e majtë, pastaj këmba e djathtë, ose burgoset derisa të vdesë. Allahu i Lartësuar thotë: - “…si ndëshkim për veprën e kryer dhe si dënim nga Allahu. ” - Prerja e dorës është si ndëshkim për hajdutin, për krimin e vjedhjes së pasurisë së njerëzve, dhe si frikësim i hajdutit dhe i të tjerëve për t’u frenuar dhe larguar nga krimi. Nëse njerëzit shohin ndëshkimin e vjedhjes dhe sigurohen se ashtu do t’u ndodhë po e kryen ata, sigurisht do të frenohen dhe do të ndalen nga ky krim. - “Allahu është Ngadhënjimtar e i Urtë. ” - I Madhëruari është Krenar dhe i Pamposhtur, prandaj askush nuk duhet t’i thyejë ligjet e Tij. Ai është i Urtë, dhe urtësia e Tij kërkon që dënimi i vjedhësit të jetë prerja e dorës. - “E kush pendohet pas padrejtësisë së tij dhe përmirësohet, nuk ka dyshim se Allahu ia pranon pendimin. Me të vërtetë, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” - Allahu i Madhëruar ia mbulon të metat dhe ia fal gabimet atij që pendohet sinqerisht dhe përpiqet t’i rregullojë të metat e tij. Allahu e ndihmon dhe ia lehtëson pendimin, dhe pastaj ia pranon atë, me mëshirën dhe faljen e Tij të gjerë. - “A nuk e di ti se vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve dhe i Tokës? Ai ndëshkon atë që do dhe e fal atë që do. Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka.” - Allahu është Mbreti dhe Sunduesi i qiejve dhe i tokës. Ai vepron dhe përcakton në mbretërinë e Tij çfarë dëshiron, si prej ligjeve të ekzistencës dhe krijimit, ashtu edhe prej ligjeve të Sheriatit dhe fesë. Krijimi është krijimi i Tij dhe ligjet janë ligjet e Tij. Po kështu, edhe falja

dhe ndëshkimi janë pushtet i Tij dhe vetëm në Dorë të Tij. Ai i vendos ndëshkimin dhe shpërblimin, krijimin dhe ligjet, sipas urtësisë, mëshirës dhe faljes së Tij të gjerë dhe gjithëpërfshirëse.

← Maide 5:40