5. Maide · Ajeti 5 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 5:1–5:5

Besimtarët janë të obliguar të jenë besnikë, dhe çdo premtim a obligim duhet zbatuar me përpikëri, qoftë obligim që ka të bëjë mes Allahut dhe njeriut, qoftë që ka të bëjë mes njerëzve.

Gjatë kohës së riteve të haxhit është e ndaluar edhe gjuetia, me çka kuptohet se Qabja me rrethinë është vend i shenjtë dhe vend sigurie edhe kur është fjala për shtazë të egra. Prandaj nuk lejohet të bëhen ndryshime në përcaktimet që ka bërë Zoti, nuk lejohet lufta në muajtë e shenjtë, nuk lejohet pengimi i kurbanëve të caktuar që të therren te Qabja. Arabët kanë pasur zakon t'i vëjnë në qafë devës një gjerdan për të treguar se ajo është përcaktuar për kurban dhe ashtu të sigurohet.

Përveç kafshës së ngordhur, gjakut, derrit, janë të ndaluara edhe ato kafshë që therren në emër të idhujve, e jo në emër të Zotit.

E rrëzuarja prej ndonjë vendi të lartë, e shpërthyerja nga briri i ndonjë tjetre dhe e kafshuarja (një pjesë) nga egërsirat, nëse zihet e gjallë dhe therret, është e lejuar të hahet.

"Nusub" janë gurë të vendosur rreth Qabes, mbi të cilët bëheshin therorizime të kafshëve në shenjë respekti ndaj tyre. Ato janë haram.

Dita për të cilën thuhet se u plotësua dhe u përsos feja islame, ishte nata e bajramit, në Arafatë, në vitin e dhjetë të hixhretit.

Janë të lejuara edhe gjahu i shtazëve të dresuara dhe kafshët e therrura prej ithtarëve të librit, të krishterë dhe jehudi. Është e lejuar edhe martesa me gra të ndershme jomyslimane nga krishterët dhe jehuditë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 5:5

Pasi përmendi gjërat e ndaluara, të cilat janë të dëmshme dhe të neveritshme, dhe pasi përmendi gjërat e lejuara, që janë të mira e të këndshme për robërit e Tij besimtarë, Allahu i Madhëruar thotë: - Sot u lejuan për ju (të gjitha) ushqimet e mira (e të pastra). - Pastaj tregon gjykimin për mishin e therur nga ithtarët e Librit, të krishterë e jehudë, duke thënë: - Edhe ushqimet e ithtarëve të Librit janë të lejuara për ju...” - Ibn Abasi dhe të tjerë shpjegojnë: “Domethënë, kafshët e therura prej tyre.” Fakti që këtu flitet për mishin e therur prej tyre është një çështje e pranuar unanimisht mes dijetarëve. Kështu, mishi i therur prej tyre është hallall për muslimanët, sepse edhe ata e besojnë se therja e kafshës për hir të idhujve është haram. Gjithashtu, gjatë therjes së kafshës, ata përmendin veçse emrin e Zotit, megjithëse besimi i tyre në Zotin është i përzier me çështje që Allahu është i pastër dhe i lartësuar nga ato. Në një hadith të saktë, të përcjellë nga Abdullah Ibn Mugafeli, thuhet: 943. “Ditën e Hajberit, më ra në dorë një lëkurë e mbushur plot me dhjamë. Unë e mora dhe thashë: ‘Nuk kam për t’i dhënë gjë askujt prej kësaj’. Kur ktheva sytë, pashë Profetin e Allahut që po buzëqeshte...” Dijetarët janë argumentuar me këtë hadith për të thënë se është e lejuar të merret diçka prej plaçkës së luftës, nëse është diçka tepër e nevojshme, si ushqim e gjëra të ngjashme, edhe para ndarjes së saj sipas rregullit. Kjo kuptohet qartë nga hadithi. Gjithashtu, ky hadith përdoret nga dijetarët e fikhut të medhhebit Hanefij, Shafiij dhe Hanbelij, që argumentojnë kundër medhhebit Malikij në lidhje me çështjen se a lejohet konsumimi i ushqimeve që ithtarët e Librit i konsiderojnë si haram në fenë e tyre, siç është p.sh. dhjami. Kështu, sipas këtij hadithi, ato janë të lejueshme, sepse Profeti nuk e ndaloi atë sahab të përdorte dhjamin, edhe pse për jehudët ai ishte haram. 235 Por një argument

akoma edhe më i fortë se ato janë të lejueshme është edhe hadithi që gjendet në Sahih: 944. “Banorët (jehudët) e Hajberit i dhuruan Profetit një dele të pjekur, njërin njërin krah të së cilës kishin vendosur helm - dhe Profetit i pëlqente dhe e preferonte mishin e krahut -. Kur Profeti a.s. kafshoi mishin, shpatulla e pjekur e njoftoi atë se ishte e helmuar, dhe ai e menjëherë e hodhi poshtë kafshatën që futi në gojë. Megjithatë, ajo i dëmtoi mishrat e dhëmbëve dhe arteriet (afër qafës). Prej saj hëngri e dhe Bishr Ibn el Bera Ibn Mearu r, i cili vdiq. Për këtë u ekzekutua jehudja që e helmoi, e cila quhej Zejneb.” Kështu, Profeti filloi të hante mishin e deles dhe nuk pyeti a e kishin pastruar prej dhjamit, që ata e kishin të ndaluar në fenë e tyre, apo jo. Përveç mishit të therur nga jehudët dhe të krishterët, nuk është lejuar asnjë mish i therur nga idhujtarët dhe të ngjashmit me ta, mohues të besimit, sepse ata nuk e përmendin emrin e Allahut gjatë therjes, madje hanë edhe ngordhësirat, ndryshe nga ithtarët e Librit (jehudë e të krishterë). Disa kategori njerëzish, edhe pse mund të trajtohen njëlloj si jehudët dhe të krishterët në çështjen e xhizjes, në lidhje me mishin e therur prej tyre nuk trajtohen e gjykohen njëlloj. Pra, - ndryshe nga ç’veprohet me ithtarët e Librit - nuk pranohet mishi i therur prej tyre dhe nuk lejohet martesa me femrat e tyre. Mendo pak me kujdes për fjalën e Allahut kur thotë: “Edhe ushqimet e ithtarëve të Librit janë të lejuara për ju ...””. Ky ajet tregon - i kuptuar nga ana e kundërt - se mishi i therur nga pasuesit e feve të tjera, përveç jehudëve dhe të krishterëve, nuk është i lejuar. - “... ashtu si edhe ushqimet tuaja janë të lejuara për ta.” - Ju lejohet që t’u jepni atyre nga mishi që therni ju, ashtu siç e keni të lejuar të hani mishin e therur prej tyre. Kjo është një formë reciprociteti. Për sa i përket hadithit: 945. “Mos u shoqëro me tjetër njeri, por veçse me besimtar dhe ushqimin tënd ta hajë veçse besimtari i devotshëm!”, ai nuk duhet keqkuptuar si urdhër që bie në kundërshtim me ajetin, që na tregon se lejohet t’u japësh ithtarëve të Librit prej ushqimit tënd, pasi urdhri në këtë hadith tregon se kjo vepër është e pëlqyeshme, por jo se e kundërta është haram. - Është e lejuar për ju të martoheni me gratë e ndershme besimtare - Ju lejohet që të martoheni me gratë e lira, të ndershme e të ruajtura nga imoraliteti, që janë besimtare (muslimane). Kjo shërben si një parantezë për atë që do të përmendet më pas, në lidhje me martesën me gratë prej ithtarëve të Librit: - dhe me gratë e ndershme të atyre që u është dhënë Libri para jush - Domethënë, me ato gra që janë të ndershme e të ruajtura nga imoraliteti, sikurse e sqaron i Madhëruari në një ajet tjetër: “Ato të jenë të ndershme, e jo imorale të hapura apo të fshehta, që jetojnë me partnerë (jashtëmartesorë).” [Nisa 25]. Pasi zbriti surja Bekare, e pikërisht ajeti 221: “Mos u martoni me idhujtare, derisa ato të besojnë! ....”, njerëzit nuk martoheshin me gra prej ithtarëve të Librit, derisa zbriti fjala e Allahut: “Është e lejuar për ju të martoheni me gratë e ndershme besimtare dhe me gratë e ndershme të atyre që u është dhënë Libri para jush...”. Kështu, ata e konsideruan këtë ajet si një kufizim të kuptimit përgjithësues të ajetit të sures Bekare, i cili ndalon nga martesa me çdo lloj idhujtareje. Tashmë nga kuptimi gjithëpërfshirës i këtij ajeti u përjashtuan gratë e ithtarëve të Librit, prandaj martesa me to është e lejueshme. - nëse u jepni atyre (mehrin) dhuratën martesore... - Jepuni dhuratën martesore me dëshirë e me kënaqësi, për ndershmërinë dhe ruajtjen e tyre prej imoralitetit. - por duke pasur për qëllim martesën, e jo imoralitetin dhe as (shfrytësimin e tyre) si të dashura (të fshehta). - Ashtu sikurse është kushtëzuar ndershmëria e dëlirësia për gratë, po ashtu duhet të jenë dhe burrat. Ata duhet të jenë të ruajtur nga imoraliteti dhe të

pastër moralisht. Prandaj Allahu i Madhëruar thotë: “të mos jeni musâfihin”, pra, njerëz që bien në imoralitet (marrëdhënie jashtëmartesore) me gra të ndryshme, dhe as “mutehidhati ahdân”, pra, nga ata që kanë të dashura të fshehta, që shkojnë vetëm me to. Për këtë arsye, imam Ahmedi ka gjykuar se martesa me një grua të përdalë nuk është e saktë, derisa ajo të pendohet për imoralitetin e të heqë dorë prej tij. Po kështu, edhe martesa e një gruaje të ndershme me një burrë të përdalë është e ndaluar, derisa ai të pendohet e të heqë dorë nga ky gjynah. Ajeti tregon qartë për këtë gjykim. Gjithashtu, në një hadi th është përcjellë se: 946. “Imorali që është dënuar me rrahje për imoralitet mund të martohet veçse me një të ngjashëm me të.”. Ibn Xheriri sjell rrëfimin nga Haseni, që tregon se Umer Ibn Hatabi ka thënë: “Kam tentuar që të mos lejoj asnjë prej atyre që janë dënuar për imoralitet që të martohet me një grua të ndershme.” Por Ubej Ibn Keabi i tha: “O udhëheqësi i besimtarëve! Idhujtaria është një gjynah më i madh se imoraliteti, prandaj prej tyre mund të pranohet pendimi, nëse pendohen e kthejnë rrugë!” Sidoqoftë, kjo çështje do të shtjellohet më gjatë në tefsirin e fjalës së Allahut: “Laviri nuk mund të martohet veçse me një lavire ose idhujtare. Dhe me laviren nuk mund të martohet kush, veçse një lavir ose idhujtar. Ajo (imoraliteti ose martesa me ta) është e ndaluar për besimtarët.” [Nur 3]. Më pas, Allahu i Madhëruar thotë: - E, kush e braktis besimin, vepra e tij është asgjësuar dhe në botën tjetër do të jetë prej të humburve.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 5:5

- “Sot u lejuan për ju (të gjitha) ushqimet e mira (e të pastra).” - Lejimin e të mirave për ne Allahu i Lartësuar e ka bërë për të na mëshiruar dhe nderuar. Ai e përsërit shpalljen e kësaj dispozite, për të treguar mirësinë e Tij dhe për t’i ftuar adhuruesit që të jenë mirënjohës dhe ta kujtojnë Atë sa më shpesh, ashtu siç i ka mësuar dhe udhëzuar. Është Allahu i Lartësuar Ai që bëri të lejueshme çdo gjë të mirë, të këndshme, të pastër dhe të dobishme. Të gjitha mirësitë e kanë pikënisjen nga bujaria dhe mëshira e Tij. - “Edhe ushqimet e ithtarëve të Librit janë të lejuara për ju, ashtu si edhe ushqimet tuaja janë të lejuara për ta. ”. - Kuptimi: Kafshët e therura nga çifutët dhe krishterët janë hallall për ju, o besimtarë muslimanë! Por nuk kanë të njëjtin gjykim

kafshët e therura nga kategoritë e tjera të qafirëve, veç dy grupeve të mësipërme. Kafshët e therura nga të tjerët nuk janë të lejueshme për ne. Arsyeja e këtij dallimi është se ithtarët e Librit pretendojnë se pasojnë profet dhe libra qiellorë. Të gjithë profetët, pa përjashtim, i kanë konsideruar haram kafshët e therura për hir të dikujt tjetër veç Zotit, sepse kjo vepër është idhujtari. Çifutët dhe të krishterët e pranojnë dhe e besojnë faktin që flijimet për hir të dikujt tjetër veç Zotit janë të ndaluara. Për këtë arsye, të therurat e tyre janë lejuar, ndërsa të therurat e të tjerëve janë të ndaluara. Në ajet thuhet: “Edhe ushqimet e ithtarëve të Librit janë të lejuara për ju…”. Me “ushqimet e ithtarëve të Librit” pa dyshim që është për qëllim: “të therurat e tyre”, sepse për sa u përket ushqimeve të tjera, si farëra, fruta, perime etj., ato sigurisht që janë të lejuara, qofshin nga ithtarët e Librit, qofshin nga të tjerë. Po ashtu, ushqimet e muslimanëve janë të lejuara për ta dhe lejohet që t’u japim atyre prej ushqimeve tona. - “Është e lejuar për ju të martoheni me gratë e ndershme besimtare dhe me gratë e ndershme të atyre që u është dhënë Libri para jush, …” - Kuptimi: Ju është lejuar të martoheni me gratë e lira (jo skllave) dhe të ndershme besimtare muslimane dhe me gratë e lira dhe të ndershme prej atyre që iu është dhënë Libër hyjnor më parë, domethënë, që janë hebreje ose të krishtera. Në suren Bekare, Allahu i Lartësuar thotë: “Mos u martoni me idhujtare, derisa ato të besojnë”, kurse në këtë ajet, Allahu i Lartësuar e kufizon gjykimin përjashtues të ajetit të sures Bekare, duke na lejuar që të martohemi me një kategori të caktuar idhujtaresh, që janë gratë e lira (jo skllave) dhe të ndershme hebreje ose të krishtera. Nga ajeti kuptohet që martesa me një skllave hebreje ose të krishterë është e palejueshme për një burrë të lirë besimtar, sepse Allahu i Lartësuar, kur e ka lejuar martesën e një të liri me një skllave, ka thënë: “Ai i cili nuk ka mundësi materiale që të martohet me femra të lira besimtare, le të martohet me besimtaret që i keni nën pushtetin tuaj (robëreshat)...”. Pra, Allahu i Lartësuar ka vendosur si kusht që skllavja të jetë besimtare muslimane. Përfundimisht, nuk lejohet martesa e një burri të lirë musliman me një skllave prej ithtarëve të Librit. Ndërsa për sa i përket martesës së një besimtari të lirë me një besimtare muslimane skllave, kjo është e lejueshme nëse plotësohen dy kushte: 1. Burri nuk ka mundësi për t’u martuar me një grua të lirë, jo skllave. 2. Burri e ka nevojë të domosdoshme martesën dhe frikësohet seriozisht se do të bjerë në imoralitet. Ndërsa me gra jo të ndershme, që janë të papërmbajtura dhe nuk ruhen nga imoraliteti, martesa është e palejueshme, pavarësisht në janë muslimane, të krishtera apo çifute, sepse Allahu i Lartësuar thotë: "Laviri nuk mund të martohet veçse me një lavire ose idhujtare. Dhe me laviren nuk mund të martohet kush, veçse një lavir ose idhujtar. Ajo (imoraliteti ose martesa me ta) është e

ndaluar për besimtarët . [El Nur 3.] Dhe thotë gjithashtu: “ Gratë e këqija janë për burra të këqij dhe burrat e këqij janë për gratë e këqija, ndërsa të ndershmet janë për të ndershmit dhe të ndershmit janë për të ndershmet...” [El Nur 26.] - “…nëse u jepni atyre (mehrin) dhuratën martesore, ….”. - Përveç kushteve të mësipërme, Allahu i Lartësuar tregon edhe një kusht tjetër, që martesat tona të jenë të lejueshme dhe të drejta, dhe ky është mehri. Pra, nëse një burrë është i vendosur paraprakisht se nuk do t’ia japë mehrin gruas, ajo është e palejueshme ose jo hallall për të. Kështu, Allahu i Lartësuar na urdhëron që gruas t’i japim mehrin e saj. Sigurisht, në rast se ajo është e përgjegjshme dhe e aftë për të vepruar drejt dhe me maturi me këtë pasuri; në të kundërt, mehri i jepet kujdestarit ligjor të saj. Ajeti tregon qartë se mehri është i tëri pasuri e gruas. Askujt nuk i lejohet që të marrë diçka prej tij, veç nëse vetë gruaja e lejon me kënaqësi dhe me dëshirën e saj. - “…por duke pasur për qëllim martesën, e jo imoralitetin dhe as (shfrytësimin e tyre) si të dashura (të fshehta)...”. - Kuptimi: Me martesën tuaj të keni për qëllim të ruani veten tuaj dhe gruan prej imoralitetit. Në kohën e injorancës paraislamike, imoraliteti ishte i shfaqur në dy forma. Disa bënin imoralitet me çfarëdolloj gruaje dhe quheshin musafih, ndërsa një lloj tjetër ishin ata që përzgjidhnin e mbanin dashnore të rregullta. Që të dyja këto forma Allahu i Lartësuar i ndaloi dhe na urdhëroi që të martohemi me gra të ndershme e të pastra, për të qenë mburojë të njëri -tjetrit kundër asaj sëmundjeje të rëndë, që shkatërron familjen dhe shoqërinë. Ky është pikërisht një nga synimet dhe urtësitë e ligjërimit të martesës. Besimtarët duhet të martohen me qëllimin që, nëpërmjet martesës, të arrihet ruajtja dhe ndërtimi i një shoqërie të dëlirë, të pastër dhe të shëndetshme. - “E, kush e braktis besimin, vepra e tij është asgjësuar dhe në botën tjetër do të jetë prej të humburve. ”. - Çdokush që e mohon Zotin e Madhëruar, ose mohon ndonjë prej kushteve të imanit si: besimin në shpalljet e Zotit, besimin te profetët etj., ose mohon ndonjë nga dispozitat e Allahut të Lartësuar, dhe nëse vdes në këtë gjendje, pra, si jobesimtar, atëherë të gjitha veprat e tij kanë për t’u asgjësuar, sikurse thotë Allahu i Lartësuar në suren Bekare, ajeti 217: “ E kush zmbrapset nga feja e tij dhe vdes si jobesimtar, veprat e tij janë të pavlera në këtë jetë dhe në Jetën tjetër. Këta janë banorë të Zjarrit dhe në të do të jenë përjetësisht.” Në këtë mënyrë, në ahiret ai do të jetë prej të shkatërruarve dhe të dëshpëruarve, të cilët do të kenë humbur dhe shkatërruar vetet e tyre, pasuritë e tyre, madje dhe familjet e tyre, duke u zhytur në ndëshkimin e përjetshëm.

← Maide 5:5