5. Maide · Ajeti 59 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 5:47–5:59
Kur'ani i cili i zbriti Muhammedit, përveç që vërteton librat e mëparshëm, ai është edhe garantues e sigurues i tyre, ngase devijimet në to i zbulon dhe e mbron të vërtetën në to.
Çdo pejgamber thuajse ka pasur ligjin e vet, sipas së cilit ka programuar jetën e atij popullit, të cilit i është dërguar, por të gjithë pejgamberët kanë qenë unikë në mësimet e bazave të besimit.
Muhammedi urdhërohet të gjykojë sipas Kur'anit, urdhërohet që të mos pajtohet me dëshirat e kundërshtarëve, bile urdhërohet që të ketë kujdes e të mos mashtrohet nga intrigat e tyre e ta shkelë ndonjë dispozitë, sepse ata janë jashtë rrugës së Zotit, andaj edhe nuk kuptojnë të drejtën e të vërtetën, e dëshirojnë gjendjen e hershme të injorancës.
Kur është çështja rreth besimit, rreth Kur'anit dhe Muhammedit, nuk lejohet kurrfarë miqësie me kundërshtarët e tij. Në këto ajete është fjala për disa munafikë (hipokritë), të cilët vetëm ishin i deklaruar si besimtarë, e në të vërtetë nuk kishin pranuar sinqerisht fenë Islame, me motivacion se i kishin frikë ndonjë rrotullimi eventual, bashkëpunonin me kundërshtarët.: I larguari prej fesë Islame është "murted". Edhe kjo është një mrekulli e Kur'anit, ngase para se të ndodhë lajmëron se do të ketë ndonjë të tillë, që me të vërtetë pati, por në kohën e Pejgamberit ka pasur pak, kurse në kohën e Ebu Bekrit - shumë. Ebu Bekri i luftoi pa mëshirë dhe pa frikë murtedët, të cilët i asgjësoi. Pra, u vërtetua fjala e Allahut se do të sjellë popull që i do Zoti dhe që ata e duan Zotin, e këta ishin shokët e Pejgamberit dhe të gjithë ata që luftuan e do të luftojnë për rrugën e Zotit derisa të ekzistojë kjo jetë.
Ata që ishin sinqerisht në krahun e Allahut, të Pejgamberit dhe të myslimanëve, gjithnjë ishin I fitues, andaj nuk duhet afruar atyre që me fenë e Allahut përqeshen e tallen: ata janë fasika dhe fuqia e tyre është e dobët. Fuqia i takon Allahut dhe atyre që besojnë.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 5:59–5:63
- Thuaju: “O ithtarë të Librit! - Thuaju, o Muhamed, të gjithë atyre që e marrin fenë tënde për lojë e tallje, qofshin ithtarë të Librit ose idhujtarë: - Vallë, na kundërshtoni dhe na urreni vetëm pse besuam në Allahun, në Shpalljen që na zbriti neve dhe në ato (shpallje) që kanë zbritur më parë? - A keni ndonjë arsye tjetër, veç kësaj?! Atëherë, dijeni se këtu nuk ka asgjë arsye për tallje e nënçmim. Ky ngjan me ajetin tjetër: “Ata i keqtrajtonin (besimtarët), sepse ata e besuan Allahun, Ngadhënjimtarin, të Lavdëruarin, të Cilit i takon sundimi i qiejve e i Tokës. Allahu është dëshmitar mbi çdo gjë!” [Buruxh 8, 9]. - Me të vërtetë, shumica prej jush janë të pabindur.” - Kjo është e lidhur me fjalinë e mëparshme: “Vallë, na kundërshtoni dhe na urreni vetëm pse besuam në Allahun...”. Atëherë, kuptimi është: “...dhe ngaqë besuam se shumica prej jush janë të pabindur dhe larg rrugës së Allahut?!” - Thuaju: “A t’ju lajmëroj për një të keqe më të madhe se kjo, (që erdhi) si dënim nga Allahu? - A t’ju tregoj për ndëshkimin më të keq, që Allahu do t’jua japë në Ditën e Kijametit? Ai ndëshkim është më i keq sesa kjo që ju e shihni si të keqe tek ne. Dëgjoni se çfarë ndodh me ju dhe të gjithë ata janë si ju: - Ata mbi të cilët ra mallkimi i Allahut... - Domethënë, Allahu i largoi nga mëshira e Tij. - ...dhe zemërimi i Tij... - Allahu është zemëruar shumë dhe kurrë nuk ka për t’u kënaqur me ta. - ata që i shndërroi në majmunë e në derra...” - Kjo u shpjegua në suren Bekare dhe do të shtjellohet sërish më hollësisht në suren Araf.262 Sufjan el Theuri sjell hadithin nga Ibn Mesudi, i cili thotë: 1025. “Profeti i Allahut u pyet njëherë rreth majmunëve dhe derrave: a janë ato krijesa që Allahu i shndërroi (nga njerëz në majmunë dhe derra) dhe mbetën të tillë? Ai tha: “Allahu kurrë nuk e ka shkatërruar një popull, - ose tha: “Kurrë nuk e ka shndërruar një popull” - dhe pastaj ata të kenë pasardhës e të shumohen. Majmunët dhe derrat kanë qenë edhe më parë.” Këtë hadith e ka sjellë edhe Muslimi. - dhe u bënë adhurues të Shejtanit... - Allahu bëri që prej tyre të ketë edhe të tillë që adhurojnë tagut-in (çdo gjë që adhurohet veç Allahut). Ky ajet është lexuar në mënyra të ndryshme, por të gjitha kanë një kuptim të përbashkët: O ju ithtarë të Librit, që talleni e fyeni fenë tonë të pastër, që fton në njësimin e Zotit dhe adhurimin e Tij si një e të vetëm, përmes riteve e punëve të mira që vetë Ai na i ka mësuar e shpallur! E si mund ta bëni diçka të tillë, kur jeni pikërisht ju ata njerëz që adhuroni tagut-in dhe jeni larguar aq shumë nga rruga e Allahut dhe shpalljet e Tij? Pra, nëse duhet tallur e nënçmuar kush, ata jeni ju! - ata janë në gjendjen më të keqe dhe më të humburit prej rrugës së drejtë.” - Ju jeni në një gjendje shumë më të keqe sesa na mendoni ne. Ju jeni më të humburit nga rruga e drejtë, e sjellë përmes Shpalljes së Zotit. Vëreni me kujdes përdorimin e mbiemrave në shkallën krahasore: ‘më të keqe’ dhe ‘më të humburit’. Përdorimi i mbiemrit në shkallën karahasore nuk duhet kuptuar se edhe besimtarët janë në gjendeje të keqe dhe janë të humbur nga rruga e drejtë. Kjo mënyrë të shprehuri është përdorur për të treguar gjendjen e keqe të atyre që tallen me fenë e Allahut dhe largimin e frikshëm të tyre nga e vërteta, e jo për të bërë krahasimin mes dy subjekteve. Kjo mënyrë është përdorur edhe në ajete të tjera, si në fjalën e Allahut: “Banorët e Xhenetit do të jenë mirë atë ditë në banesën e tyre dhe do të kenë vendin më të mirë për pushim.” [Furkan 24]. - Kur vijnë te ti, ata thonë: “Kemi besuar”. Por, në fakt, ata hyjnë me kufër dhe largohen me kufër. - Ky është një përshkrim i munafikëve. Prej cilësive të tyre
është edhe fakti që ata u shtiren besimtarëve në sjelljet e tyre të dukshme, ndërsa zemrat e tyre janë të mbushura me mohimin e Zotit. I Lartësuari thotë: “Por, në fakt, ata hyjnë me kufër...”. Pra, edhe kur vijnë tek ti, o Muhamed, ata janë të vendosur e të zhytur në kufrin e tyre, gjë kjo e cila i bën që të mos përfitojnë aspak prej asaj që dëgjojnë prej teje. Tek ata nuk kanë ndonjë ndikim qortimet e kërcënimet, prandaj “.dhe largohen me kufër”. Allahu i Madhëruar i ka veçuar këta munafikë me këtë cilësi, duke treguar se ata janë të zhytur e të pandryshueshëm në kufër. - Allahu e di më së miri se çfarë fshehin ata. - Ai është i gjithëditur për atë që fshihet në zemrat e tyre, edhe nëse ata shfaqin diçka tjetër. Allahu që është i gjithëdituri për të dukshmen dhe të fshehtën; Ai është më i ditur se vetë ata për veten e tyre dhe ka për t’u dhënë shpagimin të plotë për veprat që bëjnë. - Shumë prej tyre i sheh të nguten njëri me tjetrin në gjynahe, në armiqësi dhe në ngrënien e haramit. - Ata nxitojnë në ngrënien e haramit, kryerjen e gjynaheve dhe thyerjen e urdhrave të Zotit, në armiqësinë e padrejtësinë ndaj njerëzve. - Sa e shëmtuar është sjellja e tyre! - Sa e keqe ishte ajo punë që ata bënin dhe sa të shëmtuara ishin padrejtësitë dhe armiqësia e tyre kundër njerëzve! - Përse, vallë, paria e tyre fetare (rabinët) dhe dijetarët nuk i ndalin ata nga fjalët e tyre mëkatare dhe nga ngrënia e haramit?! – Rabinët janë paria fetare e tyre, ndërsa ahbâru janë dijetarët. Ata nuk e ndalonin popullin e tyre nga të tilla padrejtësi dhe paudhësi. - Sa i keq është qëndrimi i tyre! - Moskëshillimi dhe mosqortimi i popullit për padrejtësitë dhe gjynahet ishte një vepër shumë e keqe dhe e dënueshme. Kështu ka thënë Ibn Abasi. Ibn Xheriri citon Ibn Abasin, që ka thënë: “Nuk ka në Kur 'an ajet më të rëndë si qortim (për dijetarët), sesa ky.” Ndërsa Dahhaku ka thënë: “Nuk ka në Kur'an ajet më të frikshëm për mua sesa ky!” Ibn Ebu Hatimi thotë se: Junus Ibn Habibi përcjell se Jahja Ibn Jeameri rrëfen se: “Kur Ali Ibn Ebu Talibi po mbante njëherë hytbe, pasi lavdëroi shumë Allahun, tha: “O njerëz! Popuj para jush u shkatërruan për gjynahet që bënin dhe për shkak se paria fetare dhe dijetarët e tyre nuk i ndalonin e as qortonin për këtë. Kur ata e tepruan e vazhduan në poshtërsi, mbi ta ranë ndëshkimet e Zotit. Urdhëroni për të mira e ndaloni nga të këqijat para se të bjerë mbi ju ajo që ra mbi ata! Dhe dijeni mirë se urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja as nuk e pakëson rizkun dhe as nuk e afron exhelin!” Mundhir Ibn Xheriri rrëfen nga i ati, që Profeti i Allahut ka thënë: 1026. “Nëse në një popull ka njerëz që bëjnë poshtërsi dhe njerëzit e mirë e të ndershëm në atë popull nuk i ndalojnë nga kjo, Allahu ka për t’i ndëshkuar ata.” Imam Ahmedi është i vetëm në sjelljen e këtij versioni. Ndërsa Ebu Daudi sjell hadithin nga Ibn Xheriri, i cili në versionin e sjellë prej tij, ka thënë: “E kam dëgjuar Profetin e Allahu të thotë: “Nëse në një popull ka njerëz që bëjnë poshtërsi dhe ata kanë mundësi ta ndalojnë nga kjo, e ata nuk e ndalojnë, Allahu ka për t’i ndëshkuar ata përpara vdekjes së tyre.” Këtë hadith e ka sjellë edhe Ibn Maxhe nga Ali Ibn Muhamed, nga Ukiu, nga Israili, nga Ebu Is’haku, nga Ubejdilah Ibn Xheriri, e ky nga i ati, me të njëjtin version. Hafidh El Mizzi ka thënë: “ Po në këtë version e ka sjellë edhe Shubetu nga Ebu Is’haku.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 5:59–5:63
Allahu i Madhëruar e porosit Profetin e Tij t’u drejtohet ithtarëve të Librit që të pranojnë fenë Islame, të vetmen fe të drejtë, dhe t’u thotë atyre se ajo që ata e urrejnë dhe përbuzin është dhe duhet të jetë gjëja më e vyer dhe e nderuar për çdo njeri. - “Thuaju: “O ithtarë të Librit! A na kundërshtoni dhe na urreni vetëm pse besuam në Allahun, në Shpalljen që na zbriti neve dhe në ato (shpallje) që kanë zbritur më parë? Me të vërtetë, shumica prej jush janë të pabindur.” ” - Kuptimi: Vallë, a po na urreni dhe po e konsideroni si mangësi tonën faktin që ne besojmë në Allahun, në shpalljet e Tij të shkuara dhe në atë të fundit, që besojmë në të gjithë profetët e tij të shkuar dhe Profetin e fundit?! Apo na urreni ngaqë ne besojmë se ai që nuk ka besimin tonë konsiderohet qafir, shkelës i kufijve të Zotit, i prishur dhe i shkatërruar?! Si mund ta konsideroni si mangësi atë që është detyra më e rëndësishme nga të gjitha detyrat, që rëndon mbi çdo të përgjegjshëm ligjërisht?! Shumica juaj janë të shthurur, shkelës të kufijve të Zotit të Madhëruar, të zhytur kokë e këmbë në gjynahe. Për këtë arsye, është më mirë për ju që të heshtni. A nuk ju mjafton që po ngarkoni vetveten me gjynahe dhe mosbindje ndaj Zotit, por dëshironi të zhyteni edhe më keq, duke urryer fenë që duhet ta doni dhe ta jetoni: Islamin?! Të konsideruarit e fesë së vërtetë si mangësi dhe turp tregon se ata e shihnin besimin e vërtetë si një të keqe dhe kotësi. Atëherë, Allahu i Madhëruar i drejtohet Profetit dhe i thotë: - “Thuaju: “A t’ju lajmëroj për një të keqe më të madhe se kjo, (që erdhi) si dënim nga Allahu? Ata mbi të cilët ra mallkimi i Allahut dhe zemërimi i Tij, ata që i shndërroi në majmunë e në derra dhe u bënë adhurues të Shejtanit ” - Thuaju, o Profet, duke ecur me logjikën e tyre, a t’ju tregoj për diçka që është më “e keqe” se ajo të cilën ju e konsideroni si mangësi e turp? Gjendja më e keqe që ju duhet ta urreni dhe ta konsideroni si kërcënim për ju, është gjendja e atyre që Zoti i mallkoi, duke i dëbuar nga mëshira e Tij dhe duke u zemëruar me ta, për t’i ndëshkuar në dynja dhe në ahiret. Ai i shndërroi ata në majmunë e derra dhe i bëri adhurues të Shejtanit dhe të çdo gjëje tjetër veç Zotit. - “ata janë në gjendjen më të keqe dhe më të humburit prej rrugës së drejtë.” - Mendojeni pak dhe kuptojeni se këta janë në gjendje më të keqe se ata që ju i shihni si të humbur dhe i urreni për besimin e tyre të saktë. Allahu i ka zgjedhur ata fatlumë, ndërsa mëshira e Tij është shumë pranë tyre. Allahu është i kënaqur me ta dhe i shpërblen në dynja dhe në ahiret, sepse ata ia përkushtojnë të gjitha adhurimet vetëm Atij, duke synuar kënaqësinë e Tij, edhe pse ju e urreni këtë gjë dhe e shihni si mangësi. - “Kur vijnë te ti, ata thonë: “Kemi besuar”. Por, në fakt, ata hyjnë me kufër dhe largohen me kufër.” - Ata pretendojnë se janë besimtarë, ndërkohë vijnë e shkojnë me mosbesim. Ata thjesht janë mohues, edhe nëse pretendojnë se besojnë. Nuk ka
në gjendje më të rëndë se këta të vetëmashtruar. Si nuk e kuptojnë këta të mjerë se: - “Allahu e di më së miri se çfarë fshehin ata.” - Pra, Allahu i di shumë mirë veprat e tyre të shëmtuara, mosbesimin dhe hipokrizinë që fshihet në zemrat e tyre. Ai ka për të shpërblyer gjithësecilin sipas punës së bërë, e mirë apo e keqe qoftë. Më pas, Allahu i Madhëruar zbulon mangësitë e tyre, duke treguar kështu ndihmën dhe mbështetjen e Tij për besimtarët: - “Shumë prej tyre i sheh të nguten njëri me tjetrin në gjynahe, në armiqësi dhe në ngrënien e haramit. ” - Shumë prej tyre i sheh të babëzitur në poshtërsi dhe padrejtësi, qoftë në lidhje me detyrimet ndaj Krijuesit, qoftë në lidhje me detyrimet ndaj krijesave, duke u shfaqur atyre armiqësi dhe arogancë. Ata, gjithashtu, nuk ruhen nga ngrënia e pasurisë haram. Allahu i Madhëruar nuk thotë thjesht që ata kryejnë gjynahe, por thotë se ata nxitojnë të kryejnë gjynahe. Kjo tregon poshtërsinë, ligësinë dhe shëmtinë e shpirtit të tyre, që e dëshiron aq shumë padrejtësinë, edhe pse pretendojnë se qëndrojnë në nivele të larta. - “Sa e shëmtuar është sjellja e tyre!” - Ky është një poshtërim për ta dhe për veprat e tyre të ndyra dhe të ndëshkueshme. - “Përse, vallë, paria e tyre fetare (rabinët) nuk i ndal ata nga fjalët e tyre mëkatare dhe nga ngrënia e haramit?! ” - Përse dijetarët, edukatorët dhe kleri nuk i ndalin ata nga krimet dhe gjynahet? Përse nuk i ndalin nga fjalët e këqija dhe ngrënia e pasurisë haram? Zoti i ka ngarkuar dijetarët që të ndihmojnë njerëzit me dijen që Ai u ka dhuruar, duke i udhëzuar tek e mira dhe duke i ndaluar nga të këqijat. Zoti i ka ngarkuar dijetarët që të largojnë prej njerëzve paditurinë, në mënyrë që askush të mos ketë më justifikim para Tij. Ata duhet të urdhërojnë për të mira, të ndalojnë nga të këqijat dhe t’u qartësojnë njerëzve porositë e Zotit të tyre. Ata duhet t’i nxisin njerëzit për të mirën dhe t’i qortojnë e paralajmërojnë që të mos u afrohen harameve. - “Sa i keq është qëndrimi i tyre!” - Arsyeja është se ata nuk e kryejnë detyrën që iu është ngarkuar.