5. Maide · Ajeti 71 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 5:60–5:71

Jehuditë përqeshnin rregullat e fesë islame dhe besimtarët që i zbatonin ato, e nuk e shihnin veten se si Zoti, disa prej tyre, më herët i kishte mallkuar, dhe i kishte shndërruar në majmunë ata që nuk respektuan disiplinën në të shtunën dhe i kishte shndërruar në derra ata që kundërshtuan tryezën e Isait. Vërejtja e parisë fetare që nuk u angazhua për t'i ndalë të këqiat është një prej vërejtjeve më të ashpra për të gjithë dijetarët dhe parinë fetare edhe nga radhët e fesë islame.

Derisa Zoti xh.sh. në disa ajete të Kur'anit urdhëroi besimtarët t'u japin hua të varfërve për hirë të Tij, disa jehudi thanë se Zoti qenka koprrac. Me këtë thënie ata bënë mëkat të madh, andaj u mallkuan dhe koprracia iu mvesh shpirtit të tyre, e bota sot thotë: "koprrac si jehudi".

Është karakteristike që Zoti xh.sh. nuk e thërret Muhammedin me emër, por e thërret me ndonjë atribut (sifat) të lartë si: Ja ejjuhen Nebijju etj. Sipas Fahru Raziut në tërë Kur'anin Zoti e thërret Muhammedin: "Ja ejjuher rresulu'" dy herë në këtë kaptinë, në ajetin 41, dhe në këtë. Kjo është famë e madhe për Muhammedin.

Pejgamberi ka qenë i shtrënguar që ta komunikojë çdo gjë që është shpallur prej Zotit, andaj thëniet se ka mbetur diç pa komunikuar janë trillime.

Nuk mund të merret si besim i pranueshëm pa e pranuar Muhammedin, sepse besimi i sinqertë në Zotin vetvetiu kërkon besimin në të gjitha shpalljet dhe në të gjithë të dërguarit që i çoi Zoti. Në këtë mënyrë nuk është besim i sinqertë as ndaj Zotit, nëse nuk pranohet i dërguari i Tij, Muhammedi: pra, jehuditë, të krishterët, sabiinët, munafikët nuk do të kenë frikë në ditën e gjykimit nëse sinqerisht e besojnë Zotin dhe pranojnë Muhammedin të dërguar.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 5:70–5:71

- Prej bijve të Israilit Ne morëm një premtim të fortë dhe u dërguam profetë. Por, sa herë që u shkonte ndonjë profet me udhëzime që nuk u përshtateshin dëshirave të tyre, ata e mohonin ose e vrisnin.” - Allahu i Lartësuar na tregon se Ai ka marrë premtimin nga bijtë e Izraelit se ata do të dëgjonin urdhëresat e Tij dhe do t'i bindeshin Atij dhe profetëve të Tij. Por ata i thyen të gjitha këto premtime dhe pasuan dëshirat e tyre. Ata u dhanë përparësi dëshirave të tyre kundrejt ligjit të Zotit: nëse ligji i Zotit përputhej me dëshirat e tyre, ata e pranonin, por nëse binte ndesh me to, e refuzonin.

- Ata pandehnin se nuk do të mbanin asnjë përgjegjësi për këtë - Ata mendonin se nuk do t'u ndodhte asnjë e keqe nga veprat e tyre. Por ndryshe nga ç'e prisnin, ata u ndëshkuan. Allahu i Madhëruar thotë se ata u verbuan dhe nuk mund ta shihnin të vërtetën, u shurdhuan, që të mos dëgjonin të drejtën dhe të udhëzoheshin prej saj. - prandaj ata u verbuan e u shurdhuan. - Kjo ndodhi për shkak të veprave të tyre. Por i Madhëruari thotë më pas: - Pastaj Allahu ua pranoi pendimin por, më pas, shumë prej tyre mbetën të verbër e të shurdhër. - Edhe pas pendimit, ata përsëri preferuan verbërinë dhe shurdhërin. - Allahu sheh mirë gjithçka që ata bëjnë. - Allahu është mbikëqyrës i tyre dhe është i gjithëditur për ata të cilët e meritojnë udhëzimin dhe për ata të cilët meritojnë shkatërrimin, humbjen dhe devijimin.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 5:70–5:71

- “Prej bijve të Israilit Ne morëm një premtim të fortë dhe u dërguam profetë.” - I Madhëruari na tregon se Ai u ka marrë bijve të Israilit një premtim të madh: premtimin për ta besuar drejt Allahun e Lartësuar dhe për të zbatuar detyrat dhe porositë e Tij, të cilat janë përmendur në ajetin tjetër të kësaj sureje: “Allahu mori zotimin e bijve të Izraelit dhe caktoi dymbëdhjetë prijës nga mesi i tyre. Allahu tha: “Unë jam me ju. Në qoftë se falni rregullisht namazin, jepni zekatin, u besoni të dërguarve të Mi, i ndihmoni e i respektoni ata dhe huazoni për hir të Allahut hua të mirë, pa dyshim që Unë do t'jua fal të këqijat tuaja dhe do t’ju fus në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Por në qoftë se pas kësaj ndonjë prej jush kundërshton, ai e ka humbur rrugën e drejtë”.”. [Maide 12]. Allahu i Madhëruar u dërgoi atyre profetë njëri pas tjetrit, që t’i ftonin vazhdimisht në rrugën e drejtë dhe t’i kujtonin për porositë dhe udhëzimet e Tij të mrekullueshme. Por kjo nuk u vlejti aspak atyre, sepse: - “Por, sa herë që u shkonte ndonjë profet me udhëzime që nuk u përshtateshin dëshirave të tyre, ata e mohonin ose e vrisnin.” - Nëse e vërteta në të cilën i ftonte profeti nuk u shkonte pas oreksit, ata e mohonin, duke e konsideruar mashtrim. Ata i trajtonin profetët me vrazhdësi dhe armiqësi, duke i quajtur gënjeshtarë disa prej tyre, madje edhe duke i vrarë disa të tjerë. - “Ata pandehnin se nuk do të mbanin asnjë përgjegjësi për këtë; prandaj ata u verbuan e u shurdhuan. ” - Të mjerët mendonin se poshtërsitë e tyre, mohimi dhe

padrejtësia ndaj profetëve nuk do t’u shkaktonte ndonjë problem dhe nuk do të ndëshkoheshin. Kështu, ata vazhduan të zhyteshin thellë e më thellë në humbjen dhe në gjynahet e tyre, duke u verbuar e shurdhuar ndaj së vërtetës. Megjithatë, kur ata u penduan, i Madhëruari nuk ua humbi shpresat. Ai thotë: - “Pastaj Allahu ua pranoi pendimin.” - Pra, pasi u penduan, Ai përsëri ua pranoi pendimin. Porta e pendimit ishte e hapur, por shumë shpejt shumica e tyre iu kthyen poshtërsive dhe shfrenimit. I Lartësuari na njofton për këtë kur thotë: - “por, më pas, shumë prej tyre mbetën të verbër e të shurdhër. ” - Pra, shumë prej tyre iu kthyen verbërisë dhe shurdhimit ndaj fakteve. Ata u zhytën sërish në krime dhe mosbindje. Vetëm një pakicë vazhdoi në rrugën e pendimit dhe të besimit të pastër ndaj Zotit. Por të pabindurit harruan diçka shumë të rëndësishme. Ata harruan që: - “Allahu sheh gjithçka që ata bëjnë. ” - Do të vijë dita kur Allahu do të shpërblejë gjithësecilin sipas punës së tij. Nëse ke vepruar mirë e me sinqeritet për Zotin, sipas porosive të Tij dhe të Profetit të Tij, do të shpërblehesh me të mira. Por nëse i ke shpërfillur porositë e Zotit dhe ke mohuar Profetin e Tij, duke bërë punë të këqija, do të përballesh me drejtësinë e të Plotpushtetshmit.

← Maide 5:71