5. Maide · Ajeti 78 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 5:72–5:86

Derisa vetë Isai a.s. i thirri njerëzit të besojnë Zotin që është një, u shpreh haptas se edhe ai është rob i Tij, besimi në Isain si zot ose besimi në "trini" është i gabuar. Isai ishte i dërguar i Zotit sikurse edhe të dërguarit që ishin para tij, ishte njëri që kishte nevojë të ushqehej si njerëzit e tjerë: ashtu ishte edhe nëna, Merjemja e ndershme. Kur'ani u tërheq vërejtjen që të mos e teprojnë e Isain ta quajnë zot, dhe të mos shkojnë pas atyre shtrembërimeve në besim, të cilat ishin si trashëgim prej injorantëve, që ishin para kohës së Muhammedit. Beni israilët, tek të cilët ishte i dërguar Isai, ishin të mallkuar edhe prej Davudit e edhe prej Isait, pse ishin shumë të shfrenuar. e Përveç armiqësisë që beni israilët e ushqenin kundër myslimanëve, ata e shtonin atë armiqësi duke bashkëpunuar edhe me idhujtarët, armiq të përbetuar të Muhammedit dhe të misionit të tij. Prandaj, beni israilët ishin dhe janë armiqët më të ashpër të myslimanëve, ndërsa të krishterët nga vetë natyra e ideologjisë së tyre janë më të butë, më të lehtë dhe, si të tillë, janë edhe më afër myslimanëve. Ndër të krishterë ka pasur dijetarë fetarë dhe njerëz të devotshëm (asketikë - tërki dynja), andaj shpallja e Zotit gjithnjë ka pasur ndikim më të madh ndër radhët e të krishterëve.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 5:78–5:81

- Ata bij të Israilit që mohuan të vërtetën u mallkuan prej gjuhës së Daudit dhe Isait, birit të Merjemes. Ndodhi kështu, sepse ata kundërshtuan dhe e tepruan. - Allahu i Lartësuar na njofton se Ai i ka mallkuar mohuesit nga mesi i bijve të Izraelit, që prej kohëve të vjetra. Ai na tregon për këtë në atë që ia shpalli Daudit dhe Isait, të birit të Merjemes (Paqja e Zotit qoftë mbi ata!). Ai na tregon se i kishte mallkuar bijtë e Izraelit, për shkak të mosbindjes së tyre ndaj Allahut dhe për shkak të armiqësisë, padrejtësive dhe kalimit të çdo kufiri në lidhje me të drejtat e krijesave. Tregohet se Ibn Abasi ka thënë si shpjegim të ajetit, që ata u mallkuan në Teurat, në Ungjill, në Zebur dhe në Furkan (Kur'an). Pastaj Allahu i Lartësuar na tregon se për çfarë u mallkuan: - Ata nuk e ndalonin njëri -tjetrin nga të këqijat që bënin. - Ata nuk e ndalonin njëri-tjetrin nga kryerja e gjynaheve dhe harameve. Në vijim, Allahu i Lartësuar paralajmëron në të njëjtën mënyrë të gjithë ata që bëjnë të njëjtin veprim si ky popull, që u mallkua që në kohët e vjetra. I Lartësuari thotë: - Sa e shëmtuar ishte sjellja e tyre! - Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Abdullah Ibn Mesudi, se Profeti i Allahut ka thënë: 1036. “Kur një izraelit e shihte vëllanë e vet që bënte një gjynah, e ndalonte nga ai gjynah, e paralajmëronte dhe e qortonte. Por të nesërmen, nuk e pengonte gjynahu që kishte bërë vëllai i tij që ai përsëri të ulej me të, të hante e rrinte me të dhe të ishte bashkëpunëtori i tij në çështje të tjera. Kur Allahu i Lartësuar pa këtë sjellje, i përçau zemrat e tyre dhe i mallkoi ata përmes gjuhës së profetëve të tyre, Daudit dhe Isait, të birit të Merjemes.” Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë: ‘Ndodhi kështu, sepse ata kundërshtuan dhe e tepruan.’Më pas, Profeti tha: 1037. “Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti im! Ose do të urdhëroni për të mira e të ndaloni nga të këqijat, duke e marrë për dore gabimtarin e ta drejtoni që të zbatojë të vërtetën dhe të nënshtrohet sipas saj, ose në të kundërtën, Allahu do t’i përçajë zemrat tuaja kundër njëri -tjetrit, ose do t’ju mallkojë, ashtu siç i mallkoi ata që ishin para jush!” Hadithet që flasin për urdhërimin për të mira dhe ndalimin nga të këqijat janë të shumta. Le të përmendim disa nga këto hadithe, që janë të përshtatshme me çështjen tonë. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Hudhejfe Ibn Jemani, se Profeti ka thënë : 1038. “Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti im! Ose do të urdhëroni për të mira dhe ndaloni nga të këqijat, ose Allahu do të zbresë ndëshkim nga ana e Tij dhe do t’i

luteni shumë Atij, por nuk do t’ju përgjigjet lutjeve tuaja.” Në Sahih transmetohet nga Ebu Seid el Hudriu, i cili ka thënë: “Profeti i Allahut ka thënë: 1039. “Ai që shikon një të keqe, le ta ndryshojë atë me dorë; nëse nuk mundet, le ta ndryshojë me fjalë; nëse nuk mundet, le ta ndryshojë me zemrën e tij, por ky është imani më i dobët.” Hadithin e sjell Muslimi. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Adij Ibn Umejra (r.a), se e ka dëgjuar Profetin që të thotë: 1040. “Allahu i Lartësuar nuk e ndëshkon një popull të tërë për shkak të punës së individëve të caktuar mes tyre, derisa ata të shohin të keqen të veprohet mes tyre dhe e kanë mundësinë që ta ndyshojnë atë, por nuk e ndryshojnë dhe nuk urdhërojnë për të mira. Nëse ata e bëjnë këtë, atëherë Allahu i ndëshkon si gabimtarët, ashtu edhe të gjithë njerëzit e tjerë (pra, ndëshkimi i përfshin të gjithë).” - Ti e sheh që shumë prej tyre miqësohen me mohuesit. - Muxhahidi thotë se këtu flitet për munafikët. Më pas, Allahu i Lartësuar thotë: - Sa e keqe është ajo që kanë përgatitur ata për veten e tyre! - Shumë vepër e keqe është miqësimi, afrimiteti dhe aleanca me qafirët, duke lënë mënjanë dhe duke braktisur besimtarët. Kjo vepër bën që zemrat e tyre të mbushen me nifak dhe që Allahu të jetë i zemëruar me ta deri në Ditën e Premtuar, pra, Ditën e Kijametit. - Allahu është i zemëruar me ta dhe ata do jenë përjetësisht në ndëshkim. - Allahu u zemërua nga ata pikërisht për atë vepër të shëmtuar që bënë: miqësimin me mohuesit, kundër besimtarëve. Pastaj Ai tha: “...ata do jenë përjetësisht në ndëshkim.” Kështu, në ahiret ata do të jenë në ndëshkim të përhershëm. - Nëse me të vërtetë do të besonin në Allahun, Profetin dhe Shpalljen që i zbriti atij, atëherë nuk do t’i zinin për miq (e mbrojtës) ata. - Nëse besimi i tyre për Allahun, të Dërguarin e Tij dhe Kur'anin do të ishte i saktë, ata nuk do t’i bënin kurrë miq dhe aleatë mohuesit dhe të luftonin kundër besimtarëve, të cilët besojnë Allahun, Profetin e Tij dhe Shpalljen që iu zbrit Profetit. Shkaku që i çoi ata në këtë rrugë të humbjes dhe shkatërrimit ishte ai që thotë Allahu i Lartësuar: - Por, shumica e tyre i shkelin kufijtë (e Zotit). - Ata nuk i binden Allahut dhe Profetit të Tij dhe janë në kundërshtim të plotë me udhëzimet dhe mësimet e Shpalljes që Profeti solli nga Allahu i Lartësuar.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 5:77–5:81

Allahu i Lartësuar e porosit Profetin e Tij që t’u drejtohet ithtarëve të Librit me një këshillë të rëndësishme: - “Thuaju: “O ithtarë të Librit! Mos e teproni me fenë tuaj, duke dalë jashtë të vërtetës,...” - Kuptimi: Mos i kaloni kufijtë, mos kaloni nga e vërteta tek e kota, - sikurse vepruan në fakt me pretendimet e gabuara rreth Mesihut, apo edhe me madhërimin e udhëheqësve të tyre. - “...dhe mos shkoni pas dëshirave të njerëzve para jush, që kanë humbur rrugën, kanë shkaktuar humbjen e shumë të tjerëve dhe që janë larguar shumë prej rrugës së drejtë”. ” - Kurrë mos ndiqni hapat e gabuara të njerëzve që devijuan nga e vërteta, madje devijuan nga e vërteta edhe shumë të tjerë, duke u dhënë një besim dhe fe të gabuar. Kështu, ata bënë njëherësh dy të këqija: devijimin e vetes dhe devijimin e të tjerëve. Këta janë udhëheqësit e ligësisë dhe të devijimit, prej të cilëve Allahu i Madhëruar na ka urdhëruar që të ruhemi dhe të mos i pasojmë. Kurrë nuk duhet të ndjekim dëshirat e shfrenuara dhe mendimet devijuese të tyre. Pastaj i Madhëruari thotë: - “Ata bij të Israilit që mohuan të vërtetën u mallkuan prej gjuhës së Daudit dhe Isait, birit të Merjemes. ” - Judejtë që mohuan të vërtetën u mallkuan, pra, u përjashtuan nga mëshira e Allahut. Dëshmia për këtë e rdhi nga goja e Daudit dhe e Isait , të birit të Merjemes. Pra, për këtë dëshmuan këta dy profetë të mëdhenj, të cilët dëshmuan, gjithashtu, se e vërteta ishte shumë e qartë dhe e kuptueshme për atë popull, prandaj mohimi i tyre ishte me vetëdije të plotë. Ata thjesht u treguan mendjemëdhenj e armiqësorë. I Lartësuari i përmbledh arsyet e mallkimit të tyre në vijim: - “Ndodhi kështu, sepse ata kundërshtuan dhe e tepruan. ” - Ata nuk iu bindën Allahut në urdhrat dhe ndalesat e Tij dhe shkelën të drejtat e krijesave, të drejta të vendosura nga vetë Allahu. Këto vepra u bënë shkak që ata të meritonin ndëshkimin dhe të mallkoheshin. Pa dyshim, gjynahet dhe padrejtësitë sjellin ndëshkim të rëndë. Ndër gjynahet që u sollën atyre ndëshkimin, Allahu i Madhëruar përmend: - “Ata nuk e ndalonin njëri -tjetrin nga të këqijat që bënin. Sa e shëmtuar ishte sjellja e tyre!” - Ata nuk kryenin detyrimet e Zotit, por bënin harame dhe nuk e ndalonin njëri -tjetrin nga ato. Në këtë mënyrë, të gjithë ngarkoheshin me gjynahe: edhe vepruesit, edhe vëzhguesit, që nuk këshillonin, edhe pse e kishin mundësinë ta bënin. Kjo tregon për nënvlerësimin dhe shpërfilljen e madhe që u bënin ata çështjeve të besimit dhe të fesë së Zotit. Mosbindja ndaj Zotit shihej nga ata si diçka e vogël, që nuk meritonte shqetësim. Nëse në zemrat e tyre do të kishte respekt për të Madhëruarin, ata do të ndjenin sadopak keqardhje për shkeljen e kufijve të Tij, do të shqetësoheshin për zemërimin e Allahut. Heshtja dhe moskëshillimi, edhe kur është mundësia për ta kryer një gjë të tillë, është një vepër që meriton ndëshkim, sepse ajo sjell shumë e shumë të këqija. Heshtja ndaj veprave të ndaluara është gjynah dhe mosbindje ndaj Zotit, edhe nëse vetë nuk e kryen poshtërsinë që e sheh dhe e dëshmon.

Ashtu sikurse është detyrë largimi nga haramet, edhe ndalimi i atyre që i kryejnë ato është detyrë. Heshtja shpreh mosinteresim dhe nënvleftësim të mosbindjes ndaj Allahut. Ajo tregon se ti nuk e sheh atë si problem dhe fatkeqësi të madhe. Po ashtu, moskëshillimi u jep kurajo dhe justifikim gjynahqarëve që t’i shtojnë veprat e këqija, sepse askush nuk i qorton dhe nuk ua tërheq vërejtjen atyre. Në këtë mënyrë, pra, përhapet më tepër e keqja, ndërsa fatkeqësitë e dynjasë dhe të fesë rëndohen. Njëkohësisht, kështu shtohen e fuqizohen edhe gjynahqarët, dhe me fuqizimin e tyre, dobësohen besimtarët, aq sa të mos përballen me të keqen dhe ithtarët e saj. Nëse do të veprojnë që në fillim, do të jetë më e thjeshtë dhe rezultative. Nga braktisja e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja humbet dituria dhe përhapet injoranca. Nëse gjynahet veprohen lart e poshtë dhe askush prej të diturve nuk këshillon dhe as i ndalon, njerëzit do të fillojnë të mendojnë se këto gjynahe nuk janë më të ndaluara. Madje, ndonjë injorant mund ta paraqesë një haram, që është totalisht në kundërshtim me rrugën e Zotit e të Profetit, si vepër të mirë apo si një adhurim. E ku ka poshtërsi më të madhe sesa të konsiderosh një haram, të cilin Zoti e ka ndaluar, si diçka të lejuar apo të pëlqyeshme dhe të mirë?! Kështu, realiteti tjetërsohet në zemrat e njerëzve, aq sa e vërteta shihet si e kotë dhe anasjelltas. Indiferenca ndaj gjynaheve bën që ato të zbukurohen në zemrat dhe mendjet e shumë njerëzve dhe, si rrjedhojë, të përhapen me shpejtësi, pasi njeriu e ka në natyrën e tij që të imitojë dhe të marrë shembull pjesëtarët e ngjashëm të shoqërisë ku jeton. Pikërisht për shkak të këtyre pasojave e shumë e shumë të tjerave, Allahu i Madhëruar e veçoi këtë lloj gabimi, duke e përmendur dhe duke i mallkuar ata që e kryen dhe u familjarizuan me të. - “Ti e sheh që shumë prej tyre miqësohen me mohuesit.” - Domethënë: U shprehin atyre dashurinë, afrimitetin e mbështetjen e plotë. - “Sa e keqe është ajo që kanë përgatitur ata për veten e tyre! Allahu është i zemëruar me ta dhe ata do jenë përjetësisht në ndëshkim.” - Me ato vepra të shëmtuara dhe të dështuara, ata merituan zemërimin e Allahut, për shkak të të cilit zemërohet çdo gjë. Kështu, ata merituan përjetësinë në ndëshkimin e madh. Ata i bënë padrejtësi vetes së vet, duke i krijuar këtë përfundim dëshpërues. Ata i bënë padrejtësi vetes, duke e privuar nga mirësitë e përjetshme dhe të mrekullueshme në Xhenet. - “Nëse me të vërtetë do të besonin në Allahun, Profetin dhe Shpalljen që i zbriti atij, atëherë nuk do t’i zinin për miq (e mbrojtës) ata.” - Besimi i vërtetë tek Allahu, te Profeti dhe te Shpallja e Tij, e detyron robin që të miqësohet dhe ta dojë Allahun, Zotin e Tij, të afrohet dhe miqësohet me miqtë e Allahut dhe të besimtarëve. Po ashtu, si kusht i saktësisë së besimit në Allahun dhe i miqësisë me Të është distancimi nga armiqtë e Allahut dhe mosafrimi i tyre. Duke qenë se ata nuk e plotësuan këtë kusht, kjo tregon se ata nuk kishin iman. - “Por, shumica e tyre i shkelin kufijtë (e Zotit).” – Pra, shumica e tyre i kalojnë kufijtë e Allahut, duke mos iu bindur Atij dhe të Dërguarit. Pjesë e mosbindjes dhe shkeljes së kufijve ishte dhe miqësimi me armiqtë e Allahut të Lartësuar .

← Maide 5:78