5. Maide · Ajeti 8 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 5:6–5:11

Kur doni të faleni, qyshdo qoftë, në këmbë, ulur ose shtrirë, është obligim t'i lani fytyrat, duart deri në bërryla, këmbët deri në zogj të tyre, e kokës duhet dhënë mes-h (duhet fërkuar me dorë të lagur). Këto janë katër farzet e të ashtuquajturit "abdesit". Tejemmumi është zëvendësim i abdestit e ndonjëherë edhe i tërë larjes.

Zotimi i përmendur është ai që pat marrë Pejgamberi prej besimtarëve se do ta ndihmojnë e do t'i binden në çdo moment. Ithtarët e besimit islam janë të obliguar që gjithnjë t'i përmbahen, drejtësisë, qoftë fjala për mikun ose për armikun. Populli që u përpoq ta mbyste Pejgamberin ishte ai i jehudive Beni Nadir, të cilët deshën t'ia hedhin një gur mbi krye, por Zoti i tregoi dhe Pejgamberi u largua.

Sipas "Sahihajnëve" Pejgamberi ndahet prej shokëve për të pushuar nën një hije, ku e kot gjumi. Një arab, njëfarë Gavreth bin Harith vjen fshehurazi, e merr shpatën që e kishte varur Pejgamberi dhe i drejtohet me të atij (Pejgamberit) duke i thënë: Kush më pengon tash që të të mbysë" Këtë e përsërit tri herë, ndërsa Pejgamberi i përgjigjet duke i thënë: Allahut Atëherë atij i shpëton shpata prej dore, të cilën e kap Pejgamberi, i thërret shokët dhe u tregon ngjarjen. Kur i thotë Pejgamberi: Kush do të shpëtojë tash ty? Ai i thotë: Ai që e ka tash shpatën është më i miri. Pejgamberi ia falë gabimin dhe ai e pranon fenë islame.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 5:7–5:11

Allahu i Lartësuar u kujton robërve të Tij besimtarë mirësinë e Tij të madhe që u dhuroi, kur u shpalli këtë fe madhështore dhe u dërgoi Profetin më të zgjedhur. Ai u kujton edhe premtimin e madh që u mori, për t’i dhënë besën këtij Profeti për bindje e pasim të rrugës së tij, për mbështetje e qëndrim të palëkundur përkrah tij, dhe për përhapjen e fesë së tij ndër njerëz. - Kujtoni mirësitë e Allahut ndaj jush dhe zotimin ndaj Tij, të cilin Ai e mori prej jush, kur thatë: “Dëgjuam e bindemi!”. - Kjo ishte besëlidhja që ata bënë me Profetin, në momentin kur pranonin Islamin. Sahabët rrëfejnë: “I dhamë besën Profetit të Allahut se do të jemi të dëgjuar dhe të bindur kurdoherë: në momente zelli dhe dembelizmi dhe në raste pakënaqësie. I dhamë besën që të mos i sulmojmë njerëzit për t'u marrë postin që ata e meritojnë.” - Dhe kijeni frikë Allahun! Allahu i di mirë të fshehtat e zemrave tuaja. - Ky është urdhër për të qenë i vazhdueshëm e sistematik në devotshmëri. Pastaj Ai i bën të ditur se është i gjithëditur për çdo mendim që fshihet në zemër. - O ju që keni besuar! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të Allahut... - Jini të vendosur në rrugën e të vërtetës dhe këtë bëjeni veç për hir të Allahut e jo për hir të njerëzve dhe për famë. Jini të vendosur:

- duke dëshmuar të drejtën - Pra, të vërtetën dhe drejtësinë. Në dy Sahih-ët është hadithi nga Numân Ibn Beshiri, që rrëfen: 982. “Babai më dha një dhuratë. Por nëna ime, Amratu bint Rauâha, tha: “Nuk jam e qetë për këtë, derisa ta konfirmojë Profeti”. Atëherë, ai (im atë) shkoi tek Profeti për t’i treguar për dhuratën që më bëri mua.” Profeti i tha: “A u ke dhënë njëlloj të gjithë fëmijëve të tu?” - “Jo”, - u përgjigj ai. Profeti i tha: “Kijeni frikë Allahun dhe mbani drejtësi mes fëmijëve tuaj!” Pastaj shtoi: “Unë nuk dëshmoj për (të miratuar) padrejtësinë.” Atëherë babai u kthye dhe ma mori dhuratën.” - dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj të tjerëve e t’i shmangeni drejtësisë! - Të mos ju shtyjë urrejtja për dikë, që të mos zbatoni drejtësinë! Mbani gjithmonë drejtësi si për mikun, ashtu edhe për armikun! - Jini të drejtë, sepse kjo është më afër devotshmërisë dhe kijeni frikë Allahun! - Mbajtja e drejtësisë është vepër devotshmërie. - Pa dyshim, Allahu e di me hollësi gjithçka që bëni ju. - Ai ka për t’ju shpërblyer për veprat tuaja, të cilat i di shumë mirë, si të mirat, ashtu edhe të këqijat. - Atyre që kanë besuar dhe bëjnë vepra të mira, Allahu u premton falje gjynahesh dhe shpërblim të madh. - Ky është premtimi i Allahut për punëmirët. Për gjynahet që bëjnë, Ai premton falje dhe mbulim të tyre. Allahu ofron shpërblim të madh, pra, Xhenetin, i cili është dhuratë prej mëshirës së Tij për robërit, pasi ata nuk kanë mundësi që ta fitojnë Xhenetin me veprat e tyre. Duhet të theksojmë se Allahu i ka bërë veprat e mira si shkaqe për arritjen e mëshirës, mirësive, faljes dhe kënaqësisë së Tij. Kush bën vepra të mira, e përfshin mëshira e Zotit dhe, prej saj, hyn në Xhenet. Të gjitha vijnë prej Allahut dhe i dedikohen Atij. Vetëm Allahut i takojnë lavdërimet dhe mirënjohja për të gjitha mirësitë që dhuron. - Ata që mohojnë argumentet Tona, do të jenë banorë të Zjarrit. - Kjo është pjesë e drejtësisë dhe urtësisë së Allahut, nëpërmjet së cilës Ai vendos çdo gjë në vendin e vet. Ky është gjykimi i Zotit, me të cilin Ai nuk bën asnjë padrejtësi. Allahu është Gjykuesi më i Drejtë, i Urti dhe i Plotpushtetshmi. - O ju që keni besuar! Kujtojeni mirësinë e Allahut ndaj jush, kur një popull tentoi të zgjaste duart kundër jush, por (Allahu) i sprapsi duart e tyre prej jush! – Abdurrezaku sjell hadithin nga Xhabiri: 983. “Njëherë, Profeti (gjatë një udhëtimi) qëndroi në një vend dhe njerëzit u shpërndanë nëpër pemë, për të qëndruar nën hijet e tyre. Profeti e vari shpatën e vet në një nga degët e pemës. Ndërkohë, një nomad shkoi tek shpata e Profetit dhe, pasi e zhveshi nga milli, iu drejtua Profetit dhe i tha: “Kush të shpëton ty tani nga unë?” - “Allahu Krenar dhe i Lartësuar!” - tha Profeti ﷺ . Nomadi e përsëriti dy ose tri herë: “Kush të shpëton ty tani nga unë?” Profeti ﷺ iu përgjigj njëlloj: “Allahu!”. Atëherë, nomadi e ktheu shpatën në mill.

Më pas, Profeti u tregoi shokëve për atë që ndodhi me nomadin, ndërsa ai qëndronte ulur. Megjithatë, Profeti nuk e ndëshkoi atë.” Meameri thotë: “Katadja tregonte një histori të ngjashme me këtë, duke shtuar: Disa arabë donin ta vrisnin Profetin e Allahut, prandaj dërguan këtë nomad, duke shpjeguar me këtë fjalën e Allahut: “O ju që keni besuar! Kujtojeni mirësinë e Allahut ndaj jush, kur një popull tentoi të zgjaste duart kundër jush, por (Allahu) i sprapsi duart e tyre prej jush!” Ngjarja e këtij nomadi, i cili quhej Gaureth Ibn Harithi, është sjellë në hadith të saktë. Thuhet, gjithashtu, se ky ajet është zbritur dhe flet për Keab Ibn Eshrefin dhe njerëzit e tij, të cilët donin ta vrisnin pabesisht Profetin e Allahut dhe shokët e tij, kur ishin në shtëpinë e Keab Ibn Eshrefit. Në këtë version e ka sjellë Ibn Ebu Hatimi. Në një variant tjetër thuhet se ajeti ka zbritur e flet për fisin Benu Nadir, të cilët planifikuan të vrisnin Profetin duke i hedhur një rrasë të madhe guri nga sipër, kur ai shkoi tek ata për të negociuar në lidhje me kompensimin për një vrasje që ishte kryer gabimisht. Por Allahu i Madhëruar ia zbuloi Profetit të Tij planin e vrasjes. - Frikësojuni Allahut dhe vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët! - Ai që i mbështetet Allahut, Allahu do t’i mjaftojë dhe ka për ta ndihmuar për çdo nevojë, duke e ruajtur nga sherri i njerëzve. Pas përpjekjes së fisit Beni Nadir për vrasjen e tij, Profeti urdhëroi muslimanët që t’i rrethonin dhe në fund i dëboi ata nga Medina.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 5:8

- “O ju që keni besuar!” - Allahu i Madhëruar u drejtohet me këto fjalë atyre që kanë besuar. Por çfarë besojnë dhe si besojnë? Ata besojnë atë që Zoti i ka urdhëruar të besojnë, me mënyrën që Ai e ka caktuar. Ky është besimi i saktë dhe i pranueshëm. Ky besim kërkon që të zbatosh gjithçka që të dikton ai. Ndër veprat e diktuara nga imani është edhe dëshmia e drejtë për hir të Zotit: - “Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të Allahut, duke dëshmuar të drejtën ” - Kuptimi: Të gjitha forcat tuaja të brendshme dhe të jashtme të jenë të përkushtuara për çdo vepër që dikton imani i drejtë dhe i urdhëruar nga Zoti. Dëshmoni me drejtësi dhe çdo punë që kryeni le të jetë për hir të Allahut të Lartësuar dhe vetëm për hir të Tij, jo për hir të ndonjë interesi të kësaj dynjaje. Synimi juaj le të jetë vendosja dhe arritja e drejtësisë. Mos i kaloni kufijtë duke e tepruar apo duke shpërfillur të drejtat e të tjerëve. Mbani drejtësinë dhe jini me të drejtën në çdo rast, me të afërmit e me të largëtit, me miqtë e me armiqtë. - “dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj të tjerëve e t’i shmangeni drejtësisë! ” - Urrejtja ndaj dikujt nuk duhet të bëhet shtysë për t’ju larguar drejtësisë, sikurse veprojnë ata që nuk pyesin për drejtësi. Ashtu sikurse dëshmoni në favor të miqve tuaj, ashtu dëshmoni edhe kundër tyre, nëse këtë e kërkon drejtësia. Ashtu sikurse dëshmoni kundër armiqve tuaj për të vendosur drejtësinë, ashtu dëshmoni edhe në favor të tyre, nëse kështu është drejtësia, edhe nëse janë jobesimtarë apo bidatçinj. Është detyrë, gjithashtu, që të pranosh çdo fjalë dhe dëshmi të drejtë të sjellë prej tyre. E vërteta dhe e drejta pranohen sepse janë të

tilla, e jo sepse thuhen nga ky apo ai. E drejta nuk refuzohet sepse e ka thënë një i padrejtë, pasi kjo do të ishte padrejtësi ndaj të vërtetës. Përfundimisht, shmangia nga drejtësia është gjithmonë e palejueshme. - “Jini të drejtë, sepse kjo është më afër devotshmërisë” - Kuptimi: Sa më shumë të përkujdeseni për drejtësinë, aq më tepër do të forcohet devotshmëria në zemrat tuaja. Nëse plotësohet drejtësia, është plotësuar devotshmëria. - “dhe kijeni frikë Allahun! Pa dyshim, Allahu e di me hollësi gjithçka që bëni ju.” - Ky është përsëri një urdhër për të plotësuar devotshmërinë, duke kryer urdhëresat dhe duke ruajtur kufijtë e vendosur nga Allahu i Madhëruar. Të përpiqemi të plotësojmë devotshmërinë duke kujtuar një fakt të rëndësishëm: “Allahu di me hollësi se çfarë veproni.” Allahu ka për të shpërblyer çdonjë për veprat e tij, të mira apo të këqija, të vogla a të mëdha qofshin. Shpërblimi dhe shpagimi i tij do të realizohet në këtë jetë dhe në jetën e pafundme të ahiretit.

← Maide 5:8