5. Maide · Ajeti 97 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 5:97–5:105

Për të mirën e njërezve, Allahu e bëri të shenjtë Qaben me rrethinë, i përcaktoi të shenjtë katër muaj në vit, ashtu që në atë vend dhe në atë kohë ndaloi luftën, bile edhe gjuetinë e egërsirave. I bëri të shenjta edhe kafshët e shënuara me qafore, që ishte shenjë se ajo është e zgjedhur për kurban. Të gjitha këto bëhen për të qenë njerëzit të lirë në çështjet e fesë dhe në çështjet e jetës, por megjithëkëtë, idhujtarët mekas kundërshtonin udhëzimet e Zotit.

Nuk është kompetencë e Pejgamberit që njerëzit t'i verë në rrugë të drejtë, detyra e tij është ta kumtojë shpalljen e Zotit.

Të pyetet Pejgamberi ose dijetarët e fesë për çështje të fesë e të jetës, është porosi e Zotit, por pyetjet e panevojshme, pyetjet përgjigjet e të cilave do të shkaktonin brengosje e keqësim, nuk duhet bërë. Këso pyetjesh i patën bërë Salihut për deve, Musait për ta parë Zotin, Isait për tryezën dhe pasi që morën përgjigjen, nuk zbatuan urdhërin, andaj edhe u bënë qufarë.

Në kohën e xhahilijetit arabët kishin ndaluar disa kafshë shtëpiake që të mos u hahet mishi i tyre, të mos i pihet qumështi ose të mos ngarkohen me barrë, siç ishin Behire - devja që kishte lindur pesë herë e të mbramin mashkull, i shkyhej veshi dhe shpallej e lirë, nuk ngarkohej, nuk i hypej. Saibe-deve, që bëhej e lirë kur njeriu thoshte: nëse shërohem nga sëmundja, devja ime qoftë Saibe. Vesile - ishte qengji mashkull i lindur binak me një femër. Qengjin femër e konsideronin të tyre, mashkullin të zotave, e kur lindte mashkulli binak me femrën, nuk therrej për zotat. Hami - ishte mashkulli i deves, dhe pasi që bijtë e tij ishin rritur, shpina e tij ndalohej për hipje. Këto ishin adete te injorantëve, kështu që feja islame i anuloi.

Jemi të obliguar të këshillojmë për mirë e të ndalojmë nga e keqja derisa të mos dominojë: lakmia e tepërt, dhënia pas epsheve, dhe t'i japë përparësi secili arsyes së vet. Nëse arrin kjo gjendje ndër njerëz, atëherë ruaje veten tënde, pse këshilla nuk ka më efekt.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 5:96–5:99

- Juve ju është lejuar gjuetia e detit dhe çdo ushqim i tij, për t’u kënaqur ju dhe udhëtarët... - Ibn Abasi - sipas një transmetim të njohur prej tij - ka thënë se fjala “gjuetia e detit” ka për qëllim çdo gjallesë që nxirret e gjallë prej detit. Ndërsa

fjala “çdo ushqim i tij” ka për qëllim çdo gjallesë që deti e nxjerr të ngordhur. Po i njëjti mendim është transmetuar nga Ebu Bekër Sidiku, Zejd Ibn Thabiti, Abdullah Ibn Amri, Ebu Ejub el Ensari, (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) dhe nga një grup tabiinësh. Ibn Xheriri tregon se për këtë qëndrim vjen një rrëfim, të cilin disa e sjellin si hadith meukuf. Ai thotë: “Henadi na tregon me senedin e tij nga Ebu Hurejra, se Profeti i Allahut ka thënë: 1067. “Juve ju është lejuar gjuetia e detit dhe çdo ushqim i tij”. Pastaj tha: “Ushqimi i tij” janë gjallesat që deti i nxjerr të ngordhura.” Ibn Xheriri thotë: “Disa e kanë sjellë këtë si një hadith meukuf, pra, si fjalë të Ebu Hurejrës e jo të Profetit ﷺ ”. Allahu i Lartësuar thotë: “për t’u kënaqur ju...”, pra, që të jetë në dobinë tuaj dhe si furnizim për ju. Allahu thotë: “dhe udhëtarët”. Ikrima shpjegon: “...Pra, udhëtarët në det.” Ndërsa të tjerë e kanë shpjeguar: “Gjahu i freskët që nxirret prej detit (i gjallë) është për udhëtarët e detit, që e gjuajnë atë. Ndërsa “ushqimi i tij” janë gjallesat që kanë ngordhur në det, ose që janë gjuajtur e nxjerrë prej tij dhe janë tharë e kriposur, për t’u ruajtur si ushqim përgjatë udhëtimit në det, por edhe për ata që nuk janë në det. Një mendim i ngjashëm është sjellë nga Ibn Abasi, Muxhahidi dhe Suddiju. Shumica e dijetarëve kanë argumentuar me këtë ajet për të thënë se të gjitha kafshët e detit janë hallall edhe kur janë të ngordhura. Gjithashtu, ata argumentojnë edhe me hadithin që sjell Imam Maliku nga Xhabir Ibn Abdilahi, i cili ka thënë: “Profeti i Allahut dërgoi njëherë një çetë në një ekspeditë përgjatë bregdetit, në krye të së cilës emëroi Ebu Ubejdete Ibn Xherrahun. Ishin rreth 300 burra dhe unë bashkë me ta. Gjatë udhëtimit, furnizimet dhe ushqimet po na mbaronin. Atëherë Ebu Ubejde urdhëroi të grumbullohej i gjithë ushqimi i ushtarëve, dhe e mblodhi të gjithin. Unë kisha marrë hurma për rrugës. Ai na jepte çdo ditë nga pak e nga pak ushqim, aq sa nuk na mbeti të hanim më shumë sesa nga një hurmë. Por edhe ky ushqim i paktë, erdhi koha e mbaroi. Kur arritëm afër detit, gjetëm një peshk shumë të madh në breg, sa një kodër. E gjithë ushtria hëngri prej tij për 18 net me radhë. Ebu Ubejde urdhëroi që dy brinjë të peshkut të vendoseshin në këmbë, të mbështetura në njëra -tjetrën (si një portë e madhe), dhe pastaj urdhëroi që nën të të kalonte një deve e ngarkuar. Ajo kaloi përmes dhe as që i preku fare dy brinjët.” Ky hadith është në dy Sahih-ët dhe ka ardhur përmes shumë rrugëve nga Xhabir Ibn Abdilahi. Në versionin e sjellë nga Muslimi në Sahih-un e tij, përmes Ebu Zubejrit nga Xhabiri, thuhet: 1068. “...Ne morëm furnizim nga mishi i tij i tharë (e i kriposur) për rrugëtimin tonë. Kur mbërritëm në Medinë, ia treguam këtë Profetit të Allahut, i cili tha: “Ai ishte një furnizim që Zoti jua nxorri në breg. A keni ndonjë pjesë prej tij, të hamë edhe ne?” Ne i dërguam Profetit një pjesë nga ai dhe ai hëngri prej saj.” Malik Ibn Safuan Ibn Sulejm Ibn Seid Ibn Seleme ...... sjell hadithin nga Ebu Hurejra, që ka thënë: 1069. “Një burrë e pyeti Profetin e Allahut dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Ne udhëtojmë në det dhe me vete marim pak ujë. Nëse marrim abdes me të, do të ngelemi pa pirë. A të marrim abdes me ujin e detit?” Profeti i Allahut tha: “Uji i tij është i pastër dhe kafshët e ngordhura që dalin prej tij janë hallall .” Këtë hadith e kanë sjellë imam Shafiiu, imam Ahmedi dhe autorët e Sunen-eve. Ai është vlerësuar si i saktë nga Buhariu, Tirmidhiu, Ibn Huzejme, Ibn Hibani e të tjerë. Edhe një grup sahabësh kanë përcjellë diçka të ngjashme nga Profeti i Allahut. Kështu, imam Abdullah el Shafiiu sjell hadithin nga Ibn Umeri, se Profeti ﷺ ka thënë: 1070. “Na janë lejuar dy lloj gjakrash dhe dy lloj të ngordhurash: peshqit dhe karkalecat, mëlçia dhe shpretka.” Hadithin e ka sjellë edhe Ahmedi, Ibn Maxhe dhe Darekutni. Për këtë ka hadithe të tjera dëshmuese e përforcuese. Ky hadith është transmetuar edhe meukufen.

Megjithatë, Allahu është më i ditur. Në vijim, i Lartësuari thotë: - por ju është ndaluar gjahu i tokës, sa të jeni në ihram! - Gjatë kohës që jeni në ihram, është e ndaluar gjuetia e tokës. Ky ajet tregon se kjo është një vepër e ndaluar kategorikisht, pra, është haram. Nëse muhrimi gjuan me vetëdije e paramendim, ai ka detyrë ta shlyejë me kompensim dhe (duhet të kërkojë falje e) të pendohet, sepse merr gjynah. Nëse ai gjuan gabimisht, edhe në këtë rast ai e ka detyrë që të bëjë kompensimin dhe e ka haram që të hajë nga gjahu, sepse ai konsiderohet për të njëlloj si mishi i ngordhur. Por, a lejohet ai mish për të tjerët? Disa nuk e lejojnë diçka të tillë, ndërsa të tjerë janë të mendimit se ai është i lejueshëm për të tjerët, pavarësisht a janë në ihram ap o jo. Ata bazohen në hadithin: 1071. “Gjahu i tokës është hallall për ju kur jeni në ihram, nëse nuk e keni gjuajtur vetë dhe kur nuk e keni porositur ta gjuajnë për ju.” Imam Ahmedi e ka sjellë këtë hadith nga Xhabiri, ndërsa Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu e kanë sjellë nga Kutejbe. Nëse dikush që nuk është në ihram gjuan një kafshë në gjueti dhe ia dhuron një muhrimi, kur ai e ka gjuajtur posaçërisht për të, ai e ka të ndaluar ta hajë, sipas hadithit të Sa 'b Ibn Xhuthames: 1072. “Profetit iu dhurua një zebër (gomar i egër) gjatë kohës kur ai ishte në El Ebuâe, - ose në Beudân - por ai nuk e pranoi. Kur pa shqetësimin e dhuruesit, Profeti tha: “Ne nuk ta kthyem për ndonjë shkak tjetër, përveçse ne jemi në ihram.” Ky hadith është në dy Sahih-ët dhe është sjellë me tekste e në versione të ndryshme. Kështu, - thonë argumentuesit me këtë hadith - Profeti ia ktheu gjahun, sepse e mendoi se ai e kishte gjuajtur për të. Kjo do të thotë që, nëse dikush gjuan një gjah jo me qëllimin për t'ia dhuruar ndonjë muhrimi, ai lejohet, sipas hadithit: 1073. “Ebu Katade gjuajti një gomar të egër (ose zebër) përpara se të vishte ihramin, ndërsa shokët e tij ishin në ihram. Ata nuk hëngrën nga gjahu dhe pyetën Profetin e Allahut. Ai tha: “A pati ndonjë prej jush që i bëri me shenjë të gjuajë ose e ndihmoi në ndonjë mënyrë për këtë gjah?” - “Jo”, - tha ata. - “Atëherë, - tha Profeti ﷺ ,- hani prej tij!” Dhe Profeti i Allahut hëngri edhe vetë.” Edhe kjo histori është në dy Sahih-ët dhe është sjellë me tekst dhe versione të shumta.276 - Kijeni frikë Allahun, para të Cilit do të grumbulloheni! - Frikësojuni Allahut në lidhje me ato që Ai jua ka ndaluar. Vëreni me kujdes fjalën e Allahut kur thotë: “...para të Cilit do të grumbulloheni!” Ky është një kërcënim, duke u kujtuar robërve Ditën e Llogarisë dhe se të gjithë ata e kanë kthimin tek Zoti, ku do të llogariten me drejtësi për veprat e tyre. - Allahu e bëri Qaben, Shtëpinë e Shenjtë, vend rimëkëmbjeje për njerëzit... - El keabe tregon diçka me brinjë dhe kulme, pra, jo e rrumbullakët; gjithashtu, tregon diçka të shfaqur e të nxjerrë mbi sipërfaqe. Allahu e quajti Qaben “Shtëpia e Shenjtë”, sepse është pikërisht Ai që e shenjtëroi atë. Allahu i Madhëruar na njofton se e bëri Qaben “vend rimëkëmbjeje për njerëzit”, pra, në këtë vend, ata rimëkëmbin e përmirësojnë çështjet e fesë dhe të dynjasë së tyre: në të i frikësuari ndihet i sigurt, i dobëti gjen ndihmë, tregtari gjen begatinë, kurse adhuruesi gjen qetësinë dhe ëmbëlsinë e adhurimit. - edhe muajin e shenjtë... - Ky vjen pas Qabes dhe me të njëjtin gjykim. Është fjala për muajin e haxhit Dhul hixhe. Është përmendur veç muajve të tjerë të shenjtë, sepse gjatë këtij muaji kryhen adhurimet dhe ritet e haxhit. Disa kanë thënë se fjala “muaji i shenjtë” nënkupton të gjithë muajt e shenjtë, që janë: Dhul Ki'de, Dhul hixhe, Muharrem dhe Rexheb. Gjatë këtyre muajve, edhe në kohën para Islamit, njerëzit nuk kërkonin gjakun e të vrarëve, nuk luftonin kundër armiqve dhe iu largoheshin poshtërsive. Kështu, me këtë kuptim, edhe këta muaj të shenjtë konsideroheshin si rimëkëmbës të fesë dhe jetës së njerëzve.

- edhe kurbanin, edhe ato me qafore. - Pra, edhe këto bagëti dhe mirësitë që lidhen me to, Allahu i Madhëruar i bëri si rimëkëmbëse të pasurisë së njerëzve. Të gjitha këto, Allahu i Madhëruar i bëri për ju me qëllimin që: - Këtë, që ta dini se Allahu e di çfarë ka në qiej dhe çfarë ka në tokë... - Allahu di hollësisht çdo hollësi të çështjeve të qiellit dhe të Tokës. Ai i di mirë atë që është e dobishme për fenë dhe për jetën tuaj, prandaj ta kuptoni se çdo gjë që Allahu e ligjëroi për ju është në dobinë tuaj dhe për t'ju ruajtur nga çdo e keqe. - dhe se Allahu di gjithçka. - Dituria e Allahut përfshin gjithçka, e jo vetëm atë që është në qiell dhe në Tokë. Për këtë arsye, duhet ta dini se ai që shkel kufijtë e Zotit dhe nuk pendohet për këtë, meriton ndëshkim të rëndë. Por nëse pendohet e kthehet i nënshtruar për të zbatuar ligjin e Tij, Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë. - Dijeni se Allahu e ka ndëshkimin të rreptë dhe dijeni se Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. - Në vijim, i Lartësuari na njofton se detyra e Profetit është vetëm kumtimi i qartë i të vërtetës dhe Shpalljes. Ai thotë: - I Dërguari nuk ka tjetër obligim, veç kumtimit të qartë (të shpalljes). Allahu e di gjithçka që e bëni haptazi dhe atë që e mbani fshehtë. - Nëse nuk binden, atëherë le ta dinë se kanë dëmtuar veç vetveten. Ndërsa Profeti e ka bërë detyrën e vet dhe e ka përmbushur urdhrin e Allahut për kumtimin e qartë të Shpalljes.277

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 5:97–5:99

- “Allahu e bëri Qaben, Shtëpinë e Shenjtë, vend rimëkëmbjeje për njerëzit; edhe muajin e shenjtë, edhe kurbanin, ...” - Allahu i Madhëruar e bëri Qaben dhe adhurimet që kryen në të si rimëkëmbëse të njerëzve. Nëpërmjet adhurimeve të kryera në Shtëpinë e Lashtë, Allahu i Madhëruar u rimëkëmb njerëzve besimin dhe çështjet e tyre të dynjasë. Ato plotësojnë Islam in dhe fshijnë gjynahet e tyre. Duke synuar këtë faltore madhështore, njerëzit arrijnë mirësitë dhe bujarinë e pakufishme të Allahut të Lartësuar, sepse për ta vizituar atë shpenzohen pasuri dhe kryhen sakrifica të mëdha. Atje grumbullohen muslimanë nga çdo vend i botës, ku njihen dhe ndihmojnë njëri-tjetrin. Ata këshillohen dhe bashkëpunojnë me njëri -tjetrin për çështje të ndryshme, fetare ose jofetare. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Thirr ndër njerëz për haxh: ata do të vijnë në këmbë e (hipur) në deve të rraskapitura ngaqë vijnë prej rrugëve të thella e vendeve të largëta, për të parë të mirat që u janë falur atyre dhe për të madhëruar emrin e Allahut në ditë të caktuara për bagëtitë të cilat Ai ua ka dhënë (për kurban). Hani pra prej tyre (kurbaneve) dhe ushqeni të varfrin dhe nevojtarin. ” [Haxh 27, 28]. Pikërisht se Qabeja është rimëkëmbëse e njerëzve, disa dijetarë kanë thënë se kryerja e haxhit është farz kifaje çdo vit.42 Kësisoj, nëse të gjithë njerëzit nuk do ta kryenin haxhin në Shtëpinë e Shenjtë, çdokush që e ka pasur mundësinë për kryerjen e saj do të ishte gjynahqar. Madje, nëse njerëzit të tërë do ta braktisnin haxhin, kjo do të shënonte rrënimin e tyre, pasi do humbte faktori që sjell rimëkëmbjen e mirësive të tyre, dhe Kijameti do të ndodhte shpejt. - “...edhe ato me qafore” - Po kështu, si dobi për njerëzit janë edhe bagëtitë e shënuara me qafore, të cilat janë llojet më të mira të kurbaneve, nëpërmjet të cilave fitohet shpërblimi nga Allahu i Madhëruar. - “Këtë, që ta dini se Allahu e di çfarë ka në qiej dhe çfarë ka në tokë dhe se Allahu Di gjithçka. ” - Dhe pikërisht prej diturisë dhe urtësisë së Tij, Ai bëri Shtëpinë e Shenjtë. Ai e di shumë mirë për çdo mirësi tonën në dynja dhe ahiret. - “Dijeni se Allahu e ka ndëshkimin të rreptë dhe dijeni se Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. ” - Kuptimi: Njohja e këtyre dy fakteve le të jetë gjithmonë në zemrat tuaja, duke qenë të sigurt për to. Dijeni dhe kujtojeni vazhdimisht se Allahu është Ndëshkues i rreptë. Ndëshkimi i Tij godet në këtë dynja dhe në ahiret ata që nuk i binden Atij. Por dijeni dhe kujtojeni vazhdimisht që Allahu është gjithashtu Falës i Madh e Mëshirëplotë, në dynja dhe ahiret, për ata që i binden. Kjo njohje do të bëjë që në zemrat tuaja të lindë dhe të forcohet frika nga ndëshkimi i Tij dhe shpresa për faljen, mëshirën dhe shpërblimin e Tij. Ajo, gjithashtu, do t’ju nxisë që të punoni me këtë frikë dhe shpresë. Pastaj i Lartësuari thotë: - “I Dërguari nuk ka tjetër obligim, veç kumtimit të qartë (të shpalljes). ” - Dhe Profeti e përcolli saktësisht dhe plotësisht mesazhin e Zotit të tij, duke e kryer kështu të vetmen detyrë të tij. - “Allahu e di gjithçka që e bëni haptazi dhe atë që e mbani fshehtë. ” - Allahu do t’ju shpërblejë për veprat tuaja, të cilat Ai i di imtësisht dhe i ka të shënuara me korrektësi.

← Maide 5:97