50. Kaf · Ajeti 16 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 50:1–50:21

Shkronja "kafë" është sikurse edhe shkronjat e tjera në fillim të sureve, por mund të jetë edhe simbol i ndonjë fshehtësiee emër i Allahut, betim, emër i sures dhe jep të kuptojmë për mrekullinë e Kur'anit.

Kur'ani është libri më i lavdishëm, por idhujtarët çuditeshin se si njeriu mund të vijë pejgamber, si është e mundshme ringjallja pas vdekjes.

Për çdo pjesë të trupit të njeriut, të cilën ia ha toka, ekziston evidencë e saktë, asgjë nuk është e humbur, as numri, as emri, as pjesa e tretur në dhë.

Njerëzia duhet ta vështrojnë me vemendje fuqinë dhe mjeshtërinë e Zotit Krijues, si në qiellin e bekuar e të përsosur, i cili nuk ndryshon, ashtu edhe në tokën që kohë pas kohe merr pamje të ndryshme nga bimët dhe pemët e saj, të cilat përveç që janë stoli e saj, janë edhe ushqim për njerëz. Veçohet në të përmendur trungu i hurmës, ngase është mbret i pemëve.

Edhe popujt e mëparshëm nuk u besuan pejgamberëve për ringjallje. Po Ai Zot që për herë të parë bëri krijimin pa kurrfarë lodhjeje, a nuk është në gjendje ta bëjë ringjalljen?! Por atyre puna e ringjalljes u dukej shumë e madhe.

E Që Zoti thotë: Unë e krijova njeriun dhe e di se ç'i qarkullon në trurin e tij, e jam më afër se edhe rrahja e fundit e damarit të qafës së tij. Jam më afër edhe se dy melekët që i rrinë njëri në anën e djathtë e tjetri në anën e majtë dhe sa fjalë që flet ai, ata ia shkruajnë se janë aty pranë. E kur t'i vijë agonia e vdekjes, ai do ta shohë të vërtetën, do ta shohë gjendjen e jetës së ardhshme, prej së cilës gjithnjë ka ikur, duke mos dashur ta pranojë. Dhe kur i fryhet Surit për ringjallje, secilin njeri, i mirë qoftë ose i keq, e përcjell një melek, e një dëshmon për veprat që ka bërë dhe i thuhet: Ke qenë krejt gafil, e tash ta hoqëm atë që ta pat mbuluar zemrën, dëgjimin dhe të parit, e shikimi yt sot është shumë i mprehtë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 50:16–50:22

- “Ne e kemi krijuar njeriun dhe Ne dimë se ç’pëshpërit ai në vetvete. ” - Allahu i Lartësuar na tregon rreth pushtetit të Tij të plotë e absolut mbi njeriun dhe për faktin se Ai është Krijuesi i njeriut dhe se dituria e Tij është përfshirëse e të gjitha çështjeve të robërve, aq sa Allahu i Lartësuar di edhe ato vesvese që vërtiten brenda zemrave, kraha - rorëve dhe shpirtrave të bijve të Ademit, qofshin ato të mira apo mendime të këqija, rreth çdo çështjeje. Është transmetuar një hadith i saktë nga Profeti i Allahut, se ai ka thënë: 2472. “Allahu i Lartësuar ia ka falur umetit tim ato gjëra që vërtiten në shpirt e në mendje, nëse nuk i flet ose nuk i vepron ato .” [Buhariu dhe Muslimi]. - “Ne jemi më afër tij se damari i qafës së vet.” - Pra, melekët e Allahut të Lartësuar janë më afër tek njeriu sesa damari i qafës, sikurse thotë Allahu në ajetin tjetër, në lidhje me atë që është në agoninë e vdekjes: “E ju në atë çast shikoni (njeriun në agoni), Ne jemi më afër tij sesa ju, por ju nuk e shihni.” [Uakia 85]. Domethënë, janë mele - kët e Tij. Gjithashtu, i Lartësuari thotë në ajetin tjetër: “Ne e zbritëm Mesazhin (Kuranin) dhe sigurisht, Ne do të jemi mbrojtës të tij.” [Hixhr]. Janë melekët ata që e zbresin dhikrin, pra, Kuranin, me lejen dhe urdhrin e Allahut Krenar dhe të Lartësuar. Po kështu, melekët janë më afër njeriut, sesa damari i qafës së tij, sepse Allahu i Lartë - suar dhe Krenar ua ka dhënë këtë mundësi atyre. Melekët qëndrojnë shumë pranë njeriut dhe e nxisin atë për punë të mira, sikundër shejtani nuk i ndahet dhe e nxit njeriun për ligësi. Gjithashtu, Profeti na ka njoftuar se “... shejtani lëviz në trupin e njeriut ashtu siç lëviz gjaku në venat e tij.” [Buhariu]. - “Dy melekë qëndrojnë pranë tij ...” - Bëhet fjalë për dy melekët, të cilët shkruajnë punët e njeriut. - “... në të djathtë dhe në të majtë, të gatshëm.” - Domethënë, duke pritur të vëmendshëm, të kujdesshëm për çdo vepër të robit, që ta shkruajnë. - “Njeriu nuk thotë ndonjë fjalë pa pasur pranë një regjistrues në gatishmëri. ” - Çdo fjalë që nxjerr biri i Ademit, gjen pranë një regjistrues në gatishmëri. Pra, për çdo fjalë, është dikush që e pret për ta shkruar. Shkruajtësit nuk lënë asnjë fjalë apo vepër pa e shkruar. Imam Ahmedi transmeton nga Bilal Ibn Harith el Muzeni (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Profeti i Allahut ka thënë: 2473. “Vërtet, ndodh që dikush thotë një fjalë, e cila sjell kënaqësinë e Allahut të Lartësuar dhe që robi nuk mendon se do të arrijë ndonjë gradë shpërblimi, por, pikë - risht për të, Allahu i Lartësuar dhe Krenar e shkruan kënaqësinë e Tij për këtë rob, deri në ditën e takimit me Të. Po ashtu, me të vërtetë, ndodh që dikush thotë një fjalë, e cila sjell zemërimin e Allahut të Lartësuar dhe që robi as nuk e mendon se do të ndë - shkohet, por, pikërisht për të, Allahu i Lartësuar dhe Krenar ka për ta shkruar zemërimin kundër tij, deri në ditën e takimit me Të.” Alkame gjithmonë thoshte: “Eh, sa e sa fjalë më ka ndaluar që t’i them ky hadithi i Bilal Ibn Harithit.” Tirmidhiu e ka vlerësuar si hadith të saktë. Thuhet se Imam Ahmedi po rënkonte nga dhimbjet gjatë sëmundjes së tij, por kur iu transmetua prej Tauusit se: “meleku shkruan gjithçka, madje edhe rënkimin e dhimbjeve”, atëherë imam Ahmedi pushoi së rënkuari, derisa vdiq (Allahu e mëshiroftë!). - “Kur të vijë agonia e vdekjes me të vërtetën: Kjo është ajo së cilës i largo - heshe!” - Këto fjalë i drejtohen njeriut, besimtar apo mohues qoftë. Një hadith i saktë thotë se: 2474. “Kur Profetit ﷺ iu afrua vdekja, ai fshihte djersët nga fytyra e tij dhe thoshte: “Sub’hanallah, me të vërtetë vdekja vjen me agoninë e saj!” Më pas, i Lartësuari thotë: “Kjo është ajo, së cilës i largoheshe!” Pra, njeriu nuk mund t’i shmanget dot vdekjes. Sado të përpiqet të ikë prej saj, ai ka për t’u përballur me të. - “Ditën kur t’i fryhet Surit, ajo do të jetë dita e dënimit! ” - Ajo është Dita e Kija - metit. Profeti i Allahut ka thënë: 2475. “E si të kënaqem me jetën, ndërkohë që Meleku i

Bririt e ka vendosur bririn në gojën e tij dhe ka ngritur ballin, për të pritur që t’i jepet lejë për t’i fryrë atij?!” E pyetëm: “O i Dërguari i Allahut! Çfarë të themi?” Ai tha: “Thoni: Hasbunall-llahu ue ni’mel uekil (Na mjafton Allahu dhe Ai është më i miri mbështetës dhe kujdestar!)”. Dhe njerëzit thanë: “Hasbunall-llahu ue ni’mel uekil!” - “Çdo njeri do të vijë bashkë me shoqëruesin dhe dëshmitarin vet. ” - Një melek ka për ta çuar drejt vendit të tubimit, kurse një melek tjetër do të dëshmojë për të, në lidhje me punët e tij. Ky është kuptimi i shfaqur prej ajetit të nderuar dhe ky është shpjegimi që ka pëlqyer Ibn Xheriri. Nga Jahja Ibn Rafi’u, ‘ Meula’ i Thekifit, përci - llet se ka thënë: “Kam dëgjuar Uthman Ibn Afanin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) që të mbajë hytbe dhe lexojë këtë ajet: “Çdo njeri do të vijë bashkë me shoqëruesin dhe dëshmitarin vet.”, dhe të thotë: “Pra, një udhrrëfyes, që ta çojë drejt Allahut të Lartë - suar dhe një dëshmitar, i cili do të dëshmojë për punët e tij. Po kështu kanë thënë edhe Muxhahidi, Katade edhe Ibn Zejdi. - “Ti ke qenë i papërgatitur për këtë ditë.” - Ti ishe tërësisht i pavëmendshëm në lidhje me këtë ditë, e cila është Dita e Kijametit. - “Ne tani po ta heqim perden dhe shiki - mi yt sot është shumë i qartë. ” - Shikimi yt është shumë i qartë. Ditën e Kijametit çdokush do të shohë qartë gjithçka. Mo - huesit, të cilët kanë refuzuar fenë e Zotit në dynja, në Ditën e Kijametit do ta besojnë plotësisht të vërtetën, por tashmë nuk u sjell asnjë dobi ky besim. Allahu Krenar dhe i Lartë-suar thotë: “Sa mirë do të dëgjojnë dhe do të shohin ata, ditën kur do të vijnë te Ne! Por sot keqbërësit janë në humbje të thellë.” [Merjem 38]. Ose: “Veç sikur të mund t’i shohësh mëkatarët kur, kokëulur para Zotit të tyre, thonë: “O Zoti ynë! Tani pamë dhe dëgjuam. Na kthe edhe një herë, që të bëjmë vepra të mira. Tani ne jemi tërësisht të bindur”.” [Sexhde 12].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 50:16–50:18

- “Ne e kemi krijuar njeriun dhe Ne dimë se ç’pëshpërit ai në vetvete. Ne jemi më afër tij se damari i qafës së vet.” - Allahu i Madhëruar na tregon se Ai është i vetmi që Krijues dhe është Ai që e krijoi njeriun. Ai është i Gjithëditur për atë që ka krijuar. Madje, Allahu di në hollësi edhe atë që njeriu pëshpërit në veten e vet. Ai di atë që e shfaqim dhe atë që e mbajmë fshehur. Allahut nuk i fshihet asgjë në qiell dhe në Tokë, sado e vogël të jetë ajo. Ai është Mbikëqyrësi, Gjithëshikuesi, Dëshmuesi i gjithçkaje që ndodh në gjithësinë, që vetë e krijoi. Askush nuk mund të jetë më i ditur për krijesat sesa Allahu, që i krijoi ato. Allahu është pranë njerëzve, madje më pranë sesa damari i qafës së tyre. Kjo duhet të forcojë tek ne ndjenjën e drojës dhe edukatën me Krijuesin tonë. E si mund të ndihesh ndryshe, kur ndien kaq pranë shikimin e Atij që di të shfaqurën dhe të fshehurën, që di dhe sheh çdo mendim që vërtitet në shpirtin e njeriut?! Ai të sheh në çdo gjendje, në çdo kohë dhe kudo që të jesh. Kjo duhet ta na bëjë të kemi turp dhe të mos lejojmë që Allahu i Lartësuar të na gjejë duke vepruar, folur apo menduar keq, në kundërshtim me urdhëresat e Tij. - “Dy melekë qëndrojnë pranë tij, në të djathtë dhe në të majtë.” - Njeriu duhet të kujtojë vazhdimisht edhe praninë e dy melekëve të nderuar, që i qëndrojnë njëri në

të majtë dhe tjetri në të djathtë, për të shkruar çdo fjalë e vepër të tij. Ai duhet ta respektojë praninë e tyre, duke mos e lejuar veten në fjalë dhe vepra jo të denja për besimtarin dhe që nuk e kënaqin Zotin e botëve. Asnjë fjalë dhe vepër nuk u shpëton këtyre shkruesve besnikë të Zotit të botëve. - “Njeriu nuk thotë ndonjë fjalë pa pasur pranë një regjistrues të gatshëm.” - Çdo fjalë a vepër, e mirë apo e keqe, shënohet nga melekët. Meleku në të djathtë shënon fjalët dhe veprat e mira, ndërsa meleku në të majtë shënon fjalët dhe veprat e këqija. Këta të dy janë gjithmonë dhe kudo të pranishëm me njeriun, në çdo gjendje të tij. Në një ajet tjetër, i Lartësuari thotë: “Pa dyshim, mbi ju qëndrojnë rojet. Ata janë shkrues të ndershëm. Ata dinë gjithçka që bëni ju.” [Infitar 10-12].

← Kaf 50:16