52. Tur · Ajeti 17 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 52:1–52:28
Tur është kodra në të cilën Zoti i foli Musait. Libri i shkruar në rreshta e në fletë të hapura, është Kur'ani që lexohet prej besimtarëve në mus-haf, e prej melekëve në Levhi Mahfudh. Shtëpia e banuar është Qabja, të cilën gjithnjë e vizitojnë haxhinjtë, ose Bejtul Ma'muri në qiell, të cilin e vizitojnë melekët. Kulm i ngritur është qielli. Deti i mbushur me ujë, ose deti që në momentin e katastrofës do të ndizet si zjarr. Zoti betohet në këto krijime se dënimi për kundërshtarë është realitet i pamohueshëm. Lëkundja e qiellit andej-këndej dhe shkulja e kodrave e fluturimi i tyre, japin të kuptohet se dynjaja mori fund, sepse toka, qielli, malet, detet, janë krijuar që njerëzit të përfitojnë prej tyre, e deri sa në të nuk do të kthehet më askush, ajo shkatërrohet.
Të mjerë janë ata që refuzuan mësimet e Zotit dhe atë ditë u thuhet kur janë në prag të xhehenemit: A mos është kjo ndonjë magji, apo jeni verbuar siç u verbuat në dynja ndaj udhëzimeve të Zotit.
Xhennetlinjtë, përveç që janë të kënaqur me të mirat e xhennetit,Zoti do t'i kënaqë edhe më tepër, kur do t'ua shoqërojë edhe fëmijët e tyre në xhennet, edhe nëse fëmija i tyre nuk ka meritë për atë shkallë të xhennetit, por atë e bën për hirë të prindërve të mirë, Kuptohet, nëse fëmija ka qenë besimtar sikurse edhe prindërit e vet, e nëse jo, atëherë këputen të gjitha lidhjet.
Gjithashtu kuptohet se edhe xhennetlinjtë edhe xhehenemlinjtë i përkujtojnë veprat dhe gjendjen e tyre se ishin në dynja, e besimtarët do të kënaqen kur i përkujtojnë vështirësitë e dynjasë dhe gjendjen e tyre të kënaqshme në xhennet, ndërsa të tjerët mjerimin në xhehenem.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 52:17–52:20
Allahu i Lartësuar na tregon për gjendjen e fatlumëve: - “Vërtet, të devotshmit do të jenë në kopshtet e Xhenetit dhe në begati ...” - Gjendja e tyre është e ndryshme nga ata që ndëshkohen, duke e merituar zemërimin e Zotit. - “Të kënaqur me ato që u ka dhuruar Zoti i tyre. ” - Të lumtur, duke shijuar çdo kënaqësi që u dhuron Zoti dhe mirësitë e përhershme, që gjenden në Xhenet. - “Zoti i tyre i ruajti ata nga vuajtjet në Zjarrin flakërues. ” - Zoti i shpëtoi nga ndëshkimi i Zjarrit, dhe kjo në vetvete është një mirësi e madhe, përveç hyrjes në Xhenet, atje ku ka mirësi të tilla, që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe zemra e askujt prej njerëzve nuk e ka imagjinuar. - “Hani e pini duke u kënaqur, për hir të veprave që keni bërë!” - Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar: “ Hani e pini shijshëm, sepse ju e keni përgatitur këtë në ditët e kaluara! ” [Hakka 24]. Ky shpërblim jepet për punët e mira, si bujari dhe bami - rësi prej Zotit. I Lartësuari thotë në vijim: - “Ata do të rrinë të mbështetur në shtretër të rregulluar mirë. ” - Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar: “ Të mbë - shtetur në kolltukë përballë njëri -tjetrit.” [Saffat 44]. Ata qëndrojnë në shtretër përballë njëri-tjetrit. - “Ne do t’i martojmë ata me hyri sybukura.” - Ata do të kenë shoqëruese të mira, bashkëshorte të bukura prej hyrive symëdha. Përshkrimin e hyrive e kemi bërë në shumë ajete të tjera të ngjashme, çka e bën të panevojshme që t’i rikthehemi këtu.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 52:17–52:20
Pasi foli për ndëshkimin e jobesimtarëve, Allahu i Lartësuar përshkruan shpërblimin e të devotshmëve, që ruajnë kufijtë e Tij, duke kryer detyrimet dhe duke iu larguar harameve, në shenjë dashurie, madhërimi dhe nënshtrimi ndaj Tij. Kështu, Allahu i Lartësuar vendos paralel kërcënimin dhe inkurajimin, shpresën dhe frikën, të domosdoshme këto për një rob adhurues. - “Vërtet, të devotshmit do të jenë në kopshtet e Xhenetit dhe në begati...” – Të devotshëm janë ata që i druhen zemërimit dhe ndëshkimit të Zotit, duke kryer urdhëresat dhe duke iu larguar harameve, në shenjë adhurimi për Të dhe në kërkim të kënaqësisë së Tij. Këta fatlumë do të jenë në kopshte, që janë të mbuluar me pemë dhe bimë që dredhojnë sipër tyre. Nëpër këto kopshte të bukura rrjedhin lumenj dhe lartësohen kështjella të stolisura. Atje do të përjetojnë lumturinë, me të gjitha përmasat e saj, me zemër, shpirt dhe me trup. - “...të kënaqur me ato që u ka dhuruar Zoti i tyre. Zoti i tyre i ruajti ata nga vuajtjet në Zjarrin flakërues.” - Ata janë tejet të kënaqur dhe të lumtur me mirësitë që Zoti i tyre u ka dhuruar, të cilat askush nuk mund t’i përshkruajë, sikurse thotë i Lartësuari: “Askush nuk di për atë kënaqësi (të zemrës e të shpirtit) , që u është caktuar atyre si shpërblim për veprat e tyre të mira (në dynja) .” [Sexhde 17]. Zoti u dhuron atyre çdo gjë që e dëshirojnë dhe i ruan nga çdo gjë që i tremben. Kështu vepron me ta i Gjithëmëshirshmi e Bamirësi, sepse edhe ata bëjnë atë që Zoti e dëshiron dhe i largohen asaj që Ai e urren. Duke i uruar dhe përshëndetur, atyre u thuhet: - “Hani e pini duke u kënaqur, për hir të veprave që keni bërë!” - Gjatë ushqimit dhe pijes, gjithashtu, do t’u thuhet: “Ju bëftë mirë dhe u gëzofshi me kënaqësi të njëpasnjëshme! Të gjitha këto që po shijoni i fituat me veprat dhe fjalët tuaja të mira.” - “Ata do të rrinë të mbështetur në shtretër të rregulluar mirë.” - Ata do qëndrojnë të shtrirë e të mbështetur, me rehati e kënaqësi të plotë. Shtretërit e tyre janë të zbukuruar dhe të sistemuar. Allahu i Lartësuar i ka përshkruar si shtretër “mesfufeh”, domethënë, të sistemuar dhe të mirëvendosur. Ata do të qëndrojnë së bashku me gratë e tyre mbi ata shtretër, ku do të kënaqen dhe do t’i thonë njëri -tjetrit fjalë të ëmbla. Duke qenë se ata do të provojnë në Xhenet kënaqësi që lumturojnë zemrën, shpirtin dhe trupin, që askush nuk mund t’i përfytyrojë realisht në dynja, atëherë nuk mbetet gjë tjetër që t’i plotësojë kënaqësitë e tyre, veç grave dhe çfarë ato ofrojnë. Ata do të kenë gratë më të përsosura në cilësitë e tyre trupore, shpirtërore dhe morale: - “Ne do t’i martojmë ata me hyri sybukura.” - Ato janë gra tek të cilat bashkohen bukuria dhe hijeshia fizike me moralin dhe sjelljen e përkryer. Bukuria e
tyre çorodit çdo njeri që i shikon e kundron. Zemrat gati pëlcasin nga malli për t’i pasur dhe për të qenë me to, thjesht e vetëm me një shikim të hedhur prej tyre. Sytë e tyre janë shumë të bukur dhe shprehës të dashurisë që fshehin. E bardha dhe e zeza e syve të tyre janë në kontrast vezullues.