56. Vakia · Ajeti 41 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 56:27–56:56
Edhe grupi i dytë, të djathtët janë të shpërblyer te Zoti i tyre me lloj-lloj të mirash, duke filluar prej gjelbërimit, hijes së përjetshme, sepse në xhennet nuk ka diell, andaj hija është e përhershme. Pemë të ndryshme, ujë burimesh, e edhe gra të reja, pse edhe plakat do të ringjallen të reja. Në këtë grup do të jenë shumë edhe prej të parëve e edhe prej të mëvonshmëve.
Pas dy grupeve fatlume, përshkruhet gjendja e grupit të tretë, të atyre që librat u vijnë nga ana e majtë. Siç kuptohet prej këtyre ajeteve, ata janë njerëz që nuk e besuan ringjalljen, nuk e besuan botën tjetër që është një prej themeleve të besimit të drejtë, e për këtë shkak i godit fati i zi, andaj në fund të këtyre ajeteve u thuhet në mënyrë gjykuese: Kjo është mikpritja juaj.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 56:41–56:56
Pasi përmendi bamirësit, punëmirët, që do ta marrin librin nga e djathta, Allahu i Lar - tësuar na tregon për të dëshpëruarit, të cilët që do ta marrin librat e veprave të tyre nga e majta: - “Po njerëzit e të majtës? E cilët janë të majtët” - Pra, cilët janë ata? Për kë bëhet fjalë? Më pas përshkruhen me hollësi:
- “Ata janë në afshin përvëlues të zjarrit dhe në ujë të valë...” Semumi është afshi i nxehtë, ndërsa hamimi është uji i vluar. - “Nën një hije tymi ...” - Tym i zi dhe mbytës. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të lartësuar: “Shkoni tek ai vend, që ju e konsideronit të gënjeshtërt! Shkoni tek ajo hije, që ka tri degëzime, që nuk bën as fresk e as nuk bron prej flakëve! Ai hedh shkëndija të mëdha, sa një kështjellë, që duken sikur të ishin deve të verdha. Ajo ditë është mjerim i madh për mohuesit.” [Murselat 29 - 34]. - “As të freskët e as të këndshme.” - Ajo hije tymi nuk sjell asnjë freski dhe nuk ka pamje të këndshme dhe qetësuese, sikurse dëshiron njeriu. I Lartësuari përmend më pas shkakun, përse e meritojnë këtë gjendje fatkeqe atë ditë: - “Më përpara, ata kanë qenë të dhënë pas kënaqësive ...” - Në jetën e dynjasë, ata ishin të dhënë pas kënaqësive, duke shpërfillur tërësisht mesazhet e profetëve të Zotit. - “Dhe vazhdimisht bënin gjynahun e madh.” - Ata bënin vazhdimisht poshtërsi e gjynahe dhe kurrë nuk pendoheshin dhe as që mendonin diçka të tillë. Ata ishin të vazhdueshëm në “gjynahun e madh”, domethënë, në mohimin e Zotit dhe në idhujtari. Thuhet, gjithashtu, se bëhet fjalë për betimet e rreme: kur ti betohesh dhe e di se çështja qëndron tërësisht ndryshe. Megji - thatë, mendimi më i saktë është se bëhet fjalë për shirkun dhe mosbesimin në profe - tët dhe shpalljet e Zotit. Ky ka qenë mendi - mi i Ibn Abasit, Muxhahidit dhe Ikrimas. - Ata thoshin: “Vallë, pasi të vdesim e të bëhemi dhe e eshtra, vërtet do të ringjallemi?! Vallë, edhe etërit tanë të hershëm?” - Kështu, ata mohonin të vërtetën, që u thoshte Profeti dhe e konsideronin si diçka të largët dhe të pamundur që të realizohet. - “Thuaju: “Të jeni të sigurt se, edhe të parët edhe të fundmit, keni për t’u tubuar në një ditë të caktuar.” – Kuptimi: Njoftoji ata, o Muhamed, se ata - dhe të gjithë bijtë e Ademit - do të tubohen në Ditën e Kijametit. Allahu i Lartësuar thotë në ajetin tjetër: “Pa dyshim, këtu ka shumë mësime për atë që i druhet dënimit të jetës tjetër. Ajo është dita e tubimit të njerëzve dhe dita që do ta dëshmojnë (të gjithë). Ne nuk po e vonojmë atë, përveçse deri në afatin e caktuar. Kur të vijë ajo ditë, askush nuk do të flasë pa lejen e Tij. Prej tyre do të ketë të dëshpëruar, por do të ketë edhe të lumtur.” [Hud 103 - 105]. Kështu, ajo ditë as nuk do të përshpejtohet dhe as do të vonohet. Më pas, i Lartësuari thotë: - “Atëherë, ju, o të humbur e jobesimta - rë, keni për të ngrënë prej pemës Zekum. Me të keni për ta mbushur barkun.” - Kështu, ata do të mbyllen në atë vend dhe do të detyrohen që të hanë prej pemës së Zekumit, derisa ta mbushin barkun plot. - “E menjëherë pas saj do të pini prej ujit të vluar, do të pini si deveja e etshme.” - Devetë me him, që gjininë femërore bëjnë ‘hejma’. Es -Sudiju shpjegon se el hejmu është një sëmundje, që i kap devetë, e cila i bën që të pinë e kurrë të mos ndiejnë
ngopje; kështu, ato vazhdojnë të pijnë e të pijnë, derisa ngordhin. Kështu do të jenë banorët e Xhehenemit: kurrë nuk kanë për ta shuar etjen e tyre nga pirja e ujit të nxehtë e të vluar. - “Kjo është “gostia” e tyre në Ditën e Gjykimit.” - Kjo është “pritja”, që bëhet tek Zoti në Ditën e Llogarisë. Ndërsa pritja e besimtarëve do të jetë ndryshe. I Lartë - suari thotë: “Nuk ka dyshim se për ata që besojnë dhe bëjnë punë të mira, vend -pritës janë kopshtet e Firdeusit. Aty do të jenë përgjithmonë dhe kurrë nuk do të kërkojnë të largohen nga ai.” [Kehf 107, 108].
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 56:41–56:57
- “Po njerëzit e të majtës? E kush janë ata të majtit se?! ” - Këtu bëhet fjalë për banorët e Zjarrit, që kanë bërë vepra të këqija. Allahu i Madhëruar tregon për ndëshkimin e meritueshëm të tyre: - “Ata janë në afshin përvëlues të zjarrit dhe në ujë të valë,...” - Afshi i nxehtë (semum), që vjen nga nxehtësia e madhe e zjarrit të Xhehenemit, ua merr frymën dhe i torturon. Ndërsa kur pinë ujin e nxehtë (hamîm), ai ua copëton zorrët dhe barkun. - “Nën një hije tymi, as të freskët e as të këndshme.” – Ky është vetë zjarri i Xhehenemit i përzier me tymin e tij të zi, errësirë mbi errësirë. Hija e tij nuk jep freski, nuk jep qetësi e nuk është privilegj. Ajo ekziston vetëm për ndëshkim, dëshpërim, frikë e ligësi. Pastaj i Madhëruari përshkruan veprat e tyre, të cilat ishin shkaku i këtij ndëshkimi: - “Më përpara, ata kanë qenë të dhënë pas kënaqësive (të ndaluara) ” - Dynjaja dhe stolitë e saj i bënë të harrohen dhe të angazhohen tërësisht me të. Ata punuan veç për të, duke u kënaqur e argëtuar, të përhumbur në mirësitë e saj. Ata projektuan ëndrra veç në lidhje me dynjanë e tyre, duke e harruar ahiretin dhe nënvlerësuar veprat e mira, me të cilat arrihet lumturia e përjetshme. Dëfrimet që të bëjnë të harrosh ahiretin dhe të braktisësh veprat e mira, janë të ndaluara dhe të dënueshme nga Zoti. - “Dhe vazhdimisht bënin gjynahe të mëdha.” - Ata ishin fundosur në gjynahe të mëdha dhe nuk pendoheshin asnjëherë për to. Ata vazhdonin pandërprerë në fjalë e vepra që zemëronin Krijuesin, i Cili përkujdesej për ta. Kështu vijuan, deri në momentin kur dolën para Tij, me peshën e rëndë të gjynaheve të tyre, për të cilat nuk kërkuan falje atëherë kur kjo do t’u bënte dobi. Ata, madje, e mohonin ringjalljen dhe vërtetësinë e saj, prandaj thoshin: - “Ata thoshin: “Vallë, pasi të vdesim e të bëhemi dhé e eshtra, vërtet do të ringjallemi?! Vallë, edhe etërit tanë të hershëm?” - Me habi e mosbesim pyesnin: Si do të mund të ringjallemi pasi të jemi tretur e bërë një me dheun, ose pasi të kemi mbetur një grumbull kockash? Sipas tyre, kjo qe diçka e pamundur. Duke u dhënë përgjigje pyetjes së tyre dhe duke i kërcënuar, Allahu i Madhëruar thotë: - “Thuaju: “Të jeni të sigurt se, edhe të parët edhe të fundmit, keni për t’u tubuar në një ditë të caktuar.”” - Të parët dhe të fundit, të gjithë pa përjashtim, ka për t’i ringjallur i Plotfuqishmi, Allahu i Madhëruar, i Cili do t’i tubojë në Ditën e Caktuar. Zoti e përcaktoi atë ditë për të ringjallur për të marrë në llogari krijesat, dhe pastaj për t’i shpërblyer sipas veprave që kanë bërë në dynja. - “Atëherë, ju, o të humbur e jobesimtarë,...” - O ju të humbur nga rruga e drejtë dhe ndjekës të rrugës së keqe, ju që nuk besoni profetët e Zotit dhe shpalljet e Tij, o ju mospërfillës të premtimeve dhe kërcënimeve të Tij! - “Keni për të ngrënë prej pemës Zekum.” – Ju keni për të ngrënë nga Zekumi, e cila është pema më e pështirë dhe
më e shëmtuar, me erën më të keqe dhe me pamjen më të tmerrshme. - “Prej saj keni për ta mbushur barkun!” - Ajo që i bën të hanë si të babëzitur prej kësaj peme, me gjithë pamjen dhe cilësitë e saj të neveritshme, është uria e tejskajshme e tyre, që ua copëton barkun dhe i bën të vuajnë tmerrësisht. Por ky ushqim, të cilin ata e hanë për të larguar urinë, - sikurse e përshkruan i Madhëruari, - nuk ta heq aspak urinë. Edhe pija e tyre është gjëja më e shpifur: - “E menjëherë pas saj do të pini prej ujit të vluar...” - Pas atij ushqimi të pështirë, ata do të pinë ujë të nxehtë, që ua këput zorrët dhe barkun e tyre. Ata do të pinë, sikurse thotë Allahu: - “...do të pini si deveja e etshme!” - Domethënë, me etje të madhe, ashtu si një deve e etur në kulm. Madje, ‘ el him’ quhet edhe një sëmundje që i zë devetë, që i bën ato të pinë e të pinë dhe të mos ndiejnë ngopje. - “Kjo është “gostia” e tyre në Ditën e Gjykimit.” – Me këtë ushqim e pije do të jetë ‘pritja’ e tyre në Ditën e Llogarisë. Kjo është mikpritja, që vetë ata e përgatitën për veten e tyre. Kësaj gostie i dhanë përparësi, duke privuar veten nga mikpritja e mrekullueshme që Allahu i Lartësuar ka përgatitur për të zgjedhurit e Tij: “Nuk ka dyshim se për ata që besojnë dhe bëjnë punë të mira, vendpritës janë kopshtet e Firdeusit . Aty do të jenë përgjithmonë dhe kurrë nuk do të kërkojnë të largohen nga ai .” [Kehf 107, 108]. Pastai i Lartësuari sjell një argument logjik për vërtetësinë e ringjalljes: - “Ne ju kemi krijuar ju. Përse nuk e pranoni, atëherë? ” – Kuptimi: Allahu që ju krijoi atëherë kur ju nuk ekzistonit as si emër, madje ju krijoi pa u lodhur aspak dhe pa ndier vështirësi, pra, Ai që është i plotfuqishëm për krijimin e gjithçkaje, a nuk është i plotfuqishëm për të ringjallur të vdekurit?! Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka, prandaj edhe ju qorton e paralajmëron për mosbesimin tuaj për ringjalljen. Ju jeni vetë provë e krijimit që ka bërë Allahu, i cili është më i madh se ringjallja juaj.