مَّن ذَا ٱلَّذِي يُقۡرِضُ ٱللَّهَ قَرۡضًا حَسَنٗا فَيُضَٰعِفَهُۥ لَهُۥ وَلَهُۥٓ أَجۡرٞ كَرِيمٞ
Kush është ai që i huazon All-llahut një hua të mirë e që Ai t'ia shumëfishojë atë dhe ai ka një shpërblim të mirë.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Çdo qenie a send në këtë ekzistencë i bën tesbih Zotit. Tesbih d.m.th. madhërimi i qenieve ndaj Zotit, duke larguar prej Tij çdo të metë, që i përshkruhet nga ndonjë injorant. Shprehja e tesbihut formohet në trajtën e kohës së shkuar, të kohës së tashme e të ardhshmes vjen në infinitiv, edhe në mënyrën urdhërore, e na jep të kuptojmë, se tesbih ndaj Zotit është i vazhdueshëm për çdo kohë e moment. Qenia e Zotit të Madhëruar nuk ka fillim e as mbarim, është i dukshëm përmes fakteve që dokumentojnë për Të, e qenia e Tij esenciale është e paarritshme prej mendjes së njeriut. Pasuria, edhe e tërë bota ekzistenciale është e Allahut, e njerëzit vetëm e trashëgojnë njëri pas tjetrit, prandaj nuk duhet të bëjnë koprraci me pasurinë që trashëguan dhe do ta lënë trashëgim, e posaçërisht kur është fjala e shpenzimit të saj për lartësimin dhe forcimin e fesë, shpalljes së Zotit. Shpenzimi për në rrugën e Zotit, për qëllimet që Zoti i ka caktuar dhe i pëlqen do të shumëfishohet me thevab prej Tij.