Vërtet, All-llahu dëgjoi fjalët e asaj e cila bisedoi me ty lidhur me burrin e vet, që u ankua te All-llahu; prandaj All-llahu e dëgjon bisedën tuaj, All-llahu dëgjon çdo bisedë dhe sheh çdo punë.
"Ata prej jush që bëjnë "Dhihar" (epërsia ime ndaj teje është haram si epërsia ndaj nënës sime) ndaj grave të veta, në të vërtetë ato nuk janë nënat e tyre, nënat e tyre janë vetëm ato që i kanë lindur ata, ndërsa ata janë duke thënë fjalë të irituara dhe gënjeshtra, por All-llahu është që lë shumë pa marrë në përgjegjësi dhe shumë falë.
Ata që krahasojnë (me nëna) dhe largohen nga gratë e veta, e pastaj zbrapsen nga ajo që kanë thënë, janë të obliguar që para se të kontaktojnë ndërmjet vete ta lirojnë një rob. Kjo është dispozitë me të cilën porositeni, e All-llahu është i njohur hollësisht me atë që ju punoni.
E kush nuk gjen (rob për lirim), atëherë le të agjërojë dy muaj rresht para se të kontaktojnë, e kush nuk mundet, atëherë le t'i ushqejë gjashtëdhjetë të varfër. Kjo (dispozitë ju shërben) për të vërtetuar ju se besoni All-llahun dhe të dërguarin e Tij (e jo zakonet injorante). Këto, pra janë përcaktimet e All-llahut. Ndërkaq, mohuesit kanë dënim të rëndë.
Është e vërtetë se ata që i kundërvihen All-llahut dhe të dërguarit të Tij janë të mposhtur, ashtu siç u mposhtën ata përpara tyre. Mirëpo, Ne u kemi shpallur fakte të qarta, e për mohuesit është një dënim i turpshëm.
Në ditën kur All-llahu i ringjall ata të gjithë, i njofton me atë që kanë punuar, pse All-llahu ka mbajtur ato shënime, edhe pse ata i kanë harruar. All-llahu është Ai që çdo send e sheh dhe e përcjell.
A nuk e di ti (o dëgjues) se All-llahu di çka ka në qiej dhe çka ka në tokë?! Nuk bëhet bisedë e fshehtë mes tre vetave e të mos jetë Ai i katërti; e as mes pesë vetave e të mos jetë Ai i gjashti, e as mes më pak vetave dhe as mes më shumë vetave, e të mos jetë Ai me ta, kudo që të jenë. Pastaj, në ditën e kijametit i njofton ata me atë që kanë punuar. All-llahu ka përshirë çdo send në dijen e vet.
"A nuk i sheh ata që ishin të ndaluar të bisedojnë fshehtë, se si i kthehen përsëri asaj nga e cila ishin të ndaluar dhe pëshpërisin për çka është mëkat, për çka është mizori dhe çka është në kundërshti të të dërguarit. Ata kur vijnë te ti, të përshëndesin me atë që All-llahu nuk të përshëndet dhe vetëmevete thonë: "Përse All-llahu nuk na dënon për këtë që po e themi?" Por, mjaft është për ta xhehennemi në të cilin hidhen. Sa vend i shëmtuar është ai.
O ju që keni besuar, kur bisedoni mes vete fshehurazi, mos bisedoni për çka është mëkat, armiqësi dhe kundërshti ndaj pejgamberit, por bisedoni për punë të ndershme e të matura dhe kini frikën All-llahut, te i cili do të tuboheni!
Bisedën e fshehtë e nxit vetëm djalli për t'i shqetësuar ata që besuan, ndonëse ajo nuk mund t'i dëmtojë ata fare pa dëshirën e All-llahut, andaj vetëm All-llahut le t'i mbështeten besimtarët!*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Ndër arabët injorantë ka qenë zakon, që nëse burri i thotë gruas së vet: “Ti për mua je si shpina e nënës sime”,- ajo mbetej varur, as e lëshuar, dhe as e palëshuar, pse jeta bashkëshortore ishte e ndaluar. Atij farë akti arabët i thoshin “Dhihar”, që kuptohej se burri i thoshte gruas, epërsia ime mbi ty është e ndaluar, si epërsia mbi nënën time, me çka merrte fund jeta intime bashkëshortore. Ashtu i ndodhi Havlete binti Thalebes, gruas së Evs bin Samit, e cila shkon te Pejgamberi dhe ia parashtron gjendjen e vet, duke i thënë: Evsi ka shprehur “Dhihar” ndaj meje, pasi jam e moshuar e dobësuar, unë kam fëmijë të vegjël, nëse ia lë atij shkojnë poshtë, nëse i marr unë do të vuajnë nga uria, çka më mëson?!...- Pejgamberi a.s. i thotë: “Çka të them, je haram për të!”- Ajo i thotë: “Nuk ma ka përmendur lëshimin!”- Pejgamberi sërish i jep të njëjtën përgjigje. Ky dialog zgjat bukur shumë, e në fund ajo i drejtohet me ankim Allahut. Nuk vonon e Xhibrili me këtë pjesë të Kuranit nga i madhi Zot ia beh te Pejgamberi a.s. Ai zakon i shëmtuar ndalohet, prandaj ata që bëjnë atë gabim obligohen: ta lirojnë një rob, ose të agjërojnë dy muaj pandërprerë, ose t’i ushqejnë e t’i ngopin gjashtëdhjetë të varfër. Këto janë ligje të Allahut, e kush iu kundërvihet ai do të mposhtet. Hipokritët dhe jehuditë bisedonin fshehtas kundër besimtarëve, duke menduar se për ato biseda nuk di askush pos tyre, por Zoti i zbuloi pëshpëritjet e tyre dhe iu dha të kuptojnë, se Atij nuk mund t’i fshihet asnjë send në qiej, as në tokë, e as mendimet e armiqve, e as bisedat tinëzake. Jehuditë e përshëndesnin Muhamedin a.s., kinse me Selamu alejkum, e i thoshin: “Essamu alejkum”, fjalë e cila ishte fyese, kishte kuptimin “të marrtë vdekja”. Pejgamberi e dinte, por nuk ua zgjaste më shumë, vetëm se iu thoshte “Edhe juve u qoftë ashtu!” (ve alejkum). Aisheja i dëgjoi një herë dhe e zemëruar ua ktheu ashtu si thoshin ata. Pejgamberi a.s. i tha: “Aishe, mos u ngut, Allahu i urren shprehjet e këqija, a më dëgjon mua që iu them “ve alejkum” - edhe juve, e Zoti mua ma pranon atë që ua them, kurse atyre jo”. Besimtarin që me bindje të plotë i është mbështetur Zotit, nuk mund ta dëmtojnë intrigat e fshehta.
O ju që besuat, kur t'ju thuhet: zgjerohuni (bëni vend) në vend ndeje, zgjerohuni, se All-llahu bën zgjerim për ju, e kur t'ju thuhet: ngrihuni! Atëherë ju ngrihuni, All-llahu i lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri. All-llahu është i njohur mirë me atë që punoni.
O ju që keni besuar, kur dëshironi të bisedoni me të dërguarin, jepni një sadaká para bisedës suaj. Kjo është më mirë për ju dhe më pastër; e nëse nuk keni çka të jepni, All-llahu është mëkatfalës, mëshirues.
A u frikësuat (varfërisë) të jepni lëmoshë në prag të bisedës suaj? E kur ju nuk e bëtë dhe All-llahu ju fali, atëherë pra falni namazin, jepni zeqatin, respektojeni All-llahun dhe të dërguarin e Tij, All-llahu është i njohur me punën tuaj.
A e dini për ata që kanë miqësuar një popull që All-llahu ka shprehur mallkim kundër tyre? Ata nuk janë as prej jush as prej atyre dhe me vetëdije betohen rrejshëm.
Ditën kur All-llahu i ringjall të gjithë, e ata i betohen Atij, sikurse u betoheshin juve, dhe mendojnë (me atë betim) të arrijnë diçka. Pra ta dini, se ata janë me të vërtetë rrenacakët.
Ata i ka nënshtruar djalli dhe ua ka qitur në harresë porositë e All-llahut. Ata janë shoqëri e djallit, e dijeni se ithtarët e djallit janë më të dëshpëruarit.
Nuk gjen popull që e beson All-llahun dhe ditën e gjykimit, e ta dojë atë që e kundërshton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, edhe sikur të jenë ata (kundërshtarët) prindërit e tyre, ose fëmijët e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre. Ata janë që në zemrat e tyre (Ai) ka skalitur besimin dhe e ka forcuar me shpirt nga ana e Tij dhe ata do t'i shpjerrë në xhennete, nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Aty janë, përgjithmonë. All-llahu ua ka pëlqyer punën e tyre dhe ata janë të kënaqur me shpërblimin e Tij. Të tillët janë palë (grup, parti) e All-llahut, ta dini pra, se ithtarët e All-llahut janë ata të shpëtuarit.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Besimtarët janë të urdhëruar, që t’i bëjnë vend njëri-tjetrit, duke ua mundësuar të gjithëve të gjejnë vend aty ku bisedohet. Nuk janë të obliguar e të porositur, që duke u ngritur vetë t’i lëshojnë vendin tjetrit, por pa u ngritur t’i bëjnë vend. Kush i bën vend tjetrit Allahu ia zgjeron atij rrizkun, gjoksin, varrin, xhenetin. E nëse është urdhër për t’u ngritur, atëherë duhet ngritur, pse ata që zbatojnë urdhrin, Allahu i ngre lart, por më së larti i ngre të zotët e dijes. Në këtë ajet Allahu lavdëron dijetarët. Dhënia e lëmoshës para bisedës me Pejgamberin a.s. ishte sprovë për besimtarin e sinqertë, për jo-lakmuesin ndaj kësaj bote.
Shpërndaj
—
0:00
Shtoje në ekranin kryesorShtyp Shpërndaj dhe pastaj «Shto në ekranin kryesor».Hap menynë ⋮ të shfletuesit dhe zgjidh «Shto në ekranin kryesor».
Shtoje në ekranin kryesor
Shtyp butonin Shpërndaj në shiritin e Safarit, poshtë në ekran: katrori me shigjetë lart.
Rrëshqit listën poshtë dhe zgjidh «Shto në ekranin kryesor», pastaj «Shto».
Faqja hapet pastaj si aplikacion, pa shiritin e shfletuesit.