إِنَّمَا ٱلنَّجۡوَىٰ مِنَ ٱلشَّيۡطَٰنِ لِيَحۡزُنَ ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَلَيۡسَ بِضَآرِّهِمۡ شَيۡـًٔا إِلَّا بِإِذۡنِ ٱللَّهِۚ وَعَلَى ٱللَّهِ فَلۡيَتَوَكَّلِ ٱلۡمُؤۡمِنُونَ
Bisedën e fshehtë e nxit vetëm djalli për t'i shqetësuar ata që besuan, ndonëse ajo nuk mund t'i dëmtojë ata fare pa dëshirën e All-llahut, andaj vetëm All-llahut le t'i mbështeten besimtarët!*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Ndër arabët injorantë ka qenë zakon, që nëse burri i thotë gruas së vet: “Ti për mua je si shpina e nënës sime”,- ajo mbetej varur, as e lëshuar, dhe as e palëshuar, pse jeta bashkëshortore ishte e ndaluar. Atij farë akti arabët i thoshin “Dhihar”, që kuptohej se burri i thoshte gruas, epërsia ime mbi ty është e ndaluar, si epërsia mbi nënën time, me çka merrte fund jeta intime bashkëshortore. Ashtu i ndodhi Havlete binti Thalebes, gruas së Evs bin Samit, e cila shkon te Pejgamberi dhe ia parashtron gjendjen e vet, duke i thënë: Evsi ka shprehur “Dhihar” ndaj meje, pasi jam e moshuar e dobësuar, unë kam fëmijë të vegjël, nëse ia lë atij shkojnë poshtë, nëse i marr unë do të vuajnë nga uria, çka më mëson?!...- Pejgamberi a.s. i thotë: “Çka të them, je haram për të!”- Ajo i thotë: “Nuk ma ka përmendur lëshimin!”- Pejgamberi sërish i jep të njëjtën përgjigje. Ky dialog zgjat bukur shumë, e në fund ajo i drejtohet me ankim Allahut. Nuk vonon e Xhibrili me këtë pjesë të Kuranit nga i madhi Zot ia beh te Pejgamberi a.s. Ai zakon i shëmtuar ndalohet, prandaj ata që bëjnë atë gabim obligohen: ta lirojnë një rob, ose të agjërojnë dy muaj pandërprerë, ose t’i ushqejnë e t’i ngopin gjashtëdhjetë të varfër. Këto janë ligje të Allahut, e kush iu kundërvihet ai do të mposhtet. Hipokritët dhe jehuditë bisedonin fshehtas kundër besimtarëve, duke menduar se për ato biseda nuk di askush pos tyre, por Zoti i zbuloi pëshpëritjet e tyre dhe iu dha të kuptojnë, se Atij nuk mund t’i fshihet asnjë send në qiej, as në tokë, e as mendimet e armiqve, e as bisedat tinëzake. Jehuditë e përshëndesnin Muhamedin a.s., kinse me Selamu alejkum, e i thoshin: “Essamu alejkum”, fjalë e cila ishte fyese, kishte kuptimin “të marrtë vdekja”. Pejgamberi e dinte, por nuk ua zgjaste më shumë, vetëm se iu thoshte “Edhe juve u qoftë ashtu!” (ve alejkum). Aisheja i dëgjoi një herë dhe e zemëruar ua ktheu ashtu si thoshin ata. Pejgamberi a.s. i tha: “Aishe, mos u ngut, Allahu i urren shprehjet e këqija, a më dëgjon mua që iu them “ve alejkum” - edhe juve, e Zoti mua ma pranon atë që ua them, kurse atyre jo”. Besimtarin që me bindje të plotë i është mbështetur Zotit, nuk mund ta dëmtojnë intrigat e fshehta.