58. Muxhadele · Ajeti 8 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 58:1–58:10

Ndër arabët injorantë kishte qenë zakon që nëse burri i thotë gruas së vet: "Ti për mua je si shpina e nënës sime", ajo mbetej varur, as e lëshuar dhe as e palëshuar, pse jeta bashkëshortore ishte e ndaluar. Atij farë akti, arabët i thoshin "Dhihar", që kuptohej se burri i thoshte gruas, epërsia ime mbi ty është e ndaluar si epërsia mbi nënën time, me çka merrte fund jeta intime bashkëshortore. Ashtu i ndodh Havlete binti Thalebes, gruas së Evës bin Samit, e cila shkon te Pejgamberi dhe i parashtron gjendjen, duke i thënë: Evsi ka shprehur '"Dhihar"' ndaj meje, pasi që jam moshuar e dobësuar, unë kam fëmijë të vegjël, nëse ia lë atij shkojnë poshtë, nëse i marr unë, do të vuajnë nga uria, çka më mëson" Pejgamberi i thotë: "Çka të them, je haram për të!" Ajo i thotë: "Nuk më ka përmendur lëshimin!" Pejgamberi sërish ia jep të njëjtën përgjigje. Ky dialog zgjat bukur shumë, e në fund ajo i drejtohet me ankim Allahut. Nuk vonon e Xhibrili me këtë pjesë të Kur'anit nga i madhi Zot, ia beh te Pejgamberi.

Ai zakon i shëmtuar ndalohet, prandaj ata që bëjnë atë gabim obligohen: ta lirojnë një rob ose të agjërojnë dy muaj pandërprerë ose t'i ushqejnë e t'i ngopin gjashtëdhjetë të varfër. Këto janë ligje të Allahut, e kush u kundërvihet, ai do të mposhtet.

Hipokritët dhe jehuditë bisedonin fshehtas kundër besimtarëve, duke menduar se për ato biseda nuk di askush pos tyre, por Zoti i zbuloi ato pëshpëritje të tyre dhe u dha të kuptojnë se Atij nuk mund t'i fshihet asnjë send në qiej as në tokë, e as mendimet e armiqve e as bisedat tinëzake.

Jehuditë e përshëndetnin Muhammedin a.s., kinse me Selamun alejkum, e i thoshin: "Es samu alejkum", fjalë e cila ishte fyese, kishte kuptimin "të marrtë vdekja". Pejgamberi e dinte, por nuk zgjaste më shumë, vetëm se u thoshte "Edhe juve u qoftë ashtu" (ve alejkum). Aisheja i dëgjoi njëherë dhe e zemëruar ua ktheu ashtu si thoshin ata. Pejgamberi i tha: "Aishe, mos u ngut, Allahu urren shprehjet e këqija, a më dëgjon mua që u them "ve alejkum" - edhe juve, e Zoti mua më pranon atë që ua them, kurse atyre jo".

Besimtarin që me bindje të plotë i është mbështetur Zotit, nuk mund ta dëmtojnë intrigat e fshehta.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 58:8–58:10

- “A nuk i sheh ata të cilët, edhe pse u është ndaluar të bisedojnë fshehtas, i kthehen përsëri së ndaluarës dhe pëshpë - risin për gjynahe, nxitje armiqësish dhe mosbindje ndaj të Dërguarit?” - Ibn Ebu Nexhih përcjell nga Muxhahidi, se këtu bëhet fjalë për jehudët. Po kështu ka thënë

edhe Mukatil Ibn Hajani, i cili shton: 2611. “Profeti ﷺ kishte nënshkruar një marrëveshje paqeje me jehudët. Megjithatë, sa herë që pranë vendbanimeve të tyre kalonte ndonjë prej shokëve Profetit ,ﷺata bisedonin fshehtas mes tyre, në një mënyrë të tillë që besimtari të mendonte se ata ishin duke biseduar rreth tij dhe po synonin vrasjen apo lëndimin e tij. Si rrjedhojë, kur besimtari vërente diçka të tillë, frikësohej, prandaj shpeshherë i shmangej kalimit nëpër rrugët e tyre. Profeti i Allahut i ndaloi ata nga të tilla biseda dhe sjellje, por ata vazhdonin. Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti: “A nuk i sheh ata të cilët, edhe pse u është ndaluar të bisedojnë fshehtas, i kthehen përsëri së nda - luarës dhe pëshpërisin për gjynahe, nxitje armiqësish dhe mosbindje ndaj të Dërgua - rit?”. Vëreni në fjalën e Allahut: “... dhe pëshpërisin për gjynahe, nxitje armiqësish dhe mosbindje ndaj të Dërguarit ...”. Pra, ajeti na tregon se ata, së pari, diskutonin mes tyre për çështje që të ngarkonin me gjynah. Përveç kësaj, bisedat kishin edhe nxitje armiqësish. Ata vendosnin mes tyre që të kundërshtonin Profetin e Allahut dhe të mos zbatonin porositë dhe marëveshjet me të. Madje, ata nxisnin edhe të tjerët për diçka të tillë. Më pas, i Lartësuari thotë: - “Kur vijnë tek ti, ata të përshëndesin jo ashtu si të përshëndet Allahu ...” - Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Aishja, që rrëfen: 2612. “Njëherë, te Profeti i Allahut erdhën disa jehudë dhe thanë: “ Es-Sâmu alejkum, o Ebu Kasim .” (Pra, vdekja rëntë mbi ty o Ebu Kasim!). Unë ua ktheva: “Edhe mbi ju rëntë vdekja!” Por Profeti i Allahut më tha: “O Aishe! Allahu nuk e dëshiron sjelljen e vrazhdë dhe të ulët.” Unë i thashë: “A nuk i dëgjove kur thanë ‘ EsSamu alejke’, duke përdredhur gjuhën, që të dëgjohej si ‘Selamu alejkum’?!” Profeti i Allahut më tha: “A nuk më dëgjove dhe mua kur ua ktheva: ‘ Ue Alejkum’ (pra “Edhe mbi ju gjithashtu!”? Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti: “Kur vijnë tek ti, ata të përshëndesin jo ashtu si të përshëndet Allahu dhe thonë me vete: “Përse nuk na dënon Allahu për këto fjalë që po themi?” Mjafton për ta Xhehenemi, ku do të hidhen. Eh, sa vend i tmerrshëm është ai!” Në një transmetim tjetër të saktë thuhet se: 2613. Aishja, në përgjigjen që u ktheu atyre, tha: “Alejkumus-sâmu ue dhamu uel -lea’neh!” Pra: “Mbi ju qoftë vdekja, poshtërimi dhe mallkimi!”. Kurse Profeti i Allahut i tha Aishes: “Lutja që bëjmë ne kundër tyre pranohet, kurse lutja dhe mallkimet që ata bëjnë mbi ne nuk pranohen nga Zoti.” Ibn Xheriri sjell hadithin nga Enes Ibn Maliku që rrëfen: “Ndërsa i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ishte ulur me shokët e tij, një çifut erdhi dhe i përshëndeti dhe ata iu përgjigjën. Profeti i Zotit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) tha: "A e dini se çfarë tha?" Ata thanë: “Na përshëndeti me selam, o i Dërguar i Zotit.” Ai tha: “Përkundrazi, ai tha: “Vdekja rëntë mbi ju!” Kthejani tani". Kur ia kthyen, Profeti i Zotit i pyeti: “I thatë: ‘Vdekja qoftë mbi ju!’? - “Po”. Atëherë i Dërguari i Zotit, (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!) u mësoi: “Kur ju përshëndet dikush nga ithtarët e Librit, thjesht thoni: “ Ue alejkum”, që do të thotë: “Edhe mbi ju qoftë ajo që keni thënë!”. - “... dhe thonë me vete: “Përse nuk na dënon Allahu për këto fjalë që po the - mi?” - Kjo ishte sjellja e tyre. Ata thoshin mes vete: “Nëse ky do të ishte vërtet Profet, Allahu do të na ndëshkonte për fjalët që thamë kundër tij, sepse Allahu e di se çfarë fshehim ne në zemra.” - “Për ta mjafton Xhehenemi, ku do të hidhen.” - Është i mjaftueshëm dënimi në Xhehenem në jetën tjetër, si ndëshkim për këtë që bëjnë. Le ta presin këtë ndëshkim dhe të mos shqetësohen pse Zoti nuk po i ndëshkon në këtë jetë. - “Sa vend i tmerrshëm është ai! ” - Ky do të jetë ndëshkimi për ata të mjerë. Le ta dinë se ai është vendi më i keq për ndëshkim dhe përfundimi më i dhimbshëm. Më pas, duke edukuar robërit e Tij besimtarë, që të mos jenë si mohuesit dhe si munafikët në sjelljet dhe fjalët e tyre, i Lartësuari thotë:

- “O ju që keni besuar! Kur bisedoni fshehtas me njëri -tjetrin, mos bisedoni për gjynahe, nxitje armiqësish dhe mosbindje ndaj Profetit, por bisedoni për punë të mira e devotshmëri! ” - Mos bëni ashtu si injorantët e ithtarëve të Librit apo si munafikët dhe pasuesit e tyre, duke i ndje - kur në rrugën e humbjes dhe errësirat ku janë zhytur, por bisedoni veçse për gjëra të mira. Më pas, i Lartësuari kërcënon të pabindurit: - “Gjithmonë kini frikë Allahun, tek i Cili do të tuboheni të gjithë! ” - Atëherë, Allahu i Madhëruar do t’ju tregojë punët dhe fjalët tuaja, të cilat Ai jua ka shkruar dhe ruajtur me korrektësi. Ai ka për t’ju shpërblyer ose ndëshkuar, me drejtësinë e Tij. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Safuan Ibn Muhrizi, i cili rrëfen: 2614. “Kisha kapur për dore Ibn Umerin, kur erdhi një burrë dhe i tha: “Çfarë ke dëgjuar nga Profeti i Allahut në lidhje me ‘ nexhua-n’ (bisedën e fshehtë) Ditën e Gjykimit?” Ibn Umeri tha: “E kam dëgjuar të thotë se, Ditën e Gjykimit, Allahu Krenar dhe i Lartësuar e afron besimtarin dhe vendos një perde, për ta mbuluar atë nga njerëzit. Ai e bën që të pohojë dhe pranojë të gjitha gjynahet e tij, duke i thënë: “A e di për këtë gjynah? A e di për atë gjynah? A e di për këtë gjynahun tjetër?” Kështu e bën që të pranojë të gjitha gjynahet që ka bërë në dynja, saqë besimtari frikësohet në vete se tashmë ka për t’u shkatërruar. Atëherë, Allahu i Lartësuar thotë: “Dije se, Unë t’i fsheha ato në jetën e dynja së dhe unë kam për t’i mbuluar dhe falur ato edhe sot.” Pastaj robit i jepet libri i veprave të mira, që ka kryer. Për sa u përket mohuesve dhe munafikëve: “... dëshmitarët do të thonë: “Këta janë ata që kanë gënjyer kundër Zotit të tyre. Mallkimi i Allahut qoftë mbi të padrejtët!” Ngjashëm me këtë version e kanë sjellë Buhariu dhe Muslimi në Sahihët e tyre prej Katades. - “Bisedat e fshehta i nxit vetëm shejtani, për t’u sjellë shqetësime atyre që be - sojnë.” - Me të vërtetë, bisedat e fshehta, ato të cilat i japin të kuptojë besimtarit se po synohet diçka e keqe, i nxit vetëm shejtani, për t’u sjellë shqetësime atyre që besojnë. Ato janë vepra të nxitura dhe të zbukuruara prej shejtanit të mallkuar, i cili ua zbukuron atyre të mashtruarve që ndjekin hapat e tij. Këtë, i mallkuari e bën që të shqetësojë dhe t’u japë mundim besimtarëve. Por, diçka e tillë nuk mund t’i dëmtojë aspak ata, veçse nëse e lejon Allahu i Lartësuar me urtësinë e Tij: - “Por ato nuk mund t’i dëmtojnë ata aspak, pa lejen e Allahut. Prandaj, vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët! ” - Kështu, nëse dikush ndien shqetësim nga të tilla biseda, le të kërkojë mbrojtje dhe stre - him tek Allahu i Madhëruar, le t’i mbë - shtetet tërësisht Atij dhe të jetë i bindur se asnjë e keqe nuk ka për t’i ndodhur. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Abdullah Ibn Mesudi se Profeti i Allahut ka thënë: 2615. “Kur jeni tre veta, të mos bisedojnë fshehtas dy vetë dhe ta lenë jashtë bisedës shokun e tyre të tretë, sepse kjo i sjell shqetësim atij.” Kështu e kanë sjellë Buhariu dhe Muslimi prej El Eameshit.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 58:8–58:9

- “A nuk i sheh ata të cilët, edhe pse u është ndaluar të bisedojnë fshehtas (për gjynahe), i kthehen përsëri së ndaluarës dhe pëshpërisin për gjynahe, nxitje armiqësish dhe mosbindje ndaj të Dërguarit?” - El nexhua quhet një bisedë e fshehtë e zhvilluar mes dy ose më shumë personave. Ajo mund të kryhet për mirë ose për keq. Allahu i Madhëruar i urdhëron besimtarët që të bisedojnë vetëm për mirë e jo për keq. Le të diskutojnë për çdo çështje që kënaq Zotin dhe që është adhurim ndaj Tij. Vepra e mirë mund të jetë plotësim i të drejtave të Allahut ose në dobi të krijesave. Allahu i Madhëruar urdhëron, gjithashtu, që bisedat të jenë në funksion të devotshmërisë, e cila nënkupton largimin nga çdo fjalë e vepër të ndaluar nga Zoti, që sjell ndëshkim e të ngarkon me gjynahe. Besimtarët e zbatojnë me kujdes këtë porosi hyjnore. Në bisedat e tyre të fshehta ata flasin veçse për gjëra që e kënaqin Allahun e Madhëruar dhe që i largojnë nga ndëshkimi i Tij. Ndërsa gjynahqarët i shpërfillin porositë e Allahut. Ata i sheh gjithmonë të flasin për çështje që i ngarkojnë me gjynahe, që nxisin armiqësi

dhe urrejtje, në kundërshtim me porositë e Zotit dhe Profetit. Ata u përngjajnë munafikëve, të cilët e kanë zakon diçka të tillë. Më pas, i Lartësuari thotë: - “Kur vijnë tek ti, ata të përshëndesin jo ashtu si të përshëndet Allahu...” - Ata tregonin mungesë edukate në mënyrën se si përshëndesnin Profetin (a.s.), duke fshehur brenda tyre mendime, të cilat Allahu, Njohësi i të dukshmes dhe të fshehtës, ua nxori në shesh. Ata thanë: - “...dhe thonë me vete: “Përse nuk na dënon Allahu për këto fjalë që po themi?”” – Ata, si pa të keq, nuk e quanin ndonjë gjë të madhe këtë tallje që bënin dhe, veç kësaj, me paturpësi e mendjelehtësi, thanë: “Pse nuk na ndëshkon Allahu për këto që po themi?!” A thua sikur po argumentonin e thoshin që, përderisa Zoti nuk po na ndëshkon për këtë, atëherë kjo është diçka jo e keqe! Sigurisht, këtë e bënin thjesht për tallje. Por Allahu ua bëri të qartë atyre se Ai afatizon, por kurrë nuk harron: - “Mjafton për ta Xhehenemi, ku do të hidhen. Eh, sa vend i tmerrshëm është ai!” - Mjafton si ndëshkim për ta Xhehenemi, ku janë mbledhur të gjitha llojet e vuajtjeve. Dhimbja ka për t’i rrethuar nga çdo anë. Të jenë të sigurt se ata kanë për të shijuar ndëshkimin e merituar. Ajeti flet ose për munafikët, që shfaqnin imanin dhe fshihnin kufrin, të cilët kur i flisnin Profetit (a.s.) shtireshin sikur i donin të mirën, por në të vërtetë ishin mashtrues dhe dashakeqës, ose ishin ithtarë të Librit të cilët, kur i drejtoheshin Profetit (a.s.), e përshëndesnin duke i thënë “ Es-samu alejkum!”, pra “Vdekja qoftë mbi ju!”, duke shtrembëruar me dinakëri përshëndetjen “Es-selamu alejkum !” - “Paqja qoftë mbi ju!” - “O ju që keni besuar! Kur bisedoni fshehtas me njëri -tjetrin, mos bisedoni për gjynahe, nxitje armiqësish dhe mosbindje ndaj të Dërguarit , por bisedoni për punë të mira e devotshmëri! Gjithmonë ta keni frikë Allahun, tek i Cilit do të tuboheni të gjithë (për llogarinë me drejtësi) !” - Besimi me siguri të plotë për takimin me Allahun dhe llogarinë e drejtë para Tij, është ndihma më e madhe që e bën robin të qëndrojë brenda kufijve të Allahut të Madhëruar dhe t’u përmbahet porosive të Tij.

← Muxhadele 58:8