59. Hashr · Ajeti 18 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 59:11–59:24

Ibni Ubej ibni Selul, prijës i hipokritëve, dërgon te fisi Beni Nadir dhe u thotë të mos pranojnë të largohen prej Medinës, u premton se ai së bashku me ithtarët e tij hipokritë, sido që të jetë gjendja, do të jetë në anën dhe në ndihmën e tyre. Kur'ani zbuloi gënjeshtrën e tyre, sepse ata as nuk dolën me ta e as nuk u ndihmuan. Mandej, Kur'ani i njoftoi besimtarët se Zoti u ka shtënë frikën në zemrat e tyre, madje ata duken se janë të bashkuar me jehuditë, por ato janë vetëm fjalë goje. Hipokritët e luanin rolin e dreqit, i cili pasi ta mashtorjë njeriun, tërhiqet prej tij.

Besimtarët porositen të veprojnë e të përgatiten për jetën e ardhshme, të mos i harrojnë këshillat e Zotit, se njerëzit do të ndahen në dy grupe: për në xhennet dhe për në xhehenem. Madhështia e përmbajtjes së Kur'anit është aq e efektshme, sa që sikur malet të kishin të menduar, ani pse janë aq të mëdha, do të përuleshin dhe do të shqyheshin nga droja prej ndëshkimit të Zotit, e njeriu që ka arsye e mendje, shpeshherë nuk i vështron me vëmendje thëniet e Zotit në Kur'an, gjë kjo që është për çdo habi.

Në fund numërohen disa cilësi të të madhit Zot, disa emra të bukur të Tij, të cilët na japin të kuptojmë për madhështinë e Tij.

Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i sures El Hashru. lavdëruar qoftë Allahu i madhëruar!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 59:18–59:20

Imam Ahmedi sjell një hadith nga Mundhir Ibn Xheriri, e ky nga i ati, i cili tregon: “Ishim njëherë me të Dërguarin (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin me të!) diku para - dite. Tek ai erdhën disa njerëz këmbëzba - thur dhe lakuriq, që ishin mbështjellë veçse me ndonjë rreckë të leshtë (me vija si lëkurë leopardi) ose ndonjë bërrucë krahëve, dhe me shpatat varur në qafë. Shumica e tyre dukej të ishin prej Mudari. Madje, të gjithë ishin nga Mudari (një nga fiset e mëdha arabe të shkretëtirës). Kur Profeti i Allahut pa varfërinë e madhe tek ata, i ndryshoi fytyra. Ai hynte e dilte, i shqetësuar për gjendjen e tyre. Pastaj urdhëroi Bilalin të thërriste ezanin dhe ikametin dhe fali nama - zin me njerëzit. Më pas, hipi në mimber e mbajti një hutbe, ku, ndër të tjera, tha: “O njerëz! Kini frikë Zotin tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, ndërsa prej tij krijoi bashkëshorten, e prej atyre të dyve përhapi shumë burra e gra. Kini frikë Allahun, me emrin e të Cilit përbetoheni dhe ruajini lidhjet farefisnore! Vërtet, Allahu është Mbikëqyrësi juaj i përhershëm.” [Nisa 1]. Pastaj lexoi ajetin: “O ju që keni besuar! Jini të devotshëm ndaj Allahut dhe le të shikojë njeriu se çfarë ka përgatitur për nesër! Kini frikë Allahun! Nuk ka dyshim se Allahu di në detaje gjithçka që ju bëni!” Atëherë, dikush dha sadaka disa dinarë, dikush dirhemë, dikush disa veshje, dikush një sahan me hurma, madje dikush dha edhe një gjysmë hurme. Pastaj erdhi një ensar me një qese të madhe me monedha, aq sa mezi po e mbante. Kështu, njerëzit ndoqën njëri - tjetrin për të dhënë ç’të mundeshin, derisa e pashë të Dërguarin e Zotit, t’i shkëlqente fytyra e tij, si flori. Pastaj, i Dërguari i Allahut (lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!) tha: “Ai që nxit një veprim të mirë, ai do të marrë njëlloj si shpërblimi i atyre që e pasojnë, deri në Ditën e Gjykimit, pa ia pakësuar shpërblimin atyre. Ai që nxit në humbje, ai do të marrë njëlloj si gjynahu i atyre që e pasojnë, deri në Ditën e Gjyki - mit, pa ia pakësuar gjynahet atyre.” Allahu i Lartësuar thotë: - “O ju që keni besuar! Jini të devotshëm ndaj Allahut ...” - Ky është një urdhër për devotshmëri, përkufizimi i të cilës është:

përmbushja e të gjitha urdhëresave të Zotit dhe largimi nga çdo gjë që Ai ka ndaluar, në emër të dashurisë për Zotin, madhërimit, nënshtrimit dhe bindjes ndaj Tij. - “... dhe shikoni vetë se çfarë keni përga - titur për nesër!” - Domethënë, merrni në llogari veten, përpara se t’ju llogarisë Zoti dhe shihni se çfarë punësh të mira keni bërë për Ditën e Premtimit. Ajo është dita kur do të dilni përpara Zotit tuaj, për t’u llogaritur me drejtësinë e Tij dhe shpërblyer sipas veprave që keni bërë. - “Kini frikë Allahun!” - Ky është një urdhër i përsëritur, për të përforcuar edhe një herë rëndësinë e devotshmërisë ndaj Zotit dhe për të qenë të vazhdueshëm e sistematikë në këtë rrugë. - “Nuk ka dyshim se Allahu di në detaje gjithçka që ju bëni! - Allahu i Lartësuar është i gjithëditur për të gjitha punët e për çdo gjendje tuajën. Atij nuk i fshihet asgjë, sado e vogël të jetë ajo. Asnjë punë e juaja, e vogël apo e madhe, e rëndësishme apo e parëndësishme në dukje, nuk mund t’i fshi - het Zotit të Gjithëditur dhe Gjithëshikues. - “Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, prandaj Allahu i bëri që të harrojnë vetveten!” - Kurrë mos lini pas dore përmendjen e Allahut të Lartësuar, që kështu Ai t’ju bëjë të harroni ato punë të mira, që janë në dobinë tuaj, të cilat ju ndihmojnë në Ditën e Premtuar, sepse, pa dyshim, shpërblimi jepet sipas llojit të punës. - “Ata janë të shfrenuarit.” - El fasikun janë të humburit, larg bindjes ndaj Allahut të Lartësuar. Ata janë të shkatërruarit dhe të humburit në Ditën e Kijametit; janë ata që do të humbasin dhe do të privohen nga gjithçka e mirë dhe do të dëshpërohen në ndëshkime, sikurse thotë i Lartësuari: “O ju që keni besuar! As pasuria e as fëmijët tuaj të mos ju largojnë prej kujtimit të Allahut! Ata që veprojnë kështu janë të humbur.” [Munafikun 9]. Hafizi Ebu Kasim Tabera - niu sjell këtë rrëfim të Nuajm Ibn Nemhate: “Në një nga hytbet e tij, Ebu Bekër Siddiku (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ndër të tjera, tha: “A nuk e dini se, çdo ditë, ju agoni e ngryseni për të përmbushur atë kohë, që është caktuar për ju në këtë botë? Kushdo që mund ta përmbushë afatin e vet, duke bërë punë të mira për Zotin e Madhë - ruar, le ta bëjë këtë! Por të jeni të bindur se ju nuk do ta arrini këtë, veçse me ndihmën e bujarinë e Zotit të Madhëruar. Vërtet, ka njerëz që afatin e jetës që u është dhënë e përkushtojnë për të tjerët, e jo në dobi të vetes. Zoti na ndaloi të jemi si ata, kur tho - të: “Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, e prandaj Allahu i bëri që të ha -rrojnë vetveten!” Ku janë tashmë vëllezërit që i njihnit? Ata u larguan nga kjo botë dhe u bënë pjesë e të shkuarës. Tashmë ose janë në lumturi, ose në dëshpërim e vuajtje. Ku janë tiranët e hershëm, të cilët ndërtuan qytete të fortifikuara e të rrethuara me mure të larta? Tashmë janë poshtë gurëve e plu - hurit. Ky është Libri i Allahut, mrekullitë e mirësitë e të cilit s’kanë të mbaruar. Ndriçohuni nëpërmjet tij në ditët e errësirës dhe gjeni rrugën përmes diturisë së tij të qartë. Allahu i Madhëruar e lëvdoi Zekerian dhe anëtarët e shtëpisë së tij kur tha: “... Ata përpiqeshin për punë të mira, na luteshin duke shpresuar dhe duke u frikësuar dhe ishin respektues ndaj Nesh.” [Enbija 90]. Dijeni se nuk ka mirësi në atë fjalë, me të cilën nuk synohet kënaqësia e Allahut dhe nuk ka mirësi në atë pasuri, që nuk shpen - zohet në rrugën e Allahut. Nuk ka mirësi në atë njeri që injoranca, hakmarrja e vrazhdë - sia e tij janë më të fuqishme se butësia e falja e tij. Nuk ka mirësi në atë person që nuk i përmbush porositë e Zotit nga frika e kërcënuesve.” Ky është një sened i mirë, me transmetues të besueshëm, përveç shejhut të Xherir Ibn Uthmanit, pra, Nuajm Ibn Nem - hates, për të cilin nuk kam informacion. Por duhet të theksoj këtu se Ebu Daud el Sexhestani ka vlerësuar se të gjithë shujuhët e Xherir Ibn Uthmanit janë të besueshëm. Për saktësinë e kësaj hytbeje të Ebu Bekrit kanë ardhur shumë dëshmi të tjera, me rrugë të ndryshme. Gjithashtu, Allahu është më i ditur.

- “Nuk janë njëlloj banorët e Xhenetit me banorët e Xhehenemit!” - Këto dy grupe nuk mund të jenë kurrë njëlloj në gjykimin e Allahut të Lartësuar në Ditën e Gjykimit, sikurse thotë i Lartësuari në ajetin tjetër: “A mos mendojnë ata që e teprojnë me të këqija, se do t’i trajtojmë si të barabartë me ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, si në jetë, edhe në vdekje?! Sa i ulët është gjykimi i tyre!” [Xhathije 21] Ose: “Nuk është i barabartë i verbri dhe ai që sheh qartë; as ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira nuk janë të barabartë me të këqijtë. Sa pak që mësoni ju nga këshillimi!” [Gafir 58]. “Mos vallë, do t’i trajtojmë njëlloj ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira me ata që bëjnë shkatërrime në tokë? Apo mos, vallë, do t’i konsiderojmë njëlloj si të devotshmit dhe ata që janë gjynahqarë?” [Sad 28]. Ajetet me këtë kuptim janë të shumta dhe tregojnë se Allahu i Madhëruar ka për t’i nderuar dhe shpërblyer me bujarinë e Tij bamirësit, si edhe ka për të poshtëruar dhe ndëshkuar me drejtësi keqbërësit. - “Banorët e Xhenetit janë të fituarit.” - Ata kanë shpëtuar dhe janë të sigurt nga ndëshkimi i Allahut Krenar dhe të Lartësuar.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 59:18–59:21

- “O ju që keni besuar! Jini të devotshëm ndaj Allahut dhe le të shikojë njeriu se çfarë ka përgatitur për nesër! Kini frikë Allahun! Nuk ka dyshim se Allahu di në detaje gjithçka që ju bëni! ” - Allahu i Lartësuar i urdhëron adhuruesit e Tij besimtarë që të kryejnë çdo punë që u dikton imani i tyre, si edhe për devotshmëri ndaj Tij, haptazi dhe fshehtazi, në të gjitha gjendjet. Sipas këtij urdhri, ata duhet të përpiqen të realizojnë sa më mirë çdo porosi të Allahut. Ata duhet të jenë gjithmonë të kujdesshëm për të ruajtur të paprekura kufijtë e vendosura nga Ai. Për këtë, ata duhet të kenë dituri të plotë për të drejtat e tyre, por edhe për përgjegjësitë që rëndojnë mbi ta. Gjithashtu, ata duhet të llogarisin vetveten vazhdimisht, duke e mbajtur atë nën mbikëqyrje të rreptë, për të vëzhguar se çfarë të mirash dhe të këqijash kanë bërë. Qëllimi kryesor i tyre duhet të jetë kënaqja e Allahut dhe arritja e lumturisë në jetën e përjetshme. Nëse ata vendosin ahiretin në plan të parë, sigurisht që do të angazhohen maksimalisht për të bërë punë të mira dhe të mbara. Nëse e kujtojnë vazhdimisht qëndrimin para Allahut të Lartësuar, do t’u shtohet dëshira dhe vullneti për të kryer vepra të mira dhe për t’u larguar nga të këqijat. Në këtë mënyrë, ata do të pastrojnë veprat e tyre dhe do të kapërcejnë çdo pengesë që i ndalon ose devijon nga qëllimi i lartë. Ky vullnet u shtohet akoma më shumë nëse kujtojnë dhe binden se Allahu i Lartësuar është i Ditur për gjithçka që ata punojnë. Allahut nuk i fshihet asgjë prej veprave të tyre, sado të imta dhe të fshehura qofshin ato. Ai kurrë nuk ka për t’i shpërfillur dhe nuk ka për t’i lënë pa i shpërblyer për punët e tyre. Ky ajet është një bazë e fuqishme, që e ndihmon robin në vetëkontroll dhe vetëllogaritje. Adhuruesi duhet ta kontrollojë vazhdimisht veten, në çdo mendim, fjalë apo punë që kryen. Nëse shikon mangësi dhe gabime, përpiqet seriozisht për t’u larguar prej tyre dhe për t’u penduar me sinqeritet. Ai i mbështetet e i kërkon ndihmë Zotit të tij, që ta plotësojë atë urdhër. Besimtari vazhdimisht krahason mirësitë që Allahu i Lartësuar i ka dhuruar, me mangësitë e tij. Kjo i ngjall në zemër atij turpin ndaj Allahut të Madhëruar. - “Mos u bëni si ata që e harruan Allahun e prandaj Allahu i bëri që të harrojnë vetveten! Ata janë të shfrenuarit.” - Me të vërtetë nuk ka fatkeqësi më të madhe sesa kur njeriu tregohet i pakujdesshëm ndaj këtyre porosive. Kush bën një gjë të tillë iu përngjan njerëzve që harrojnë Allahun e Lartësuar, duke shpërfillur detyrimet ndaj Tij. Ata nuk i japin hakun plotësimit të të drejtave të Allahut të Lartësuar, por angazhohen tërësisht për të plotësuar dëshirat e tyre pa fre. Sidoqoftë, me këto veprime, ata nuk arrijnë kurrë sukses. Përkundrazi, ato janë shkak që Allahu i Madhëruar t’i bëjë të harrojnë mirësitë për veten e tyre. Ashtu të rrëmujshëm, ata koten pas epshit të vet, duke humbur në këtë mënyrë qetësinë dhe lumturinë në të dyja jetët. Dështimi i tyre është i pariparueshëm dhe nuk mund të përshkruhet me fjalë. Këta janë të shfrenuarit, të cilët shkelin kufijtë e Zotit të tyre, duke mos iu bindur Atij. - “Nuk janë njëlloj banorët e Xhenetit me banorët e Xhehenemit! Banorët e Xhenetit janë të fituarit.” - A janë njëlloj ata që kujdesen për t’u pajisur me devotshmëri ndaj Allahut dhe në mënyrë të vazhdueshme kontrollojnë e llogarisin veten për çfarë kanë përgatitur për të nesërmen,

me ata të mjerë, të çoroditur dhe të humbur mes errësirave të ligësisë? Sigurisht që jo! Të parët meritojnë Xhenetin e mirësisë dhe jetën e lumtur, në shoqërinë e profetëve, të sinqertëve, dëshmorëve dhe punëmirëve, që Zoti i begatoi me të mira. Ndërsa ata që nuk kujtojnë Allahun, ata që shpërfillin të drejtat dhe detyrimet ndaj Tij, ata janë të dëshpëruar në dynja dhe meritojnë ndëshkimin në ahiret. Banorët e Xhenetit janë fituesit e çdo të mire dhe të shpëtuarit nga çdo e keqe. Ndërsa banorët e Zjarrit janë të humburit dhe të privuarit. Pas qartësimit të plotë të urdhrave dhe ndalesave nga Allahu i Lartësuar, është e detyrueshme që robtë të nxitojnë në zbatimin e tyre. Nëse robtë do t’i lexonin ajetet Kur'anore me vëmendje dhe dëshirë për të mësuar të vërtetën dhe për t’iu nënshtruar asaj, atyre do t’u zbuteshin zemrat, edhe sikur të ishin të forta sa malet. Allahu i Lartësuar thotë: - “Sikur ta zbrisnim këtë Kur'an mbi ndonjë mal, do ta shihje atë të strukur e të çarë prej frikës nga Allahu.” – Kjo do të thotë që ndikimi i Kur'anit në zemra është shumë i fuqishëm. Urdhërat dhe ndalesat që ai përmban janë gjithë urtësi. Ato i ofrojnë robit çdo mirësi dhe e ruajnë nga çdo e keqe, në formën më të plotë dhe me rrugët më të thjeshta. Kur'ani e pushton lehtë zemrën. Në Librin e Allahut nuk mund të gjesh asnjë kundërthënie, vështirësi apo teprim. Ligjet e Tij mund të rregullojnë çështjet e krijesave në çdo kohë dhe vend. Madje janë të vetnet rregulluese. Çdokush gjen veten e vet në këshillat e Kur'anit dhe e ndien se i drejtohen atij. Në vijim, Allahu i Lartësuar na tregon se Ai ka sjellë shembuj në Kur'an për t’u qartësuar adhuruesve të Tij hallallin, haramin dhe çdo çështje për të cilën kanë nevojë. Për këtë arsye, njerëzit duhet të meditojnë thellë rreth ajeteve të Librit të Zotit. - “Këta janë shembuj që ua shkoqisim njerëzve, që ata të mendojnë.” - Pa dyshim, meditimi mbi ajetet Kur'anore i hap robit thesare diturie, i sqaron atij të mirën dhe të keqen, e nxit atë drejt virtyteve më të larta dhe e shtyn që të largohet nga çdo ves i keq. Nuk ka gjë më të dobishme për robin sesa thellimi në ajetet e Kur'anit.

← Hashr 59:18