6. Enam · Ajeti 10 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:1–6:10

E I IIDOG OO Në vend që adhurimi, madhërimi dhe lavdërimi t'i bëhet vetëm Allahut, që krijoi tërë ekzistencën me të gjitha qeniet dhe komandon me të gjitha ngjarjet e ndodhitë, Atij që është i adhuruar prej gjallesave të qiejve e të tokës, idhujtarët mekas i përshkruanin shok dhe i njihnin për zota idhujt e tyre të gëdhendur me duart e tyre dhe nuk kuptonin se do t'i shkatërrojë Allahu sikurse i shkatërroi ata para tyre, të cilët ishin edhe më të fuqishëm.

Nga kokëfortësia dhe inati, idhujtarët nuk deshën ta pranojnë Muhammedin si pejgamber, as Kur'anin si shpallje të Zotit. Kërkuan t'u vijë ndonjë melek e të vërtetojë për Muhammedin etj. Zoti e ngushëllon Muhammedin për talljet që bënin, duke i thënë se edhe me pejgamberët para teje bëheshin këso talljesh dhe se Zoti do t'u japë atyre dënimin e merituar.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:7–6:11

Allahu i Madhëruar na tregon se idhujtarët janë të mbushur me kryeneçësi, inat dhe e refuzojnë me arrogancë të vërtetën. Ata përpiqen me çdo mënyrë për ta rrëzuar atë. Allahu i Lartësuar thotë: - Edhe sikur të të zbrisnim një libër të shkruar në letër, e ata ta preknin atë me duart e tyre, mohuesit sërish do të thoshin: “Kjo nuk është gjë tjetër, por veçse një magji e qartë”. - Edhe sikur ta shihnin me sy dhe ta dëshmonin me shqisat e tyre zbritjen e Librit të Allahut, madje dhe ta preknin dhe me dorë, përsëri do ta mohonin atë. Allahu i Lartësuar thotë: “... mohuesit sërish do të thoshin: “Kjo nuk është gjë tjetër, por veçse një magji e qartë”. Pra, do ta refuzonin përsëri dhe do të gjenin arsye për të mos e pranuar Shpalljen. Nuk është çudi që ata të veprojnë kështu, sepse Allahu i Madhëruar na tregon se ata edhe çështjet e prekshme me shqisat e tyre do t’i refuzonin dhe nuk do t’i pranonin. Sikurse thotë i lartësuari: “Edhe sikur Ne t’u hapnim atyre një derë në qiell, që ata të ngjiteshin

vazhdimisht lart, Ata do të thoshin: “Neve na kanë qenë bllokuar sytë, madje kemi qenë të magjepsur.”.” [El hixhr 14, 15]. Dhe thotë gjithashtu: “Edhe sikur të shihnin ndonjë send duke rënë nga qielli, ata do të thoshin: “Është veç një grumbull resh.”” [Tur 44]. Kështu, Allahu i Madhëruar thotë: - Ata thonë: “Përse të mos zbresë së bashku me atë një melek?” Nëse Ne do të zbrisnim një melek, çështja do të merrte fund dhe atyre nuk do t’u jepej afat. - Edhe sikur t’u zbriste një melek, si paralajmërues dhe udhërrëfyesi i tyre drejt të vërtetës: “ ... çështja do të merrte fund dhe atyre nuk do t’u jepej afat.” Pra, ata do të vazhdonin që të mohonin të vërtetën që Zoti do t’u sillte përmes tyre, dhe atëherë do t’u zbriste ndëshkimi në mënyrë të pakthyeshme. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar kur thotë: “Ata që nuk shpresojnë takimin me Ne, thanë: “Përse të mos na dërgohen melekë (si profetë në vend të njerëzve) , ose përse të mos e shohim Zotin tonë?” Vërtet, ata e tejçmuan shumë lart veten e tyre dhe e tejkaluan me arrogancën e tyre të madhe. Ditën kur të shohin melekët (kur t'u meret shpirti, ose në varr, ose në ringjallje) , nuk do të ketë gëzim për keqbërësit. Ata (melekët) do t'u thonë: “Ju është ndaluar gjithçka e mirë.” [Furkan 21, 22]. Ndërsa këtu Allahu i Lartësuar thotë: - Sikur atë ta bënim melek, përsëri do ta sillnim te ju në formë njeriu, e kështu do t’ua ngatërronim atyre atë, që ata ia ngatërruan vetes së vet. - Dahaku përcjell shpjegimin nga Ibn Abasi: “Nëse atyre do t’u vinte një melek, ai do t’u vinte veçse në formën dhe pamjen e një burri -njeri, sepse ata nuk kanë mundësi dhe nuk e përballojnë dot shikimin e melekëve, që janë krijuar nga drita. Allahu i Madhëruar thotë: “...e kështu do t’ua ngatërronim atyre atë, që ata ia ngatërruan vetes së vet.” Kështu, nëse meleku do të vinte në formën e një burri - njeri, atyre do t’u ngatërrohej përsëri çështja, ashtu sikurse ata vetë ia ngatërruan dhe komplikuan vetes së tyre dhe sërish nuk do ta pranonin Shpalljen e Zotit. Sikurse ka thënë i lavdëruari: “Thuaj: “Sikur të kishte në Tokë melekë që ecin qetë (si njerëzit) , Ne do t’u çonim atyre nga qielli melekët si profetë.” [El isra 95]. Por, nga mëshira e Allahut të Lartësuar me krijesat e Tij, është edhe fakti se Ai u dërgon njerëzve profetë nga lloji i tyre, që ata të ftojnë dhe këshillojnë njëri -tjetrin dhe në mënyrë që secili prej tyre të ketë mundësinë të përfitojë duke pyetur e duke kërkuar shpjegime nga njëri-tjetri. Allahu i Lartësuar thotë: “Është e vërtetë se Allahu u ka falur besimtarëve një mirësi të madhe, kur ndër ta dhe nga mesi i tyre, dërgoi një Profet, që t’u lexonte ajetet e (shpalljes së) Tij, që t’i dëlirësonte dhe që t’u mësonte Librin dhe Urtësinë, kurse më parë ata ishin krejtësisht të humbur.” [Al Imran 164]. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Janë përqeshur shumë të dërguar të tjerë para teje. Por mbi ata që përqeshën (profetët) u bë realitet ai (dënimi i Zotit) me të cilin talleshin. - Ky është një ngushëllim për Profetin ﷺ , i cili përballej

me refuzimin me forcë nga ana e popullit të tij të Shpalljes që solli prej Zotit. Gjithashtu, ky është edhe një premtim dhe lajm i mirë për të dhe për besimtarët, se Allahu i Madhëruar do t’u dhurojë atyre triumfin dhe suksesin në të dyja jetët. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Thuaju: “Ecni nëpër tokë e shihni se si qe përfundimi i atyre që mohuan të vërtetën!” - Meditoni për atë që ndodhi me brezat e shkuar, të cilët i konsideruan profetët e tyre si mashtrues! Shikoni ndëshkimet që ata përjetuan në të dyja jetët. Meditoni se si Allahu i Madhëruar i shpëtoi profetët dhe robërit e Tij besimtarë, që e adhuronin Atë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:10–6:11

Për të qetësuar zemrën e profetit të Tij dhe për ta bërë atë më të durueshëm, duke kërcënuar armiqtë e tij, Allahu i Madhëruar thotë: - “Janë përqeshur shumë të dërguar të tjerë para teje ...” - Edhe profetët e tjerë, kur shkonin te popujt e tyre me argumente dhe me mrekull i, mohoheshin dhe konsideroheshin gënjeshtarë. Jo vetëm kaq, por talleshin me ta dhe me Shpalljen e Zotit.

Për shkak të mohimit të tyre, Allahu i Madhëruar i ndëshkoi dhe shkatërroi, duke zbritur mbi ta ndëshkimin më të rëndë dhe më poshtërues. - “Por mbi ata që përqeshën (profetët) u bë realitet ai (dënimi i Zotit) me të cilin talleshin.” - Kini kujdes ju që mohoni Profetin e fundit dhe Shpalljen e sjellë prej tij, se mos ju godasë edhe ju e njëjta gjë që goditi popujt e shkuar! Dhe të jeni të sigurt se kështu do të ndodhë, nëse vazhdoni me mohimin tuaj. - “Thuaju: “Ecni nëpër tokë e shihni se si qe përfundimi i atyre që mohuan të vërtetën!” - Nëse dyshoni rreth ndëshkimeve të zbritura nga Zoti mbi mohuesit dhe tallësit e profetëve, atëherë shëtisni nëpër tokë dhe shihni se si ka qenë fundi i mohuesve! Ju do të gjeni popuj të shkatërruar, të mbetur të harruar në rrënojat e tyre. Ata i shfarosi Allahu, Mbreti i Plotpushtetshëm, Nënshtruesi i gjithçkaje, dhe ato rrënoja mbetën për të qenë mësim për ata që dinë të nxjerrin mësime dhe dinë të shikojnë të vërtetën. Ky udhëtim për të cilin urdhërohemi duhet të bëhet me zemër dhe me trup, e me qëllimin që të nxirren përfitime dhe mësime. Ndërsa thjesht shëtitja për të parë e vizituar botën nuk sjell asnjë dobi.

← Enam 6:10