6. Enam · Ajeti 100 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:95–6:103
Në këto ajete u fol mbi fuqinë e pakufishme të Zotit Krijues, i cili nga sendi i thatë, i vdekur e i keq, nxjerr të njomin, të gjallin, të mirin, dhe anasjelltas. Ai është që pas pushimit dhe errësirës së rëndë të natës, na gëzon me agimin e mëngjesit. Ai është që me krijimin e yjeve të llojllojshme, na mundësoi të llogarisim kohën tonë dhe të orientohemi. Për këtë duhet menduar. Ai është që na mundësoi jetë mbi tokë dhe jetë nën te deri në ditën e gjykimit.
Vetëm fuqia dhe mjeshtëria e Tij bën që prej të njëjtit shi të mbijnë bimë të ndryshme me shije e forma të llojllojshme.
Me gjithë këto fakte bindëse, disa njerëz besuan edhe zota të tjerë të trilluar. Madje disa të tjerë thanë se Zoti, larg qoftë asaj fjale, ka fëmijë, djem si Uzejr e Isa, e vajza, engjëjtë. Ai që shpik e krijon, Ai nuk është i llojit të krijesave Ai nuk ka nevojë për asnjë send.
Në domethënien e ajetit të fundit dijetarët islamë janë të ndarë në mendime. Çka është më i e sigurt: Zotin do ta shohin në botën tjetër.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:100
- Ata i shoqërojnë Allahut ortakë prej xhindeve, kur në të vërtetë, Allahu i ka krijuar ata - Ky është një kundërshtim i idhujtarëve, që adhurojnë idhuj e gjëra të paqena. Ata i shoqërojnë ortak Zotit në adhurimet përkushtuar Atij. Disa prej tyre adhurojnë xhindët, duke pretenduar se janë ortakë me Allahun në meritën e adhurimeve. I lartësuar e i madhëruar qoftë Allahu nga shpifjet e idhujtarëve e të mohuesve të besimit të pastër. Dikush mund të pyesë: Përse thoni se ata adhuronin xhindët, ndërkohë që ata adhuronin putat e idhujt e dukshëm? Përgjigjja është: Ata i adhuronin putat, si nënshtrim ndaj urdhrit të xhindëve për t’i adhuruar ato, sikurse thotë i Madhëruari: “Ata (idhujtarët) lusin vetëm idhuj femërorë, dhe i drejtohen vetëm Shejtanit plot sherr.” [Nisa 117]. Gjithashtu, Allahu i Lartësuar na ka njoftuar se melekët në Ditën e Kiametit do të thonë: “Një Ditë, Ai do ti tubojë të gjithë dhe do t'u thotë melekëve: “Ju ishit ata që këta njerëz ju adhuronin?” Ata do të (melekët) thonë: “I Madhëruar qofsh Ti! Ti je Zoti ynë, dhe ne distancohemi prej tyre. Jo. Por ata adhuronin xhindet dhe shumica e tyre besonin në to”. Kështu, atë ditë ata nuk do të kenë asgjë në dorë t’i bëjnë dobi e as dëm njëri-tjetrit. Dhe keqbërësve do t'u themi: “Shijojeni dënimin e zjarrit - atë që e quanit gënjeshtër!”. [Es-sebe'e 41. ] Këtu i Lartësuari thotë: “Ata i shoqërojnë Allahut ortakë prej xhindëve, kur në të vërtetë, Allahu i ka krijuar ata...”. Ai është Krijuesi i xhindëve dhe i gjithçkaje tjetër. Allahu është i vetëm dhe i pashoq në këtë vepër, atëherë si mundet të adhurojnë dikë tjetër veç Tij?! Kështu, kuptimi i ajetit është: Allahu është i vetmi në pushtetin për të krijuar dhe, si i tillë, Ai është i vetmi që meriton adhurimin e krijesave. - dhe pa pasur aspak dituri, ata shpifin se Ai ka djem e vajza. - Allahu i Lavdëruar na tregon për devijimin dhe humbjen e atyre që pretendojnë se Ai ka bir, siç vepruan jehudët me Uzejrin dhe të krishterët me Isain (a.s.). Ndërsa idhujtarët arabë besonin se melekët ishin vajzat e Zotit. I lartësuar e i madhëruar qoftë Allahu nga trillimet e të paditurve dhe të padrejtëve! Në të gjitha këto fjalë, ata veçse shpifin dhe hamendësojnë, pa asnjë argument nga Zoti. Ata thjesht thonë gënjeshtra të urryera. Duke komentuar fjalën e Allahut: “ Ata i shoqërojnë Allahut ortakë prej xhindëve, ” Ibn Xheriri thotë: “Ata i konsideruan xhindët si partnerë të Allahut në meritën e adhurimit, ndërkohë që Ai është i vetëm e i pashoq në pushtetin për të krijuar. Ai nuk ka nevojë për ndihmës. Ata shpifin se Ai ka djem e vajza, nga padituria e thellë rreth Allahut e madhështisë së Tij. I dëlirë dhe i madhëruar është Allahu! Nuk i takon madhështisë së Tij që të ketë bij e bija, as partnere e bashkëshorte dhe as partnerë e ndihmës në pushtetin e Tij absolut! - I pastër (nga çdo mangësi) dhe i Lartësuar është Ai nga përshkrimet e tyre. - Allahu është i Pastër, i Dëlirë, i Lartësuar dhe larg çdo mangësie, që i përshkruajnë të paditurit dhe të humburit.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:100–6:104
- “Ata i shoqërojnë Allahut ortakë prej xhindeve, kur në të vërtetë, Allahu i ka krijuar ata dhe pa pasur aspak dituri, ata shpifin se Ai ka djem e vajza. - Allahu i Madhëruar na tregon se, me gjithë mirësitë
e shumta për krijesat dhe përkujdesjen e Tij të pashembullt për ta, megjithëse Ai iu prezantua atyre me shenja e argumente të shumta, idhujtarët kurejshë e të tjerët si ata, konsideronin si zota shumë idhuj e krijesa të pafuqishme. Ata u luteshin melekëve e xhindëve, të cilët janë veçse krijesa të Zotit dhe nuk zotërojnë asgjë. Ata i konsideronin xhindët si të barabartë me Allahun, në dorën e të Cilit është krijimi dhe ligji. Ai është Bamirësi i vetëm, që dhuron të gjitha mirësitë, Ai që largon të gjitha ligësitë e papastërtitë. Aq më keq, disa idhujtarë shpikën idenë e çmendur dhe të turpshme se Zoti ka fëmijë, djem e vajza. Ata nuk kanë asnjë dituri e fakt për këto gjëra që thonë. E ku ka më zullumqar sesa ai që trillon për Zotin ide e besime që nuk kanë fakte e nuk janë të bazuar në dituri nga vetë Zoti?! Ata kanë thënë për Zotin shpifjen më të turpshme, nga e cila Zoti është i pastër dhe i lartësuar. I Madhëruari e ka lavdëruar e lartësuar Veten e Vet nga shpifjet që trillojnë idhujtarët, duke thënë: - I pastër (nga çdo mangësi) dhe i lartësuar është Ai nga përshkrimet e tyre. - Allahu i Madhëruar është i përshkruar me çdo emër, cilësi e atribut të plotë e absolut dhe i pastër nga çdo mangësi, defekt e turp. E si mund të jetë ndryshe, kur Ai: - Është Ai që krijoi qiejt dhe Tokën (pa asnjë model të mëparshëm) . - Allahu është Bedîus-semâuât, domethënë Shpikësi i qiejve, Krijuesi dhe Përsosësi i krijimit të tyre, pa asnjë model të mëparshëm. Ai i krijoi qiejt e Tokën në mënyrë të përkryer dhe në formën më të bukur. Logjika më e lartë njerëzore nuk mund as ta perceptojë një madhështi të tillë. Allahu është i vetëm në krijimin e gjithçkaje dhe nuk ka ortakë me Të në këtë krijim. - “E si do të ketë Ai fëmijë, kur nuk ka bashkëshorte? - Si pretendojnë që Allahu ka fëmijë, kur Ai është Zoti dhe El Samedu - Ai të Cilit i drejtohet çdo krijesë për nevojat e saj? Si pretendojnë që Allahu ka fëmijë, ndërkohë që Ai nuk ka bashkëshorte? Allahu është i Pasuri, që nuk ka nevojë për krijesat e Tij, ndërsa ato të gjitha kanë nevojë për Të, janë të varfra e nevojtare në çdo gjendje të tyre për të Madhëruarin. Pastaj, fëmija duhet të jetë i të njëjtit lloj e origjinë si i ati. Allahu është Krijuesi, ndërsa çdo gjë tjetër është krijesë dhe asnjë nga krijesat nuk mund t’i përngjajë apo afrohet Allahut, në çdo aspekt qoftë. Pasi përmendi faktin se Ai është Krijuesi i gjithçkaje, Allahu i Madhëruar flet për dijen e Tij gjithëpërfshirëse: - Ai ka krijuar çdo gjë dhe ka dije të plotë për gjithçka. - Përmendja e diturisë pas krijimit është një udhëzim se si të arsyetojmë e meditojmë rreth emrave e cilësive të Allahut. Kështu, për shembull, duke vëzhguar krijimin madhështor, të krijohet bindja se Krijuesi duhet të jetë Absolut në dijen e Tij dhe i pashembullt në urtësinë e Tij. I Lartësuari thotë: “I fshihni ose i thoni fjalët tuaja haptas, nuk ka dyshim se Ai e di çka fshihni në zemrat tuaja. A nuk e di Ai që ka krijuar, kur dihet se Ai është i Gjithëdituri në imtësi rreth
sekreteve.” [Mulk 13, 14]. Ose: “A nuk është i fuqishëm Ai, që krijoi qiejt e Tokën, që t’i rikrijojë ata (njerëzit)? Po, Ai është Krijuesi, i Gjithëditiri. Kur Ai dëshiron diçka, mjafton vetëm t’i thotë: “Bëhu!” e ajo menjëherë bëhet. I lartë është Ai, në dorën e të Cilit është pushteti mbi gjithçka dhe vetëm tek Ai ktheheni.” [Ja Sin 81 – 83]. - Ky është Allahu, Zoti juaj. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë, përveç Tij. Ai është Krijuesi i çdo gjëje,....” - Është Ai që meriton adhurimin, maksimumin e dashurisë dhe maksimumin e nënshtrimit ndaj Tij, madhërimit e përunjësisë para Tij. Është Ai që i krijoi të gjitha krijesat dhe përkujdeset për to, duke u mundësuar çdo mirësi dhe duke u larguar çdo të keqe. - “...prandaj vetëm Atë adhuroni!” - Kur ju të bindeni dhe të pranoni me siguri se vetëm Allahut i takon adhurimi, me çdo rrugë e formë, atëherë përkushtojani vetëm Atij të gjitha llojet e adhurimeve, me sinqeritet vetëm për Të dhe duke synuar vetëm kënaqësinë e Tij. Ky është qëllimi pse jeni krijuar: “Nuk i krijova xhindët dhe njerëzit për gjë tjetër, veçse për të më adhuruar Mua.” [Dharijat 56]. - “Ai përkujdeset për gjithçka” - Çdo gjë është në administrimin dhe përkujdesjen e Allahut të Madhëruar. Ai krijon dhe përkujdeset për krijesat dhe Ai rregullon çdo çështje të tyre. Dihet mirë se diçka e lënë në përkujdesin e dikujt është në varësi të kujdestarit të saj. Por përkujdesja e Allahut nuk është si ajo e robit. Përkujdesja e robit është e varur nga ai që e ka vendosur në atë detyrë dhe udhëzimet e kushtet e tij. Ndërsa përkujdesja e Allahut, Krijuesit të gjithçkaje, është e pakufizuar dhe e pacenuar. Ajo është e ndërtuar mbi diturinë e plotë, mbi mëshirën dhe bamirësinë e pakufishme dhe mbi drejtësinë absolute. Askush nuk mund të kritikojë e kontestojë përkujdesjen e Allahut. Në krijimin dhe administrimin e çështjeve nga Allahu nuk mund të gjesh asnjë defekt, mangësi apo kotësi. Prej përkujdesjes së Allahut të Madhërishëm është edhe qartësimi i plotë i fesë së Tij, duke e ruajtur atë nga devijimi e ndryshimet. Gjithashtu, Ai ka marrë përsipër që t’i ruajë dhe mbrojë besimtarët nga çdo gjë që ua largon ose ua dëmton imanin dhe fenë e tyre. - Asnjë shikim nuk mund ta përfshijë Atë. Por është Ai që i përfshin të gjitha shikimet. - Kjo ndodh për shkak të madhështisë, lartësisë dhe plotësisë së Allahut të Madhëruar. Atë nuk mund të përfshijnë vështrimet e krijesave, edhe pse mund të vështrojnë fytyrën e Tij dhe të lumturohen me të (në Xhenet). Fakti që krijesat nuk mund ta përfshijnë Allahun me vështrimin e tyre nuk mohon mundësinë e shikimit të Tij nga ana e tyre, madje nëse e kuptojmë mirë, e pohon atë. Nëse mohohet gjithëpërfshirja e vështrimit, kjo tregon se ekziston mundësia e vështrimit të pjesshëm. Nëse do të mohohej mundësia për ta parë Atë, do të thuhej: “La terâhul ebŝâr” - “nuk e shohin shikimet” dhe jo: “ La tudrikuhul ebŝâr” - “nuk e përfshijnë shikimet”. Kështu, ky ajet nuk mbështet mendimin e gabuar të mohuesve të cilësive të Zotit ( el muat-tile), të cilët nuk e pranojnë faktin se besimtarët do ta shohin Zotin e tyre në ahiret. Madje, sikurse thamë, ky ajet dëshmon të kundërtën e mendimit të tyre. Dituria e Allahut përfshin të shfaqurën dhe të fshehurën, dëgjimi i Tij përfshin zërat e shfaqur dhe ato të fshehur, shikimi i Tij përfshin çdo gjë, e madhe apo e vogël qoftë, siç thotë Ai më pas: - Ai është Mëshirëmadh (i Butë) dhe Di hollësisht gjithçka. - Dituria e Allahut është shumë e thellë dhe e detajuar. Ai di imtësisht çdo të fshehtë, të padukshme, të mbuluar dhe të pashfaqur. Ndërsa nga butësia e Tij, Allahu e udhëzon dhe drejton robin që të arrijë e të realizojë çdo mirësi dhe dobi në drejtim të fesë dhe besimit. Ai i rregullon çështjet e fesë dhe të besimit të robit me rrugë e mënyra që robi nuk i ndjen e kupton aspak, e aq më pak të përpiqet për t’i planifikuar e realizuar ato. Kështu, Allahu i Mëshirshëm dhe i Butë e udhëzon
dhe drejton robin drejt lumturisë së përjetshme, drejt suksesit final (felâĥ), pa e ndier dhe hetuar robi fare një gjë të tillë. Madje, në funksion të këtij qëllimi të mrekullueshëm, i Madhëruari përcakton vështirësi ose gjëra të dhimbshme dhe të urryera për robin, që ai ta lusë dhe t’i përgjërohet Allahut që t’ia largojë ato. Allahu i përcakton këto gjëra, sepse e di shumë mirë se kjo është më e mirë për robin dhe se përsosmëria e tij arrihet veçse në këtë mënyrë. Subĥânallâh! I Lartësuar dhe i Pastër nga çdo e metë është Allahu, që është i Gjithëditur, i Butë, I Gjithmëshirshëm, dhe Mëshirëplotë për besimtarët. - “Tashmë ju kanë ardhur prova të qarta nga Zoti i juaj. - Juve ju erdhën shumë ajete që sqarojnë të vërtetën, aq sa e bëjnë atë të shndritshme dhe të dukshme si dielli për sytë. Ajetet e Kur’ânit janë sjellë me elokuencën më të lartë, me shprehjet më të qarta e të kuptueshme, që shpalosin të vërtetën dhe urtësitë më të mëdha. Arsyeja është se ato janë Shpallje e Zotit të gjithësisë. Ai është Zoti i gjithësisë, që përkujdeset për gjithë botën, duke u dhuruar pandërprerë prej mirësive e begative të Tij. Mirësitë e Tij mbi krijesat janë të dukshme dhe të fshehura, të jashtme dhe të brendshme. Ndër mirësitë më të mëdha janë qartësimi i ajeteve, ligjeve, si edhe zgjidhja e problemeve të ndryshme. - Kush i sheh, ai e ka për veten e vet ...” - Ai që i trajton ajetet dhe shenjat e Allahut me nderimin që u takon, duke i kuptuar drejt ato dhe duke punuar sipas tyre me sinqeritet vetëm për të kënaqur Allahun, ai i ka bërë nder dhe mirësi veçse vetvetes. Allahu është Ganijun Hamid , i Pasuri dhe Jonevojtari për krijesat dhe i Lavdëruar vetvetiu, pa pasur nevojë që krijesat ta lavdërojnë e madhërojnë. - “...e kush mbyll sytë, ai i bën dëm vetes.” - Ai që i sheh ajetet dhe shenjat e Allahut, por i injoron ato, duke bërë sikur nuk i ka parë, ai që i sheh ajetet dhe shenjat e Allahut dhe nuk ndriçohet nga drita e tyre, ai që këshillohet dhe nuk e pranon këshillën, ai që i qartësohet e vërteta dhe nuk nënshtrohet që të punojë e jetojë sipas saj, ai dëmton veç veten nga verbëria që tregon. - Unë nuk jam mbikqyrësi juaj. - O i Dërguar, thuaju atyre: “Unë nuk jam mbikëqyrësi apo regjistruesi i veprave tuaja! Kjo nuk është detyra ime. Unë jam veçse një transmetues i qartë e besnik, që ka detyrë të qartësojë të vërtetën në mënyrën më të bukur dhe më të kuptueshme. Unë e kreva misionin që m’u ngarkua, duke e përcjellë qartë mesazhin e ngarkuar nga Zoti im. Kjo është detyra ime, ndërsa veprat tuaja dhe llogaria për to nuk janë përgjegjësi e imja.