6. Enam · Ajeti 109 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:104–6:111

Zoti xh. sh. parashtroi argumente dhe e bëri të qartë të vërtetën. Kush e kuptoi dhe e besoi, ai e ka për të mirën e vet, e kush nuk deshi të kuptojë, faji është i tij. Pejgamberi është vetëm komunikues.

Muhammedi urdhërohet ta ndjekë atë që i shpallet nga Zoti e të mos u vërë veshin ideve idhujtare.

Besimtarëve u është ndaluar t'i fyejnë zotat (idhujt) e idhujtarëve e të nxisin armiqësi nga e cila idhujtarët injorantë kalojnë çdo kufi dhe e fyejnë Zotin, pse ata veprojnë e besojnë aq sa kanë mend. Ata thoshin se do të besonin po t'u vinte ndonjë mrekulli. Mrekullitë i sjell Zoti atëherë kur të dojë, po ku ta dimë, ndoshta edhe këta nuk do t'i besojnë sikurse nuk i besuan të parët e tyre. Zoti ju rrotullon zemrat dhe të parët e as nuk kuptojnë as nuk shikojnë ato mrekulli dhe mbesin të humbur si mbetën edhe të parët e tyre.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:109–6:110

- Ata betohen fuqishëm në Allahun se, nëse u vjen ndonjë shenjë (e veçantë), do ta besojnë. - Allahu i Lartësuar na tregon se idhujtarët u betuan fort se, nëse do t’u jepej ndonjë mrekulli, ata do të besonin në vërtetësinë e Shpalljes dhe në besnikërinë e Muhamedit si Profeti i Allahut. - Thuaju: “Të gjitha shenjat janë në dorën e Allahut”. - Thuaju, o Muhamed, këtyre idhujtarëve, - që të kërkojnë mrekulli jo për të gjetur të vërtetën dhe sigurinë rreth saj, por veç për të mohuar dhe për të mos iu nënshtruar të vërtetës, nga inati dhe urrejtja për të, - se Ai që ka në dorë dërgimin ose jo të shenjave dhe mrekullive është vetëm Allahu i Lavdëruar. Nëse Ai dëshiron, jua sjell ato, e nëse jo, ju lë të vazhdoni në rrugën e kokëfortësinë tuaj. Le të sjellim këtu një hadith mursel, i cili ka edhe dëshmues e hadithe të tjera, që e mbështesin. Ibn Xheriri sjell hadithin nga Muhamed Ibn Keab el Kuradhi, i cili ka thënë: 1 130. “Kurejshët i folën njëherë Profetit të Allahut dhe i thanë: “O Muhamed! Ti na thua se Allahu i dha Musait shkopin, me të cilin, kur godiste gurin, prej tij shpërthenin dymbëdhjetë

burime, kurse Isai ngjallte të vdekurit dhe Themudit iu dha si mrekulli një deve. Na sill, atëherë, edhe ti një mrekulli, që të të besojmë e pranojmë (si Profet)!” Profeti ﷺ tha: “Çfarë shenje kërkoni prej meje?” - Ata thanë: “A e kthen kodrën Safa në flori?” - “Po nëse jua bëj, - tha Profeti ﷺ -, a do të më pranoni?” - “Po, - thanë ata. - Nëse e bën, do të të besojmë dhe pasojmë të gjithë së bashku.” Atëherë Profeti i Allahut u ngrit dhe filloi të lutej. Kështu, i shkon Xhibrili dhe i thotë: “Kjo është në dëshirën tënde. Nëse dëshiron, kodra Safa do të kthehet në flori. Por nëse u jepet kjo shenjë dhe sërish nuk besojnë, ata do të ndëshkohen menjëherë. Ose, nëse dëshiron, lëri të vazhdojnë ashtu, në mënyrë që të mund të pendohet ai që dëshiron të pendohet.” Profeti i Allahut iu përgjigj: “Do të pres që të pendohet ai që dëshiron të pendohet.” Atëherë Allahu i Lavdëruar zbriti ajetin: “Ata betohen fuqishëm në Allahun se, nëse u vjen ndonjë shenjë (e veçantë), do ta besojnë. Thuaju: “Të gjitha Shenjat janë në dorën e Allahut”. Por ku mund ta dini ju se edhe sikur t’u vijnë Shenjat (e veçanta) , ata përsëri nuk do të besojnë. Ne do t'ua largojmë zemrat dhe shikimet atyre, ashtu sikurse nuk e besuan atë (Shpalljen e Zotit) për herë të parë, dhe do t'i lëmë të bredhin të hutuar në shfrenimin e tyre. Edhe sikur t'u dërgonim melekët, t'i bënim të vdekurit t'u flisnin atyre dhe t'i tubonim të gjitha gjërat para tyre, ata përsëri nuk do të besonin, nëse Allahu nuk do të donte. Por shumica e tyre nuk e dinë (të vërtetën).” - Por ku mund ta dini ju se edhe sikur t’u vijnë Shenjat (e veçanta), ata përsëri nuk do të besojnë.” - Ku mund ta dini ju, o besimtarë, - që synoni dhe këmbëngulni në udhëzimin e idhujtarëve, - mbase mrekullitë mund t’u jepen dhe ata përsëri të mos besojnë! Këtë shpjegim ka përzgjedhur Ibn Xheriri, i cili ka sjellë argumente të shumta nga poezitë dhe krijimtaria e arabëve, për të treguar kuptimin korrekt të ajetit dhe analizën e saktë të tij nga ana gjuhësore. Kështu, kuptimi i saktë i: “ en-nehâ idhâ xhâet” është: “edhe sikur t’u vijnë shenjat ...” Pra, nyjëza “en-ne” vjen në gjuhën arabe me kuptimin “ leal-le”, pra, “ndoshta” ose “edhe sikur”. Megjithatë, Allahu është më i ditur. - Ne do t'ua largojmë zemrat dhe shikimet atyre, ashtu sikurse nuk e besuan atë (Shpalljen e Zotit) për herë të parë ... - Ibn Abasi shpjegon: “Kur idhujtarët e refuzuan atë që shpalli Allahu, zemrat e tyre nuk patën më forcë të qëndrojnë në ndonjë besim dhe refuzuan gjithçka që u ofrohej.” 16 - dhe do t'i lëmë të bredhin të hutuar në shfrenimin e tyre. - Kështu ata do të lihen të braktisur, që të përhumben në padrejtësitë dhe errësirat e kufrit të tyre, të pasigurt dhe të mbushur me dyshime e frikë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:109–6:111

- Ata betohen fuqishëm në Allahun se, nëse u vjen ndonjë Shenjë (e veçantë), do ta besojnë. - Idhujtarët, të cilët nuk e besonin Muhamedin ﷺ si profet, bënë betime të mëdha se, nëse ai do t’u tregonte ndonjë mrekulli, ata do ta besonin Shpalljen që ai përcillte. Në fakt, ky ishte thjesht justifikim për mosbesimin e tyre. Nuk ka dyshim se Allahu i Madhëruar e mbështeti Profetin e Tij me mrekulli të shumta dhe shenja të qarta. Madje, do të ishte mëse i mjaftueshëm vetëm një vëzhgim i shpejtë dhe i shkurtër mbi ato fakte, për të gjykuar mbi vërtetësinë e Muhamedit ﷺ dhe të Shpalljes që ai solli nga Zoti i tij. Për këtë arsye, kërkimi nga ana e tyre i mrekullive ishte thjesht një arrogancë e këmbëngulje në të kotën. Ata nuk meritonin përgjigje për kërkesat e tyre, madje edhe për ta ishte më mirë që të mos merrnin përgjigje. Allahu i Madhëruar na ka treguar se kështu ka ndodhur gjithmonë me popujt e parë. Kur profetët sillnin nga Zoti shenjat e kërkuara nga vetë populli zullumqar, këta të fundit nuk kanë besuar, por përsëri kanë vazhduar me mohimin dhe shfrenimin e tyre, prandaj edhe ndëshkimi bëhej i pashmangshëm dhe i menjëhershëm mbi ta. Më pas, i Lartësuari thotë: - Thuaju: “Të gjitha Shenjat janë në dorën e Allahut”. - Është Allahu i Madhëruar Ai që i sjell shenjat dhe mrekullitë kur Ai dëshiron. Është Ai, gjithashtu, që i pengon të ndodhin ato, kur Ai dëshiron. Unë, si profet, nuk kam asgjë në dorë për këtë çështje e për asnjë çështje tjetër. Kësisoj, kërkesa që më drejtoni mua është e gabuar dhe e padrejtë. Ajo është një kërkesë për diçka që unë nuk kam mundësi ta jap nga vetja ime. Ajo që duhet të më kërkoni mua është veç qartësimi i plotë i të vërtetës dhe mesazhit të Zotit, që ju ta besoni atë, dhe ky sqarim është bërë në mënyrën më të plotë. Megjithatë, nuk është e sigurt që, edhe sikur të vijnë ato mrekulli që kërkoni, ju të besoni. Madje, mundësia më e madhe ishte që ata nuk do të besonin, siç thotë i Lartësuari: - Por ku mund ta dini ju se edhe sikur t’u vijnë Shenjat (e veçanta), ata përsëri nuk do të besojnë. - Ashtu sikurse ka ndodhur gjithmonë, ju nuk do të besoni, edhe kur t’ju vijnë shenjat që kërkoni. - Ne do t'ua largojmë zemrat dhe shikimet atyre, ashtu sikurse nuk e besuan atë (Shpalljen e Zotit) për herë të parë, dhe do t'i lëmë të bredhin të hutuar në shfrenimin e tyre. - Duke qenë se ata refuzuan të besonin Shpalljen e Zotit dhe që t’i nënshtroheshin Atij kur u erdhi ftesa herën e parë, Ai i ndëshkon ata duke ua larguar zemrat nga e vërteta, duke mos u dhënë më sukses ta besojnë atë. Kështu, ata e mësojnë dhe e njohin të vërtetën, por nuk e besojnë, dhe në këtë mënyrë nuk do të kenë asnjë justifikim para Zotit. Si ndëshkim për mospranimin e ftesës, atyre nuk u mundësohet pasimi i rrugës së drejtë. Kjo është prej drejtësisë dhe urtësisë së madhe të Allahut mbi njerëzit. Janë ata që i bëjnë padrejtësi vetvetes. Atyre iu hapet porta, por ata refuzojnë të hyjnë në të, iu tregohet rruga, por ata nuk e ndjekin atë. Nëse atyre nuk u jepet sukses që të pranojnë të vërtetën, kjo u ka shkuar për shtat dhe e kanë merituar plotësisht. Gjithashtu, edhe pretendimi se të besuarit është produkt

vetëm i vullnetit të tyre, pa marrë parasysh ndihmën e Allahut, është nga gabimet më të mëdha. Askush nuk mund të besojë pa ndihmën dhe suksesin e dhënë prej Allahut të Gjithëditur, të Urtë dhe të Drejtë. - Edhe sikur t'u dërgonim melekët, t'i bënim të vdekurit t'u flisnin atyre dhe t'i tubonim të gjitha gjërat para tyre, ata përsëri nuk do të besonin, nëse Allahu nuk do të donte. Por shumica e tyre nuk e dinë (të vërtetën). - Edhe sikur atyre t’iu paraqiteshin shenja të mëdha, si zbritja e melekëve në mënyrë të tillë që ata t’i shihnin haptazi, edhe sikur melekët t’u dëshmonin për vërtetësinë e Profetit dhe Shpalljes së tij, edhe sikur t’u flisnin të vdekurit, edhe sikur të ringjalleshin të gjithë para tyre e t’u flisnin drejtpërdrejt, për t’u treguar vërtetësinë e Profetit, të gjitha këto dhe çdo shenjë tjetër, sado e madhe qoftë, nuk do të bënte që ata të besonin, nëse Allahu nuk do ta mundësonte një gjë të tillë. Asgjë nuk mund të ndodhë pa lejen dhe vullnetin e Tij gjithëpërfshirës dhe të urtë, që çdo gjë e vendos në vendin e vet. Besimi nuk është fryt vetëm i njohjes dhe dëshmimit të fakteve dhe argumenteve. Është e vërtetë që ato janë të rëndësishme për të njohur, kuptuar dhe verifikuar të vërtetën, por për ta besuar atë, robi duhet ta dëshirojë me sinqeritet nga njëra anë, por, nga ana tjetër, edhe t’ia kërkojë suksesin dhe udhëzimin Allahut, me mënyrat dhe rrugët që Ai i ka sqaruar dhe i ka përcaktuar si mundësuese të udhëzimit. Robi duhet të punojë sipas diturisë dhe fakteve që i afrohen dhe t’i lutet e t’i mbështetet plotësisht Zotit të tij që ta ndihmojë e t’ia mundësojë që ta besojë të vërtetën dhe të nënshtrohet sipas saj. Ai duhet ta lusë Zotin që ta udhëzojë dhe të mos e lërë të mbështetet te vetja as sa pulitja e syve. Kjo është rruga e arritjes së besimit, e jo kërkimi i mrekullive të caktuara, i cili, siç kuptohet, nuk ka kurfarë dobie, por veçse dëm.

← Enam 6:109