6. Enam · Ajeti 111 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:104–6:111

Zoti xh. sh. parashtroi argumente dhe e bëri të qartë të vërtetën. Kush e kuptoi dhe e besoi, ai e ka për të mirën e vet, e kush nuk deshi të kuptojë, faji është i tij. Pejgamberi është vetëm komunikues.

Muhammedi urdhërohet ta ndjekë atë që i shpallet nga Zoti e të mos u vërë veshin ideve idhujtare.

Besimtarëve u është ndaluar t'i fyejnë zotat (idhujt) e idhujtarëve e të nxisin armiqësi nga e cila idhujtarët injorantë kalojnë çdo kufi dhe e fyejnë Zotin, pse ata veprojnë e besojnë aq sa kanë mend. Ata thoshin se do të besonin po t'u vinte ndonjë mrekulli. Mrekullitë i sjell Zoti atëherë kur të dojë, po ku ta dimë, ndoshta edhe këta nuk do t'i besojnë sikurse nuk i besuan të parët e tyre. Zoti ju rrotullon zemrat dhe të parët e as nuk kuptojnë as nuk shikojnë ato mrekulli dhe mbesin të humbur si mbetën edhe të parët e tyre.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:111

- Edhe sikur t'u dërgonim melekët ... - Këtyre njerëzve që u betuan se, nëse do t’u vinin mrekulli, do të besonin, edhe sikur t’ua sillnim melekët e ata t’i njoftonin për vërtetësinë e këtyre shpalljeve të Zotit dhe besnikërinë e profetëve të Zotit, ata nuk do të besonin sërish. Ata i kërkuan Allahut që t’u sillte melekë, madje i kërkuan edhe që ta shihnin haptazi vetë Atë, sikurse thotë i Madhëruari: “.. . (nuk do të të besojmë) derisa të na sjellësh Allahun dhe melekët pranë nesh (t’i shohim haptazi) ” [Isra 92] , dhe thotë: “Ata që nuk shpresojnë takimin me Ne, thanë: “Përse të mos na dërgohen melekë (si profetë në vend të njerëzve) , ose përse të mos e shohim Zotin tonë?” Vërtet, ata e tejçmuan shumë lart veten e tyre dhe e tejkaluan me arrogancën e tyre të madhe. Ditën kur të shohin melekët (kur t'u meret shpirti, ose në varr, ose në ringjallje) , nuk do të ketë gëzim për keqbërësit. Ata

(melekët) do t'u thonë: “Ju është ndaluar gjithçka e mirë.”” [El furkan 21, 22]. - t'i bënim të vdekurit t'u flisnin atyre - Edhe sikur të vdekurit të ngriheshin e t’u flisnn për vërtetësinë e Shpalljes së sjellë nga profetët. - dhe t'i tubonim të gjitha gjërat para tyre ... - Domethënë, edhe sikur para tyre të tuboheshin të gjithë popujt njëri pas tjetrit, e të dëshmonin për vërtetësinë e shpalljeve e besnikërinë e profetëve. Pra, në të gjitha këto raste: - ata përsëri nuk do të besonin, nëse Allahu nuk do të donte. Por shumica e tyre nuk e dinë (të vërtetën) . - Kështu, udhëzimi në besimin e drejtë është në dorë të Allahut e jo në dorën e tyre. Allahu udhëzon kë të dojë dhe e lë në humbje kë të dëshirojë. Ky ajet është si fjala e Allahut të Madhëruar: “Me të vërtetë, ata të cilët e merituan vendimin e Zotit tënd (për ndëshkim), ata nuk do të besonin, edhe sikur t’u vinin të gjitha shenjat, derisa ta shohin vetë dënimin e rëndë.” [Junus 96, 97].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:109–6:111

- Ata betohen fuqishëm në Allahun se, nëse u vjen ndonjë Shenjë (e veçantë), do ta besojnë. - Idhujtarët, të cilët nuk e besonin Muhamedin ﷺ si profet, bënë betime të mëdha se, nëse ai do t’u tregonte ndonjë mrekulli, ata do ta besonin Shpalljen që ai përcillte. Në fakt, ky ishte thjesht justifikim për mosbesimin e tyre. Nuk ka dyshim se Allahu i Madhëruar e mbështeti Profetin e Tij me mrekulli të shumta dhe shenja të qarta. Madje, do të ishte mëse i mjaftueshëm vetëm një vëzhgim i shpejtë dhe i shkurtër mbi ato fakte, për të gjykuar mbi vërtetësinë e Muhamedit ﷺ dhe të Shpalljes që ai solli nga Zoti i tij. Për këtë arsye, kërkimi nga ana e tyre i mrekullive ishte thjesht një arrogancë e këmbëngulje në të kotën. Ata nuk meritonin përgjigje për kërkesat e tyre, madje edhe për ta ishte më mirë që të mos merrnin përgjigje. Allahu i Madhëruar na ka treguar se kështu ka ndodhur gjithmonë me popujt e parë. Kur profetët sillnin nga Zoti shenjat e kërkuara nga vetë populli zullumqar, këta të fundit nuk kanë besuar, por përsëri kanë vazhduar me mohimin dhe shfrenimin e tyre, prandaj edhe ndëshkimi bëhej i pashmangshëm dhe i menjëhershëm mbi ta. Më pas, i Lartësuari thotë: - Thuaju: “Të gjitha Shenjat janë në dorën e Allahut”. - Është Allahu i Madhëruar Ai që i sjell shenjat dhe mrekullitë kur Ai dëshiron. Është Ai, gjithashtu, që i pengon të ndodhin ato, kur Ai dëshiron. Unë, si profet, nuk kam asgjë në dorë për këtë çështje e për asnjë çështje tjetër. Kësisoj, kërkesa që më drejtoni mua është e gabuar dhe e padrejtë. Ajo është një kërkesë për diçka që unë nuk kam mundësi ta jap nga vetja ime. Ajo që duhet të më kërkoni mua është veç qartësimi i plotë i të vërtetës dhe mesazhit të Zotit, që ju ta besoni atë, dhe ky sqarim është bërë në mënyrën më të plotë. Megjithatë, nuk është e sigurt që, edhe sikur të vijnë ato mrekulli që kërkoni, ju të besoni. Madje, mundësia më e madhe ishte që ata nuk do të besonin, siç thotë i Lartësuari: - Por ku mund ta dini ju se edhe sikur t’u vijnë Shenjat (e veçanta), ata përsëri nuk do të besojnë. - Ashtu sikurse ka ndodhur gjithmonë, ju nuk do të besoni, edhe kur t’ju vijnë shenjat që kërkoni. - Ne do t'ua largojmë zemrat dhe shikimet atyre, ashtu sikurse nuk e besuan atë (Shpalljen e Zotit) për herë të parë, dhe do t'i lëmë të bredhin të hutuar në shfrenimin e tyre. - Duke qenë se ata refuzuan të besonin Shpalljen e Zotit dhe që t’i nënshtroheshin Atij kur u erdhi ftesa herën e parë, Ai i ndëshkon ata duke ua larguar zemrat nga e vërteta, duke mos u dhënë më sukses ta besojnë atë. Kështu, ata e mësojnë dhe e njohin të vërtetën, por nuk e besojnë, dhe në këtë mënyrë nuk do të kenë asnjë justifikim para Zotit. Si ndëshkim për mospranimin e ftesës, atyre nuk u mundësohet pasimi i rrugës së drejtë. Kjo është prej drejtësisë dhe urtësisë së madhe të Allahut mbi njerëzit. Janë ata që i bëjnë padrejtësi vetvetes. Atyre iu hapet porta, por ata refuzojnë të hyjnë në të, iu tregohet rruga, por ata nuk e ndjekin atë. Nëse atyre nuk u jepet sukses që të pranojnë të vërtetën, kjo u ka shkuar për shtat dhe e kanë merituar plotësisht. Gjithashtu, edhe pretendimi se të besuarit është produkt

vetëm i vullnetit të tyre, pa marrë parasysh ndihmën e Allahut, është nga gabimet më të mëdha. Askush nuk mund të besojë pa ndihmën dhe suksesin e dhënë prej Allahut të Gjithëditur, të Urtë dhe të Drejtë. - Edhe sikur t'u dërgonim melekët, t'i bënim të vdekurit t'u flisnin atyre dhe t'i tubonim të gjitha gjërat para tyre, ata përsëri nuk do të besonin, nëse Allahu nuk do të donte. Por shumica e tyre nuk e dinë (të vërtetën). - Edhe sikur atyre t’iu paraqiteshin shenja të mëdha, si zbritja e melekëve në mënyrë të tillë që ata t’i shihnin haptazi, edhe sikur melekët t’u dëshmonin për vërtetësinë e Profetit dhe Shpalljes së tij, edhe sikur t’u flisnin të vdekurit, edhe sikur të ringjalleshin të gjithë para tyre e t’u flisnin drejtpërdrejt, për t’u treguar vërtetësinë e Profetit, të gjitha këto dhe çdo shenjë tjetër, sado e madhe qoftë, nuk do të bënte që ata të besonin, nëse Allahu nuk do ta mundësonte një gjë të tillë. Asgjë nuk mund të ndodhë pa lejen dhe vullnetin e Tij gjithëpërfshirës dhe të urtë, që çdo gjë e vendos në vendin e vet. Besimi nuk është fryt vetëm i njohjes dhe dëshmimit të fakteve dhe argumenteve. Është e vërtetë që ato janë të rëndësishme për të njohur, kuptuar dhe verifikuar të vërtetën, por për ta besuar atë, robi duhet ta dëshirojë me sinqeritet nga njëra anë, por, nga ana tjetër, edhe t’ia kërkojë suksesin dhe udhëzimin Allahut, me mënyrat dhe rrugët që Ai i ka sqaruar dhe i ka përcaktuar si mundësuese të udhëzimit. Robi duhet të punojë sipas diturisë dhe fakteve që i afrohen dhe t’i lutet e t’i mbështetet plotësisht Zotit të tij që ta ndihmojë e t’ia mundësojë që ta besojë të vërtetën dhe të nënshtrohet sipas saj. Ai duhet ta lusë Zotin që ta udhëzojë dhe të mos e lërë të mbështetet te vetja as sa pulitja e syve. Kjo është rruga e arritjes së besimit, e jo kërkimi i mrekullive të caktuara, i cili, siç kuptohet, nuk ka kurfarë dobie, por veçse dëm.

← Enam 6:111