6. Enam · Ajeti 125 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:122–6:131

vdekuri i përmendur në këtë ajet, është ai që ishte i humbur në besim, e i gjallë me dritë në dorë që shkon kah të dojë është ai që besoi. Kur'ani e konsideron të verbër në shpirt atë që ka mbetur në errësirë të paditurisë, në errësirë të mohimit. E atë që pranoi mësimet e Kur'anit, e konsideron të shpëtuar prej verbërisë shpirtërore, të ngjallur prej asaj errësire të vdekjes dhe të ndriçuar në dritën e besimit.

Paria e çdo vendi është gjithnjë më afër përbuzjes së të mirave të Zotit ngase i mashtron pozita dhe pasuria. Ashtu i bënë dredhi Muhammedit edhe paria mekase si Ebu Xhehli etj. për nimetin që ia dha Zoti. Nga inati nuk deshën ta pranojnë si pejgamber, mirëpo Allahu e di më së miri se ku dhe cilit duhet dhënë gradën pejgamber. Zoti i shpëton mirënjohësit, duke e dhuruar besimin e drejtë, e i dënon përbuzësit, duke i lënë në mosbesim.

Allahu i tubon në ditën e kijametit njerëzit dhe xhinët shejtanët. Xhinët shtangen dhe nuk mund të flasin, e njerëzit gabimtarë përpiqen të kërkojnë falje, por është vonë.

Zullumqarin që nuk ndalet prej punëve të këqia, Zoti e dënon në këtë dynja, duke i dhënë pushtet mbi të, një zullumqari tjetër.

Drejtësia e Zotit është aq e lartë sa që asnjë popull a njeri nuk e dënon pa ia komunikuar rrugën e drejtë dhe tërhequr vërejtjen për të shtrembërën, ashtu që në ditën e kijametit të mos kenë arsye të justifikohen. Prej xhinve nuk pat të dërguar.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:125

- Atë që Allahu dëshiron ta udhëzojë, ia zgjeron gjoksin për Islamin. - Domethënë, ia lehtëson atij pranimin e kësaj feje, e bën aktiv në zbatimin e saj dhe ia bën të dashur.21 Këto janë shenja shumë të mira, nëse gjenden te dikush, sikurse ka thënë Allahu i Madhëruar: “Ai të cilit Allahu ia ka zgjeruar gjoksin për besimin islam është në një dritë të sigurt prej Zotit të vet. Mjerë ata që, nga zemërngurtësia e tyre, nuk e përmendin Allahun! Ata janë në një humbje të qartë.” [Zumer 22]. Ose: “...por është Allahu Ai që jua bën të dashur besimin dhe jua zbukuron atë në zemrat tuaja, ndërsa mosbesimin, shfrenimin dhe kundërshtimin, jua bën që t’i urreni. Këta dhe vetëm këta janë të udhëzuarit (në Rrugën e Drejtë). ” [Huxhurat 7]. Në tefsirin e këtij ajeti, Ibn Abasi ka thënë: “Atë që Allahu dëshiron ta udhëzojë, ia zgjeron gjoksin për Islamin”, pra, ia zgjeron zemrën për të pranuar teuhidin dhe imanin.” Po kështu e ka shpjeguar edhe Ebu Maliku e të tjerë, dhe ky është kuptimi i qartë e i drejtpërdrejtë i ajetit. Ibn Xheriri sjell hadithin nga Ibn Mesudi se Profeti i Allahut ka thënë: 1142. “Atë që Allahu dëshiron ta udhëzojë, ia zgjeron gjoksin për Islamin.” Njerëzit e pyetën: “O i Dërguari i Allahut, si ia zgjeron gjoksin?” Profeti ﷺ u përgjigj: “I hyn dritë në gjoks dhe ai zgjerohet.” - “A ka ndonjë shenjë për këtë, o i Dërguari i Allahut?” - e pyetën sërish. Profeti ﷺ tha: “Tërheqja nga vendi i mashtrimit (dynjaja), përkushtimi ndaj botës së përjetshme dhe përgatitja për vdekjen, përpara se ajo të vijë.” Ky hadith provohet nga hadithe të tjera mursele dhe muttasile, që mbështesin njëri-tjetrin. Allahu është më i ditur. - Ndërsa atë që dëshiron ta lërë të humbur, ia bën gjoksin të ngushtë e të rënduar - Seddiju ka thënë: “Është ai kraharor që nuk hapet për të pranuar udhëzimin e drejtë. Asgjë prej imanit të saktë e të vërtetë nuk hyn dhe nuk ndikon në të.

- si të ishte duke u ngjitur në qiell. - Kuptimi: E vërteta nuk gjen shteg për të hyrë në të, përveçse me vështirësi shumë të madhe, siç është e vështirë ngjitja në qiell. Kjo ndodh për shkak të ngushtisë së gjoksit dhe mospranimit të së vërtetës brenda tij. - Kështu e zbret Allahu dënimin mbi ata që nuk besojnë. - Ashtu siç ia ngushton gjoksin këtyre njerëzve, që ata e kanë të vështirë pastaj për të pranuar Islamin, po ashtu Ai i lë dorë të lirë shejtanit mbi të tillë lloje njerëzish, që e refuzojnë imanin në Allahun dhe profetët e Tij. Kështu, shejtani i mallkuar i devijon, i mashtron ata dhe i pengon vazhdimisht nga rruga e Allahut. 22

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:125

Allahu i Lartësuar u tregon robve të Tij shenjat dalluese të lumturisë dhe udhëzimit në rrugën e drejtë dhe shenjat e shkatërrimit dhe të përhumbjes. Shenjat e lumturisë dhe udhëzimit në rrugën e drejtë janë: zgjerimi i gjoksit për të pranuar Islamin dhe gjetja e kënaqësisë në të, ndriçimi me dritën e imanit dhe stolisja me sigurinë e plotë në vërtetësinë e Shpalljes së Allahut. Kështu, shpirti gjen prehje dhe fillon ta dojë mirësinë. Ai fillon të nënshtrohet për kryerjen e veprave të urdhëruara, madje ndien dëshirë për kryerjen e tyre. Ai ndien kënaqësi dhe nuk e shikon aspak të vështirë përkushtimin ndaj Allahut të Lartësuar. Këto shenja tregojnë se Allahu i Lartësuar e ka udhëzuar atë dhe i ka dhuruar suksesin për të ndjekur rrugën më të mirë. Ndërsa shenja treguese të atij që Allahu i Lartësuar dëshiron dhe gjykon për ta lënë në humbje është ngushtimi i gjoksit dhe pakënaqësia e tij në lidhje me imanin, diturinë dhe bindjen për Shpalljen e Zotit. Zemra e tij është e mbushur me dëshira të shfrenuara, që e shpërqendrojnë nga imani dhe rruga e lumturisë. Ajo është e mbushur me dyshime dhe pasiguri ndaj të vërtetës së shpallur nga Zoti, e cila është rruga e vetme drejt lumturisë në të dyja jetët. Në këtë mënyrë, ai ia ka bllokuar rrugën mirësisë për të hyrë në zemrën e tij. Ajo zemër nuk gjen kënaqësi dhe asnjë motiv për të kryer ndonjë të mirë. Aq shumë i ngushtohet zemra për mirësinë, saqë Allahu i Lartësuar e krahason rëndesën që ai përjeton në gjoks me atë të dikujt të cilit i kërkohet të ngrihet në qiell. Siç është e vështirë për dikë që të ngrihet lart në qiell, ashtu është e rëndë për këta që të nënshtrohen dhe të jetojnë sipas udhëzimit të Zotit. Shkak për këtë është mungesa e imanit në zemrat e tyre. Duke refuzuar imanin dhe nënshtrimin sipas tij, ata meritojnë që Allahu i Lartësuar të lëshojë mbi ta këtë ndëshkim. Janë vetë ata që ia mbyllin vetes portën e mëshirës dhe bamirësisë. Ky është një rregull i pandryshueshëm. Nuk ka dyshim se ai i cili shpenzon të gjitha mundësitë dhe përpjekjet e tij, përkushtohet me sinqeritet për të qenë i devotshëm, duke kryer urdhëresat e lënë haramet, në shenjë dashurie, nënshtrimi e madhërimi për Allahun dhe ka besim të drejtë, Allahu i Lartësuar ka për t’ia lehtësuar atij rrugën e drejtë. Ndërsa ai i cili tregohet koprrac, duke mos shpenzuar as mundin më të vogël për hir të fesë, tregohet jonevojtar dhe mospërfillës ndaj udhëzimit të Allahut, duke mos besuar dhe duke refuzuar të nënshtrohet sipas këtij besimi, ai i ka hyrë rrugës më të vështirë, përfundimi i së cilës ka për të qenë i dhimbshëm, sikurse thotë i Lartësuari në një sure tjetër: “Vërtet, veprat tuaja janë të ndryshme. Atij, që jep dhe ruhet, që e beson me bindje të plotë më të mirën, Ne do t'ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit. Atij që tregohet koprrac dhe e ndien veten të panevojë (për Zotin) dhe që mohon më të mirën, Ne do t'ia lehtësojmë atij rrugën drejt dënimit.” [Lejl 4 - 10].

← Enam 6:125