6. Enam · Ajeti 142 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:138–6:145
Mushrikët, përveç të tjerash klasifikonin bagëtinë si të lejuara posaçërisht për meshkuj apo për femra, mbytnin fëmijët e tyre e veçanërisht vajzat, të cilat i varrosnin të gjalla, madje shpifën si të ndaluara disa kafshë dhe disa drithëra.
Zoti xh. sh. ju numëron, begatitë që ua ka dhuruar, si vreshtat e llojllojshme, si kafshët për hipje, për qumësht, për lesh, për mish etj., për llojet më kryesore të kafshëve siç janë: devet, lopët, delet e dhitë, të cilat, meshkuj e femra janë tetë llojesh.
Të gjitha trillimet e tyre rreth ndalimit të ngrënies së disa kafshëve, i sqaron ajeti i fundit, sipas të cilit është e ndaluar të hahen: kafsha e ngordhur, gjaku, mishi i derrit dhe kafsha që është therrur në emër të ndonjë idhulli e jo në emër të Allahut.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:141–6:142
Allahu i Madhëruar njofton se Ai është Krijuesi i gjithçkaje: i të mbjellave, frutave drithërave dhe bagëtive, që idhujtarët - me mendjet e tyre të prishura - i veçonin si haram e hallall, çfarë u shkonte pas dëshirës. Allahu i Lartësuar thotë: - Është Ai që krijoi kopshte me pjergulla e pa pjergulla... - Ali Ibn Ebu Talha transmeton se Ibn Abasi shpjegon që: “mea’rushat” (me pjergulla) do të thotë: “të kapura e fiksuara lart nga toka”. Ndërsa Atau përcjell se Ibn Abasi ka thënë që: “mea’rûshât” janë kopshte që rriten të vendosur lart nga toka, në pjergulla; ndërsa “gajra mea’rûshât” janë ato që rriten jo në pjergulla, por në tokë. - hurma dhe drithëra të ndryshme, ullinj dhe shegë, të ngjashme e jo të ngjashme. - Ibn Xhurajxhi shpjegon: “Të ngjashme në pamje, por jo të ngjashme në shije”.
- Hani nga frutat e tyre kur të piqen, - pra hani nga hurmat e njoma rutab dhe nga rrushi, ditën e pjekjes së tyre. - ndërsa ditën e vjeljes së frutave, jepni pjesën që është e detyrueshme! - Ibn Xheriri ka thënë për këtë ajet: “Disa janë të mendimit se bëhet fjalë për zekatin e detyrueshëm të kësaj pasurie. Kështu është transmetuar nga Enes Ibn Maliku dhe Ibn Abasi, - Allahu qoftë i kënaqur me ta! Imam Ahmedi përcjell Xhabir Ibn Abdilahi, që ka thënë: 1145. “Profeti urdhëroi që në çdo xhadh të jepeshin 10 uisk (njësi matëse) me hurma të thata, e të vendoseshin në një kinuin (enë) në xhami, në shërbim të nevojtarëve.” Ky është një isnad i mirë dhe i fortë. Hasen el Basriu ka thënë: “Kjo është sadakaja që jepet për frutat dhe drithërat.” Ndërsa të tjerë kanë thënë që këtu bëhet fjalë për të gjitha sadakatë, përveç zekatit të detyrueshëm. Gjithashtu, Ibn Merdeuejhi përcjell prej Abdilah Ibn Mubarekut, ky nga Abdil Melik Ibn Ebu Selmani, e ky nga Ata Ibn Ebu Rabah, i cili, duke komentuar këtë ajet ka thënë: “Kjo u jepet atyre që janë të pranishëm ditën e vjeljes. Jepet nga prodhimi aq sa të vijë më lehtë për pronarin, por ky nuk është zekati (i detyrueshëm).” Të këtij mendimi janë edhe një grup i madh tabiinësh e dijetarë të tjerë pas tyre. Ndërsa disa të tjerë janë të mendimit se kjo praktikë ishte fillimisht e detyrueshme, derisa më vonë u anulua me ligjërimin e zekatit, sipas të cilit, për prodhimet e tokës duhet të jepet zekat një e dhjeta (nëse vaditet nga shiu) , ose një e njëzeta (nëse e vadit vetë) e prodhimeve të saj.” Ibn Xheriri e sj ell këtë si mendim të Ibn Abasit, Muhamed Ibn Hanefijes, Ibrahim Nehaiut, Hasenit dhe El Suddijut. Ibn Xheriri, gjithashtu, e ka përzgjedhur si mendimin më të saktë. Megjithatë, konsiderata se kemi të bëjmë me abrogim (nes’h) duhet analizuar me kujdes dhe kërkon argument të posaçëm. Deri atëherë, mund të themi se kjo praktikë ishte e detyrueshme në fillim dhe e tillë mbeti, vetëm se u përcaktua masa e detyrueshme. Është thënë se kjo ndodhi në vitin e 8-të të hixhretit. 27 Allahu i Lartësuar i qortoi rëndë ata që i shmangeshin pastrimit të pasurisë së tyre, duke mos u dhënë zekat e sadaka të varfërve e nevojtarëve, siç foli për pronarët e kopshtit, ku thotë: “Ne i sprovuam ata, siç sprovuam pronarët e kopshtit, kur u betuan se do ta vilnin atë herët në agim, por pa thënë: “Në dashtë Allahu!” Atëherë, atë (kopshtin) e goditi një ndëshkim nga Zoti yt, kur ata ishin në gjumë, dhe u gdhi i nxirosur si nata e errët. Ata thirrën njëri -tjetrin në mëngjes: “Ngrihuni e shkoni herët te prodhimet tuaja, nëse doni t’i vilni!” Ata u nisën, duke pëshpëritur mes njëri-tjetrit: “Sot, nuk do të lejojmë asnjë të varfër të afrohet atje.” U nisën herët dhe plot gëzim për planet e tyre, të sigurt për prodhimin e madh që i priste. Por, kur vajtën dhe panë vendin, thanë: “Oh, paskemi gabuar drejtim!” “Jo, kemi humbur atë që kishim.” Më i urti prej tyre tha: “A nuk ju thashë përse nuk e përmendni Zotin?” Atëherë, ata thanë: “I pastër nga çdo e metë është Zoti ynë. Pa dyshim, ne u treguam të padrejtë”. Dhe më pas iu kthyen njëri -tjetrit me qortime, duke thënë: “Të mjerët ne, që tejkaluam kufijtë! Shpresojmë që Zoti ynë të na e zëvendësojë këtë fatkeqësi me diçka më të mirë se ajo që na humbi! Ne e mbajmë shpresën vetëm te Zoti ynë!” [Kalem 17 - 32]. - Por mos shpërdoroni, se Ai nuk i do shpërdoruesit! - Për tefsirin e këtij ajeti janë dhënë mendime të ndryshme, por Ibn Xheriri ka përzgjedhur mendimin e Atait, i cili thotë se Allahu na ka ndaluar nga teprimi në çdo çështje. Nuk ka dyshim se ky është një shpjegim i saktë, por po të shohim kontekstin, kuptimi më i drejtpërdrejtë e më i qartë i ajetit është se bëhet fjalë për teprimin në ushqim. Allahu i Lartësuar thotë: “Hani nga frutat e tyre kur të piqen, ndërsa ditën e vjeljes së frutave, jepni pjesën që është e detyrueshme! Por mos shpërdoroni, se Ai nuk i do shpërdoruesit!” Pra, mos e teproni në ngrënie, sepse kjo e dëmton trupin dhe mendjen e njeriut, sikurse thotë i Lartësuari në një ajet tjetër:
“O bijtë e Ademit! Vishuni bukur për çdo namaz, hani e pini dhe mos e teproni, sepse Allahu nuk i do ata që e teprojnë!” [ El ea’raf 31]. Në Sahih-un e Buhariut është një hadith në formën mual-lak, që thotë: 1146. “Hani, pini e vishuni, pa e tepruar e pa mendjemadhësi.” Edhe ky urdhër në këtë ajet është për të njëjtën çështje, megjithëse Allahu e di më mirë. - Nga kafshët, disa janë për ngarkesë dhe disa për mish. - Edhe nga kafshët, Allahu i Madhëruar bëri që disa lloje të tyre t’ju shërbejnë për transport e disa për mish. Abdurahman Ibn Zejd Ibn Eslemi shpjegon se: “ El hamuletu janë kafshët bartëse, ndërsa el fersha janë ato që përdoren për mish dhe për qumësht. Kështu, delen që nuk përdoret për ngarkesë, e përdorim për mishin dhe qumështin e saj, madje pasi e therim, edhe për lëkurën dhe leshin e saj, që shfrytëzohen për shtroja ( fersha), veshje e mbulesa.” Ky është një mendim i saktë, për të cilin dëshmon edhe fjala e Allahut: “A nuk e shohin ata se jemi Ne që kemi krijuar për ta kafshë që ata i kanë nën zotërimin e tyre? Dhe jemi Ne që ua nështruam ato për t'i përdorur. Disa i mbajnë si kafshë barre dhe disa i mbajnë për ushqim. Ata kanë prej tyre edhe dobi të tjera dhe pije të këndshme (qumësht). A nuk do të jenë mirënjohës?” [Ja Sin 71 - 73]. Gjithashtu: “Allahu i bëri shtëpitë tuaja vendbanim të qetë dhe nga lëkurët e kafshëve ju mundësoi të keni tenda që lehtësisht i bartni me vete gjatë udhëtimeve dhe (kur qëndroni) në vendin tuaj. Ndërsa nga leshi ose gëzofi i tyre, ju bëni veshje, që t’i shfrytëzoni për një kohë të caktuar.” [Nahl 80]. - Hani nga ato që ju ka dhuruar Allahu - Hani nga frutat, drithërat e kafshët e lejuara, që Allahu i krijoi për ju. Ai i krijoi ato për të qenë furnizim për ju. - e mos ndiqni hapat e Shejtanit ... - Mos ndiqni rrugën dhe urdhërat e tij, ashtu siç bënë idhujtarët, të cilët bënë haram frutat e kafshët që Zoti i kishte bërë të lejuara e furnizim për ju, duke gënjyer në emër të Tij! - sepse ai është armiku juaj i betuar! - Në një ajet tjetër, Allahu i Lavdëruar thotë: “Shejtani është armiku juaj, prandaj edhe ju konsiderojeni si armik! Ai i fton ithtarët e vet, për t’i bërë banorë të Zjarrit.” [Fatir 6]. Vëreni se si, duke përshkruar armiqësinë e shejtanit, Allahu i Lartësuar thotë: “... armiku juaj i betuar.” Pra, ai është nga ata që e shfaqin haptazi armiqësinë e ty re, siç thuhet në ajetin tjetër: “O bijtë e Ademit! Kurrsesi të mos ju mashtrojë Shejtani, sikurse bëri me prindërit tuaj që i nxori nga Xheneti, duke i zhveshur për t'u nxjerrë në shesh lakuriqësinë. Ai dhe skota e tij ju sheh juve, ndërsa ju nuk mund t'i shihni ata. Ne i kemi bërë shejtanët miq (vetëm) të atyre që nuk besojnë.” [Ea’raf 27], dhe thotë: “Kur u thamë melekëve: “Bëni sexhde për Ademin!”, ata ranë në sexhde, përveç Iblisit. Ai qe një nga xhindët dhe nuk e respektoi urdhrin e Zotit të vet.”. “Vallë, a në vend Tim, do ta konsideroni si mik atë dhe pasardhesit e tij, ndërsa ata janë armiqtë tuaj?! Sa këmbim i shëmtuar dhe i padrejtë është ky!” [Kehf 50].
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:142–6:144
- Nga kafshët, disa janë për ngarkesë dhe disa për mish. - Kuptimi: Allahu i Lartësuar i krijoi kafshët për ju. Disa prej tyre mbajnë ngarkesa e punojnë për ju, por ka të tjera të cilat janë të vogla dhe nuk mund të mbajnë pesha të rënda, por që përdoren për qëllime të tjera, si për shembull, për ushqim. Më pas, i Lartësuari thotë: - “Hani nga ato që ju ka dhuruar Allahu, e mos ndiqni hapat e Shejtanit...” - Mos ndiqni hapat e Shejtanit, duke bërë haram atë që Zoti e ka lejuar. Kurrë mos ndiqni hapat e tij, sepse: - “... ai është armiku juaj i betuar.” - Ai ju shtyn veçse në ato vepra që ju dëmtojnë dhe që ju sjellin ndëshkimin e përjetshëm. Në vijim, Allahu i Lartësuar tregon se cilat janë ato lloj bagëtish të cilat Ai i ka bërë të mira dhe të dobishme: - Janë tetë krerë bagëtish: dy krerë dhensh (femër e mashkull) dhe dy krerë dhish (femër e mashkull). - Dy llojet e deleve: lloji femër dhe ai mashkull, dhe dy llojet e dhive: lloji femër dhe ai mashkull, janë ato që Allahu i Lartësuar i ka bërë të lejuara pa përjashtuar asnjë prej tyre. Ky është ligji i Zotit. Atëherë, drejtoju atyre që
përjashtojnë disa kategori të tyre, dhe thuaju: - Thuaj: “A janë ndaluar meshkujt apo femrat e këtyre, apo ajo që mbajnë në bark femrat?” - Mos vallë Zoti bëri të ndaluar vetëm meshkujt e dhenve dhe të dhive, gjë të cilën ju nuk e thoni, apo bëri të ndaluar femrat e dhenve dhe të dhive? Mbetet edhe një mundësi tjetër: mos vallë bëri të ndaluar ato që janë në barkun e tyre, meshkuj apo femra qofshin? Këto janë të gjitha mundësitë, por ju nuk e thoni e nuk e pranoni asnjërën prej tyre . Atëherë, ku bazoheni për ato që thoni? - Më tregoni, pra, me dije të saktë, nëse ato që thoni janë të vërteta! - Sillni fakte për ato kategori që ju i quani të ndaluara! Sigurisht, ata nuk mund të sjellin asnjë lloj fakti, veç arsyetimeve të kota, që burojnë nga padituria dhe logjika e tyre e mangët. Allahu i Lartësuar nuk ka sjellë asnjë dëshmi e provë për të tilla ndalesa. Pastaj Allahu i Lartësuar sjell të njëjtën mënyrë arsyetimi për devetë dhe lopët: - Edhe nga devetë janë dy krerë (femër e mashkull) dhe nga lopët dy krerë (femër e mashkull). Thuaj: “A janë ndaluar meshkujt apo femrat, apo ajo që mbajnë në bark femrat?” - Pasi sqaroi kotësinë e pretendimeve të tyre, Allahu i Lartësuar u drejtohet me disa fjalë, që, nëse do të logjikonin dhe arsyetonin me kujdes, nuk do t’u mbetej gjë tjetër veçse të pasonin Shpalljen dhe Ligjin e Tij: - Mos vallë ishit dëshmitarë kur Allahu vendosi këto rregulla?” - Kuptimi: Që të vërtetoni saktësinë e pretendimeve tuaja, ju mbetet vetëm kjo rrugë: të thoni që keni Shpallje nga Zoti ku mbështeteni. Ju duhet të pretendoni që Zoti ju ka shpallur edhe juve ligje dhe dispozita, të cilat janë në kundërshtim me gjitha porositë e profetëve dhe me të gjitha shpalljet që Zoti ka sjellë. Por të gjitha këto pretendime duhet të vërtetohen me prova dhe fakte, ashtu sikurse profetët, të cilët Zoti i mbështeti me prova e mrekulli të shumta. Por kjo është e pamundur që të kryhet nga ju. Kështu, Allahu i Lartësuar do ta bëjë të qartë të vërtetën nga e kota e do t’i dallojë të sinqertët nga mashtruesit. Më pas, i Lartësuari thotë: - E kush është më i padrejtë se ai që trillon gënjeshtra ndaj Allahut për t’i devijuar njerëzit nga padija e tyre? - Njerëzit më të padrejtë janë ata të cilët mashtrojnë dhe shpifin rreth Allahut dhe shpalljeve të Tij, duke synuar devijimin e njerëzve nga rruga e drejtë. Ata sajojnë ligje, fe dhe besime të paurdhëruara nga Zoti dhe të pambështetura nga Ai me fakte dhe argumente, madje që janë në kundërshtim edhe me logjikën e pastër dhe të thjeshtë. Por Allahu i Lartësuar nuk ka për t’u dhënë sukses planeve të këtyre zullumqarëve, siç thotë më pas: - Pa dyshim, Allahu nuk i udhëzon keqbërësit. - Allahu i Lartësuar nuk i udhëzon ata të cilët nuk kanë synim tjetër, përveçse të shpifin rreth Tij, duke kaluar kështu çdo kufi.