6. Enam · Ajeti 148 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:146–6:150

Jehuditë u ndëshkuan edhe me ndalimin e ngrënies së mishit të disa kafshëve, për shkak të sjelleve të tyre të shfrenuara. Këtë masë ndëshkuese u vinte rëndë ta pranonin, ndaj gjithnjë polemizonin me Muhammedin.

E madhe është mëshira e Zotit: i lejon mëkatarët të vazhdojnë jetën, por edhe dënimi i Tij është shumë i rreptë dhe atë nuk ka kush që ta pengojë. Idhujtarët mekas, sikundër bëjnë edhe mëkatarët e tjerë, kur u thuhet të largohen nga mëkati, përpiqeshin t'ia mveshin fajin tjetërkujt e jo vetes. Në të vërtetë, në rastet e tilla pranojnë doktrinën e "Xhebrijve" sipas së cilës mohohet liria e pavarur e njeriut në vepra e deri diku edhe përgjegjësia.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:148–6:150

Këtu kemi të bëjmë me një polemikë dhe disa dyshime e arsyetime boshe, në të cilat kapen idhujtarët për të justifikuar mosbesimin dhe ligjet që i trilluan vetë rreth bërjes haram të disa mirësive të Allahut. - Idhujtarët do të thonë: “Sikur të kishte dashur Allahu, nuk do të ishim idhujtarë as ne e as prindërit tanë, e as nuk do të kishim bërë harame.” - Sipas kësaj logjike, Allahu e di mirë idhujtarinë e tyre dhe ndalesat që ata përcaktuan në emër të Tij dhe Ai është i plotpushtetshëm që t’i udhëzojë ata në iman dhe t’i ndalojë nga kufri e padrejtësitë, por meqë Ai nuk e bën këtë, kjo do të thotë - sipas tyre - se vetë Ai

e pëlqente këtë gjë. Sipas një ajet i tjetër, ata thoshin: “Sikur të kishte dashur Allahu, nuk do të ishim idhujtarë as ne e as prindërit tanë, e as nuk do të kishim bërë harame.”. ose sikur tregon Allahu për ta në një ajet tjetër: “Ata thonë: “Sikur të kishte dashur Rahmani, ne nuk do t’i adhuronim ata!” Por ata nuk kanë ndonjë provë për këtë. Ata, në të vërtetë, vetëm gënjejnë. A mos u kemi dhënë ndonjë libër para këtij, të cilit ata i përmbahen? Jo. Por ata thonë: “Ne i kemi gjetur të parët tanë në këtë fe, prandaj do t’i ndjekim gjurmët e tyre me këmbëngulje.”.” [Zuhruf 30]. Në vijim i Lartësuari thotë: - Kështu kanë gënjyer edhe ata që ishin para tyre, derisa përjetuan dënimin tonë të ashpër. - Me të tilla arsyetime, humbën dhe u shkatërruan popuj të mëparshëm, sepse ato janë arsyetime boshe e të pavlera. Nëse do të ishin të sakta e të pranueshme si arsyetime, Allahu nuk do t’i godiste me ndëshkime të dhimbshme e as nuk do të zbriste shkatërrimin e zemërimin e Tij mbi ta. - Thuaju: “A keni ndonjë dije (të sigurt) për të na paraqitur? - A keni ndonjë dijeni, që pretendoni se Allahu është i kënaqur me këtë që ju veproni? - Ju mbështeteni vetëm në hamendje. - Ato janë thjesht hamendësime të pabaza. Hamendësimi, në këtë rast, nënkupton besimin e gabuar të tyre. - Ju, në të vërtetë, vetëm se gënjeni! - Këto pretendime janë thjesht gënjeshtra për Allahun. Ali Ibn Ebu Talha tregon se Ibn Abasi, duke shpjeguar fjalën e Allahut: “Sikur të kishte dashur Allahu, nuk do të ishim idhujtarë...”, përmendi ajetin tjetër, që thotë: “Kështu kanë gënjyer edhe ata që ishin para tyre”. Më pas, tha: “Nëse do të dëshironte Allahu, ata nuk do të bënin idhujtari.” Ata thoshin: “Adhurimi që u përkushtojmë zotave na afron më shumë tek Allahu.” Por Allahu i njoftoi se kjo vepër nuk i afronte aspak tek Ai. Kur ata thanë: “Sikur të kishte dashur Allahu, nuk do të ishim idhujtarë ...”, Allahu u tha se, po të dëshironte, Ai mund t’i bënte të gjithë bashkë që të kishin një besim të vetëm, të drejtë e të saktë. - Thuaj: “Allahu zotëron argumentin më të plotë - Ai ka urtësinë absolute dhe argumentin më të plotë, qoftë në udhëzimin e atyre që Ai udhëzoi, qoftë në lënien në humbje të atyre që humbën e mbetën në errësirë. - dhe, sikur të kishte dashur, Ai do t’ju kishte udhëzuar të gjithëve.” - Gjithçka ndodhi me pushtetin, dëshirën dhe përzgjedhjen e Allahut të Urtë dhe të Gjithëdijshëm. Megjithëkëtë, Ai i do besimtarët dhe i urren mohuesit, sikurse ka thënë në një ajet tjetër: “Sikur të kishte dashur Zoti yt, do të besonin ata që janë në Tokë që të gjithë. Vallë, ti do t’i detyrosh njerëzit që të bëhen besimtarë? Asnjë njeri nuk mund të besojë, përveçse me lejen e Allahut. Ndërsa ligësia (e mohimit të Zotit) do të godasë ata që nuk mendojnë.” [Junus 99], ose: “Sikur të dëshironte Zoti yt, do ta bënte njerëzinë të një feje, por ata do të jenë vazhdimisht duke kundërshtuar, përveç atyre të cilët i ka mëshiruar Zoti yt. Për këtë edhe i krijoi ata. Vendimi i Zotit tënd do të përmbushet: “Unë do ta mbush Xhehenemin me xhinde dhe njerëz bashkë."” Hud 118, 119]. - Thuaj: “Sillni dëshmitarë që të dëshmojnë se Allahu ka ndaluar këtë e atë!” - Sillini dëshmitarët tuaj, të cilët dëshmojnë se gënjeshtrat që ju shpikët për Allahun janë të vërteta! - Nëse duan të bëjnë dëshmi të rreme, ti mos dëshmo bashkë me ta! - Sepse edhe nëse ata dëshmojnë për të tilla gënjeshtra, ajo është një dëshmi e rreme dhe e pabazë. - Kurrë mos shko pas dëshirave të atyre që argumentet Tona i konsiderojnë si gënjeshtra, nuk besojnë jetën e përtejme dhe sajojnë zota të tjerë si të barabartë me Zotin e tyre! - Domethënë, i bëjnë Zotit shirk, duke pranuar se ka të barabartë me Të.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:148–6:149

- Idhujtarët do të thonë: “Sikur të kishte dashur Allahu, nuk do të ishim idhujtarë as ne e as prindërit tanë, e as nuk do të kishim bërë harame.” - Allahu i Lartësuar njoftoi për idhujtarët, të cilët, për të justifikuar idhujtarinë dhe haramet e tyre, do të përpiqeshin të argumentonin me vullnetin dhe caktimin e Zotit. Duke ditur se vullneti i Allahut është i padiskutueshëm, se do të vihet në zbatim patjetër dhe se ai përfshin çdo gjë të mirë apo të keqe, ata do ta përdornin këtë si argument për të justifikuar krimet e tyre dhe për të mos u marrë në përgjegjësi nga Allahu i Lartësuar. Dhe, vërtet, ata vepruan ashtu sikurse tregoi Allahu i Lartësuar. - Kështu kanë gënjyer edhe ata që ishin para tyre, derisa përjetuan dënimin tonë të ashpër. - Allahu i Lartësuar na tregon se popujt mohues të së vërtetës dhe të shpalljeve të Tij gjithmonë do të justifikojnë krimet e tyre me të tilla argumente. Ata i përdorin këto arsyetime për të mohuar dhe për të mos pranuar ftesën e profetëve. Por kjo mënyrë e tyre nuk ka për t’u sjellë dobi dhe nuk ka për t’i mbrojtur nga ndëshkimi i Allahut. Ata do të vazhdojnë me këtë rrugë, derisa Allahu të zbresë ndëshkimin mbi ta.

Nëse mënyra e argumentimit të tyre do të ishte e drejtë, Allahu nuk do t’i ndëshkonte. Por duke qenë se Allahu i Lartësuar ndëshkon veçse ata që e meritojnë, kuptohet se justifikimi i gjynaheve me vullnetin dhe caktimin e Tij është i pavlerë, i pavërtetë dhe i padrejtë. Argumentimet duhet të mbështeten në dituri të saktë dhe fakte të pranueshme. Nëse ato janë të mbështetura thjesht në hamendësime, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me të vërtetën, ato janë të kota dhe të papranueshme. Prandaj Allahu i Lartësuar thotë: - Thuaju: “A keni ndonjë dije (të sigurt) për të na paraqitur? - Nëse ata do të kishin dituri, e cila është mposhtësja e çdo arroganti kyeneç, do ta paraqisnin atë. Por duke qenë se ata nuk kishin asnjë lloj diturie dhe asnjë fakt për atë që thoshin, kjo tregon se ata thjesht hamendësonin, siç thotë i Lartësuari: - Ju mbështeteni vetëm në hamendje. Ju, në të vërtetë, vetëm se gënjeni!”. - Ai që e ndërton gjykimin në supozime dhe hamendësime, ai është i humbur dhe i çoroditur. Atëherë, ç’mund të thuash për atë që e krijon gjykimin mbi bazën e inatit, ligësisë dhe shkatërrimit? - Thuaj: “Allahu zotëron argumentin më të plotë dhe, sikur të kishte dashur, Ai do t’ju kishte udhëzuar të gjithëve.”. - Argumentimi i Zotit është absolutisht i vërtetë dhe i pathyeshëm, aq sa askujt nuk i lë vend për justifikim. Ai është argumentim të cilin e kanë dëshmuar si të vërtetë të gjithë lajmëtarët dhe pejgamberët e Zotit, të gjithë librat hyjnorë dhe traditat profetike. Për vërtetësinë e argumentit të Zotit dëshmojnë dhe mendjet e shëndosha, arsyet e pastra dhe natyra e shëndetshme dhe e papërlyer. Nga kjo kuptohet se çdokush që e mohon argumentin e Zotit është një mbrojtës i të kotës dhe i të pavërtetës, sepse përballë të vërtetës qëndron veçse e pavërteta dhe e kota. Sigurisht, Allahu i Lartësuar i ka dhënë çdo krijese të përgjegjshme aftësi dhe vullnet të mjaftueshëm, që të arrijë të realizojë detyrat që i janë ngarkuar. Allahu i Lartësuar nuk ngarkon asnjë me një detyrë të cilën ai nuk ka mundësi që ta kryejë, ashtu si nuk ndalon asnjë nga diçka të cilën ai e ka të pamundur ta lërë. Pas gjithë kësaj, justifikimi me vullnetin dhe caktimin e Zotit për çdo dalje nga ligji i Tij është thjesht një padrejtësi, inat dhe kokëfortësi e pashembullt. Allahu i Lartësuar nuk ua imponon robve veprat që do të kryejnë, por i ka lënë ata të lirë të zgjedhin. Ata mund të veprojnë çfarë të duan, e gjitha kjo sipas zgjedhjes së tyre të lirë. Ky është një realitet i dëshmuar dhe pranuar nga të gjithë, të cilin e kundërshton veçse ai që është kokëfortë dhe arrogant, sepse mohon argumente të padiskutueshme, që dëshmohen me shqisa. Çdokush di të bëjë dallimin mes një lëvizjeje që bëhet me zgjedhje të lirë dhe asaj që bëhet e imponuar. Megjithatë, përsëri asgjë nuk mund të dalë jashtë dëshirës dhe vullnetit të Allahut. Gjithçka ndodh veçse pasi e ka lejuar Allahu i Lartësuar dhe i Urtë. Ata që arsyetohen me vullnetin dhe caktimin e Zotit për gjynahet e tyre janë kontradiktorë edhe me veten e tyre, sepse shpeshherë as vetë nuk e pranojnë një arsyetim të tillë. Kështu për shembull, nëse dikush do t’u vidhte pasurinë apo t’u shkelte të drejtat, dhe pastaj të arsyetohej duke thënë se ky qe caktimi i Zotit dhe vullneti i Tij, ata nuk do ta pranonin kurrë. Sa e çuditshme! Si është e mundur të arsyetojnë gjynahet e tyre kundrejt Zotit me vullnetin dhe caktimin e Tij, ndërkohë që nuk e pranojnë këtë arsyetim nga ata të cilët u bëjnë atyre padrejtësi? Në fund të fundit, justifikimi me vullnetin dhe caktimin e Zotit nuk është qëllimi i vërtetë i tyre, madje edhe ata vetë e dinë se ky nuk është arsyetim i shëndoshë dhe i saktë. Qëllimi i vërtetë i tyre është thjesht refuzimi i të vërtetës. Ata e shohin të vërtetën si diçka që i sulmon dhe nga e cila duhen të mbrohen me çdo kusht dhe me çdo gjë që munden, edhe pse e dinë se kjo është e gabuar.

← Enam 6:148