6. Enam · Ajeti 150 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:146–6:150
Jehuditë u ndëshkuan edhe me ndalimin e ngrënies së mishit të disa kafshëve, për shkak të sjelleve të tyre të shfrenuara. Këtë masë ndëshkuese u vinte rëndë ta pranonin, ndaj gjithnjë polemizonin me Muhammedin.
E madhe është mëshira e Zotit: i lejon mëkatarët të vazhdojnë jetën, por edhe dënimi i Tij është shumë i rreptë dhe atë nuk ka kush që ta pengojë. Idhujtarët mekas, sikundër bëjnë edhe mëkatarët e tjerë, kur u thuhet të largohen nga mëkati, përpiqeshin t'ia mveshin fajin tjetërkujt e jo vetes. Në të vërtetë, në rastet e tilla pranojnë doktrinën e "Xhebrijve" sipas së cilës mohohet liria e pavarur e njeriut në vepra e deri diku edhe përgjegjësia.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:148–6:150
Këtu kemi të bëjmë me një polemikë dhe disa dyshime e arsyetime boshe, në të cilat kapen idhujtarët për të justifikuar mosbesimin dhe ligjet që i trilluan vetë rreth bërjes haram të disa mirësive të Allahut. - Idhujtarët do të thonë: “Sikur të kishte dashur Allahu, nuk do të ishim idhujtarë as ne e as prindërit tanë, e as nuk do të kishim bërë harame.” - Sipas kësaj logjike, Allahu e di mirë idhujtarinë e tyre dhe ndalesat që ata përcaktuan në emër të Tij dhe Ai është i plotpushtetshëm që t’i udhëzojë ata në iman dhe t’i ndalojë nga kufri e padrejtësitë, por meqë Ai nuk e bën këtë, kjo do të thotë - sipas tyre - se vetë Ai
e pëlqente këtë gjë. Sipas një ajet i tjetër, ata thoshin: “Sikur të kishte dashur Allahu, nuk do të ishim idhujtarë as ne e as prindërit tanë, e as nuk do të kishim bërë harame.”. ose sikur tregon Allahu për ta në një ajet tjetër: “Ata thonë: “Sikur të kishte dashur Rahmani, ne nuk do t’i adhuronim ata!” Por ata nuk kanë ndonjë provë për këtë. Ata, në të vërtetë, vetëm gënjejnë. A mos u kemi dhënë ndonjë libër para këtij, të cilit ata i përmbahen? Jo. Por ata thonë: “Ne i kemi gjetur të parët tanë në këtë fe, prandaj do t’i ndjekim gjurmët e tyre me këmbëngulje.”.” [Zuhruf 30]. Në vijim i Lartësuari thotë: - Kështu kanë gënjyer edhe ata që ishin para tyre, derisa përjetuan dënimin tonë të ashpër. - Me të tilla arsyetime, humbën dhe u shkatërruan popuj të mëparshëm, sepse ato janë arsyetime boshe e të pavlera. Nëse do të ishin të sakta e të pranueshme si arsyetime, Allahu nuk do t’i godiste me ndëshkime të dhimbshme e as nuk do të zbriste shkatërrimin e zemërimin e Tij mbi ta. - Thuaju: “A keni ndonjë dije (të sigurt) për të na paraqitur? - A keni ndonjë dijeni, që pretendoni se Allahu është i kënaqur me këtë që ju veproni? - Ju mbështeteni vetëm në hamendje. - Ato janë thjesht hamendësime të pabaza. Hamendësimi, në këtë rast, nënkupton besimin e gabuar të tyre. - Ju, në të vërtetë, vetëm se gënjeni! - Këto pretendime janë thjesht gënjeshtra për Allahun. Ali Ibn Ebu Talha tregon se Ibn Abasi, duke shpjeguar fjalën e Allahut: “Sikur të kishte dashur Allahu, nuk do të ishim idhujtarë...”, përmendi ajetin tjetër, që thotë: “Kështu kanë gënjyer edhe ata që ishin para tyre”. Më pas, tha: “Nëse do të dëshironte Allahu, ata nuk do të bënin idhujtari.” Ata thoshin: “Adhurimi që u përkushtojmë zotave na afron më shumë tek Allahu.” Por Allahu i njoftoi se kjo vepër nuk i afronte aspak tek Ai. Kur ata thanë: “Sikur të kishte dashur Allahu, nuk do të ishim idhujtarë ...”, Allahu u tha se, po të dëshironte, Ai mund t’i bënte të gjithë bashkë që të kishin një besim të vetëm, të drejtë e të saktë. - Thuaj: “Allahu zotëron argumentin më të plotë - Ai ka urtësinë absolute dhe argumentin më të plotë, qoftë në udhëzimin e atyre që Ai udhëzoi, qoftë në lënien në humbje të atyre që humbën e mbetën në errësirë. - dhe, sikur të kishte dashur, Ai do t’ju kishte udhëzuar të gjithëve.” - Gjithçka ndodhi me pushtetin, dëshirën dhe përzgjedhjen e Allahut të Urtë dhe të Gjithëdijshëm. Megjithëkëtë, Ai i do besimtarët dhe i urren mohuesit, sikurse ka thënë në një ajet tjetër: “Sikur të kishte dashur Zoti yt, do të besonin ata që janë në Tokë që të gjithë. Vallë, ti do t’i detyrosh njerëzit që të bëhen besimtarë? Asnjë njeri nuk mund të besojë, përveçse me lejen e Allahut. Ndërsa ligësia (e mohimit të Zotit) do të godasë ata që nuk mendojnë.” [Junus 99], ose: “Sikur të dëshironte Zoti yt, do ta bënte njerëzinë të një feje, por ata do të jenë vazhdimisht duke kundërshtuar, përveç atyre të cilët i ka mëshiruar Zoti yt. Për këtë edhe i krijoi ata. Vendimi i Zotit tënd do të përmbushet: “Unë do ta mbush Xhehenemin me xhinde dhe njerëz bashkë."” Hud 118, 119]. - Thuaj: “Sillni dëshmitarë që të dëshmojnë se Allahu ka ndaluar këtë e atë!” - Sillini dëshmitarët tuaj, të cilët dëshmojnë se gënjeshtrat që ju shpikët për Allahun janë të vërteta! - Nëse duan të bëjnë dëshmi të rreme, ti mos dëshmo bashkë me ta! - Sepse edhe nëse ata dëshmojnë për të tilla gënjeshtra, ajo është një dëshmi e rreme dhe e pabazë. - Kurrë mos shko pas dëshirave të atyre që argumentet Tona i konsiderojnë si gënjeshtra, nuk besojnë jetën e përtejme dhe sajojnë zota të tjerë si të barabartë me Zotin e tyre! - Domethënë, i bëjnë Zotit shirk, duke pranuar se ka të barabartë me Të.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:150
- Thuaj: “Sillni dëshmitarë që të dëshmojnë se Allahu ka ndaluar këtë e atë!” - Kuptimi: Thuaju atyre të cilët bëjnë haram ato që lejon Allahu dhe pretendojnë se është vetë Allahu Ai që i ka bërë këto ndalesa: “Sillni dëshmitarë, që të dëshmojnë se është Allahu Ai që ka vendosur për të tilla ndalesa!”. Kështu, ata kanë dy mundësi: (a) ose të mos sjellin asnjë dëshmitar, dhe në këtë mënyrë pretendimi i tyre është i papranueshëm për mungesë dëshmish, faktesh dhe provash; (b) ose të sjellin ndonjë që dëshmon për një gjë të tillë. Por të tilla dëshmi sjellin vetëm ata që janë gjynahqarë të mëdhenj, të cilëve nuk u pranohen dëshmia. Të tilla dëshmi nuk janë çështje për të cilat dëshmojnë të drejtët dhe të sinqertët, prandaj dhe Allahu i Lartësuar e ndalon të Dërguarin e Tij dhe besimtarët nga këto lloj dëshmish. I Lartësuari thotë: - Nëse duan të bëjnë dëshmi të rreme, ti mos dëshmo bashkë me ta! Kurrë mos shko pas dëshirave të atyre që argumentet Tona i konsiderojnë si gënjeshtra, nuk besojnë jetën e përtejme dhe sajojnë zota të tjerë si të barabartë me Zotin e tyre! - Ata konsiderojnë si të barabartë me Allahun idhujt dhe putat e tyre. Duke qenë se ata janë mohues të Ditës së Gjykimit dhe nuk e njësojnë Allahun e Lartësuar, ata e meritojnë atë besim të shëmtuar dhe ato dispozita të padrejta që i ngarkojnë vetes. Me fjalë të tjera, besimi i tyre ndërtohet mbi idhujtarinë dhe mohimin e të vërtetës, prandaj është tërësisht me vend që Allahu i Lartësuar ta ndalojë Profetin e Tij dhe të drejtudhëzuarit nga ndjekja e të tillë njerëzve dhe nga pjesëmarrja në dëshmi së bashku me ta. Të gjitha këto tregojnë edhe një herë se ndalimi i atyre gjërave që Zoti i kishte lejuar buronte tërësisht nga dëshirat e tyre të shfrenuara.