6. Enam · Ajeti 151 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:151–6:158

Në ajetet 151, 152, 153 flitet për dhjetë vasijetet-urdhërat që kanë qenë të porositura edhe në shpalljet e mëparshme. Derisa pesë porositë e para janë që i mençuri të ruhet prej tyre, vjen shprehja "ta'kilunë" të mendoni. Katër ndalesat e tjera janë që i përkasin lakmisë, e ai që nuk u vë veshin mund të gabojë, andaj vjen shprehja "tedhekkerunë" të përkujtoni. Ecja nëpër rrugën e drejtë kërkon maturi të madhe, andaj thuhet "të ruheni". Ibni Mes'udi thotë: "Pejgamberi e bëri një vijë të drejtë e tha: "Kjo është rruga e Zotit", pastaj i bëri disa vija në të djathtë dhe në të majtë të saj e tha: "Këto janë rrugë që në krye të secilës është nga një shejtan që të thërret të hysh në të", pastaj e lexoi ajetin "Hadha sirati Mustekimen fettebiuhu..."

Idhujtarët thoshin se atyre nuk u erdhi libër si jehudive dhe të krishterëve, andaj kishin mbetur të paudhëzuar. Ata nuk paranonin as Kur'anin, as Muhammedin, e në anën tjetër sikur ankoheshin për udhëzim. Si të tillë, si mizorë të pashokë, edhe dënimi i Zotit kundër tyre do të jetë shumë i ashpër.

Shenja e përmendur thuhet se është një nga ato paralajmëruese për afrimin e kijametit. Sipas një hadithi që e shënon Buhariu thuhet: "Katastrofa e përgjithsme nuk ndodh para se të lindë dielli nga perëndimi i tij, e kur të lindë dhe e shohin njerëzit besojnë që të gjithë", pastaj e lexoi ajetin 158.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:151

Daud el Eudi pë rcjell nga Ibn Mesudi thënien: 1150. “Kush dëshiron që të shohë porosinë e Profetit të Allahut të vulosur nga vetë ai, le të lexojë këto ajete: “Thuaju: “Ejani t’ju kumtoj ato që vërtet jua ka ndaluar Zoti juaj: Të mos adhuroni (asnjë e) asgjë tjetër përveç Tij; të silleni mirë me prindërit; të mos i vrisni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne ju furnizojmë ju dhe ata; të mos u afroheni gjynaheve - të hapura apo të fshehta qofshin; dhe të mos vrisni atë që Allahu e ka ndaluar të vritet, veçse kur e do drejtësia. Këto janë porositë e Tij, që ju të mendoni thellë. Mos iu afroni pasurisë së jetimit, veçse në mënyrën më të mirë, derisa ai të arrijë pjekurinë! Masni dhe peshoni me drejtësi! Ne nuk ngarkojmë asnjë njeri përtej mundësive të veta. Kur të flisni, duhet të jeni të drejtë, edhe kur çështja është për të afërmit tuaj. Plotësojini zotimet që i bëni Allahut! Këto janë porositë e Tij, me qëllim që ju të kujtoni. Kjo është rruga Ime e drejtë. Prandaj përmbajuni asaj e mos ndiqni rrugë të tjera, të cilat ju largojnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, në mënyrë që ju të jeni të devotshëm.” Hakimi sjell në Mustedrakun e tij rrëfimin e Jezid Ibn Harunit, që përcjell nga Ubadetu Ibn Samiti, i cili tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 1151. “Kush nga ju do të më japë besën për këto të trija!” Pastaj Profeti i Allahut lexoi: “Thuaju: “Ejani t’ju kumtoj ato që vërtet jua ka ndaluar Zoti juaj...” deri në fund. Më pas tha: “Ai që i përmbush këto, e ka shpërblimin tek Allahu. Ai që cënon diçka prej tyre dhe Allahu e dënon për to që në këtë dynja, ai është ndëshkimi për to. Ndërsa atë që e vonon për në ahiret, ai është në dorë të Allahut, nëse do e ndëshkon e nëse do e fal.” Hakimi shton se ky është një isnad i saktë sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit, edhe pse nuk e kanë nxjerrë në Sahih-un e tyre. Megjithatë, ata të dy kanë rënë dakord për saktësinë e hadithit të Zuhriut, që përcjell nga Ebu Idrisi, e ky nga Ubadetu: 1152. “Më jepni besën që nuk do t’i shoqëroni asgjë Allahut në adhurimin përkushtuar ndaj Tij...”, e deri në fund. Në fakt, Sufjan Ibn Husejni i ka transmetuar të dy hadithet, prandaj nuk është e udhës që për njërin hadith të konsiderohet si transmetues që ka gabime e ngatërresa e për tjetrin jo, ndërkohë që i ka sjellë së bashku. Sidoqoftë, Allahu është më i ditur. - Thuaju: “Ejani t’ju kumtoj ato që vërtet jua ka ndaluar Zoti juaj ...” - Në këto ajete, Allahu e urdhëron Profetin e T ij që t’u drejtohet këtyre idhu jtarëve, të cilët adhuronin idhuj përveç Allahut, bënin haram mirësitë që Allahu u dhuroi njerëzve, vrisnin fëmijët e tyre, dhe të gjitha këto i bënin duke u prirë nga hamendësitë e kota dhe frymëzimi i shejtanit të mallkuar: Thuaju atyre: “Ejani t’ju kumtoj ato që vërtet jua ka ndaluar Zoti juaj...”. Pra, ejani e dëgjoni me kujdes për çfarë ju ndalon Zoti juaj: - Të mos adhuroni (asnjë e) asgjë tjetër përveç Tij... - Ai ju porosit që të mos adhuroni dikë tjetër veç Tij. Kjo është një porosi që përmban në vetvete ndalesën nga idhujtaria. E thënë ndryshe, është një ndalesë e sjellë në formë porosie. Prandaj në fund të ajetit thuhet: “Këto janë porositë e Tij, që ju të mendoni thellë.” Në dy Sahihët vjen hadithi i Ebu Dherit, që tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 1153. “Më erdhi Xhibrili dhe më përgëzoi se çdokush nga umeti im që vdes dhe nuk ka adhuruar (asnjë e) asgjë tjetër përveç Allahut, ka për të hyrë në Xhenet. Unë i thashë: “Edhe nëse bën zina dhe vjedh?” Ai tha: “Edhe nëse bën zina dhe vjedh!” I thashë përsëri: “Edhe nëse bën zina dhe vjedh?” - “Edhe nëse bën zina dhe vjedh.” I thashë përsëri: “Edhe

nëse bën zina dhe vjedh?” - “Edhe nëse bën zina dhe vjedh dhe pi pije dehëse.”.” Në një transmetim tjetër thuhet se ishte Ebu Dheri ai që ia drejtoi këto pyetje Profetit dhe ai iu përgjigj.30 Në Sahih-un e Muslimit vjen hadithi i Ibn Mesudit, ku thuhet: 1154. “Ai që vdes dhe nuk ka adhuruar (asnjë e) asgjë tjetër përveç Allahut, ka për të hyrë në Xhenet.” Ibn Merdeuejhi përcjell hadithin e Ubadete dhe Ebu Dardae: 1155. “Të mos adhuroni (asnjë e) asgjë tjetër përveç Allahut edhe nëse priteni në copa, ose gozhdoheni, ose digjeni me zjarr.” - të silleni mirë me prindërit ... - Allahu ju porosit dhe ju urdhëron që të jeni bamirës me prindërit tuaj. Allahu i Lartësuar e përmend bashkë urdhrin për bindje ndaj Tij dhe bamirësinë ndaj prindërve në shumë ajete, si për shembull: “ Dhe Ne e kemi urdhëruar njeriun që të jetë bamirës ndaj prindërve të tij. Nëna e vet e barti atë mund pas mundi dhe pas dy vjetësh ia ndau gjirin. (E porositëm) "Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve tu. Vetëm tek Unë është kthimi juaj. E nëse ata të dy të shtyjnë që ti të më bësh Mua shok (në adhurimin për mua), për çka ti nuk ke kurrfarë dijeje, atëherë mos iu bind atyre, por në çështjet e jetës së kësaj bote të sillesh mirë me ta. Pasoje (me përkushtim) rrugën e atij që është kthyer (i penduar e i nënshtruar) drejt Meje. Në fund, ju tek Unë do të ktheheni të gjithë dhe Unë do t’jua tregoj atë që keni bërë. ” Lukman 14, 15 . Kështu, Ai urdhëron për bamirësi ndaj tyre, edhe nëse janë idhujtarë, dhe ajetet që flasin për këtë çështje janë të shumta. Në dy Sahih-ët vjen hadithi nga Ibn Mesudi, që ka thënë: 1156. “E kam pyetur Profetin: “O i Dërguari i Allahut! Cila është vepra më e mirë?” - “Namazi në kohën e vet” - “Po pastaj?” - “Xhihadi në rrugën e Allahut”.” - “Po pas saj? - “Bamirësia ndaj prindërve.” Ibn Mesudi vazhdon: “Këto më tregoi Profeti i Allahut. Nëse do ta pyesja për më shumë, do më tregonte më shumë...”. - të mos i vrisni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne ju furnizojmë ju dhe ata ... - Pasi porositi për bamirësi ndaj prindërve e paraardhësve, Allahu i Lartësuar urdhëron edhe për bamirësi ndaj fëmijëve e pasardhësve. Ai thotë: “mos i vrisni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë...”. Bëhet fjalë për varfërinë egzistuese. Pra, të mos ju shtyjë frika nga varfëria në të cilën ndodheni, që të bëni këtë krim të shëmtuar. Ndërsa në suren Isra tha: “Mos i vrisni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë,” [Isra 31], pra nga frika se pasi ato t’ju lindin, ju do të varfëroheni për këtë shkak. Prandaj, po ta vëresh me kujdes, i lartësuari tha: “... se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve!”. Kështu, Ai përmendi fillimisht faktin se është Ai që e ka siguruar rizkun e fëmijëve, e kështu lindja e fëmijës nuk është shkak për varfërim (përkundrazi, rizku i fëmijës bëhet shkak që të shtohet edhe rizkut i prindit), pastaj përmendi faktin se Ai e ka siguruar edhe rizkun e prindërve. Kështu, rizku i tyre nuk pakësohet me lindjen e fëmijës. Ndërsa në këtë sure i madhëruari tha: “... Ne ju furnizojmë ju dhe ata”. Pra, Ai përmendi fillimisht rizkun e prindërve, si më i rëndësishmi për t’u përmendur në këtë kontekst, pastaj përmendi edhe rizkun e fëmijëve. Pra, është Allahu që ju furizon ju dhe fëmijët tuaj. Kështu, vrasja e fëmijës nuk do t’jua lehtësojë varfërinë në të cilën ndodheni, sepse si rizku juaj ashtu edhe ai i fëmijës tuaj është në dorë të Allahut. - të mos u afroheni gjynaheve - të hapura apo të fshehta qofshin ... - Në një ajet tjetër, i Madhëruari thotë: “Thuaj: “Gjërat që ka ndaluar Zoti janë veprat e turpshme, qofshin ato të hapura ose të fshehta, gjynahet, shkelja e kufijve (të Tij) dhe padrejtësitë; t'i bësh shokë Allahut, pa pasur asnjë argument të shpallur dhe të thuash për Allahun gjëra për të cilat s'ke asnjë dijeni.” [El ea’raf 33]. Tefsiri i këtij ajeti u përmend më parë, e pikërisht në fjalën e Allahut: “Largohuni nga të gjitha gjynahet, si të haptat, ashtu edhe të fshehtat...” 31 Në dy Sahih-ët vjen hadithi prej Ibn Mesudit, se Profeti i Allahut ka thënë: 1257. “Askush nuk është më xheloz se Allahu. Për këtë

arsye, Ai i ndaloi gjynahet, të hapura apo të fshehura qofshin.” - dhe të mos vrisni atë që Allahu e ka ndaluar të vritet, veçse kur e do drejtësia. - Krimi i vrasjes bën pjesë në gjynahet që Allahu i Madhëruar i ndaloi kur tha: “...të mos u afroheni gjynaheve - të hapura apo të fshehta qofshin”, por Allahu i Lavdëruar e përmend këtu krimin e vrasjes në mënyrë të veçantë, për ta përforcuar edhe më shumë ndalesën për të. Në dy Sahih-ët vjen hadithi prej Ibn Mesudit, se Profeti i Allahut ka thënë: 1158. “Nuk lejohet të derdhet gjaku i një muslimani, i cili dëshmon se nuk ka të adhuruar me meritë veç Allahut dhe se unë jam Profeti i Allahut, përveçse në tri raste: jeta me jetën (pra, nëse vret njeri të pafajshëm, atëherë vritet); ai që bën imoralitet duke qenë i martuar; dhe ai që e braktis fenë e tij dhe largohet duke përçarë bashkësinë muslimane.” Po kështu është transmetuar edhe kërcënimi e ndalesa e fortë për vrasjen e muâhid-it, pra, të atij me të cilin është lidhur marrëveshje paqeje apo armëpushimi. Buhariu përcjell nga Abdullah Ibn Amri një hadith merfu’ nga Profeti i Allahut, që ka thënë: 1159. “Ai që vret një muâhid, nuk ka për ta ndjerë aromën e Xhenetit, edhe pse aroma e tij ndihet që dyzet vjet larg.” - Këto janë porositë e Tij, që ju të mendoni thellë. - Këto janë disa nga porositë e Tij, që ju të logjikoni e të mësoni rreth tyre.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:151–6:153

Allahu i Lartësuar e porosit Profetin (a.s.) që t’u drejtohej atyre të cilët bënin haram ato që Ai i kishte lejuar dhe t’u thoshte: - “Thuaju: “Ejani t’ju kumtoj ato që vërtet jua ka urdhëruar Zoti juaj ...” - Ejani t’ju tregoj se cilat janë ato vepra të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjithë, pa përjashtim. Kjo porosi i përfshin të gjitha urdhëresat e ndalesat, qofshin ato në ushqime, pije, fjalë, vepra dhe besime. - Të mos adhuroni (askënd e) asgjë tjetër përveç Tij ...” – Ky është një ndalim kategorik rreth idhujtarisë, e vogël apo e madhe qoftë ajo. Thelbi i idhujtarisë është

adhurimi i një krijese njëlloj sikurse adhurohet Allahu, ose madhërimi i një krijese ashtu sikurse madhërohet Allahu, ose t’i përshkruhet krijesës ndonjë atribut hyjnor që i takon vetëm Krijuesit të gjithësisë, Allahut të Lartësuar. Me fjalë të tjera, idhujtaria është e kundërta e teuhidit. Vetëm Allahu është Krijuesi, Sunduesi, Furnizuesi, Kujdestari, Rregulluesi i të gjitha çështjeve të krijesave. Vetëm Ai ka në dorë dobinë dhe dëmin, jetën dhe vdekjen, të mirën dhe të keqen. Dynjaja dhe ahireti janë pronë e Tij dhe nën sundimin e Tij. Këto janë atributet që i takojnë vetëm Allahut e askujt tjetër. Po kështu, të gjitha adhurimet i takojnë dhe duhet t’i dedikohen vetëm Allahut të Madhërishëm. Asnjë vepër të cilën Allahu e ka përcaktuar si adhurim nuk lejohet t’ia dedikosh dikujt tjetër veç Atij. Nëse njeriu largohet nga të gjitha format e idhujtarisë, atëherë bëhet njësues i vërtetë dhe i sinqertë ndaj Zotit në të gjitha gjendjet e tij. Njësimi i Allahut në çdo aspekt e fut mes robve të zgjedhur të Tij, të cilët kanë patur mirësinë ta plotësojnë të drejtën e Allahut në këtë aspekt. Ata e kanë kompletuar teuhidin, dhe kjo mund të arrihet veçse duke u distancuar tërësisht nga idhujtaria, me të gjitha llojet dhe format e saj. Pastaj i Madhëruari rendit detyrën e dytë më të rëndësishme pas teuhidit, e cila është bamirësia dhe mirësjellja ndaj prindërve: - “...të silleni mirë me prindërit...” - Ndaj prindërve të jeni të sjellshëm me fjalë dhe me vepra. Çdo fjalë dhe vepër që sjell lumturinë dhe gëzimin e prindërve është bamirësi, që Allahu e shpërblen me mirësi dhe begati të shumta. Nëse njeriu është plotësisht bamirës ndaj prindërve, atëherë është i ruajtur prej padrejtësisë ndaj tyre. - “...të mos i vrisni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë...” - Mos i vrisni fëmijët tuaj, meshkuj apo femra qofshin, nga frika e varfërisë! Kjo vepër e shëmtuar ishte e përhapur në kohën e injorancës paraislamike. Ajo ishte një periudhë e ashpër, e pamëshirshme dhe e egër. Islami e ndaloi atë krim të rëndë ndaj fëmijëve. Ndalimi i vrasjes së foshnjave nga frika e varfërisë tregon se vrasja e tyre pa ndonjë shkak tjetër ose vrasja e fëmijëve të të tjerëve është edhe më fort e ndaluar. - “...sepse Ne ju furnizojmë ju dhe ata” - Është Allahu i Lartësuar që përkujdeset për furnizimin e të gjithëve. Nuk jeni ju që furnizoni fëmijët tuaj, madje as veten tuaj, prandaj kurrë të mos mendoni se fëmijët marrin nga pjesa juaj. - “...të mos u afroheni gjynaheve - të hapura apo të fshehta qofshin...” - Allahu i Lartësuar na urdhëron që t’u largohemi këtyre gjynaheve, qofshin ato që bëhen haptaz apo fshehtaz, qofshin gjynahe me fjalë e vepra, qofshin me zemër dhe me shpirt. Vëreni me kujdes! Allahu i Lartësuar na ndalon që t’u afrohemi gjynaheve, dhe kjo është ndalesë më e plotë dhe më e fortë sesa urdhri për mosveprim të tyre, pasi mosafrimi në këto gjynahe na ndalon edhe nga mjetet dhe shkaqet që na afrojnë në to. - “...dhe të mos vrisni atë që Allahu e ka ndaluar të vritet, veç se kur e do drejtësia.” - Ata që Allahu i Lartësuar i ka ndaluar që të vriten janë: - Muslimanët, qofshin ata meshkuj apo femra, të vegjël apo të mëdhenj, të devotshëm apo gjynahqarë. Vrasja e tyre është e ndaluar, veçse në rastet e përcaktuara nga Sheriati. - Jomuslimanët me të cilët është lidhur një marrëveshje që u siguron atyre jetën. Allahu i Lartësuar thotë: “... veç rastit kur e do drejtësia”, domethënë, vrasja ekzekutohet vetëm në rastet që i ka përcaktuar ligji dhe ashtu si i ka përcaktuar ai, për shembull, i martuari që bën imoralitet, ai që kryen vrasje me dashje, tradhtuesi i fesë etj. 7 - Këto janë porositë e Tij, që ju të mendoni thellë. - Qëllimi është që ju të mendoheni thellë rreth porosive të Tij, t’i mësoni dhe të punoni për t’i realizuar ato me korrektësi dhe sinqeritet. Ajeti tregon se, në varësi të logjikës së robit, do të jetë edhe masa e kujdesit të tij për plotësimin e

porosive të Allahut. Thënë ndryshe, sa më korrekt të jetë robi në plotësimin e porosive të Allahut, aq më e plotë është logjika dhe arsyeja e tij. - Mos iu afroni pasurisë së jetimit, veçse në mënyrën më të mirë, derisa ai të arrijë pjekurinë! - Allahu i Lartësuar na ndalon nga cenimi i pasurisë së jetimit, me çfarëdolloj rruge dhe mënyre të bëhet ajo. Pasurisë së tij duhet t’i afrohemi, ashtu sikurse thotë Allahu i Lartësuar: “veçse në mënyrën më të mirë”, pra, vetëm me mënyra që e rregullojnë atë pasuri dhe që i sjellin dobi atij. Nuk lejohet kurrsesi t’i afrohesh asaj pasurie ose të bësh veprime me të që e dëmtojnë jetimin, madje as me mënyra që nuk sjellin as dëm e as dobi. Kjo pasuri mbahet nga kujdestari ligjor deri në kohën kur, ashtu sikurse thotë Allahu i Lartësuar: “...ai të arrijë pjekurinë”, pra, deri sa të arrijë moshën e përgjegjësisë ligjore, por edhe pjekurinë e mjaftueshme dhe aftësinë për të vepruar drejt me pasurinë e tij. Kur të arrijë këtë nivel pjekurie, atij i dorëzohet pasuria për të vepruar në të si ta shohë ai më të dobishme. Nga ajeti kuptohet se jetimi, deri në moshën e pjekurisë, e ka të kufizuar të drejtën për të vepruar me pasurinë e tij. Çdo veprim i tij me pasurinë e vet është i pavlefshëm ligjërisht. Kjo e drejtë i takon me ligj kujdestarit të tij. Ky kufizim përfundon me arritjen e moshës dhe pjekurisë së lartpërmendur. - Masni dhe peshoni me drejtësi! - Allahu i Lartësuar na urdhëron që të masim, të peshojmë dhe të plotësojmë detyrimet ndaj të tjerëve me drejtësi dhe paanshmëri të plotë. Nëse përpiqemi maksimalisht për të realizuar këtë porosi, duhet të dimë se: - Ne nuk ngarkojmë asnjë njeri përtej mundësive të veta. - Allahu i Lartësuar nuk na ngarkon të veprojmë atë gjë të cilën nuk kemi mundësi ta kryejmë apo që na sjell vështirësi të papërballueshme. Çdokush që përpiqet maksimalisht dhe me pastërti për të qenë korrekt në matje dhe peshim ose, në përgjithësi, në plotësimin e detyrimeve ndaj të tjerëve, nëse ndodh ndonjë gabim pa dashje dhe pa qëllim dhe jo për shkak të pakujdesisë së tij, ose ndodh nga padituria, ta dijë se Allahu i Lartësuar është Falës dhe Mbulues i të metave. Dijetarët e jurispudencës islame mbështeten në këtë ajet për të vërtetuar se Allahu i Lartësuar nuk ngarkon asnjë me diçka të papërballueshme. Gjithashtu, ata kanë thënë se, nëse dikush tregon devotshmëri ndaj Allahut dhe përmbush ato porosi të Tij që ai ka mundësi t’i përmbushë, për të nuk ka gjynah dhe përgjegjësi për mosplotësmin e asaj pjese që nuk ka mundësi ta kryejë. - Kur të flisni, duhet të jeni të drejtë, edhe kur çështja është për të afërmit tuaj. - Kur të flisni e të gjykoni njerëzit, kur të ndani të drejtat e tyre ose kur të dëshmoni për ta, bëjeni këtë me vërtetësi dhe drejtësi të plotë! Thoni vetëm fjalë, gjykime e dëshmi të drejta dhe të vërteta, qoftë për ata që i doni, qoftë për ata që i urreni! Mbani drejtësi dhe paanësi dhe kurrë mos fshihni ndonjë dëshmi apo të drejtë! Mos lini pa përmendur asgjë që duhet përmendur dhe zbuluar! Njëanshmëria dhe keqtransmetimi i fjalëve të kundërshtarit konsiderohet si një padrejtësi, e cila është haram. Madje, nëse një dijetar flet rreth fjalëve dhe gjykimeve të gabuara të bidatçinjve duhet që secilit t’i japë hakun që i takon, duke mos e tepruar kundër tyre me fjalë të paqarta, që i rëndojnë ata më shumë sesa e mertojnë. Ai duhet të shtjellojë qartësisht të vërtetat dhe të gabuarat në qëndrimet e tyre. Juristët thonë se gjykatësi e ka detyrë që të mbajë drejtësi mes palëve në gjykim qoftë me fjalët e tij, qoftë me sjelljen e tij. - Plotësojini zotimet që i bëni Allahut! - Këtu bëhet fjalë si për zotimet ndaj Allahut që kanë lidhje me plotësimin e detyrimeve ndaj Tij, qoftë për zotimet dhe marrëveshjet e lidhura mes krijesave. Të gjitha këto premtime është detyrë të plotësohen rigorozisht dhe saktësisht. Nuk lejohet aspak thyerja, cenimi apo mosplotësimi i tyre në formën e kërkuar.

- Këto janë porositë e Tij, me qëllim që ju të kujtoni. - Këto janë porositë e Allahut për ju. Nëpërmjet tyre, ju mësoni e përkujtoni se çfarë ju sjell dobi d he mirësi. Kjo është nxitje për të përkujtuar sa më shumë porositë e Allahut të Madhëruar, sepse do t’ju ndihmojë që ju të përkushtoheni më shumë në plotësimin e tyre. Me studimin dhe kujtimin e vazhdueshëm të këtyre porosive, ju do të jeni gjithmonë në gjendje t’i zbatoni ato, por edhe të kuptoni urtësitë e Tij të pakufishme të fshehura pas tyre. Pasi tregoi disa prej porosive më të rëndësishme, Allahu i Madhëruar i përforcon ato me një porosi tjetër më gjithëpërfshirëse, duke thënë: - Kjo është rruga Ime e drejtë. Prandaj përmbajuni asaj...” - Këto dipozita e shumë të tjera të ngjashme, të cilat Allahu i Madhëruar i ka qartësuar plotësisht në Shpalljen e Tij, përbëjnë “rrugën e drejtë”, që të çon tek Allahu dhe në mirësitë që Ai ka përgatitur për të bindurit dhe të nënshtruarit ndaj Tij. Kjo është rruga e lehtë, e shkurtër dhe e drejtë. Prandaj ai urdhëron që t’i përmbahemi asaj, duke e pasuar me besnikëri dhe korrektësi. Vetëm kështu do të mund të arrijmë të bëjmë tonën çdo të mirë të dynjasë dhe të ahiretit, dhe të ruhemi e të shpëtojmë nga çdo fatkeqësi dhe dëshpërim në të dyja jetët. Vetëm kështu do të mund të arrijmë synimet dhe plotësimin e dëshirave dhe shpresave tona. Pasi na urdhëron për të përqafuar të mirën, që prodhon veç mirësi, Allahu i Madhëruar na ndalon nga e keqja, duke thënë: - “...e mos ndiqni rrugë të tjera, të cilat ju largojnë nga rruga e Tij! - Allahu i Madhëruar na ndalon nga ndjekja e çdo rruge tjetër, që pengon dhe të largon nga e vërteta. Këto rrugë i devijojnë dhe i përçajnë muslimanët, të cilët nuk duhet të harrojnë asnjëherë se, nëse largohesh nga rruga e drejtë e Allahut, nuk mbetet asnjë mundësi tjetër veç rrugës së Zjarrit. - Këto janë porositë e Tij për ju, në mënyrë që të jeni të devotshëm.” - Nëse ju plotësoni me përpikmëri porositë e Allahut, qoftë në drejtim të diturisë tuaj, duke e pastruar atë nga çdo pasaktësi dhe pavërtetësi, qoftë në drejtim të punës sipas saj, duke e kryer atë me sinqeritet dhe sipas Traditës profetike, atëherë jeni bërë adhurues të devotshëm të Allahut. Me dituri të pastër dhe të sigurt nga Zoti dhe me punë të sinqertë e sipas kësaj diturie, ju jeni bërë prej atyre adhuruesve të Allahut të cilët kanë fituar çdo mirësi e nderim dhe kanë shpëtuar nga çdo fatkeqësi e poshtërim. Po të shohim me kujdes, kur ka folur për rrugën e Tij, Allahu i Madhëruar ka përdorur numrin njëjës: “rruga e Tij”. Nga kjo kuptohet se rruga që të çon tek Ai është një e vetme. Ajo është rruga e Tij, e përshkruar nëpërmjet Shpalljes dhe Profetit. Gjithashtu, duke theksuar se është “rruga e Tij”, Allahu na kujton se është Ai që i ndihmon udhëtarët në këtë rrugë, duke u treguar shenjat dalluese të saj dhe duke u dhënë forcën e mjaftueshme për të arritur në destinacion. Rruga që të çon tek Allahu është vetëm rruga e Tij dhe vetëm Atij i duhet kërkuar ndihma dhe mbështetja për të shkuar deri në fund të saj.

← Enam 6:151