6. Enam · Ajeti 156 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:151–6:158

Në ajetet 151, 152, 153 flitet për dhjetë vasijetet-urdhërat që kanë qenë të porositura edhe në shpalljet e mëparshme. Derisa pesë porositë e para janë që i mençuri të ruhet prej tyre, vjen shprehja "ta'kilunë" të mendoni. Katër ndalesat e tjera janë që i përkasin lakmisë, e ai që nuk u vë veshin mund të gabojë, andaj vjen shprehja "tedhekkerunë" të përkujtoni. Ecja nëpër rrugën e drejtë kërkon maturi të madhe, andaj thuhet "të ruheni". Ibni Mes'udi thotë: "Pejgamberi e bëri një vijë të drejtë e tha: "Kjo është rruga e Zotit", pastaj i bëri disa vija në të djathtë dhe në të majtë të saj e tha: "Këto janë rrugë që në krye të secilës është nga një shejtan që të thërret të hysh në të", pastaj e lexoi ajetin "Hadha sirati Mustekimen fettebiuhu..."

Idhujtarët thoshin se atyre nuk u erdhi libër si jehudive dhe të krishterëve, andaj kishin mbetur të paudhëzuar. Ata nuk paranonin as Kur'anin, as Muhammedin, e në anën tjetër sikur ankoheshin për udhëzim. Si të tillë, si mizorë të pashokë, edhe dënimi i Zotit kundër tyre do të jetë shumë i ashpër.

Shenja e përmendur thuhet se është një nga ato paralajmëruese për afrimin e kijametit. Sipas një hadithi që e shënon Buhariu thuhet: "Katastrofa e përgjithsme nuk ndodh para se të lindë dielli nga perëndimi i tij, e kur të lindë dhe e shohin njerëzit besojnë që të gjithë", pastaj e lexoi ajetin 158.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:156–6:157

- Që të mos thoni: “Libri iu zbrit vetëm dy popujve para nesh, kurse ne nuk dinim gjë për librat (qiellorë) dhe mësimet e tyre.” - Ibn Xheriri, duke shpjeguar ajetin, thotë: “Domethënë, e zbritëm Librin, që ju të mos nxirrni të tilla arsyetime boshe e të kota, siç thuhet në ajetin tjetër: “ Dhe kur t’i godasë ndonjë e keqe e papritur, të cilën e kanë merituar vetë, të mos thonë: “O Zoti ynë! Përse nuk na dërgove ndonjë profet, që të pasonim argumentet e Tua e të bëheshim besimtarë?” [El kasas 47 ]. Allahu i Lartësuar thotë: “Libri iu zbrit vetëm dy popujve para nesh...”. Sipas Ibn Abasit e disa të tjerëve, këtu janë për qëllim jehudët dhe krishterët. Më pas thuhet: “kurse ne nuk dinim gjë për librat (qiellorë) dhe mësimet e tyre.” Domethënë, do të justifikoheshin se nuk kuptonin gjë nga shpalljet e shkuara, pasi ato ishin në gjuhë tjetër, që nuk e kuptonin. Përveç kësaj, do të thoshin se ata nuk dinin dhe ishi n të pavëmendshëm ndaj këtyre librave. - Dhe që të mos thoni: “Sikur Libri të na kishte zbritur neve, do ta kishim ndjekur udhëzimin e tij edhe më mirë se ata. - Kjo i ngjan ajetit tjetër: “Ata u betuan me betimin më të fortë në Allahun se, nëse do t'u vinte ndonjë Profet, ata do të ishin më të udhëzuar (më besimtarë) se çdo popull tjetër (jehudët e krishterët). Por, kur atyre u erdhi Profeti, kjo u shtoi veçse largimin (nga e Vërteta) ” [Fatir 42]. Por, ky justifikim do të hidhet poshtë me zbritjen e Kur'anit. Tashmë nuk mund të thoni: “Sikur Libri të na kishte zbritur neve, do ta kishim ndjekur udhëzimin e tij edhe më mirë se ata”, sepse: - Tani që ju erdhi nga Zoti juaj një argument i qartë dhe një udhëzim e mëshirë... - Ja, ku ju zbriti ky Kur 'an madhështor nga Allahu, përmes profetit Muhamed dhe në gjuhën e pastër arabe. Në të shtjellohet hallalli dhe harami. Ai është udhëzim i plotë dhe i qartë për zemrat. Ai është mëshirë e dhuruar nga Allahu për robërit, që ndjekin dritën dhe punojnë e jetojnë sipas tij. - ... kush është më keqbërës se ai që i mohon argumentet e Allahut dhe ua kthen shpinën atyre? - Fjala “sadefe anhâ” ka kuptimin “ pengon e devijon prej tyre” Kështu kuptimi i ajetit do të ishte: “... kush është më keqbërës se ai që i mohon

argumentet e Allahut dhe devijon (edhe të tjerët) prej tyre?” Këta nuk përfitojnë nga Shpallja, me të cilën erdhi Profeti i Allahut dhe nuk u nënshtruan, që të pasojnë dhe të jetojnë sipas saj. Ata i pengojnë edhe të tjerët që të pranojnë Shpalljen e Allahut, duke i devijuar. Kështu e ka shpjeguar imam Seddiju. Ibn Kethiri shpjegon: “Kjo është ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar në fillim të kësaj sureje: “... Ata i ndalojnë të tjerët nga ai (Muhamedi) dhe vetë largohen prej atij. Por me këtë, ata shkatërrojnë veç veten e tyre dhe nuk e kuptojnë.”, ose në një ajet tjetër: “Atyre, që nuk besuan dhe penguan nga rruga e Allahut, do t'u shtojmë dënim mbi dënim, për shkak se bënin shkatërrime.” [Nahl 88]. Ndërsa Ibnu Abasi, Muxhahidi dhe Katade janë të mendimit se Fjala “sadefe anhâ” ka kuptimin “ua kthen shpinën atyre”. Kështu kuptimi i ajetit do të ishte: “... kush është më keqbërës se ai që i mohon argumentet e Allahut dhe ua kthen shpinën atyre?” Kështu, këta as nuk besuan me zemrat e tyre dhe as nuk u nënshtruan të punojnë e jetojnë sipas këtij besimi, por i kthyen shpinën të jetuarit sipas tij . Kjo i ngjan fjalës së Allahut të madhëruar: “Por ai (mosbesimtari) nuk beson dhe as nuk fal namaz, por vetëm mohon dhe kthen shpinën, ” [Kijame 31, 32], e shumë ajete të tjera, të cilat tregojnë se mohuesit e mohuan besimin e vërtetë me zem rat e tyre dhe nuk u nënshtruan të punojnë e jetojnë sipas tij. Por, (thotë imam Ibnu Kethiri) mendimi i sudijut këtu është më i dukshëm. Allahu është më i ditur. - Ne do t’i godasim me ndëshkimin më të rëndë ata, që ua kthejnë shpinën argumenteve Tona dhe që pengojnë (njerëzit) nga rruga e drejtë. - Ky është ndëshkimi i merituar për ata që ua kthejnë shpinën argumenteve të Allahut dhe pengojnë njerëzit nga imani i vertetë dhe korrekt.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:154–6:157

- “Pastaj Ne i dhamë Musait Librin si plotësim (të mirësive Tona) ...” - Fjala ‘pastaj’ nuk shërben për të treguar renditje kronologjike të veprimeve në kohën reale, sepse koha e Musait dhe e Librit të tij ka qenë shumë më përpara kohës së Muhamedit ﷺ . Ajo shërben thjesht për të pasqyruar renditjen në rrëfimin e ngjarjeve. Kështu, Allahu i Lartësuar na tregon se Ai i dhuroi Musait “Librin”, domethënë, Teuratin. Ky libër ishte, ashtu sikurse thotë i Lartësuari: “si plotësim”, domethënë, plotësim i të mirave të tjera të shumta të Tij. Por për çfarë kategorie njerëzish ishte i tillë ky libër? Allahu i Lartësuar thotë: - “...për ata që ishin vepërmirë e të bindur.” - Për ata njerëz nga populli i Musait që ishin vepërmirë e të bindur. Allahu i Lartësuar i begatoi me mirësi të shumta ata që ishin të bindur dhe punëmirë. Në krye të të gjitha këtyre mirësive, ashtu si edhe plotësim i tyre, ishte pa dyshim shpallja e Teuratit. Allahu i Lartësuar e plotësoi mirësinë e Tij mbi ta, ndërsa për ata u bë e detyrueshme që t’i shprehnin Atij mirënjohjen e plotë për këto mirësi. Këtë libër Allahu i Lartësuar e zbriti edhe si: - “...Ai shpjegonte gjithçka me hollësi...” - Si shpjegues të gjithçkaje që ata kishin nevojë t’u sqarohej në lidhje me hallallin dhe haramin, me urdhëresat dhe ndalesat, me bazat e besimit dhe degëzimet e tij. Ai libër ishte gjithashtu: - “...dhe ishte udhërrëfyes e mëshirë,...” - Ai ishte udhëzues dhe nxitës për tek e mira, si dhe tregues i rrugëve dhe mënyrave për t’u ruajtur nga e keqja. Ai ishte dëftues i mirësive të mëdha dhe i atyre të vogla. Teurati ishte gjithashtu edhe mëshirë, nëpërmjet së cilës njerëzit do të arrinin lumturinë dhe mirësitë e shumta. Nëpërmjet shpalljes së këtij Libri, ata do të arrinin sigurinë e plotë në besimin e tyre dhe në Ditën e Takimit me Zotin, sikurse thotë i Madhëruari: - “...që ata të besonin se do të takoheshin me Zotin e tyre...” - Ai libër solli argumente dhe fakte të prera rreth vërtetësisë së Ditës së Ringjalljes, kur çdokush do të shpërblehet me drejtësi për punët e kryera. Qëllimi ishte që ata të besonin ringjalljen dhe të përgatiteshin për të duke bërë punë të mira. - “Me të vërtetë, edhe ky është një Libër të cilin Ne e zbritëm si bekim.” - Edhe Kur'ani madhështor e përkujtues është Libër që e shpalli Allahu i Madhërishëm me plot mirësi, dituri dhe urtësi të mrekullueshme. Kur'ani është themeli i diturive; çdo dituri ngrihet dhe ndërtohet prej tij. Prej tij përftohen begati të shumta. Nuk ekziston ndonjë mirësi për botën që ai të mos ua ketë ofruar njerëzve. Madje, ai përmban edhe urtësitë që fshihen në ato mirësi, në mënyrë që shtysa për t’i arritur ato të jetë më e fortë dhe e plotë. Gjithashtu, nuk ekziston ndonjë e keqe që Kur'ani të mos i ketë

paralajmëruar dhe të mos i ketë ndaluar njerëzit për t’u ruajtur dhe larguar prej saj. Madje, që paralajmërimi të jetë më i fortë dhe më ndikues, ai ka përmendur edhe arsyet pse duhet të largohesh prej saj, si dhe përfundimin e keq në dynja dhe në ahiret të të joshurve dhe të mashtruarve nga e keqja. Kësisoj, është mëse e natyrshme që ta ndjekësh një Libër të tillë dhe të kujdesesh për t’i ruajtur të paprekshëm kufijtë e tij, siç thotë i Madhëruari: - “Përmbajuni mësimeve të tij dhe të jini të devotshëm që të mëshiroheni!” - Përmbajuni urdhrave dhe ndalesave të tij! Mbështeteni besimin tuaj tërësisht mbi porositë dhe mësimet e këtij libri madhështor! Ruajuni vazhdimisht dhe frikësojuni Zotit tuaj, duke u kujdesur që gjithmonë të qëndroni brenda kufijve të Tij dhe kurrë të mos thyeni fjalën dhe porositë e Tij! Nëse ju e ndiqni dhe pasoni Kur'anin, Allahu i Madhërishëm ju premton mëshirën e Tij të gjerë. Shkaku më i madh që sjell mëshirën e Allahut është mësimi dhe zbatimi i këtij Libri. - “Që të mos thoni: “Libri iu zbrit vetëm dy popujve para nesh, kurse ne nuk dinim gjë për librat (Qiellorë) dhe mësimet e tyre.”” - Këtë libër të begatshëm e shpallëm për ju, që të mos keni asnjë justifikim dhe të mos thoni: “Libri u zbriti vetëm dy bashkësive para nesh, jehudëve e të krishterëve, dhe ne nuk dinim për librat dhe mësimet e tyre”. Të mos justifikoheni dhe të thoni: “Ne nuk patëm Libër ndriçues. Edhe për Librat që u shpalle popujve të tjerë, ne nuk dinim gjë.” Kështu, edhe juve ju sollëm një Libër: një Libër që, me madhështinë, qartësinë dhe diturinë gjithëpërfshirëse që ai përmban, nuk ka patur kurrë më parë si ai dhe nuk do të shpallet kurrë më ndonjë tjetër si ai. - “Dhe që të mos thoni: “Sikur Libri të na kishte zbritur neve, do ta kishim ndjekur udhëzimin e tij edhe më mirë se ata.” - Nëpërmjet Kur'anit, juve ju është mundësuar që të merrni bazat kryesore të udhëzimit, duke mos pasur më justifikim për padijen rreth besimit. Kjo nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër, nëpërmjet këtij Libri juve ju mundësohet që të përfitoni udhëzimin e nevojshëm për ta plotësuar tërësisht imanin tuaj. Në këtë mënyrë, do të duket qartë ai që e pranon udhëzimin e Zotit nga ai që thjesht pretendon se po të kishte Libër prej Zotit do të ishte në grada më të larta dhe më i udhëzuar se të tjerët. Pas shpalljes së Kur'anit, do të dallohen qartë të sinqertët nga gënjeshtarët, burrat nga shtiracakët. - “Tani që ju erdhi nga Zoti juaj një argument i qartë dhe një udhëzim e mëshirë,...” - Shpallja e Allahut përmban çdo fakt dhe argument të mundshëm për të qartësuar të vërtetën. Ai është udhëzim i qartë, që dallon të vërtetën nga gënjeshtra. Ai është mëshira e dhuruar nga i Gjithëmëshirshmi, që ju mundëson dhe ofron lumturinë në dynja dhe në ahiret. Këto cilësi të Kur'anit duhet t’ju bëjnë që të nënshtroheni e t’i zbatoni me korrektësi dhe sinqeritet të gjitha porositë dhe dispozitat e tij dhe të besoni pa asnjë dyshim çdo rrëfim e informacion të sjellë prej tij. Ai që nuk arrin të gjejë udhëzimin përmes këtij Libri, ai është zullumqari më i madh: - “kush është më keqbërës se ai që i mohon argumentet e Allahut dhe ua kthen shpinën atyre?” - Të tillët nuk e trajtojnë Shpalljen me madhështinë dhe rëndësinë që i takon, por e shpërfillin dhe e flakin pas shpine, duke mos i kushtuar as interesin minimal. Për këtë arsye, ndëshkimi i tyre është mëse i merituar, siç thotë i Madhëruari: - “Ne do t’i godasim me ndëshkimin më të rëndë ata, që ua kthejnë shpinën Argumenteve Tona dhe që pengojnë (njerëzit) nga rruga e drejtë.” - Kuptimi: Ata do të marrin një ndëshkim torturues, për shkak të shpërfilljes dhe refuzimit të argumenteve të Allahut, duke penguar veten e tyre dhe të tjerët nga rruga e drejtë. Ky është shpërblimi i punëve të tyre të këqija, sepse Allahu nuk u bën kurrë padrejtësi robve të Tij. Nga këto ajete kuptojmë se

dituria e Kur'anit është dituria më e gjërë, më e begatshme dhe më e rëndësishme. Nëpërmjet saj bëhet i mundur udhëzimi në rugën e drejtë, pa patur nevojë për idetë e filozofëve, supozimet e skolastikëve dhe për asnjë njohuri tjetër prej të parëve dhe të fundmëve. I njohur është fakti se përpara Kur'anit, Libër hyjnor u është shpallur veçse dy bashkësive, e konkretisht, jehudëve dhe krishterëve. Pra, kur thuhet ‘ ithtarë të Librit’ nënkuptohen veçse këto dy bashkësi dhe asnjë tjetër, si zoroastrianë e të tjerë të ngjashëm. Nga këto ajete kuptojmë se para shpalljes së Kur'anit, populli i Muhamedit ﷺ ishte në një injorancë të plotë. Ata nuk kishin asnjë dituri rreth librave të Zotit që ndodheshin në duart e jehudëve dhe krishterëve, të cilët, edhe pse kishin në duart e tyre lëndën e diturisë, ishin të pakujdesshëm dhe të pavëmendshëm në studimin dhe përfitimin prej tyre.

← Enam 6:156