6. Enam · Ajeti 22 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:19–6:29

Derisa një pjesë e jobesimtarëve e mohonte mundësin e ringjalljes dhe përgjegjësinë në botën tjetër, Kur'ani parashtron në mënyrë figurative paraqitjen e atyre para Gjykatësit suprem, dëshpërimin e tyre pse nuk besuan të vërtetën dhe sugjeron atë se jeta e kësaj bote, në krahasim me jetën e botës së amshueshme, është një lojë e mashtrim.

Kundërshtarët e fyenin Muhammedin duke i thënë: rrenës, magjistar, falltor etj, edhe pse e dinin se ai ishte i drejtë, besnik, i sinqertë. Ai ishte i njohur në Mekë si njeriu më i drejti, andaj edhe i patën dhënë ofiqin "El-Eminë" - më besniku, por para se t'i vinte shpallja prej Zotit. Kur i erdhi, nuk deshën ta pranojnë dhe filluan ta fyejnë, e Zoti i thotë mos u brengos për atë që po të thonë, ata janë duke mohuar argumentet e Zotit, mandej edhe pejgamberët para teje i kanë fyer, por ata duruan, duro edhe ti, se ndihma e Zotit është e sigurt, atë s'ka kush që mund ta pengojë.

Zoti fuqiplotë i thotë Muhammedit mos e ngushto veten pse nuk po besojnë, ti nuk ke mundësi t'i vësh në rrugë të drejtë: ajo është punë e Zotit, Ai e di se kush do të besojë e kush jo, e ti duhet ta dish fuqinë dhe mjeshtërinë e Zotit e të jesh i qetë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:22–6:26

- Një ditë, Ne do t'i tubojmë të gjithë dhe do t’u themi idhujtarëve: “Ku janë idhujt tuaj, që pretendonit se ishin ortakë të Allahut?” - Allahu i Lartësuar na njofton se, Ditën e Tubimit, Ai ka për t’i pyetur idhujtarët rreth putave dhe idhujve të tyre: “Ku janë idhujt tuaj, që pretendonit se ishin ortakë të Allahut?” Kjo i ngjan ajetit tjetër, kur Allahu thotë: “ Ditën kur Ai do t'i thërrasë ata, do t'u thotë: “Ku janë ortakët, të cilët m'i shoqëronit?” [Kasas 74]. - Atëherë, atyre s’u mbetet përgjigje tjetër, përveçse të thonë: “Betohemi në Allahun, Zotin tonë se ne nuk ishim idhujtarë!” - Ata nuk do të kenë argument që ta paraqesin përpara Allahut të Lartësuar për të justifikuar idhujtarinë e tyre. Ibn Xheriri thotë që, mendimi më i saktë është se, në momentin kur Allahu t’i sprovojë, ata nuk do të gjejnë fjalë të tjera për të treguar keqardhjen ose që të justifikohen për idhujtarinë e tyre, përveçse të thonë: “Betohemi në Allahun, Zotin tonë, se ne nuk ishim idhujtarë!” - Shih se si gënjejnë kundër vetes dhe se si iu humbasin idhujt që vetë i trillonin! - Kjo i ngjan fjalës së Allahut, në një ajet tjetër, kur thotë: “Ata do të thonë: “Na kanë humbur sysh! Jo, ne nuk kemi adhuruar asgjë më parë (që meriton të adhurohet) .” Ja, kështu i çon Allahu në humbje jobesimtarët.” [Gafir 74]. - Ka prej tyre që mëtojnë se të dëgjojnë, por Ne kemi hedhur mbulesë mbi zemrat e tyre, që të mos e kuptojnë atë dhe veshët ua kemi bërë të shurdhët. Edhe sikur të shihnin të gjitha Shenjat, ata nuk do të besonin. - Ata vijnë që të dëgjojnë leximin tënd të Kur 'anit, por ai nuk u vlen aspak atyre, sepse Allahu u ka vendosur mbi zemra mbulesë, që ata të mos e kuptojnë Kur 'anin, ndërsa veshët ua ka shurdhuar, në mënyrë të tillë që dëgjimi i tyre të mos jetë dobiprurës për ta. Gjithashtu, çfarëdo që të shikojnë prej ajeteve, shenjave dhe argumenteve të qarta, përsëri ata nuk kanë për t’i besuar. Kështu, ata nuk gëzojnë as aftësi për të kuptuar të vërtetën dhe fjalën e Zotit dhe as nuk heshtin, për të dëgjuar në mënyrë të tillë që iu sjell dobi. Kjo ngjan me ajetin tjetër:

“Nëse Allahu do të kishte parë tek ata ndonjë të mirë, do t’i kishte bërë, vërtet të dëgjonin. Por edhe sikur t’i bënte të dëgjonin, ata do të sprapseshin dhe do të kundërshtonin.” [Enfal 23]. - Kur vijnë tek ti që të polemizojnë, mohuesit thonë: “Kjo nuk është gjë tjetër, vetëm se përrallë e vjetër!” - Kur vijnë tek ti, ata polemizojnë dhe të kundërshtojnë ty, duke hedhur poshtë të vërtetën dhe duke u përpjekur ta refuzojnë atë përmes të kotës. Ata thonë: “Kjo nuk është gjë tjetër, vetëm se përrallë e vjetër!” Pra, ata shpifin dhe trillojnë se Kur'ani është marrë nga librat e gojëdhënat të parëve. - Ata i ndalojnë të tjerët nga ai (Muhamedi) dhe vetë largohen prej atij. - Ata i privojnë dhe ndalojnë njerëzit nga pasimi i të vërtetës, nga pranimi i profetësisë së Muhamedit dhe nënshtrimi ndaj Kur'anit. Nga ana tjetër: “...dhe vetë largohen prej atij.” Pra, edhe vetë largohen prej së vërtetës. Kështu, ata bëjnë dy vepra të shëmtuara: as vetë nuk përfitojnë nga e vërteta dhe as të tjerët nuk i lejojnë që të përfitojnë nga ajo, por i pengojnë me çdo mënyrë. - Por me këtë, ata shkatërrojnë veç veten e tyre dhe nuk e kuptojnë. - Ata nuk shkatërrojnë me këtë vepër asnjë, përveç vetes. Pasojat e kësaj vepre të keqe kthehen dhe godasin vetëm ata, por ata as nuk e ndiejnë diçka të tillë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:22–6:24

- “Një ditë, Ne do t'i tubojmë të gjithë dhe do t’u themi idhujtarëve: “Ku janë idhujt tuaj, që pretendonit se ishin ortakë të Allahut?” - Allahu i Madhëruar na tregon për gjendjen e mjeruar të idhujtarëve në Ditën e Gjykimit. Ai do t’u drejtojë qortime dëshpëruese duke iu thënë: “Ku janë idhujt tuaj, që ju pretendonit se ishin ortakë të Allahut?” Pra, ku janë ata që ju i adhuronit veç Allahut, që t’ju ndihmojnë dhe t’ju shpëtojnë tani? Allahu i Madhëruar nuk ka shok dhe është i vetëm në çdo aspekt. Kur t’u bëhet kjo pyetje, ata të mjerë do të mohojnë se kanë bërë idhujtari, madje do të betohen se nuk kanë qenë idhujtarë. - “Atëherë, atyre s’u mbetet përgjigje tjetër, përveçse të thonë: “Betohemi në Allahun, Zotin tonë se ne nuk ishim idhujtarë!” - Shiko çfarë gjendje e habitshme! Gënjeshtrat e tyre do dëmtojnë pikërisht ata, duke u sjellë veç dëshpërim. Për Zotin, mashtrimet do t’u sjellin dëshpërim të thellë! - “Shih se si gënjejnë kundër vetes dhe se si iu humbasin idhujt që vetë i trillonin! - Idhujt që ata kanë adhuruar do t’i lënë në baltë, do të distancohen prej tyre dhe nuk do t’u sjellin asnjë dobi. Ata nuk do t’i shpëtojnë kurrë nga ndëshkimi i Allahut të Madhëruar. I lartësuar qoftë Allahu nga shpifjet dhe trillimet e zullumqarëve!

← Enam 6:22