6. Enam · Ajeti 29 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:19–6:29
Derisa një pjesë e jobesimtarëve e mohonte mundësin e ringjalljes dhe përgjegjësinë në botën tjetër, Kur'ani parashtron në mënyrë figurative paraqitjen e atyre para Gjykatësit suprem, dëshpërimin e tyre pse nuk besuan të vërtetën dhe sugjeron atë se jeta e kësaj bote, në krahasim me jetën e botës së amshueshme, është një lojë e mashtrim.
Kundërshtarët e fyenin Muhammedin duke i thënë: rrenës, magjistar, falltor etj, edhe pse e dinin se ai ishte i drejtë, besnik, i sinqertë. Ai ishte i njohur në Mekë si njeriu më i drejti, andaj edhe i patën dhënë ofiqin "El-Eminë" - më besniku, por para se t'i vinte shpallja prej Zotit. Kur i erdhi, nuk deshën ta pranojnë dhe filluan ta fyejnë, e Zoti i thotë mos u brengos për atë që po të thonë, ata janë duke mohuar argumentet e Zotit, mandej edhe pejgamberët para teje i kanë fyer, por ata duruan, duro edhe ti, se ndihma e Zotit është e sigurt, atë s'ka kush që mund ta pengojë.
Zoti fuqiplotë i thotë Muhammedit mos e ngushto veten pse nuk po besojnë, ti nuk ke mundësi t'i vësh në rrugë të drejtë: ajo është punë e Zotit, Ai e di se kush do të besojë e kush jo, e ti duhet ta dish fuqinë dhe mjeshtërinë e Zotit e të jesh i qetë.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:27–6:30
- Eh, sikur t’i shihje ata, kur të ndalen përpara Zjarrit! - Allahu i Lartësuar na tregon rreth gjendjes së mohuesve, kur ata të përballen me Ditën e Kijametit, kur të shohin zjarrin dhe të dëshmojnë me sytë, shqisat dhe me gjithë qenien e tyre ndëshkimet dhe tmerret e saj, me prangat dhe vuajtjet që i presin. Në këtë kohë ata do të thonë: - Ata do të thonë: “Ah, sikur të ktheheshim (në dynja)! Atëherë nuk do t'i mohonim argumentet e Zotit tonë, por do të bëheshim besimtarë.” - Ata do të dëshirojnë shumë që të ktheheshin sërish në dynja, që të bënin vepra të mira dhe të mos refuzonin ajetet dhe shpalljet e Zotit të tyre, por përkundrazi, t’i besonin ato dhe t’i nënshtroheshin fesë së Tij. Por Allahu i
Madhëruar i përgënjeshtron ata dhe fjalët që ata thonë: - Megjithatë, atyre u del në shesh ajo që më parë e mbanin fshehur. - Tashmë u del në shesh mohimi dhe refuzimi i të vërtetës, që ata e fshihnin në shpirt në të shkuarën. Kështu, ata nuk e kërkojnë kthimin në dynja ngaqë dëshirojnë besimin tek Allahu, por e kërkojnë këtë thjesht nga frika e ndëshkimit, që e shikojnë me sy, të cilin e meritojnë pikërisht për mohimin dhe refuzimin e të vërtetës. Ata kërkojnë kthimin në dynja thjesht për të shpëtuar nga ajo që shohin në Xhehenem. - Por edhe sikur të ktheheshin, ata do ta kryenin sërish atë që u ishte ndaluar. Me të vërtetë, ata janë gënjeshtarë. - Ata janë mashtrues e gënjeshtarë kur kërkojnë kthimin në dynja, që të besojnë dhe t’i nënshtrohen Allahut. I Lartësuari tregon se, edhe nëse do të ktheheshin në këtë dynja, ata përsëri do t’i ktheheshin mohimit dhe kundërshtimit të rrugës së Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Por edhe sikur të ktheheshin, ata do ta kryenin sërish atë që u ishte ndaluar.” Ata do t’i ktheheshin përsëri fjalës së tyre, siç thotë Allahu: - Ata thonë: “Veç jetës sonë në këtë botë, nuk ka gjë tjetër dhe kurrë nuk do të rigjallemi.” - Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Eh, sikur t’i shihje ata kur të qëndrojnë para Zotit të tyre! - Ata do të nxirren dhe do të qëndrojnë përpara Zotit të tyre. - Atyre do t’u thuhet: “A nuk është kjo (ringjallje) e vërteta?” Ata do të thonë: “Po, për Zotin tonë!” - Allahu do t’u thotë: A nuk është kjo ditë e premtuar diçka e vërtetë? Sigurisht, kjo është e vërtetë dhe nuk është kotësi, ashtu siç ju hamendësonit. - Ai do t'u thotë: “Shijojeni atëherë dënimin, për shkak se ju e mohonit besimin (e drejtë) !” - Për shkak se ju i konsideruat shpalljet e Zotit mashtrim, ndërsa Ditën e Kijametit dhe kërcënimin për ringjalljen dhe llogarinë para Zotit e konsideronit gënjeshtër, atëherë shijojeni sot këtë ndëshkim dhe realitetin e tij!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:27–6:29
Duke na treguar për gjendjen e dëshpëruar të idhujtarëve kur t’i afrohen Zjarrit, Allahu i Madhëruar thotë: - “Eh, sikur t’i shihje ata, kur të ndalen pëpara Zjarrit! Ata do të thonë: “Ah, sikur të ktheheshim (në dynja) ! Atëherë nuk do t'i mohonim Argumentat e Zotit tonë por do të bëheshim besimtarë.”” - Me këto fjalë, i Lartësuari u jep lajmin e keq idhujtarëve. Atëherë, kuptimi i ajetit është: Sikur t’i shihje ata, do të shihje një pamje tmerruese. Do t’i shohësh se si ata e pranojnë vetë se kanë qenë në kufër dhe në shfrenim. Ata do të shpresojnë më kot që të kthehen edhe një herë në dynja. - “Po, atyre u del në shesh ajo që më parë e mbanin fshehur. Por, edhe sikur të
ktheheshin, ata do ta kryenin sërish atë që u ishte ndaluar. Me të vërtetë, ata janë gënjeshtarë.” - Ata e fshihnin në veten e tyre faktin se ishin mashtrues. Ky fakt shpeshherë ua ngacmonte shpirtin, por qëllimet e tyre të prishura i penguan nga rruga e drejtë dhe nga e mira. Dëshirat e tyre të mbrapshta ua devijuan zemrën. Kështu ndodhi me ta në jetën e dynjasë. Për këtë arsye, kur ata shprehin dëshirën që të kthehen në dynja, me pretendimin se do të punojnë vepra të mira dhe do të ndjekin udhën e drejtë, ata janë gënjeshtarë. Qëllimi i tyre i vetëm është thjesht shpëtimi prej ndëshkimit. Duke mohuar ringjalljen, ata thonë: - “Ata thonë: “Veç jetës sonë në këtë botë, nuk ka gjë tjetër dhe kurrë nuk do të rigjallemi.” - Kuptimi: Qëllimi pse ne ekzistojmë është thjesht për të jetuar jetën këtu në dynja. Ne thjesht jetojmë e vdesim në të dhe ne nuk kemi për t’u ringjallur kurrë.